Ekzibicioniste por e thjeshtë, modeste por aspak në synimet e saj, me temperament vullkanik por dhe e çiltër këngëtarja e famshme shqiptare rrëfen në këtë intervistë realizuar pas përfundimit të turit të saj, emocionet e përjetimit të këtij momenti kulmor në karierën muzikore. Por dhe për lidhjen me Ganiun e planet për një fëmijë.

Nga Arjan Konomi

Fillojmë me një pyetje nga muzika. Kënga dhe përgatitja e albumit po i plotëson dëshirat dhe kërkesat e tua?

Edhe unë si çdo artist kam dëshirat dhe ëndrrat e mia për të arritur dhe për të parë veten në një nivel të caktuar. Unë do të thoja që jam në procesin e realizimit të projekteve të mia. Ne shikojmë yje Holluvudi që janë shumë të famshëm dhe nuk kuptojmë që është një proces i tërë që kanë arritur deri aty. Ajo që mua personalisht më vjen mirë në hapat e mi profesionalë është se koncertet e mia kanë qenë shumë të suksesshme. Është një sukses si përpara 10 vjetëve kur unë e kam bërë të njëjtën gjë nëpër sheshe. Por sigurisht tani është një tjetër linjë, janë të ftuar të huaj, një album në anglisht. Jam në një proces të realizimit të ëndrrës sime.

Për të arritur suksesin e artistëve të famshëm të Hollyvudit cili është një sekret nëse e di?

Duhet të besosh që asgjë është e pamundur nëse ti mendon ndryshe. Dhe unë e kam si moton time të jetës shprehjen angleze, “The impossible becomes possible when you think different!”, që do të thotë “asgjë nuk është e pamundur nëse mendon ndryshe”. Pra kur i vë vetes një qëllim dhe punon në atë drejtim nuk ka asgjë të pamundur. Fakti që unë jam këtu sot është pikërisht prej atyre që nuk kanë besuar tek unë.  E pikërisht kanë qenë ata që më kanë shtyrë të  punoj më shumë me vehten dhe të kërkoj e të arrij më tepër se të tjerët në jetën time.

Kjo shprehje është motoja jote në karrierën profesionale apo edhe në jetën normale?

Në gjithçka.

Për shembull?

Unë si Bleonë jam optimiste. Kur kam qenë fëmijë kam dashur të jem si Parashqevi Simaku, sepse e kam patur idhull atë që këndonte në festival. Dhe unë këndova në shumë prej tyre. Pra unë jam më e sigurt në veten time. Po kur dëgjoj dikë në tavolinë që më thotë “kjo nuk bëhet”, aty më kap egoja dhe sfida për ta realizuar.

Kështu ka ndodhur edhe me Timberland?

Po. Kemi qenë për darkë në Rusi para katër vitesh e një shoku im më pyeti se kush ishte ëndrra ime më e madhe. Sapo kishte dalë një hit i Timberland dhe i përgjigjem atij që ëndrra ime është të bëj një këngë me të. Atëhere unë jetoja në Shqipëri dhe nuk kisha lidhje as me Amerikën as me Hollyvudin. Ishin njerëz dhe vende që i shikoja vetëm në televizor. Dhe shoku im mu përgjigj se kjo që po thoja është e pamundur. “Do të më shikosh”, iu përgjigja. Dhe gjërat ndodhën. Universi më dëgjoi në ato momente dhe unë ja sot arrita të punoj në studion e tij.

Na thuaj diçka më tepër për bashkëpunimin me të.

Nuk ka qenë e lehtë. Unë kam ndenjur gjashtë muaj në studio derisa ai vendosi të punojë me mua. Kam bërë tre këngë në albumin tim. Jemi në procesin e nxjerrjes së albumit. Kënga e parë “Pass Out”, që është dhe kënga për të cilën unë u riktheva në Shqipëri për ta promovuar, transmetohet tani në radio në Francë. Pastaj do të transmetohet në Angli, Itali, Gjermani e në Usa. Flas gjithnjë për transmetim në radio. Kur do të jetë momenti që do të dalë në shitje albumi, këtë nuk e di sepse janë çështje që nuk varen nga unë, sepse është një zinxhir i gjërave që nuk merrem unë personalisht.

Duke punuar me njerëz kaq profesionistë çfarë është ajo që të bën të ndihesh më në vështirësi?

Aksenti. Unë kam personalitetin, kam bukurinë, kam zërin, kam disiplinën në punë. Aksenti sigurisht është një problem për mua. Unë jam e lindur në Shqipëri. Jam rritur këtu. Kemi mësuar një anglishte në shkollë gabim. Pra nuk na e kanë mësuar mirë. Por megjithatë ndihem me fat, sepse është një fazë që bota është bërë me e vogël nga interneti. Dhe për pasojë ka bërë që artistët me një aksent të veçantë apo të huaj të jenë në njëfarë mënyre në modë. Dhe këtë e quaj fat.

Publiku shqiptar të priti mire, si në Shqipëri ashtu dhe në viset e tjera tona. Si mendon kishte më tepër nostalgji apo kuriozitet?

Pak nga të dyja besoj. Sepse mendova që njerëzit sigurisht kanë ardhur për të parë edhe të shtyrë nga kurioziteti për të më parë sesi po bëhet me këngët anglisht, se çfarë do të vesh apo çfarë luku do të kem. Por kur kam kënduar këngët në shqip ata kanë kënduar fjalë për fjalë bashkë me mua. Kështu them se është një kombinim i të dyjave.

Po ti vet çfarë nostalgjie kishe për këtu?

Nostalgji për një shesh që ka 50 mijë veta dhe të gjithë brohorasin për mua: “Bleona, Bleona!” Pak më parë se të takoheshim isha në një emision televiziv dhe më dhanë një informacion shumë interesant. Janë 112 mijë e më shumë foto të të mbrapmeve të mia në internet. Nuk di çfarë të them. Kam mbetur pa gojë nga ky informacion.

Çfarë gjete në Shqipëri që nuk e prisje?

Teknika dhe skena. Djemtë e  ASLV të skenës kanë bërë një punë fantastike me foninë, ndriçimin dhe kanë realizuar çdo kërkesë timen. Kjo është shumë e rëndësishmë për të patur një performancë të mirë e që vite më parë as që bëhej fjalë për të tilla kushte.

Çfarë nuk gjete në Shqipëri që e prisje?

Nuk e di sepse unë jam mësuar mos të kem pritshmërira. Kur nuk pret asgjë, ose më sakt kur je e përgatitur për çdo gjë të ndodhë atëherë gjërat janë më të lehta. Pra, kur nuk ke pritshmëri për diçka në sensin që i lë gjërat të marrin rrjedhën e tyre ato shkojnë më mire, sepse nuk ke një fill në mendje sesi do të shkojë. Për shembull, nuk e prisja që Vlora apo Tetova të kishte aq shumë njerëz. Nuk e prisja Prishtinën.  Domethënë janë disa gjëra që është më mirë mos të kesh parashikime që më vonë mos të zhgënjehesh. Si të vijnë të vijnë.

Mendon të rikthehesh më këngë shqiptare apo nëse karriera ecën mirë do të këndosh vetëm anglisht?

Unë nuk jam larguar ndonjëherë nga arti dhe muzika shqiptare. Thjesht po jetoj në një vend tjetër dhe po zgjeroj tregun tim si këngëtare. Nëse një kompozitor i shquar shqiptar do të më ofrojë këngë dhe material në shqip, absolutisht që po. Unë këndoj anglisht, shqip e në çfarëdolloj gjuhe që të jetë mundësia. Unë jam një artiste që dua që publiku im të jetë botëror. Në botë është dhe Shqipëria sigurisht. Fakti që e bëra këtë turne dhe e nisa nga Shqipëria është nga borxhi moral që u kam fansave të mi.

Mendon veten një ditë kur je duke i dhënë makinës në Los Anxhelos dhe në radio papritmas dëgjon të transmetohet një këngë e jotja?

Sigurisht. Për atë po punoj.

Çfarë do të bënte të ndjeje ky fakt?

Do të ishte kurorëzimi i gjithë përpjekjeve dhe punës sime në këto tre vjet. Dhe unë jam duke punuar shumë fort në këtë drejtim. Nuk e di nëse unë mund të jetoj dot në Los Anxhelos dhe të mos dëgjoj këngën time që transmetohet në radio. (qesh) Ti themi gjërat ndryshe, pra.

Duke qenë se L.A.  është një qytet që të shtyn edhe drejt aktrimit a ke menduar dhe të aktrosh?

Sigurisht që po. Unë jam diplomuar për aktrim e kam mbaruar në Akademinë e Arteve. Jam e interesuar në fushën e filmave. Por besoj më tepër të luaj në filmat aksion duke qenë se është më afër personalitetit tim. Nuk jam marrë me aktrimin për qëllimin e vetëm se dua ti përqëndroj energjitë dhe forcat e mia në këngën dhe muzikën. Sepse në momentin kur je afirmuar si këngëtare është më e lehtë të të thërrasin për filma apo dhe të tjera gjëra.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri kush ishin familjarët që shkove dhe i takove?

Pothuajse të gjithë. Sigurisht, ditën e dytë pas koncertit shkova ta takoj gjyshen dhe gjyshin. Dajën po ashtu. Tek tezja duhet të shkoj. E kam lënë për nesër. Ndërsa shumë nga kushërinjtë e mi kanë ardhur nëpër koncerte dhe më pas më kanë ardhur të më takojnë. Por u kam kushtuar kohë aq sa fansave, sepse të them të drejtën nuk e kam patur shumë luksin e kohës këto ditë. Nuk kam patur kohë as për Ganin që ndodhet këtu pranë dhe ky tani po sheh. E beson apo jo?

Cili nga familjarët është më kritik ndaj teje?

Mami. Ajo më shoqëron nëpër koncerte gjithmonë e zë e më bërtet “shpejt, je vonë; çfarë je duke bërë akoma, njerëzit po presin për ty?

Cila është vërejtja e fundit që të ka bërë?

Nga ajo pres vetëm vërejtje sepse e di që ajo do të mirën time. Vërejtja e fundit ishte para gjysmë ore, përsëri për vonesën dhe pse nuk ndryshoja modelin e flokëve. (qesh)

Përsa i përket jetës normale…

Që nuk ekziston tek unë.

Pikërisht, por çfarë ka normale?

Që asgjë s’ka normale tek unë. (qesh) “Nothing is normal”

Si asgjë? Për shembull të ndodh të vësh rregull në shtëpi apo të lash ndonjë gotë?

Jo. (qesh) Kam një asistente shumë të mirë. Dhe një pastruese shumë të mirë. Ha jashtë dhe jam në dietë ndaj nuk mbaj ushqime në shtëpi.

Po nëse je shtrirë në krevat dhe të derdhet një gotë më lëng portokalli i ndërron vetë çarçafët?

Sigurisht.

E di se ku ndodhen?

(qesh) Natyrisht e di. Jemi njerëz pastaj dhe artista. Por faji është i Olit, mamit tim sepse ajo mi ka bërë të gjitha gati edhe kur jetoja në Shqipëri apo kur isha adoleshente. Kafen ma sillte tek koka dhe tani që jetoj në Shba duhet të punësoja një asistente që të më sillte kafen tek koka çdo mëngjes. Jam mësuar keq prej saj. Por tashmë i kam sjellë të dy prindërit në Amerikë dhe jetojmë bashkë. Kështu që nuk ka ndryshuar shumë në stilin tim të jetesës.

Jetesa më Ganiun në distancë i jep dashurisë më kuptim, në sensin që sa herë takoheni pas kaq kohësh është si një herë e parë?

Unë mund të them vetëm kaq; që ne nuk jemi mërzitur me njeri tjetrin. Sa herë takohemi jemi me shumë mall, sepse në të vërtetë ne takohemi shumë rrallë. Hera e fundit që kam takuar Ganiun, përveç tani në Tiranë, ka qenë në muajin prill. Tani jemi shtator, pra jemi takuar pas pesë muajsh. Është një marrëdhënie që ngelet e freskët gjithmonë. Kjo ndodh për të vetmin fakt se unë jam duke iu përkushtuar karrierës sime dhe nuk mund të më ndalë asnjë njeri, sepse është një mirëkuptim i dyfishtë i yni. Nëse ai më do me të vërtetë e dëshiron të kem sukses, duhet të më pranojë kështu si jam.

Karriera kërkon shumë kohë e përkushtim. Por edhe familja kërkon kohën e saj. Një fëmijë ndoshta së shpejti?

Unë kam blerë një qen momentalisht, Xhonin me të cilin merret mami. (qesh) Ndoshta fëmijë nga viti tjetër. Ose të them më mirë kur të ketë dalë albumi. Besoj. E kam këtë plan.

Dikur ke kënduar “ti nuk din me ma lyp”. Tani, kanë mësuar shqiptarët me ta lyp?

Ka dhe që dinë me ma lyp. (qesh) Megjithatë me keqardhje shumë të madhe them që ky fenomen ekziston akoma në Shqipëri. (qesh) Ja… Gani dinte me ma lyp. (qesh)