Bep Shiroka, një aktor komik dhe dramatik që rrallë i takon ta ketë të vetin skena shqiptare. Shkëlqimi i gjysëm shekulli karriere nga teatri deri tek filmi. Jeta dhe kryerolet e tij në kinema e teatër që e shndërruan aktorin në idhull të batutës dhe humorit

Nga Neritana Kraja

Nëse publiku shqiptar e identifikon me dy filma, “Çifti i lumtur” (1975) dhe “Koncert në vitin 1936”,(1978), vlerësimi i bashkëqytetarëve të tij shkodranë shkon përtej kinemasë…. Shkon përtej 160 premierave të Teatrit “Migjeni” në 40 vite karrierë ku në shumicën e tyre ka interpretuar rolin kryesor.

Bep Shiroka, një artist që rrugën e nisi nga piktura, që lindi e jetoi në një qytet ku arti ushqen shpirtërat njëlloj si ajri, e ku ai la gjurmë që koha kurrsesi nuk mund t’i fshijë. Aktor i teatrit, apo kinemasë? I dramës apo komedisë? Pyetje që marrin përgjigje pohuese në të gjitha rastet e ku komplimentet për kontributin, nostalgjinë, adhurimin ndaj aktorit janë njëlloj prezente si në të gjallë të tij.
Megjithëse viteve të fundit i kishte munguar skenës dhe kinemasë, lidhja me teatrin, filmin, spektatorin, qytetin e tij, ka mbetur akoma e fortë. Edhe pse ndodhej për shumë kohë i shtruar për kurim në një spital të Italisë, në raste festash a gëzimesh, ai nuk harronte të përshëndeste apo uronte nga larg përmes faqes së tij në internet bashkëqytetarët, miqtë, adhuruesit e tij, e nuk reshti së bëri këtë deri në fund…Sot që ai nuk ndodhet më mes nesh, është nipi i tij, Indi ai që falenderon të gjithë ato që vlerësojnë kontributin e gjyshit të tij. Nga Firence, qyteti në Italia ku jeton, ai na ndihmon me një sërë fotografish nga karriera e aktorit Bep Shiroka, shpjegon shumë detaje të jetës së aktorit. Me shfajësimin se është shumë i ri dhe se nuk ka pasur mundësi të shohë të gjitha shfaqjet e gjyshit në skenë, me keqardhjen se nuk është në gjëndje të përcaktojë diçiturat e fotografive nga arkivi personal i gjyshit, pasi të tilla të dhëna mungonin, me gjithë krenarinë se është nipi i një aktori të një kalibri të tillë, ai na udhëheq drejt detajeve interesante që kanë të bëjnë me jetën e aktorit. Rrëmimi në kujtime të vjetra, përshtypje personale, fotografi të karrierës, veçoritë e karakterit si njeri….E kështu rrëfimi për aktorin fillon e bëhet gjithnjë e më i plotë.

Rastësisht aktor
Aktori Bep Shiroka i përket atyre rasteve që artin e kanë në gen, por që kanë ëndërruar të bëjnë diçka tjetër në jetë. Por talenti ka trillet e tij. Të mbërthen dhe të jep famën. “Rruga e artit skenik ka qenë një zgjedhje e rastësishme”, gjejmë të pohuar mes kujtimeve të aktorit. “Im atë ka qenë Kolë Shiroka dhe njihej si një ndër organizatorët e karnavaleve të famshme të Shkodrës, ndërsa nëna e ka pasur në natyrë humorin. E ardhur nga familja e famshme e Daiajve, nëna më la si trashëgim shumë nga natyra e saj”. Unë kam lindur në një shtëpi, që është bërë humor. Nga babai kam trashëguar dashurinë për pikturën, për muzikën”.

Roli i parë dhe i fundit në “Migjeni”
Një koinçidencë më e bukur se kjo nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Roli i parë dhe i fundit për aktorin Bep Shiroka, interpretohen të dy në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër. Roli i parë në vitin 1960, kur aktori ishte 27 vjeç në dramën “Nora” të Andrea Skanjetit, ndërsa roli i fundit në vitin 2008, në moshën 75 vjeçare, kur me një kthim të bujshëm, dinjitoz, por fatkeqësisht të fundit, u ngjit në skenën e Migjenit si për të dhënë lamtumirën e tij me “Putargat e thata” të Stefan Çapalikut. Të dy këto kufinj skenikë mbartin vlerë të veçantë për aktorin. Roli i parë sepse e futi në rrugën e mistershme të aktrimit, i fundit sepse tregoi se sa e gjatë, e bukur dhe dinjitoze, magjike dhe emocionuese kishte qenë kjo rrugë. “Roli i parë mbetet i dashur se… më dukej vetja sikur kisha hyrë në një pyll lisash me aktorë të vjetër që ishin me emër, që i kishin dhënë fytyrë teatrit “Migjeni”. E unë në mes tyre, si një filiz kërkoja të shkoja sa më lart, me pak diell, që të rritesha. Kam kontribuar 40 vjet në teatër”, kujtonte aktori. “Ne patëm fatin e keq që qemë aktorë të realizmit socialist. Qemë aktorë që punuam në kushte të vështira, kështu që nuk na u dha mundësia që të jepnim… Politizimi, formatet, skematizmi na mbinin si kërpudhat. Megjithatë në këtë mjedis u rritëm e u bëmë aktorë. Të gjithë regjisorët i kujtoj me nderimin më të madh”. Por, nëse roli i parë është si fëmija i parë, roli i fundit në vitin 2008 shënoi një karakter tjetër interesant me peshë të madhe dramatike.“Ky rikthim erdhi pas shumë hezitimesh. Ishin fëmijët e mi që ndonëse jetojnë jashtë vendit, më shtynë ta pranoja rolin. Emocionet e rikthimit ishin të forta”, do të kujtonte aktori për shfaqjen e tij të fundit në skenë.

Mes humorit dhe dramatikes
Aftësia për t’iu përshtatur si roleve komike, ashtu edhe roleve dramatike ka qenë një nga pikat e forta të aktorit Bep Shiroka. Në të njëjtin moment, aktor komik fantastik, me batuta e skeçe që rallë i ka ndeshur kinematografia dhe skena shqiptare dhe nga ana tjetër një aktor dramatik i jashtëzakonshëm. “Nga sa kujtoj prej bisedave me të, kujton nipi i tij, ai vlerësonte me tepër pjesën dramatike tek një aktor. Vazhdimisht thonte se një aktor nuk mund të bëhej i madh pa anën dramatike. Mund të jetë aktor komik shumë i mirë, aktor që të mbyt gazit, por kurrë nuk mund të jetë i kompletuar nëqoftëse i mungon ana dramatike”. Vetë aktori më herët qe shprehur: “Veten e quaj aktor të dramës, se drama më pëlqen, zë vendin e parë. Çdo aktor është mirë që nga njëherë të luajë edhe komedi. Dikush mund të thotë: “Nuk mundem!” Unë jam i mendimit, që aktori ka nevojë të ndërrojë fëtyrë, ta zgjerojë fëtyrën e vet, të largohet nganjëherë edhe prej “vetullave të ngrysuna” të dramës. “Shkodrës nuk i kanë munguar humori dhe humoristët, thonte shpesh Bep Shiroka. Të qeshurën, shkodrani e merr me qumështin e nënës”. Sesa për zemër e kishte humorin aktori e tregon edhe dëshmia e nipit të tij për ditët e fundit të aktorit. “Edhe në shtratin e një spitali italian, larg nga vendi i tij, në gjendje dramatike jetese, ai arrinte të na bënte të qeshnim me batutat e tij karakteristike. Por më shumë, me gjestet e tij të paharrueshme dhe me shprehjet e fytyrës që vetëm kush e ka aktrimin në gjak mund ta bëjë”.

“Çifti i lumtur”
Roli që e ka pasur më për zemër është sigurisht roli i babait fanatik në filmin “Çifti i lumtur”. Në fakt ishte një skeç, që më pas u kthye në komedi. “Skeçin e pa aktori i talentuar i humorit, Artisti i Popullit, Tano Banushi, kujtonte Bep Shiroka dhe tha: “Ta bëjmë komedi!” Punuam të gjithë me qejf, me në krye regjisorin e talentuar Serafin Fanko, i cili, na la të “lirë”. E ne çdo ditë bënim humor. “Qit e prit” batuta, sa nga unë, sa nga Vitorja (Nino), sa nga Nefaili (Piraniqi), sa nga Marija (Qyrsaqi), që ishim aktorë në këtë komedi. Pastaj vinte seleksionimi artistik dhe çfarë mbetej me vlerë bëhej mish i komedisë. E shfaqëm. Jehona e suksesit ra në veshin e aktorit, Ndrekë Luca e më vonë të regjisorit Pirro Mani. Sugjerimi i tyre ishte të bëhej film. Dhe unë në këtë film, luajta rolin e Fanatikut”. Suksesi i atij filmi lidhet me shumë komponentë, por në mënyrë të padiskutuar lidhet me lojën brilante të aktorit shkodran. Mjaft natyral në interpretim. Fakti që ka interpretuar veten e tij, një burrë me vlera të forta, por i butë si njeri, që për familjen shpesh shkelte edhe bindjet e kryefortësinë e vet, përbën një nga çelësat e suksesit të rolit. “Gjyshi im në atë film nuk ka qenë fare i sforcuara. Këtë ma ka treguar vetë ai. Dua të them se ka qenë krejt natyral në interpretimin e atij roli, sepse në rallë të parë ka interpretuar në dialektin e qytetit të tij, me gjuhën që ka mësuar nga baba e nana e tij. Mbaj mend se për këtë film tregonte se shumica e batutave të filmit, nuk kanë qenë të shkruara, por i shpikte ai vetë në momentin e xhirimeve. Dhe këtë detaj mund ta vlerësosh përshëmbull kur sheh Tinkën (Kurti) duke qeshur me te madhe. Aty dallohet se Tinka po qesh me gjithë shpirt se askush në ekipin e xhirimit nuk priste që gjyshi im të bënte ato batuta”.

Xhandari i Koncertit
Xhandari i filmit “Koncert në vitin 1936”, pa diskutim ngelet një nga xhandarët më simpatikë të kinematografisë shqiptare. Të gjithë, ndërsa kujtojmë këtë film menjëherë e identifikojmë me aktorin Bep Shiroka. “Humori i babës tim më ka ndihmuar të ndërtoj figurën e xhandarit Vesel në filmin “Koncert në vitin 1936”, kujtonte aktori. Regjisori Saimir Kumbaro, më pat dërguar asaj kohe skenarin me shënimin: “Bep, zgjidh, cilin rol të duash”. T’ju them të drejtën, më pëlqeu roli i xhandarit. E kam punuar me shumë dëshirë. Mbase ndikoi dhe grupi i mrekullueshëm që ishim, si Robert Ndrenika, Birçe Hasko, Roland Trebicka … të gjithë, deri të banori i fundit i Libohovës. Edhe ata e ndjenin veten pjesëtarë të këtij filmi. Ndoshta është i vetmi film që kam kaluar shumë mirë … ndonëse kam luajtur në 20 filma. Në këtë film kam interpretuar rolin e një xhandari, që kujton se është gjithçka e s’është asgjë. Ky lloj tipi shkon pas prefektit, pas kryetarit të Bashkisë, pas gjithë nëpunësve, merret me mbytjen e qenve, me vënien e afisheve, pra merret me të gjitha, bërtet në kupë të qiellit kot së koti, por askush nuk i vë vesh. Pastaj kur është fjala për detaje, kam pasur parasysh disa persona të caktuar, p.sh. kur në rol rrihja fëmijët me shufër të gjatë, kisha parasysh një punonjës tonin në teatër, që kur bënim shfaqje për fëmijë, mbante një thupër të gjatë. Hipte në gropë të orkestrës dhe tundte me nervozizëm thuprën. S’i linte fëmijët as të qeshnin, edhe kur ishte skena për të qeshur”, kujtonte pa iu ndarë humorit aktori Bep Shiroka.

Nga aktrimi, tek pasioni për pikturën
Bep Shiroka, një nga aktorët më me peshë të skenës dhe kinemasë shqiptare, ka habitur jo pak njerëz, në kulmin e karrierës së tij artistike, ndërsa deklaronte se “Hobi im kryesor, që do të ishte rruga ime, sikur të mos kishte bërë pak dredha, ka qenë piktura”. Një pasion i nisur në fëmijëri, që nuk e braktisi asnjëherë e që i kushtoi edhe vitet e fundit. Shumë pak vetë i njohin meritat e tij si skenograf e aq më tepër si piktor. Në shtëpinë e tij, në një apartament në afërsi të gjimnazit jezuit në Shkodër, varen në mure disa dhjetëra piktura që mbajnë firmën e tij. “Kam qenë piktor dhe fotograf para se të isha artist i skenës, ndërsa nuk i jam ndarë figuracionit”, ka rrëfyer ai, ndërsa numëron më shumë se 30 skenografi dhe dekore në premiera të ndryshme.

Emocioni në role
Ndonëse ka qenë ndër aktorët e preferuar dhe të zgjedhur të regjisorëve, ai ka pasur edhe disa role të vogla të arritura mjaft mirë. Vetë aktori kujtonte si ndër më të veçantët një rol në dramën “Hetimi”, një interpretim vetëm 7 minuta, ku ka përjetuar emocione të forta në të gjitha shfaqjet e kësaj drame. “Ishte një monolog shumë i dhimbshëm. Në shtatë minuta shfaqej i gjithë holokausti, vuajtjet e njerëzimit gjatë Luftës të Dytë Botërore”.
Të paharruar mbeten interpretimet e tij në “Franku i V-të”, “Ishulli i Shitenit”, e mjaft role të tjerë skenike e kinematografike

Shkodra
“Shkodra ka qenë zemra e shpirti i tij, pika e referimit, vendi i ëndrrave të tij. Kur ishte në spital në Itali nuk kalonte ditë që ai të mos pyeste për Shkodrën dhe me dëshëprimin më të madh kërkonte ta kthenim në shtëpinë e vet, në vendin e vet. Edhe me teatrin ka qenë shumë i lidhur, por vitet e fundit e ka ndier veten si të tradhëtuar nga Teatri “Migjeni”, i braktisur prej tij dhe ka vuajtur shumë, jashtë mase. Thjesht pse nuk shihte prespektivë e investim”, përcjell shqetësimin e fundit të aktorit, nipi i tij.
Aktori në kujtimet e të nipit
“Unë kam pasur një raport të veçantë me gjyshin tim, se nuk ka qenë thjesh gjysh për mua, por edhe babë, idhull, shembull…Figura madhështore e tij më ka tërhequr gjithmonë. Më kujtohet kur më merrte me vete kur isha i vogël dhe shkoja me të në teatër për prova. Unë kënaqesha duke parë aktorë, skenografitë dhe kostumet e skenë. Ai kishte një meritë të madhe në marrëdhënie me njerëzit e tjerë. Të tërhiqte për çfarë do lloj bisede, me mënyrat e tij, me atë zërin e plotë, me eksperiencën e tij. Arrinte ta bënte interesante edhe gjënë më të besdisshme.
Unë realisht nuk po studioj për aktor, megjithëse do të më pëlqente shumë, por për infermieri, pasi ai i pari thonte gjithmonë: “babush, teatri nuk të jep me hangër bukë….Por di të them se më ka transmetuar pasionin për teatrin dhe aktrim. Ai nuk ka dashur kurrë të më jepte kurajo në mënyrë direkte se ka pasur gjithmonë frikë se mos braktisja shkollën për teatrin. Por nëpërmjet gjyshes, ose nënës sime thonte se do të kishte qenë më i lumturi në botë nëse do të isha bërë aktor si ai….”

Bep Shiroka (1933-2010) është ndër aktorët e shkëlqyer të skenës dhe filmit shqiptar. Të paharruar mbeten sidomos rolet e tij në filmat “Çifti i lumtur” dhe “Koncert në vitin 1936”, ku spikati për origjinalitetin dhe freskinë në interpretim. Qendrimi skenik, mimika dhe gjestikulacioni konsiderohen si armët më të forta të aktorit.