Kryeministri Rama provoi t’i hedhë ujë zjarrit, që ndezi protesta e banorëve të Kukësit kundër tarifës për kalimin në Rrugën e Kombit. Megjithëse më parë i quajti vandalë, në Parlament pak ditë më pas, zoti Rama tha se pakënaqësia e qytetarëve është legjitime dhe shpalli se nuk do të ketë tarifë deri sa të ketë një zgjidhje sa më të mirë të mundshme për zonën.

I zënë ngushtë, Kryeministri pranoi se u bë gabim, por nuk i shkoi deri në fund logjikës se kush duhet të mbajë përgjegjësi. Do të ishte në nivelin e duhur të përgjegjshmërisë politike dhe qeverisjeje të dëgjonim që dikush edhe mund të jepte dorëheqjen. Me këtë veprim të vonuar, që kryeministri e parashtroi si një sjellje të përgjegjshme, mund të jetë shuar përkohësisht revolta e kuksianëve, por u ndez në tjetër zjarr edhe më i madh pakënaqësie.

Nga faktet që tha vetë zoti Rama dhe ngjarjet që pasuan, të gjithë shqiptarët sot kanë të drejtë të pyesin kush po na qeveris dhe si po qeveriset.
Përderisa në kontratë parashikohej që më parë se për përdoruesit e shpeshtë do ketë sistem tjetër tarife, atëherë pse koncesionari nis ta aplikojë pa asnjë dallim?. A ka përgjegjësi ndonjë ministër, që pranoi që koncesioni të zbatohej pa plotësuar parakushtet dhe pa asnjë vlerësim të ndikimit të saj. Pse nuk u bënë matjet e trafikut për banorët e Kukësit që kanë makina, që më parë, përderisa kishte edhe një studim të kryer nga kompani ndërkombëtare. Pse asnjë deputet socialist i zonës nuk foli përpara se qytetarët të revoltoheshin? Pse asnjë përfaqësues i mazhorancës në strukturat e shtetit nuk veproi, që qeveria të mos gabonte kaq rëndë, por të vetmit që dolën kundër u përjashtuan?

Nuk ka mundësi që të gjithë të gabojnë. Aq më tepër që nevoja për të dialoguar me njerëzit, e konsultuar me grupet e interesit si një mënyrë për të gjetur rrugën e duhur të një qeverisje të përgjegjshme nuk është ndonjë kërkesë e sofistikuar. Por fakti që asnjë nga këto nuk ndodhi tregon se vendimi nuk kaloi në filtrat e duhur dhe ishte arrogant ndaj dhe qëllimi për të cilën u vendos kjo tarifë mbetet i dyshimtë.

Nga ana tjetër kryeministri, shpikësi i dëgjesave me publikun pas zgjedhjeve, gabimin e lidhi me arsye fare banale, që sipas tij ishin mungesa e intuitës për të kuptuar se njerëzit duheshin sqaruar apo se nuk dinin çfarë efekti psikologjik do të kishte tek ata ky vendim. Për derisa kjo qeveri bie kaq lehtë në gabime dhe për fare pak arsye a nuk duhet të ishte ky rasti që koncesione të tilla si plot të tjera më parë, të kalojnë nga vota në parlament aty ky kontrolli është më i gjerë, shkalla e përfaqësimit të publikut më e lartë dhe vendimmarrja më legjitime. Një nismë e tillë ligjore do të qetësonte në të ardhmen publikun duke e bindur atë se demokracia funksionon dhe se gabimet më tej mund të jenë më të vogla.
Por as kjo nuk ndodhi. Qeveria fitoi pak kohë deri në një vendim të dytë, por deri tani nuk ka treguar se e ka kuptuar thelbin.

Ende nuk ka kuptuar se për koncesionet në rrugë, tarifa në raste të ngjashme në të ardhmen nuk duhet të ndëshkojë të varfrit por të jetë e organizuar në mënyrë të tillë që të rëndojë tek ata që janë të aftë të paguajnë me shumë.

Së dyti, nga rasti i Kukësit çdo qeveri duhet të kuptojë se për rrugët, apo investimet që lidhin kombin (Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi) konsultimet duhet të jenë më gjithëpërfshirëse.

Dhe së treti, duhet kuptuar se vendosja e një takse në rrugë, kur mungojnë rrugët alternative të lidhjes kthehet në një instrument gjenocidi që penalizon një pjesë të popullatës kundrejt një tjetre.

Rasti i Kukësit le të shërbejë për të treguar në fund të fundit se qeveria  ekziston atëherw kur kryhen veprime të përgjegjshme , në dobi të të gjithë shqiptarëve.