“Pharmakon” është filmi i fundit shqiptar, i shfaqur në kinema, të cilit nuk i kanë munguar kritikat. Regjisori i ri, Joni Shanaj, sjell një histori dashurie mes dy të rinjve duke i bashkëngjitur dhe shumë tema të aktualitetit shqiptar. Korrupsioni, shtypja, mungesa e lirisë, kërkimi për dinjitet, apo humbjen e individit në kohën ku jetojmë. Një film i gjinisë psikoanalitike me interpertimin e aktorëve Niko Kanxheri, Vasil Godo, Klevis Bega si dhe Olta Gixhari.

Një nga filmit e fundit të shfaqur në media dhe kinema është filmi “Pharmakon” i regjisorit të ri Joni Shanaj. Ashtu si çdo film tjetër edhe “Pharmakon” pati kritikat e tij si një film i realizuar deri diku në skenar dhe hapësirë interpretuese, në rolet e personazheve apo të rejat që solli. Një film që vë në dukje realitetin e çdo ditë të ndryshueshëm shqiptar, marrëdhënien fëmijë-prind, e sidomos atë djalë-baba, kërkimin për dinjitet, korrupsionin, apo humbjen e individit në kohën ku jetojmë. Janë shumë problematika dhe mesazhe që transmetohen të cilat disa vijnë të qarta e të lexueshme ndërsa të tjera, perms dialogjeve, ndonjëherë dhe mungesës së tyre, apo fjalëve “jo etike” të bëjnë të kuptosh që filmi është një e përditshme dhe realitet që na kalon përpara syve, por që nuk arrijmë ta shohim. Pharmakon është ajo që i injektohet të rinjve çdo ditë në një ambient mbytës, ku mungon komunikimi. Filmi është më shumë i gjinisë psikoanalitike. Hapësira është e paanë sepse jepet si vetmi që lyp të ndryshojë. Farmakoni është një simbol, nuk është thjesht farmacia e medikamenteve ku doktori pasurohet, aq sa nuk di sa apartamente të blejë dhe ku t’i blejë. E thënë me fjalë të tjera, më të thjeshta, farmakon është gjaku i shprishur i një shoqërie të tërë e cila e pranon fatin e saj në heshtje, pa mundur të bëjë asgjë për ta ndryshuar atë.

 

Subjekti

Filmi flet për një të ri (Klevis Bega- Kastro Ziso) që punon në farmacinë e të atit (Niko Kanxheri), mjek I njohur, që e shfrytëzon farmacinë për të mbuluar pazaret e tij. Dashurohet me një studente-infermiere të re, Sarën (Olta Gixhari), që njëkohësisht është edhe e dashura e të atit. Sigurisht pazaret e të atit dhe lidhjen e tij dashurore, Branko i kupton gjatë rrugës. Për të na e thënë këtë, Joni Shanajt, regjisor dhe skenarist i filmit, i janë dashur plot dy orë e dhjetë minuta film. I gjithë boshti i filmit është marrëdhënia mes djalit dhe të atit që ndodh në 140 minuta përms një dialogu të rrallë dhe shëtitjeve të gjata të Brankos nga Kodrat e Tiranës, mes gjelbërimit, që ende nuk është ngrënë prej betonit apo hipje- zbritjeve të lodhshme nga njëri apartament në tjetrin, teksa kërkojnë mundësi investimi, shoqëruar këto me raunde natyrore. Sipas Shanajt, mungesa e dialogut dhe pauzat e gjata tregojnë mungesën e komunikimit mes brezave, megjithatë idenë e tij mund ta kishte shpërfaqur edhe në një kohë më të ngjeshur, pa pasur nevojën e përsëritjes së herëpashershme të të njëjtave situata. Regjisori i ri, Joni Shanaj na flet mbi eksperiencën që pati për realizimin e këtij filmi si një përvojë e lodhshme, por dhe e suksesshme e cila erdhi e tillë që nga problematikat e gjëra të trajtuara me kujdes, puna me aktorët e talentuar, si dhe dëshirën e tij për të rritur ndjeshmërinë e publikut ndaj kinemasë.

NJË OBSERVIM MBI PROBLEMET ME TE CILAT JETOJMË”

Si lindi ideja mbi realizimin e këtij filmi?

Ishte një kohë andej pak pas vitit 2000 kur nëpër Tiranë dhe nëpër Shqipëri po lindnin shumë farmaci. Më dukej sikur farmacitë kishin vendin e kishave të dikurshme. Më dukej sikur kishte një lidhje mes besimit dhe mungesës së besimit në përgjithësi, tek lulëzimi i farmacive. Kisha ndërkohë dhe një imazh që më ishte ngulitur në mendje. Një imazh si fotografi, por i lëvizshëm i cili më kishte mbetur në mendje. Ky imazh nuk është në film por u bë nxitës për shtjellimin dhe lindjen e tij. Ideja më pas m’u brumos më tej nga një eksperiencë e imja personale dhe familjare me sistemin shëndetësor nga njëra anë, dhe nga ana tjetër një observim më i gjerë në lidhje me situatën dhe rrethanën ku me dukej se gjendeshin shumë njerëz të brezit tim, si djem ashtu edhe vajza në përkatësitë e tyre respektive, por edhe unë vetë.

Dhe pse një film i vështirë, publiku e priti mirë.

U prit më mirë seç e prisja. Ndoshta nuk kam bërë një film të lehtë limonadë, por nuk mendoj se kam bërë një film të vështirë për t’u absorbuar nga një publik i gjerë. Çuditërisht publiku shqiptar, në të gjitha gjërat është i ndarë 50 me 50. Premiera shkoi mjaft mirë. I jam mirënjohës shumë njerëzve të njohur dhe të panjohur që më kanë mbështetur filmin, por edhe atyre që më kanë kritikuar me sinqeritet, jo kodra mbas bregut. Filmi kërkon përqendrim, kohë dhe mendim. Kur shikon që dikush gjykon pa e vrarë mendjen fare, natyrisht që nuk të vjen mirë, por kjo është diçka e pandarë e çdo pune. Sido të jetë, ky është lloji i kinemasë të cilën unë përpiqem të krijoj.

Cilat janë disa nga vështirësitë që u ndeshët në realizimin e tij?

Vështirësia e pare është kur ti mendon se mundohesh të ndryshosh diçka në një shoqëri dhe ajo të reziston. Rezistenca për mos ndryshim, mendoj se krijon vështirësitë më të mëdha. Është ajo që në psikologji quhet ”state of denial ose gjendja e mohimit” dhe është e rrënjosur shumë thellë në planin psikologjik njerëzor. Në disa raste e prisja këtë rezistencë në të tjera jo. Kur ti në formë, në metodë, në ide, në mesazh, në krejt qenien tende, i propozon një shoqërie se duhet të ndryshojë, është e pritshme të hasësh në kundërshti, në indiferencë, ndonjëherë edhe në mohim.

Pse vendosët të trajtonit një film të gjinisë psikoanalitike? Sido që të tingëllojë, unë besoj se arti mund të ndikojë botën dhe jetën. Një nga pengesat më të mëdha, për mendimin tim, në stade të caktuara të historisë është roli i traditës. Ndërkohë një besim tjetër i imi është se filmi është ose mund të jetë i ngjashëm me ëndrrën. Këtu në këtë pikë ai ndoshta bashkohet me psikoanalizën. Njeriu, thotë Feuerbach, e ka të nevojshme të shohë natyrën e tij jashtë vetes si fillim, për ta zbuluar atë më pas, brenda tij. Kinemaja në vetvete është një ëndërr sa kolektive aq edhe personale.

Cili është mesazhi që sjell Pharmakon?

I takon publikut dhe kritikës të interpretojë apo komentojë këtë. Unë e kam bërë punën time, por edhe pse ajo tashmë është e përfunduar, do te jem gjithmonë i hapur të komunikoj dhe të përgjigjem ndaj interpretimeve të të tjerëve. Kjo është dhe bukuria e punës.

Përveç korrupsionit, cilat janë disa nga problematikat e aktualitetit shqiptar që keni dashur të godisni?

Mungesa e lirisë, shtypja dhe patriarkalizmi mendoj se janë problemet kryesore. Fatkeqësisht problem i korrupsionit është tashmë një fenomen global. Këtë nuk e them për të shfajësuar apo legjitimuar korrupsionin tek ne, por sepse ndoshta kjo problematikë korrupsioni pa dashje na lidh të gjithëve në glob.

Mund të themi se Pharmakon është një realitet i përditshëm të cilin nuk arrijmë ta “shohim”?

Pharmakon është trajtuar më shumë si një ëndërr sesa një realitet. Kam dashur t’i ngjasojë atyre ëndrrave të cilat në dukje janë shumë të vërteta; ëndrra, kur ti i bën vetes pyetjen, a je në ëndërr apo në realitet. Në atë gjendje të ndërmjetme shpesh here përpiqesh të gjesh elementë të cilët të kthejnë në realitet, por për këtë ke gjithmonë pasiguri se në cilin realitet je. Nga ana tjetër mendoj se edhe ëndrra është një pjellë e realiteteve që jetojmë, ashtu si edhe emocionet dhe gjithçka tjetër, kështu që në një formë apo tjetër dua të pohoj çfare ju konfirmoni brenda pyetjes. Thjesht dua të shtoj se nuk besoj se është edhe aq i fshehtë. Nuk duan ta shohin disa që janë pajtuar me frikën dhe ndrydhjen.

Keni guxuar të sillni edhe shumë skena erotike. Ç’mund të thoni për to?

Të jem i sinqertë, nuk më duket se kam sjellë skena erotike të veçanta. U hap një fjalë e tillë përpara se unë të nisja xhirimet dhe me sa duket kjo fjalë e hapur i mbijetoi edhe vetë experiences së filmit. Ka disa skena, por nuk janë ndonjë kushedi nga ana eksploitative erotike. Përkundrazi, kam bindjen se kam qenë shumë i përmbajtur në këtë drejtim.

 

 

Pse zgjodhët Klevis Begën si njëprej aktorëve kryesorë? Si lindi ideja për zgjedhjen e tij?

Klevis është artist. Ka një ndjeshmëri intuitive dhe një garipllëk që mendoj përshtatej me personazhin. Përveç kësaj, për të kontrastuar personazhin Branko me babanë e tij Dr. Sokratin dhe me të tjerët, më duhej një aktor jo profesionist. Kështu e gjykova, i ndikuar natyrisht edhe nga disa regjisorë të preferuar të mi si Bresson apo Pasolini, të cilët po i përmend këtu ndër të tjerë, jo se dua të krahasoj veten me ta, në përgjithësi nuk kanë punuar me aktorë profesionistë dhe kanë sjellë një ajër frymëzues në kinema. Në këtë rast, me duhej të krijoja një contrast mes lojës së mësuar në shkollë dhe asaj te pamësuar. Kjo lidhej me konceptin tim të personazheve dhe asaj të cilën ata përfaqësonin. Për këtë arsye bëra përzgjedhjen e aktorëve.

Po bashkëpunimi me Niko Kanxherin dhe Olta Gixharin si erdhi?

Niko është një aktor mjaft akademik, me një ndjeshmëri të lartë dhe padyshim prej aktorëve që unë personalisht vlerësoj më shumë në Shqipëri. Niko është sa emocional aq edhe racional. Ka një ndërthurje të veçantë mes të dyjave, e njeh mirë subkoshiencën dhe di të sjellë prezencën e saj në sipërfaqe në mënyrë të vetëdijshme, gjë që është një aftësi e rralle për një aktor. Kjo është një nga aftësitë e rralla të tij. Loja e Niko Kanxherit është si një portë për në subkoshiencë. Ka një magji ai njeri. Olta ka qenë studente e Nikos dhe dëshiroja që Branko dhe fëmija i rrugës, Gjergji, të ishin më ndryshe nga treshja tjetër e aktorëve akademike, pra Kanxherit, Vasil Godës, dhe Olta Gixharit. Vaso Godo nga ana e tij bën një rol që do të mbetet gjatë në memorien e shqiptarëve.

Do të kishit dashur t’i bënit ndonjë ndryshim?

Patjetër që po. Për shembull jam detyruar të shkurtoj disa episode tek të cilat është protagonist Vasil Godo, kjo për shkak të rrjedhës dramtarugjike. Janë episode ku Vasil Godo do të kishte mbetur akoma më fort në memorien e njerëzve. Megjithatë në shërbim të të përgjithshmes ka disa momente që duhen sakrifikuar.