Në zonat bregdetare në vend, çmimet e apartamenteve janë reduktuar deri në 30%. Emigrantët dhe “tiranasit” i thonë jo Vlorës dhe Durrësit, duke detyruar ndërtuesit të ulin çmimet

Nga Laura Çela

I vetmi qytet që duket se po i reziston mos uljes të çmimeve të apartamenteve është Tirana. Me gjithë ofertën e lartë dhe kërkesën e reduktuar, kryeqyteti shqiptar vijon të na ofrojë të njëjtat çmime si një vit më parë.
Por kjo nuk mund të thuhet për qytetet e tjera të vendit, as për ato bregdetare. Konfirmimet e fundit nga aktorët e tregut imobiliar në Durrës e Vlorë flasin për një rënie gati drastike të kërkesës, që detyrimisht ka ulur çmimet për të thuajse të gjitha apartamentet që shtrihen në zonat e plazhit.
Pronarët e pallateve i ofrojnë apartamentet me çmime që variojnë nga 480-1000 euro për metër katror, në varësi të zonës dhe të pamjes që ofrojnë. Ndërsa dyqanet variojnë nga 1000 deri në 1500 euro metri katror. Të krahasuara me çmimet e apartamenteve dhe dyqaneve brenda në qytet, ato të Plazhit janë 30-40% më të ulëta.

Pse nuk blejnë

Rënia e kërkesës dhe frenimi i blerjeve lidhet edhe në zonat bregdetare me dy fenomene: rënia e dërgesave të emigrantëve, që janë edhe blerësit më potencialë të apartamenteve, frenimi i kredive bankare, por edhe ulja e konsumit nga shumë individë, sidomos ata që deri dje shpenzonin për shtëpi të dyta.
Hektor Harizaj, drejtues i agjencisë “InfoVlora” në qytetin e Vlorës, thotë se situata duket e zymtë për sa i përket transaksioneve në tregun imobilIar. “Shitjet janë minimale fare dhe mund të themi që ka një farë kolapsi në këtë treg. Duket sikur tani po ndihen piramidat e ndërtimit në qytetin e Vlorës, ku ndërtuesit janë vënë në vështirësi për mungesë likuiditetesh”, shpjegon Harizaj. Sipas tij, çmimet në qytetin e Vlorës variojnë në bazë të zonës, ku më i ulëti nga 650 euro/m² që ishte në 2009-n është reduktuar në 550 euro/m², ndërsa çmimi më i lartë nga 1200 euro/m² shitet edhe me 1000 euro/m².
Ndërkohë në Durrës, sipas disa agjentëve imobiliarë, “në zonën e Plazhit, janë dhjetëra miliona euro të bllokuara në formën e kapitaleve imobiliare, në një kohë që tregu po përballet me rrezikun e zhvlerësimit të këtyre pasurive”. Sipas Elsa Zotos, të agjencisë “Koral” në Durrës, çmimet minimale janë ulur 50-70 euro/m², d.m.th nga 550 euro/m² kanë shkuar në 500-480 euro/m², ndërkohë që një rënie të ndjeshme ka pasur edhe në çmimet maksimale të apartamenteve në Plazh. Nga 900 euro/m² që kanë qenë çmimet maksimale në këtë zonë, kryesisht në vijën e parë të Bregdetit, sot ato shiten deri në 750 euro/m².
Shkak, sipas ekspertëve, përveç bumit të ndërtimeve, janë dhe infrastruktura jo e mirë që rrethon blloqet e banimit në këtë zonë, hapësirat e parespektuara, mungesa e ujit të pijshëm, si dhe në disa raste dhe lidhjet parregullta me energji për shumë pallate.
Ndërkohë, ekspertët përmendin si vendimtar edhe faktin që këtë vit ka rënë në minimum edhe interesi i qytetarëve të ndryshëm, si dhe emigrantëve për të blerë apartamente në këtë zonë. “Mungesa e klientëve që duan të blejnë, si dhe mungesa e shumë lehtësirave në infrastrukturë, i ka trembur pronarët e këtyre apartamenteve, duke i detyruar ata që t’i nxjerrin në shitje për çmime që deri një vit më parë do të tingëllonin si qesharake. Në krahasim me një vit më parë, çmimet në këtë zonë kanë rënë 20-30%”, shprehet Elsa Zoto.

BOX ME SHIFRA TE DUKSHME
Ulja e çmimeve

Durrës
Çmimet minimale janë ulur 50-70 euro/m², d.m.th nga 550 euro/m² kanë shkuar në 500-480 euro/m², ndërkohë që një rënie të ndjeshme ka pasur edhe në çmimet maksimale të apartamenteve në Plazh. Nga 900 euro/m² që kanë qenë çmimet maksimale në këtë zonë, kryesisht në vijën e parë të Bregdetit, sot ato shiten me 700- 750 euro/m².

Vlorë
Çmimet në qytetin e Vlorës variojnë në bazë të zonës, ku më i ulëti nga 650 euro/m² që ishte në 2009-n është reduktuar në 550 euro/m², ndërsa çmimi më i lartë nga 1200 euro/m² shitet edhe me 1000 euro/m².

Plazhi i Durrësit, rreth 100 pallate të reja

Sipas të dhënave nga agjentët imobiliarë, në zonën e Plazhit, përkatësisht nga Ura e Dajlanit deri te Shkëmbi i Kavajës, janë 68 pallate të përfunduara dhe 32 në proces ndërtimi. Rreth 80% e apartamenteve të këtyre pallateve (të përfunduara apo të prenotuara gjatë ndërtimit) nuk janë shitur. Mësohet se pronarët e tyre qëndronin me shpresë se sapo të niste sezoni veror 2009, do të rriteshin edhe kërkesat për të blerë hyrje, kryesisht nga emigrantët apo nga shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë. Por, që nga data 20 maj e vitit të kaluar e deri tani, kërkesat për apartamente në Plazh, të cilat konsiderohen si shtëpi të dyta ose për verim, rezultojnë të jenë në nivele minimale ose nuk ka fare. Sipas ndërtuesve dhe ekspertëve të ndërtimtarisë, shkaqet e kësaj situate janë të shumta e komplekse. Sipas tyre, shenjat e krijimit të stokut të apartamenteve në Plazh u dukën që gjatë verës së shkuar.
Vera 2008 për ndërtuesit shënoi një rënie të ndjeshme të shitjeve, krahasuar me një vit më parë. Por vjet, rënia e shitjeve u lidh me taksën e shitjes të vënë nga shteti. Ndërsa, në fund të vitit 2009, shkaku kryesor ishte kriza financiare në Itali e Greqi, ku ndodhet pjesa më e madhe e emigrantëve tanë dhe atyre nga Kosova e Maqedonia.
Sipas noterëve që kryejnë aktivitetin në Durrës, emigrantët janë blerësit më të mëdhenj në Plazh. Më shumë se gjysma e apartamenteve dhe lokaleve të shitura gjatë viteve të kaluara, janë blerë nga këto kategori. Në kategorinë e blerësve potencialë të apartamenteve në bregdetin durrsak kanë qenë dhe bashkëkombës nga Kosova e Maqedonia, por gjatë vitit 2009, numri i këtyre blerësve ishte shumë i vogël.

Rreth një vit më parë, situata tërësisht ndryshe

Rreth tetë muaj më parë, panorama ishte e krejt e ndryshme në zonën e plazhit në Durrësit. Agjentët imobiliarë konfirmonin se në këtë qytet kishte një rritje të ndjeshme të kërkesës për të blerë apartamente, kryesisht në zonën e Plazhit. Agjentët e “Century 21”, të cilët patën kontakte të shumta me individë e biznese të ndryshme nga jashtë vendit, thanë për “Monitor” se kjo kategori tashmë po kërkonte një “vendqëndrim” në Plazhin e Durrësit.
“Ka një interes të madh për të blerë apartamente pushimi nga shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë dhe nga shumë shqiptarë të diasporës”, pohoi për “Monitor”, drejtori ekzekutiv i “Century 21”, Gjin Biba.
Arsyeja kryesore që rriti interesin për këtë zonë bregdetare ishte rruga Durrës-Kukës, një pjesë e së cilës përfundoi në muajin qershor 2009. Sipas ekspertëve imobiliarë, rruga e re e afron shumë Shqipërinë me Kosovën dhe kjo do ta lehtësonte ardhjen e sa më shumë pushuesve kosovarë drejt vendit tonë.
Por përveç kosovarëve dhe shqiptarëve të Maqedonisë, në Plazh, interesi ishte rritur edhe nga thuajse të gjithë shqiptarët e diasporës që jetojnë në vende europiane si Angli, Gjermani, Zvicër, etj.
Mjaft prej klientëve që kontaktuan agjencitë imobiliare shqiptare kërkuan edhe prenotimin me qira të apartamenteve për t’i shfrytëzuar gjatë pushimeve të tyre verore.