Jeta e natës në Tiranë

Kriza financiare ka rrudhur jetën e natës së shqiptarëve. Konsumi, por edhe frekuentimi, ka rënë. Çmimet e produkteve të furnitorëve janë shtrenjtuar, por përsëri marzhi i fitimit i bareve e lokaleve të natës vazhdon të jetë i lartë. Tani nisin muajt e rigjallërimit

Kohët e arta duket se kanë perënduar. Nuk ka më qejf pa fund, net të bardha deri në orën 6:00 të mëngjesit, alkool pa hesap. Drejtuesit e lokaleve të natës më në zë në Tiranë thonë se konsumi ka rënë 30-40%, ndërsa frekuentimi më pak (20-30%). Motoja nuk është më “pi një ditë sa për tri”, por “me një pije rri gjithë natën”. Vendet fqinje gjithashtu po vuajnë rënie të kësaj industrie. Në Londër, kryeqyteti europian i jetës së natës, tregu ra me rreth 19%.

Të ndodhur në këto kushte, drejtuesit e mjediseve argëtuese të natës në Tiranë po përpiqen të gjejnë forma të reja për t’i bërë shqiptarët më dorëlëshuar. Arma kryesore është muzika. Kjo është kryefjala e këtij biznesi. Nëse ofron atë që do turma, ajo të ndjek pas, nëse jo atëherë përballesh me tavolina bosh ose konsum të ulët.

Strategjitë e marketingut që përdoren për të joshur, gjithashtu janë bërë më të sofistikuara. Me konsumatorin, ky biznes preferon të flasë kryesisht në dy forma “jashtë shtëpie” dhe me zë. Kjo nënkupton se format më të përdorura për marketingun janë “outdoor” dhe radiot, kryesisht për koston e lirë që ofrojnë. Po cilat janë tendencat e sotme të jetës së natës në Tiranë, si ka ndryshuar ajo, çfarë ka diktuar ulja e fuqisë blerëse?

Karaoke dhe net latine

Tirana është vendi ku në pjesën më të madhe të vitit zhvillohet jeta e zhurmshme e natës. Vetëm në verë ajo ia dorëzon këtë “pushtet” qyteteve bregdetare. Ka të paktën dy vjet që kjo industri që qarkullon miliona, po njeh shifra me rënie. Kriza financiare ka orientuar në kah tjetër edhe argëtimin. Qejf, por me pak lekë. “Të mbushësh hapësirat e bareve të natës thotë menaxheri i ‘Mumja Club’, është bërë e vështirë. Duhet të gjesh gjithmonë forma të reja argëtimi, në të kundërt rrezikon të humbasësh”. Kjo reflektohet edhe në tendencën që kanë shqiptarët për të orientuar shijet e argëtimit.

Karaokja është një nga format më të suksesshme të jetës së natës në Tiranë, tregon menaxheri i “Bistro Club and Pool”. Në zonën e ish-Bllokut ka të paktën katër lokale ku mund të “shpaloset” talenti, duke u ndihmuar edhe nga profesionistët. Ky lloj argëtimi preferohet si nga të rinjtë, ashtu edhe nga moshat më të vjetra.

Baret me muzikë “tallava” gjithashtu joshin së tepërmi. Janë të shpërndara në disa zona të Tiranës, si në afërsi të “Librit Universitar”, te Rruga e Elbasanit apo edhe te “Stacioni i Trenit”. Performohen këngë që dëgjohen edhe në stacionet televizive që i dedikohen muzikës.

“Latin night” kanë filluar të bëhen epiqendra e argëtimit kryeqytetas. Baret dhe lokalet që programojnë net ku luhet vetëm muzikë latine e kanë të garantuar suksesin e asaj nate.

Menaxherja artistike e “Caramel”, e cila është edhe një balerinë profesionale thotë se ritmet e “bachata”, “cha cha cha”, “Salsa” etj., po kthehen në kërcimet më të dashura për të rinjtë. Shumë prej tyre “shfrytëzojnë” këto net për të praktikuar edhe mësimet e marra private. “Këto mbrëmje sot kanë marrë një formë më të kompletuar dhe janë më të kërkuarat dhe të njohura njëkohësisht, në krahasim me shtatë vite më parë”, thotë ajo.

Për të mos humbur klientët, menaxherët e jetës së natës kanë shkrirë edhe kufijtë që ndajnë club-in nga pub-i. Të gjitha këto ambiente ofrojnë shpesh si muzikë të luajtur nga DJ dhe performanca me muzike “live”.

Birrë vs Whisky

Jeta e natës nuk mund të kuptohet pa alkoolin dhe muzika e mirë do gjithashtu një shoqërues të denjë. Por kriza financiare ka diktuar sjellje të re. Nuk ka më doza pa fund alkooli apo moto “në një natë pi sa për tre”. Menaxheri i përgjithshëm i “Big Ban Pub” dhe “Mumja Club” thotë se sasia e alkoolit që konsumohet në fundjavë nuk është më në nivelet e dikurshme, por kjo varet edhe nga ajo që ofron mbrëmja (pra programi muzikor). Si tendencë ai vë re se femrat kanë rritur dozën e alkoolit. “Long drinks” (“pijet e gjata” konsumohen më shumë gjatë qëndrimit në këto mjedise. Menaxherët e këtyre lokaleve thonë se edhe konsumi i birrës po rritet. Një nga arsyet është çmimi më i ulët që ka në krahasim me pijet e tjera. Koktejet janë pijet më të shtrenjta dhe zakonisht janë femrat që i konsumojnë ato.

Shpenzimi mesatar për një njeri tani llogaritet nga 1,000 lekë në 2,000. Në dimër ka raste kur një person nuk konsumon më shumë se një gotë, e cila kushton mesatarisht 600 lekë, ndërsa në verë kjo shifër mund të llogaritet deri edhe në 1,000 lekë. Me një llogaritje të thjeshtë për një lokal me kapacitet 600 vetë, për një konsum 1,500 lekë personi, xhiroja llogaritet në rreth 900,000 lekë. Kjo është një shifër, e cila për drejtuesit e këtyre bizneseve është e ulët, ndërsa shpresohet që stina e verës të bëjë “mrekullinë” e radhës.

Të huajt janë shpenzuesit më të mëdhenj. Drejtuesi i “Bistro Club & Pool” thotë se të huajt që jetojnë e punojnë në Shqipëri shpenzojnë më shumë se dyfishi i shqiptarëve për një natë. Në preferencat e tyre janë baret e tipit “Irish”.

Për të mos humbur klientët dhe për të nxitur konsumin, menaxherët e jetës së natës kanë mbajtur çmime të pandryshueshme, edhe pse furnitorët e pikave të shumicës i kanë rritur çmimet. Kjo ka dhënë efekt të lehtë të uljes së marzhit të fitimeve, edhe pse ky është në shifra rekord (nga 300% në 250%, shifër e dhënë në mënyrë konfidenciale nga menaxherët).

Këngëtarë apo DJ

Gërshetimi i muzikës “live” me atë me DJ është ajo që tregon karakterin e një lokali. Pub-i është më tepër i orientuar nga muzika rrok dhe performanca e grupeve “live” është e domosdoshme. Club-i ka karakter më shpërthyes, ku përveç muzikës, vend të rëndësishëm zënë dhe efektet speciale të ndriçimit.

“Në mbijetesën dhe suksesin e një biznesi argëtimi vlerësohet si shumë e rëndësishme ofrimi i programeve të shumëllojshme dhe të reja, me qëllim final thithjen e klientëve”, thotë menaxheri i “Mumja Club”. Club-i është pa dyshim në majën e preferencës nga moshat e reja dhe jo më nga moshat më të mëdha siç ndodhte më parë. Pub-i mbetet gjithashtu i pëlqyer, pasi ka kuptimin e një ambienti i cili shet kafe, lëngje frutash, pije alkoolike, por edhe ushqim. Ofron çmime më konkurruese dhe është një mjedis ku më së shumti duhet të vishesh sportiv dhe të jesh në rehati me veten. “Një dukuri që shoqëron këtë biznes është edhe fakti se konkurrenca ka shtuar ofertat ekstreme dhe kjo bën që klienti të mos jetë besnik, por të rendë pas tyre. Ofertë e tillë nuk është vetëm një pije e lirë apo një mbrëmje e cila ofron të gjitha pijet falas, por edhe kur bëhet një shpenzim i madh kundrejt një përfitimi zero. Në këtë mënyrë, klientët ndihen të joshur herë nga njëri e herë nga tjetri”, thotë menaxherja artistike e “Caramel”. Sipas saj, ky është një treg që lëviz çdo ditë me shpresën për t’iu rikthyer stabilitetit të dikurshëm.

Detyra e menaxherëve të bizneseve të argëtimit është të gjejnë mënyra jo vetëm për të joshur klientë, por edhe për t’i dhënë atyre “adrenalinë”. Gjatë gjithë kohës ata janë në kërkim të gjetjeve që duhet të nxisin turmën, të prodhojnë të ardhura dhe të mbulojnë shpenzimet që bëhen për sigurimin e artistëve.

Në një natë këngëtarët shqiptarë dhe kosovarë (emra që janë në top-listën e kërkesave të konsumatorit) paguhen nga 1,000 deri në 3,000 euro. Këngëtari shqiptar më i paguar është Flor Mumajesi, ndërsa nga Kosova, Genta Ismaili. Ata që paguhen me shifra rekord janë DJ me famë botërore, si DJ Tiesto, David Guetta që në Shqipëri janë paguar nga 50,000 deri në 70,000 euro në një natë. Ndërsa një DJ i huaj i nivelit mesatar paguhet nga 3,000 deri në 5,000 euro në natë.DJ shqiptar më i paguar në natë fiton 80,000 lekë, ndërsa ai i një niveli mesatar nga 30,000 deri në 40,000 lekë.

Nëse performancës do t’i shtohen edhe balerinat, qofshin ato të huaja apo shqiptare, kostot janë ekstra. Një balerinë e huaj paguhet nga 300 deri në 500 euro, ndërsa një shqiptare nga 10,000 lekë deri në 15,00 lekë. Sot nuk mjafton vetëm një glob me drita vezulluese dhe muzikë ritmike, duhet më shumë. Kjo reflekton edhe natyrën që kanë mjediset argëtuese të natës në Tiranë.“Mumja Club” propozohet si një arenë koncertesh ku shpesh performohet muzikë “live”. “Venue Dance Club” është një ambient që ofron spektakle të ndryshme me balerinat huaja apo edhe performanca të këngëtarëve të njohur shqiptarë dhe të diasporës.

Ajo që kujdesen menaxherët është që mjediset të përshtaten me standarde të larta, si nga ana e akustikës ashtu edhe ndriçimit. “Rregulli i artë për të bërë për vete turmën është të servirësh çdo herë një program të ri, pra të mos biesh në monotoni.

Muzika duhet të përshtatet me shijet e publikut”, thotë menaxheri i “Bistro Club & Pool”. Çdo gjë është si në vendet europiane. Në çdo performancë sigurohet që shijet të jenë të njëjta me këto vende, të cilat i kanë testuar edhe më parë këto eksperienca. Nëse nuk do të luhet me riskun, duhet të mbash një qëndrim konstant, të jesh koherent dhe të ofrosh atë çka konsumojnë edhe popujt e tjerë. Për menaxherin e “Mumia Club”, një herë në muaj moshave të reja i ofrohet një shfaqje me muzikë “hip hop”, ndërsa banda e muzikës “live” arrin të performojë për rreth katër orë pa ndalim dhe këtu klientela janë njerëzit e muzikës, si instrumentist, këngëtarë etj. Këto gjetje nxisin edhe konsumin e alkoolit. Festat bëhen në ditë të caktuara, për të bërë të mundur që t’i ofrohet konsumatorit gjëra edhe të çuditshme.

Në këto performime, shpesh menaxherët përfshijnë edhe mënyra të tjera marketingu, duke kërkuar që klientët të rikthehen. Një tjetër “truk” që po përdoret për të joshur klientët është edhe ai i ndryshimit të shpeshtë të imazhit të lokaleve të natës. Lokalet ndërrojnë emër dhe bashkë me të edhe “lëkurën”. Stilet bëhen më modernë dhe më luksozë. Diku imitohet stili anglez, diku ai italian, diku ai klasik francez. Çdo gjë në emër të konsumatorit.

Furnitorët kanë rritur çmimet

Menaxherët e lokaleve të natës thonë se një nga arsyet që ka rënie në fitimin e tyre ka të bëjë edhe me faktin se furnitorët kanë rritur çmimet kryesisht për pijet alkoolike dhe akullin. Për shembull një pako standarde akulli nga 150 lekë tani blihet me 200 lekë.

Një nga furnitorët e bareve të natës është edhe kompania “Neranxi”. Drejtuesit e saj thotë se nuk kanë ndier rënie gjatë furnizimit të lokaleve, si me fruta të thata ashtu edhe me kokteje të ndryshme. Deri tani është shënuar rritje me 10% në krahasim me një vit më parë. Për shpërndarësit e akullit situata është e ndryshme. Disa thonë se rënia ka qenë edhe 50%, të tjerë se kjo shifër luhatet nga 20-30%. Ata thonë se muaji janar ka qenë shumë i dobët, po kështu edhe shkurti. Gjatë këtij muaji është vënë re përmirësim i lehtë i tregtimit. Drejtuesit e kompanive prodhuese dhe tregtuese të akullit thonë se konkurrenca ka ashpërsuar luftën. Ata rendisin si shkak për rënien e xhiros edhe faktin se një pjesë e lokaleve të natës kanë investuar në makineri dhe e prodhojnë vetë akullin.