Sportisti shkodran që vari medaljen e artë dhe fitoi titullin Kampion i Botës në mundje klasike tregon dëshirën e madhe për të mbajtur

mbi shpatullat e kampionit flamurin shqiptar. Kapiteni i ekipit bullgar dhe përfaqësues i këtij shteti rrëfen arsyet dhe kushtet që e detyruan të largohej nga Shqipëria dhe të pranonte ofertën bullgare.

Cilat ishin pengesat në Shqipëri? Çfarë ndodhi midis tij dhe Federatës e Komitetit Olimpik? Një kalvar i gjatë peripecish, sakrificash dhe injorimi për një talent që ne ia “falëm” Bullgarisë

“Asnjëherë nuk e mendoja që  në  Shqipëri do të më hiqej e drejta për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare, që është dëshira e madhe e çdo sportisti i çfarëdo disipline”

“Ka qenë një dëshirat e mia më të mëdha që kur kam qenë fëmijë, kur hodha hapat e para të sportit, një ëndërr e madhe të ngrija flamurin shqiptar, flamurin e vendit tim”

U kthye ne vendin e tij me një medalje të artë dhe një gëzim të madh, realizimin e ëndrrës së çdo sportisti që kur nis hapat e para të tij derisa “lufton” në ditët e fundit në kërkim të fitoreve dhe trofeve; Kampion i Botës. Me peshë afro njëqind kilogram, me një buzëqeshje që nuk e ndan kurrë nga vetja, një shprehje mirësie dhe komunikimi që kur ndeshesh me to nuk arrin ta besosh se ky është njeriu më i fortë i botës. Një fakt që Elis Guri e përjeton më shumë normalitet, thjeshtësi sikur të mos i kishte ndodhur atij.

Kthehet edhe me një peng të madh. Do të kishte dashur që atje në tapetin e stadiumit të Stambollit të kishte vrapuar duke ngritur flamurin shqiptar. Por e ngritën miqtë e tij që ishin të pranishëm dhe tërë komentuesit e kanaleve sportive europiane që nuk rreshtën të përmendin fjalën “shqiptari”. Por edhe vetë bullgarët që e pritën si njeriun e tyre nuk e fshihnin këtë fakt. Padyshim që duke u bërë Kampion Bote me Bullgarinë do t’i bëjë më shumë reklamë Shqipërisë, sesa të kishte ndenjur më ekipin e vendit të tij dhe të kishte patur rezultate mediokre e që ndoshta emri do të ishte përmendur fare pak.

Nuk do të mjaftonin në jetën e tij sportive vetëm vështirësitë e mëdha që nga ato financiare, me një pagë qesharake, më e ulët se ajo e një pastruesi rrugësh, mbijetesa larg familjes së tij, kushtet mizerie të stërvitjes, mungesa e një trajtimi ushqimor. Elisi nuk e kishte ngritur kurrë zërin për këto të drejta minimale jetese, nuk kërkoi kurrë asgjë nga shteti i tij edhe pse asnjë nuk arrinte ta spikaste talentin dhe fuqinë e këtij djaloshi të ri edhe pse arriti rezultate shumë të mira në Olimpiadën e  Pekinit, në Botëror si dhe vendin e tretë në Europë.

Do të ndodhte edhe më keq. Federata shqiptare e mundjes do ta përjashtonte nga garat ndërkombëtare dhe kombëtare për kapriçio drejtuesisht që sytë nuk i kanë te sporti dhe sportistat, por te interesat e tyre meskine për të qenë drejtues. Një “luftë klanesh” sportivë ku viktima e vetme do të ishte mundësi shkodran. Për afro dy vjet nuk i dhanë mundësi garimi dhe përfaqësimi, por nuk arritën dot t’i hiqnin vullnetin, dhe dëshirën e madhe që kishte për sportin, ambicjen për të dhënë një rezultat që do të kurorëzonte përpjekjet e tij, ashtu si nuk mund ta pengonin që të stërvitej individualisht. Këto nuk mund t’ia hiqnin. Derisa Elisi ktheu sytë nga një vend i panjohur, gjuhën e të cilët nuk i kuptonte asnjë fjalë për të marrë në sup një çantë sporti me pak tesha dhe një ëndërr të madhe: atë të suksesit. Dhe pas vetëm 10 muajsh, në garën e parë botërore Elisi shpallet kampion Bote.

Por rrëfimi i tij vjen më i hollësishëm, më i ndjeshëm dhe i sinqertë në shpjegim të asaj që kaloi  dhe asaj që do të vijë. Kësaj here duke folur jo më si sportisti që kërkonte një tapet ku të stërvitej por si një kampion bote i vërtetë. Dhe si i takon një kampioni, ai flet pa mllefe, pa inate, por me gëzimin që e një njeriu të lumtur që ka hedhur pas të kaluarën e vështirë të tij duke parë drejt Lojrave Olimpike të vitit të ardhshëm.

Intervista

Si u ndjeve kur u shpalle Kampion i Botës?

I kisha të vështirë ta perceptoja. Edhe pasi kaluan pak minuta nga momenti kur gjyqtari i ndeshjes më ngriti dorën dhe më shpalli fitues në ndeshjen finale nuk arrija ta kuptoja dhe të isha i ndërgjegjshëm që nga ai çast isha kampioni i Botës. Isha si i mpirë dhe më dukej e pabesueshme që më së fundi, pas vitesh të tëra kushtuar sportit, pas mundimesh, sakrificash dhe mijëra orë stërvitjeje të kisha arritur atë moment aq të dëshiruar për një sportist.

Do doje të ngrije flamurin shqiptar?

Ka qenë një dëshirat e mia më të mëdha që kur kam qenë fëmijë, kur hodha hapat e para të sportit, një ëndërr e madhe të ngrija flamurin shqiptar, flamurin e vendit tim. Atë mbrëmje në Pallatin  sportiv të Stambollit do doja të kisha hedhur mbi supe flamurin shqiptar. Nuk mund të them që ndjeva peshën e flamurit bullgar dhe një ndjesi që më mungonte nëse do të kishte ndodhur me flamurin e vendit tim. Është një peng që do ta mbaj brenda vetes. Unë jam shqiptar dhe i tillë kam për të mbetur pavarësisht pasaportës që mbaj dhe vendit që unë garoj. Këtë fakt nuk lë rast pa e thënë edhe për mediat bullgare.

Si e pritën bullgarët fitoren tënde?

Jo vetëm për mua por edhe për Bullgarinë ishte një trofe tepër i rëndësishëm. Bullgaria është një vend që ka një traditë të madhe në sportin e mundjes dhe ka nxjerrë kampionë të shumtë botërorë dhe olimpikë. Por vitet e fundit nuk ka patur rezultate të kënaqshme dhe fitorja ime u duhej për t’i dhënë sërish këtij sporti një hov dhe popullaritet të ri. Federata e atjeshme, natyrisht, e priti shumë mirë sepse edhe më fitoren time ata justifikuan besimin që kishin patur te mua si dhe insistimin ndaj shtetit të tyre për të më dhënë mua mundësinë për të garuar për ta.

Po mediat atje i kushtuan vëmendje?

Shumë. Që në aeroportin e Sofjes kur u kthyem kishin ardhur jo vetëm Ministri i Sporteve dhe zyrtarë të tjerë por edhe shumë media. Gjata atyre ditëve më morën shumë intervista dhe si televizionet ashtu dhe gazetat bullgare, në të gjitha rastet, shpreheshin “shqiptari që garoi për Bullgarinë”. Dhe me vinte mirë që ky vend, dua ta theksoj tepër mikpritës, i bëri shumë jehonë faktit që unë isha shqiptar. Biles më ngacmonin në intervista televizive edhe për bullgarishten që flisja unë që është thjesht në nivel komunikativ. Por si më thanë miq të mi edhe mediat sportive botërore shpreheshin “shqiptari Elis Guri” edhe për faktin se për ta jam i njohur nga garat e mëparshme.

Cila ishte telefonata e parë pas fitores së titullit?

Mora mamanë time në Shkodër dhe i thashë që jam kampion i botës. Ajo filloi të qante dhe nuk fliste më. Sa fillova të flisja që të gëzonte dhe jo të qante. E bukur ishte biseda më babain. Duke qenë se im atë, Iljaz Guri ka qenë shumë herë kampion i këtij sporti në Shqipëri si dhe për vite trajner nisi të më thoshte se një nga kapjet në ndeshjen finale nuk e kisha bërë në lartësinë që duhej. “O babë, i thashë, por jam kampion bote, nuk mjafton?”, dhe qesha.

Kujt ia dedikon këtë fitore të parë të këtij niveli?

Padyshim familjes sime. Janë njerëz të thjeshtë, që më kanë rritur në mënyrë shumë modeste e më kanë edukuar vullnetin, punën dhe sakrificën për të arritur diçka në jetë. Me vështirësi e sakrifica më janë gjendur pranë gjithnjë dhe me ato pak mundësitë e tyre financiare më ndihmuan të kryeja shkollën e lartë dhe të vazhdoja sportin, edhe pse në vështirësi të mëdha financiare.

Doje të “hakmerreshe” me këtë medalje?

Po. Doja të dilja kampion bote edhe për t’i treguar veten federatës shqiptare të mundjes dhe Komitetit olimpik shqiptar se çfarë mund të bëja unë.

Duhet të ishte e kundërta. Pse pikërisht këtyre?

Sepse po të ishte për federatën shqiptare unë tashmë do të isha duke bërë ndonjë punë krahu apo më e shumta roje e ndonjë klubi nate. Nuk më përkrahën e nuk më mbështetën. Përkundrazi më hoqën nga sporti në momentin kur unë isha në moshën më të mirë dhe në formën time maksimale sportive. Ndodh shpesh të dëgjojmë që këtu tek në nuk respektohet talenti dhe vlera, por nuk e mendoja që edhe unë do të isha një shembull tipik i mospërfilljes së shtetit tim.

Ç’ndodhi me federatën dhe Komitetin olimpik?

Kur do të bëheshin zgjedhjet për drejtuesit e komitetit olimpik, ashtu si mund të ndodh shpesh tek në raste të tilla u krijuan situata të pakëndshme për të nxjerrë rezultatin e dëshiruar. Unë, si pjesëtar i skuadrës olimpike shqiptare, që morëm pjesë edhe në Lojërat e Pekinit, isha përjashtuar nga votimi bashkë me disa sportistë të tjerë. Ishte një padrejtësi ndaj të cilës protestova sepse më dukej absurde që lojtarë të niveleve ndërkombëtarë të mos votonin. Komiteti dhe federata më dënuan duke më hequr të drejtën të merrja pjesë në gara ndërkombëtare. Dhe për më shumë se dy vjet unë nuk mora pjesë në asnjë garë dhe rrezikova ta lija sportin, por vetëm vullneti dhe këmbëngulja personale, si dhe inati që kisha, më shtynte të vazhdoja stërvitjen vetëm duke improvizuar.

Elis, sa i ke dhënë ti mundjes shqiptare?

Besoj se i kam dhënë rezultate të kënaqshme. Një medalje Bronzi në Europian, vendin e shtatë në Botë dhe të tetin në Olimpiadë. Me këto rezultate besoj meritoja pak vëmendje për të krijuar kushte të favorshme për një sportist. Dhe këtu nuk e kam fjalën për pagesa financiare, por për mundësi stërvitjeje. Unë e kisha të domosdoshme të stërvitesha diku jashtë, sepse këtu në Shqipëri nuk kam kundërshtar me kë të ushtrohesha. Por asnjëherë nuk e mendoja që do të vinte një moment që të më hiqej e drejta për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare, që është dëshira e madhe e çdo sportisti i çfarëdo disipline.

Po mundja shqiptare sa të ka dhënë ty?

E kam të vështirë ta them por shumë pak. Pothuaj asgjë. Stërviteshim në një palestër të vjetër nën shkallët e stadiumit “Qemal Stafa” jo vetëm pa kushte, pa dushe e më lagështirë por kishte edhe një kolonë betoni në mes që rrezikonim të vriteshim sa herë bënim stërvitje. Asnjëherë nuk kam patur një trajtim ushqimi. Unë garoj për peshën 96kg, por normalisht jam më shumë dhe ushqimi për mua edhe duke hequr pjesën e sportistit është një element i rëndësishëm. Mendo kur stërvitesh për orë të tëra?! Duke qenë se familja ime jetonte në Shkodër unë këtu orëve të stërvitjes i vija “kapak” me sanduiçe dhe byreqe.

Sa paguheshe si sportist që kishe arritur rezultatet e mësipërme?

12 mijë lekë në muaj, pra diku te 70 euro.

Pra, dy sanduiçe në ditë, një në drekë një në darkë?

…(qesh). Prindërit edhe pse më një rrogë të vogël të babait përpiqeshin të më ndihmonin. Shpesh nëna më pyeste në telefon se çfarë hëngra. E gënjeja gjithnjë duke përmendur emra shokësh dhe vendesh ku kishim shkuar e kishim ngrënë mirë. Më dhimbsen shumë ndaj dhe nëse mendoj që një ditë të jem mirë ekonomikisht mendoj vetëm për ta, për t’ua bërë jetën më të mirë e të rehatshme.

Le të kthehemi edhe njëherë tek federata jonë. Pra le të themi që të përjashtuan?

Po. Është e vërtetë. Nuk më dhanë më mundësinë të garoja për dy vjet dhe kjo për një sportist është një kohë e gjatë shumë, që mund t’i japësh fund karrierës apo “aventurës” sportive për gjithë jetën. Ka qenë një nga momentet më të vështira të jetës sime. Ndihesha jo vetëm i fyer dhe i braktisur por dhe pa asnjë perspektivë për të ardhmen. E kam vuajtur shumë pavarësisht se përpiqesha mos ta jepja veten me familjarët dhe të afërmit e mi. Fillova të mendoj si shpëtimin e vetëm Bullgarinë.

Si lindi kontakti yt me këtë vend?

Ka qenë para disa vitesh. U nisa më iniciativën time personale si dhe me shpenzimet e mia në Bullgari, duke patur parasysh që është një vend që ka jo vetëm traditë në këtë sport por i kushton edhe shumë vëmendje. Atje kërkova thjesht të stërvitesha me ta. Më kanë pritur shumë mirë. Jo si të isha një i huaj që nuk dinte asnjë fjalë nga gjuha e tyre, por si të kishin njohur prej kohësh. Më dhanë edhe mundësi për të fjetur dhe ngrënë. Pas disa javëve që u stërvita atje mora pjesë në botëror dhe fitova vendin e shtatë për Shqipërinë. Kështu që kontaktet i kisha dhe vendosa që kësaj herë të shkoja për t’u bërë pjesë e tyre.

Si e mendoje reagimin e tyre?

Në të vërtetë federata bullgare më kishte hedhur sinjale në kohë të ndryshme që donin të më bënim pjesë të ekipit të tyre. Por edhe unë nuk është se i kisha zgjatur shumë. Më beso, nuk kam qenë aspak i interesuar që të shkoja të garoja për atë vend. As nuk do e kisha shkuar kurrë ndërmend nëse rrethanat në Shqipëri nuk do të kishin ardhur si tregova më parë. E kam patur gjithnjë të qartë që nga vendi im do të kisha ato shpërblime që mund t’i ketë një vend tjetër. Dhe nuk kam pretenduar shumë. Por jo edhe këto kushte që fola e sidomos përjashtimi nga garat. Kështu u nisa për në Bullgari vetëm me një çantë sporti në shpinë, dhe një biletë autobusi Tiranë-Shkup-Sofie.

Shpërblehet mirë një kampion bote bullgar?

Mjafton të them vetëm shumë mirë?

Ok, mos na thuaj shifra. Po ku do t’i investosh?

(Qesh), në Shqipëri natyrisht. Por përpara kam shumë nevoja jetike për të zgjidhur sesa për të investuar.

Ke ëndërruar tërë jetën si të jesh kampion bote. Po çfarë ëndërron një kampion bote?

Të bëhet kampion Olimpik. Ky është maksimumi i jetës së një sportisti. Lojërat e ardhshme Olimpike zhvillohen gushtin e vitit tjetër në Londër dhe unë atje shkoj si kampioni i Botës. Kjo do të më bëjë të jem më në qendër të vëmendjes dhe njëkohësisht edhe më jep shumë më tepër përgjegjësi sepse jam favorit kryesor për medaljen e artë olimpike. …e natyrisht, shëndet e një formë të mirë sportive. Kjo është e domosdoshme.