Në një fjalim të mbajtur në Shkollën Ekonomike të Londrës, në prezantimin e librit të tij të ri, “Rusia në Europën Juglindore”, Dimitar Bechev, paralajmëroi Perëndimin kundër mitologjizimit të ndikimit rus në Europën Juglindore.

Rusia po bëhet gjithnjë e më e pranishme në Ballkan, por nuk ka atë nivel ndikim që shumë njerëz mund të mendojnë.

Z. Bechev, studiues edhe në Universitetin e Karolinës së Veriut, tha se mediat perëndimore ishin të fiksuara me nocionin e Rusisë si një “armike e kthyer në bashkëpunëtore” në Rajonin e Ballkanit dhe në Lindjen e Mesme.

Ai tha më tej se prania në rritje e Rusisë në rajonin e Ballkanit, nuk ishte gjithmonë për shkak se Rusia e kërkonte vetë këtë gjë, por për shkak se pushtetet dhe elitat e vendeve të ndryshme në rajon, po e angazhonin gjithnjë e më tepër Rusinë për t’u shërbyer axhendave të tyre të brendshme.

Rusia “ka ndikim në rajon për shkak të faktorëve që mundësojnë ndërhyrjen e saj”, tha ai më tej, duke vënë në dukje se nuk mbështetet në investimin e burimeve serioze.

Ajo nuk ka paqeruajtës në rajon dhe nuk po premton më miliarda euro për projektet energjetike.

Z. Bechev tha se nuk ishte e vështirë për të gjetur njerëz në vendet e rajonit të Ballkanit që fajësonin Perëndimin për vuajtjet e tyre dhe Rusia shihej gjerësisht si një kundërpeshë e dobishme në këtë drejtim. Për arsye fetare dhe kulturore, Rusia ishte në gjendje të përdorte mirë “fuqinë e saj të butë” në një rajon ku “struktura narrative kishte tendencë që ta favorizonte vetë këtë të fundit”.

Ai shtoi se Rusia ka qenë prej kohësh e pranishme në rajonin e Ballkanit, me përjashtim për një periudhë të shkurtër pas rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviçit në Serbi. Ajo çfarë ka ndryshuar në dekadën e fundit nuk është rritja e pranisë së saj në këtë rajon, por polemikat që ajo ngjalli, teksa marrëdhënia Lindje-Perëndim përkeqësohet.

Bechev e përshkruan aneksimin e Krimesë në vitin 2014 si një pikë kthese, menjëherë pas së cilës vendet perëndimore hoqën dorë nga ideja e mbajtjes apo krijimit të një lloj partneriteti me qeverinë e Vladimir Putinit.