Interi ka marrë një barazim në sfidën derbi të luajtur ditën e djeshme ndaj Milanit. Zikaltrit mund të merrnin edhe më shumë për shkak të rasteve të krijuara, por gjithsesi ky është një rezultat që i kënaq sepse lënë mbrapa një rival direkt si Milani.

Gjithsesi, Interi ka një rrugë të vështirë për të bërë nëse kërkon të sigurojë një biletë për në Ligën e Kampionëve. Për momentin ka vetëm 1 pikë më pak se Roma e vendit të tretë, por kalendarin e ka shumë të vështirë.

Nga 8 ndeshjet e mbetura në kampionat, 5 duhet t’i luajë jashtë fushe dhe vetëm 3 brenda fushe (ndër këto njërën me Juventusin kryesues).

Interi ka për të luajtur transfertat e Torinos, Atalantës, Kievos, Udinezes dhe Lacios, një kundërshtari direkt për Champions, në javën e fundit. Ndërsa në shtëpi ka për të luajtur sfidat me Kaliarin, Sasuolon e Juventusin.