Futbollisti i kombëtares kuqezi shprehet për ‘Revistën Shqip’ se ka ardhur momenti që të mendojmë kualifikimin në një nga aktivitetet më të rëndësishme futbollistike. Skuadra është rritur dhe po afrohen gjithnjë edhe më shumë futbollistë cilësorë

Kur trajneri Bariç vendosi ta aktivizonte në formacion në ndeshjen me Holandën (ishte ndeshja e dytë e tij me përfaqësuesen pas aktivizimit në Bjellorusi), shumë skeptikë e panë me dyshim, por loja e shkëlqyer e tij dhe goli që shtangu portin Van der Saar në Amsterdam e bënë atë futbollistin më të sigurt në formacionin kuqezi. Është fjala për Debatik Currin, futbollistin simpatik nga Prishtina, që aktivizohet në radhët e ukrainasve të Vorksla Poltava. Me Currin u takuam në Estoni, në prag ndeshjen e fundit miqësore të ekipit tonë kombëtar, ku ashtu si edhe të gjithë futbollistët e tjerë të skuadrës kuqezi, ai ka qenë i impenjuar për të dhënë më të mirën në fushën e lojës. Edhe pse ka një shqipe “të çalë”(ka një dialekt të theksuar të vendlindjes së tij), Curri shprehet shumë qartë në ligjëratën e tij për ekipin kombëtar, por edhe për synimet e tij profesionale. Sipas Debatikut ekipi kombëtar ka nisur një cikël të ri dhe shumë të rëndësishëm, i cili sigurisht që do të sjellë edhe rezultatet e dëshiruara. Të gjithë futbollistët sipas tij janë të motivuar dhe afrimi i shumë elementëve të rinj do të rrisin edhe më shumë konkurrencën dhe cilësinë e kësaj skuadre. Debatiku ka dy ëndrra të mëdha për karrierën e tij: të shikojë Shqipërinë në një prej aktiviteteve më të rëndësishme futbollistike dhe të luajë sa më parë në një nga kampionatet më të madha.

Debatik, kombëtarja shqiptare ka mbyllur një tjetër edicion eliminator, si mendoni se ka qenë paraqitja që bëri skuadra jonë?

Po unë mendoj që paraqitja nuk ka qenë shumë e mirë. Nëse në ndeshjet e para patëm disa luhatje, situatat ndryshuan disa në pjesën e dytë të edicionit, ku u munduam të bëjmë lojëra më të mira. Gjithsesi jam i mendimit se kemi pasur mundësi për të luajtur edhe më mirë. Disa nga takimet e fundit tregun se skuadra ka vlera.

Cilat mendoni se janë pikat më të forta dhe më të dobëta të skuadrës sonë kombëtare?

Unë mendoj që kemi patur më shumë problem me sulmin. Nuk kemi shënuar shumë gola dhe skuadra ka koleksionuar më shumë barazime në ndeshjet e fundit. Kjo nuk do të thotë që problemet vijnë vetëm me sulmin, pasi loja është e lidhur zinxhir me të gjitha repartet. Kështu që nuk mund të them që edhe në mbrojtje kemi qenë shumë mirë.

Mbrojtja është reparti që prej vitesh ka patur probleme, që pas zgjedhjes së Canës dhe Currit duket se është më solide, pësojmë më pak gola dhe skuadra ka më shumë siguri në prapavijë?

Ne jemi munduar të japim maksimumin tonë, edhe pse as unë dhe as Loriku nuk luajmë në pozicionet tona natyrale, ku luajmë edhe në klubet tona. Gjithnjë mbrojtja ka qenë pikë e dobët e kombëtares, ne jemi munduar të përshtatemi sa më shumë me këtë pozicion dhe them se ja kemi dalë mirë. Ndoshta edicionin tjetër do të jemi edhe më mirë dhe skuadra do të pësojë edhe më pak gola, sigurisht nëse nuk do të ketë alternativa të tjera më të mira për mbrojtjen.

Shumë trajnerë të huaj kanë qenë në drejtimin e skuadrës sonë, sipas jush e kanë ndihmuar apo e kanë ngadalësuar rritjen dhe forcimin e skuadrës kombëtare?

Sigurisht që lëvizjet e shpeshta të trajnerëve në skuadër nuk e ndihmojnë një skuadër që të ketë qëndrueshmëri dhe të arrijë rezultatet e kërkuara. Mendoj se trajneri Bariç e ndihmoi shumë skuadrën kombëtare, i dha një mentalitet sulmues kësaj skuadre. Edhe trajneri Kuzhe është duke bërë një punë shumë të mirë. Ai është një trajner shumë korrekt dhe mendoj se ka një karakter që na përshtatet shumë, ndoshta edhe për faktin që është ballkanas. Jam shumë i bindur se në të ardhmen Kuzhe ka për ta ndihmuar edhe më shumë skuadrën tonë që të rritet në rezultate dhe lojë.

Flasim pak për ju, si do ta komentoni paraqitjen tuaj me ekipin kombëtar në këtë edicion?

Për të thënë të vërtetën nuk kam qenë edhe aq mirë, ose më saktë pretendoja të jepja edhe më shumë. Ndoshta nuk kam pasur formën e duhur fizike. Gjithsesi shpresoj që edicionin tjetër të jem edhe më lart. Ndoshta nëse do të aktivizohesha në mesfushë do të mund të jepja edhe më shumë se në mbrojtje. Shpresoj që edhe trajneri Kuzhe të shikojë mundësinë e përzgjedhjes së futbollistëve të tjerë në prapavijë, e unë së bashku me Lorikun të luajmë në mesfushë.

Çfarë prisni më shumë nga kjo skuadër?

Janë shumë komponentë që presim t’i shikojmë ndryshe në këtë skuadër: në radhë të parë afrimi i sa më shumë futbollistëve cilësorë, që do të jenë bazë për të pasur një skuadër solide edhe për të ardhmen. Shpresoj që të gjithë të kontribuojnë me më të mirën e tyre për të arritur rezultatet më të mira dhe sigurisht që të fillojmë të mendojmë edhe për kualifikimin. Kjo është një punë grupi dhe të gjithë duhet të mendojmë dhe synojmë që këtë skuadër ta ngremë më lart.

Për të gjithë futbollistët është ëndërr të luajnë në kampionatin botëror apo europian, mendoni se ka ardhur koha që edhe ekipi ynë kombëtar të mendojë për të arritur një nivel të tillë?

Pse jo! Unë mendoj se i kemi të gjitha mundësitë. Mjafton të shikojmë një skuadër si Sllovenia, me të cilën ne jemi përballuar edicionin e shkuar dhe kemi qenë pothuaj të barabartë. Kemi barazuar dy ndeshje me ta, me një superioritet më të madh në lojë. Ndërkohë ata tashmë do të luajnë në Botëror. Ndaj nuk ka arsye pse të mos ëndërrojmë që edhe ne të luajmë në Euro 2012.

Çfarë i mungon aktualisht ekipit tonë kombëtar, për të qenë një skuadër konkurruese?

Normal që i mungojnë futbollistët cilësorë. Nëse do të kishim më shumë futbollistë cilësorë në të gjitha repartet, konkurrenca për një vend në formacion do të ishte edhe më e madhe, skuadra rrjedhimisht do ishte edhe më e fortë dhe sigurisht që edhe rezultatet do të jenë edhe më të mira në të gjitha aktivitetet ku do të luajmë.

Si po shkon karriera juaj në Ukrainë, është një kampionat shumë i fortë dhe për më tepër jeni në një skuadër me pretendime?

Sezonin e shkuar kemi qenë shumë mirë, siç e dini fituam edhe Kupën e Ukrainës. Arritëm të luajmë edhe në Kupën UEFA dhe mund të them që ka qenë një vit shumë i suksesshëm. Fillimi i këtij sezoni nuk ka qenë shumë i mirë, por gradualisht skuadra po përmirësohet dhe rezultatet po tregohen më së miri në tabelën e klasifikimit. Synimi i klubit është për të arritur në kupat europiane dhe them se është një objektiv i mundshëm.

Cilat janë synimet më të afërta të Currit në karrierën profesionale?

Synimet dihen: paraqitje sa më e mirë e ekipit në Ukrainë, po ashtu edhe me kombëtaren. Sigurisht që jam i interesuar edhe për një skuadër më të mirë europiane.

Ka ndonjë të ardhme të Currit në një prej kampionateve më të forta të Europës, si Serie A Itali, Premiership Angli, Bundesliga Gjermani?

Po, është më se normale të ëndërroj të luaj me një nga këto kampionate. Nuk dua që të nxitohem, do të vijoj të punoj sa më shumë këtu ku jam dhe më pas do të shikoj me kujdes dhe ofertat që të kem.

Të flasim pak për pjesën jashtë fushe: të gjithë të njohin që je një djalë “kopertinash”, ka ndonjë sekret që ta zbulojmë për lexuesit e revistës Shqip?

Për të mos e lënë pa përgjigje këtë pyetje do të thoja vetëm që ka disa simpati…

Është folur që së shpejti mund të ketë një kombëtare të Kosovës, Debatiku ku e shikon më shumë veten, në Tiranë apo në Prishtinë?

Për momentin unë shikoj vetëm Tiranën. Kosova po has shumë vështirësi për t’u pranuar në familjen e madhe të futbollit. Unë mendoj se të gjithë shqiptarët kudo që janë kanë vetëm një skuadër dhe kjo është skuadra kuqezi. Unë aktualisht luaj për këtë kombëtare mbarëshqiptare, për flamurin kuqezi dhe dua të jap maksimumin.

Shumë futbollistë të ekipit kombëtar kanë arritur në një moshë që nuk i lejon të luajnë edhe për shumë kohë, mendoni se ka emra të rinj që do të pasojnë, të cilët janë të aftë për të bërë një skuadër të fortë?

Është shumë e vërtetë që shumë futbollistë kanë shumë vite që luajnë për kombëtaren, por mendoj se shumë prej tyre kanë akoma për të dhënë për këtë skuadër. Është më se normale që të afrohen edhe shumë futbollistë të tjerë të talentuar për të rritur edhe më shumë cilësinë e skuadrës. Janë afruar shumë lojtarë të mirë, të cilët mendoj se shumë shpejt do të rrisin kualitetin e skuadrës sonë.

Cili do të ishte urimi më i mirë për tifozët kuqezi, që presin aq shumë prej jush në çdo ndeshje?

Duke qenë se tani është afruar edhe viti i ri do t’i urojë të gjithëve një vit të mbarë dhe shumë suksese: ta përkrahin siç e kanë përkrahur gjithnjë kombëtaren dhe ne do të japim më të mirën për të mos zhgënjyer besimin e tyre.