De Biasi ka marrë drejtimin e kombëtares shqiptare, kush ka dëgjuar për të, e di mjaft mirë që nuk është trajneri i trofeve në Itali, por në CV-në e tij ka shumë vend për lëvdata, pasi ka ringjallur skuadra që pluhuri i kohës u kishte zënë emrin

Faktet e fundit janë bllokuese, ndaj me një pesimizëm të ligjshëm i kam hequr nga lista e të preferuarve trajnerët shqiptarë, duke u bashkuar me të gjithë të tjerët që ndoshta është më mirë të besojmë në aftësinë dhe autoritetin që vjen nga importi.

Dashuria e shqiptarëve me trajnerët e huaj nuk përbën më lajm, por ajo që mund të kuptohet më së miri është se tanimë ajo është kthyer në një domosdoshmëri.

Që nga koha kur Armand Duka ka marrë komandat e drejtimit të futbollit skuadra më e dëshiruar për shqiptarët ka patur në krye vetëm trajnerë të huaj.

E nisëm nga Italia me Dosenën, për të vijuar me gjermanin Brigel, më pas vijuam me kroatin Oto Bariç, pas tij holandezi Arie Han, për të kaluar një kohë relativisht të gjatë me kroatin tjetër Kuzhe,

ndërsa kohët e fundit i jemi rikthyer ëndrrës së vjetër për të patur një italian në krye, me Xhani De Biasin. Kam qenë nga më skeptikët për këto zgjedhje (pra që skuadra kombëtare të drejtohet nga një trajner i huaj),

e jo vetëm për nacionalizimin e tepruar që më qarkullon në vena, por kam besuar shumë se Shqipërinë mund ta bëjnë shqiptarët. Por duket se kam gabuar dhe faktet e fundit janë bllokuese,

ndaj me një pesimizëm të ligjshëm i kam hequr nga lista e të preferuarve trajnerët shqiptarë, duke u bashkuar me të gjithë të tjerët që ndoshta është më mirë të besojmë në aftësinë dhe autoritetin që vjen nga importi.

Antikonformistët do ta ngrenë zërin dhe do të ‘ulërasin’ shumë për të më thënë njëmijë e një arsye. Do të bëjnë paralelizma për trajnerët e që kanë ikur tanimë,

do të më kujtojnë paratë e shpenzuara, do të më flasin për nivelin e dobët të kampionatit, dikush që mund të ketë edhe pak nivel intelektual në futboll do të më sjellë si argument edhe ndonjë gabim profesional të tyrin,

e pastaj do të merren me detaje të tjera që lidhen më shumë me kreun e federatës, do ta flasin për mungesën e kualifikimeve apo edhe te loja e kungulleshkës me vazot e shorteve të ndryshme eliminatore.

Nuk do t’i lija pa dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve të mësipërme, madje edhe duke i argumentuar me kujdesin më të madh. Por le të më thonë një emër trajneri që është gati për të drejtuar ekipin kombëtar;

një nga ata trajnerë që kanë bërë punën e tyre në kampionatin shqiptar pa lavdëruar më shumë presidentin se punën e tyre profesionale; të më thonë një trajner që ka fikur telefonindhe nuk e ka marrë të gatshëm formacionin nga tribuna për çdo ndeshje

dhe që ka qenë i aftë që të vërë nën urdhra ata futbollistë që paguhen se gjysma e të gjithë skuadrës së bashku.

Të më thonë një emër trajneri që ka denoncuar manipulimet dhe poshtërsitë që bëhen në emër të presidentit; një emër të vetëm trajneri që përpara kontratës qesharake që ka firmosur në qershor, të vendosë nderin e burrit!

Jam i sigurt që askush nuk do të më thotë një emër të tillë, pasi nuk ka. Është e sigurt që potencialet ekzistojnë në klasën e trajnimit të futbollit shqiptar, por është mentaliteti i shëmtuar dhe hierarkia ‘palaço’ që prish ato ekuilibra që do të ndihmonin dhe rritjen e cilësisë së futbollit.

Trajnerët te ne përdhosen, përçmohen e përdoren në mënyrën më të shëmtuar nga njerëz që kanë pushtetin e parasë.

Ndaj sot them me bindje se kemi nevojë ende që në krye të pankinës të mbajmë një trajner të huaj. Një person që edhe pse në vendin e tij mund të mos ketë autoritetin e mjaftueshëm, artificialisht në Tiranë do të jetë i gjithëpushtetshëm, e do të mund të zbatojë ato ide që me përvojën ka akumuluar.

Cfarë mund të bëjë më shumë De Biasi?

Kush e njeh trajnerin De Biasi e di mjaft mirë që nuk është trajneri i trofeve në Itali, por në CV-në e tij ka shumë vend për lëvdata, duke mbijetuar mes më të mirëve,

me skuadra të vogla, në momentet më të vështira, duke ringjallur skuadra që pluhuri i kohës u kishte zënë emrin. E duket se Shqipëria është qyrku më i mirë për 55-vjeçarin.

Shqipëria është rikthyer sërish e fundit e klasës. Një skuadër që ka humbur gjithçka, që nga rezultet, yjet e saj, e deri te motivimi. Është një skuadër që duhet të ribëhet.

‘Kasta’ e vjetër ka dorëzuar uiformat dhe në organikë kanë mbetur më të rinjtë, e ata me më pak eksperiencë, e pse jo të mos e themi edhe me më pak kualitet. Por çfarë mund të bëjë De Biasi? Edhe në këtë rast nuk jam skeptik.

Shkolla italiane e futbollit na ka mësuar se edhe pse në organikë mund të mos kesh futbollistët më të mirë të botës, e rëndësishme është puna që bëhet.

Përulësia është gjysma e skuadrës dhe kjo është një karakteristë të cilën De Biasi e ka kthyer në forcën e tij në të gjitha skuadrat ku ka trajnuar, nga Udineze tek Torino, nga Levante tek Breshia, Modena e Viçensa.

De Biasi nuk do të ketë ‘gjeneralë’ ndër këmbë, ose edhe nëse ka tepruar ndonjë ai mund të jetë i dosmosdoshëm për të njohur ekuilibrat.

Një gjeneratë e re është përzgjedhur, mes atyre që janë rekrutuar nga paraardhësit e tij, por edhe ata që pritet të importohen nga ekipet e moshave. Si një pinjoll i shkollës italiane,

De Biasi mund të implementojë mentalitetin aq të munguar të mbrojtjes në skuadrën tonë kombëtare, të vendosë disa ekuilibra mes reparteve, e mbi të gjithë të forcojë kolektivitetin.

Të forcojë mentalitetin e besimit dhe të fitores, që për skuadrën tonë kombëtare, mbeten ende në doza minimale, ashtu sikundër edhe të krenarisë që shpesh futbollistëve u harxhohet në faqet e gazetave përpara ndeshjes.

Rrokada e brezave

Nëse dikush pat tentuar që ta shtynte në limit rrokadën e gjeneratave në ekipin kombëtar, koha e ka bërë atë me “dhunë”.

Një pjesë e mirë e futbollistëve kanë plotësuar moshën biologjike dhe mundësitë fizike nuk ja lejojnë të vrapojnë me fanelën kuqezi, e në këto kushte emrat e tyre nuk do të jenë më në listë, duke i bërë vend më të rinjve.

Ky është një tjetër moment shumë i rëndësishëm për ekipin kombtar. Emra si Skela, Beqaj, Lala, ndoshta edhe Duro e Bogdani nuk do t’i dëgjojmë në skuadrën kombëtare dhe kjo veç keqardhjes,

për mbylljen e një cikli të lavdishëm të ekipit kombëtar, rrit përgjegjësinë për të përzgjedhur brezin e ri që do të përfaqësojë Shqipërinë.

Nga kasta e vjetër kanë mbetur pak emra, por ndoshta janë të mjaftueshëm për të ekuilibruar më së miri prurjet e reja. Kohët e futndit është rritur emigrimi i futbollistëve drejt kampionateve të ndryshme evropiane

dhe kjo rrit edhe më shumë besim për të pritur edhe më shumë kualitet në skuadrën kombëtare. Por unë mendoj që kjo gjenaratë mund të jetë edhe një asist mjaft i mirë për trajnerin,

pasi do të kenë ai vetë mundësinë e përgjedhjes me dorën e tij, vlerësimit dhe përcaktimit të pozicionit që gjithësecili do të mbajë. Edhe në të shkuarën e tij si trajner

De Biasi është vlerësuar për përzgjedhjet dhe hapësirave që u jep të rinjve, ndaj ky është një moment shumë i mirë për ekipin kombëtar.

Ndryshimet në fshf

Era e ndryshimeve në federatën e futbollit kanë kohë që kanë nisur dhe duket se po sjellin orientimet e duhura për të ardhmen e institucionit më të rëndësishëm të futbollit në vend.

Presidenti Duka ka afruar pranë vetes shumë emra të rinj njerëzish ambiciozë, të cilët të bëjnë të besosh se po kërkohet një synim i qartë për drejtimin që do të marrë futbolli.

Redi Jupi apo Alban Bushi, Skënder Gega e Foto Strakosha janë emra që kanë bërë histori në futbollin shqiptar, por janë ndër ata pak emra që hyjnë në radhën e intelektualëve të këtij sporti.

Dikush më shumë e dikush më pak, të gjithë këto personalitete po kërkojnë të vendosin ekuilibrat e munguar dhe mbi të gjitha për të sjellë frymën e re në institucionin e futbollit.

Strukturat e reja organizative, projektet dhe menaxhimet ambicioze, bashkëpunimi dhe gjithpërfshirja në të mirë të futbollit janë sfidat e reja që këta njerëz i kanë afruar futbollit.

Prej kohësh është synuar afrimi i futbollistëve cilësorë nga jashtë kufijve ka marrë formë të plotë dhe të gjithë ata futbollistë që e ndjenë për të qenë pjesë e kombëtares janë afruar,

të gjithë u është dhënë mundësia e provës, e shumë prej tyre janë bërë tanimë pjesë e ekipeve kombëtare, të gjitha niveleve.

Përmirësimi i Kampionatit Kombëtar

Duam apo nuk duam, ka shumë pakënaqësi apo dhunë në futbollin tonë, ajo që mund të jetë e dukshme është rritja cilësore e tij.

Spektikët shikojnë me lupë, por për të thënë të vërtetën ndeshjet janë më të mira se një sezon më parë, skuadrat kanë më shumë rivalitet mes tyre, futbollistët kanë një impenjim më të madh dhe sigurisht edhe cilësi në paraqitjet që bëjnë për çdo javë.

Është rritur numri si edhe i është lënë më shumë hapësirë të rinjve, ashtu sikundër janë bërë edhe mjaft investime për të ndërtuar skuadra kompetitive.

Investimet e bëra nga disa prej klubeve kryesore, një pjesë e mirë e të cilave tanimë janë kthyer edhe Shoqata apo shoqëri aksione, si Skëndërbeu, Flamurtari, Tirana,

Teuta apo Vllaznia kanë bërë që edhe skuadrat të jenë në nivel më të mirë dhe kampionati do të ketë më shumë rivalitet brenda tij. Ky është një lajm i mirë për futbollin, por ndërkohë edhe një suport i fuqishëm për ekipin kombëtar,

që ka nevojë të gjenerojë emra të rinj e cilësorë për të patur një vazhdimësi të mirë.

Nga Elert Yzeiri