Sporti më i dëshiruar në të gjithë vendin ka një rezultat të parashkruar që në fillimin e sezonit, falë aleancave dhe kompromisve që “bosët” e futbollit kanë ndarë me njëri tjetrin kafeneve

Nëse në të gjithë botën futbolli luhet në fushën e blertë, ku futbollistët vrapojnë si të çmendur përgjatë 90 minutave, djersiten, thyejnë këmbë e duar në duele të ashpra me kundërshtarin, pështyjnë gjak, e madje ka nga ata që zemra nuk ja mban dot ritmin, në Shqipëri ka një mënyrë më të lehtë, edhe për të triumfuar.

Nuk është një risi, por një stil i vjetër, që kohët e fundit është perfeksionuar në cilësinë më të lartë. Fjalë të dhëna në tavolina drekash, pazare të ndara zyrash apo edhe më thjeshtë akoma me telefonata të drejtëpërdrejta, e në tabelën përfundimtare rezultati është ai i duhuri: një fitore e thjeshtë, qoftë edhe sikur të luash në një fushë të vështirë, një kundërshtar që nuk hap rrugë apo edhe nëse era të fryn kundër. Kjo është tabloja, që të paktën prej dy sezonesh pasqyrohet në futbollin shqiptar, ku rezultatet janë të lexueshme, jo vetëm nga një skuadër, e që në fund është i njëjti fitues.

Ajo ç’ka po përpiqem të them është se në kampionatin tonë nuk luhet futboll i ndershëm. E kam të vështirë të them që ndeshjet “shiten” apo “blihen”, por në logjikën më të thjeshtë jam i bindur se kompromisi është fjala më e drejtë në të tilla raste.

Rezultate të lexueshme, skuadra që nuk arrijnë as të djersijnë përgjatë 90 minutave, futbollistë që interpretojnë shëmtuar në fushë, e në darkë fusin nën jastëkë shpërblimin e pamerituar. Është një tablo që e shikojmë çdo ditë që ka ndeshje, e lexojmë në media dhe me heshtje pranojmë këtë realitet. Një realitet që na imponohet nga aleanca e shëmtuara të të gjitha krahëve. Në një krah bëhen skuadrat që drejtohen nga bashkitë, e nën alenacën e siglave të njëjta partiake hapin e mbyllin portat sipas rastit. Në krahun tjetër “bosët e pushtetshëm” paguajnë rroga të prapambetura të aleatëve të vegjël për hapjen e portës dhe shtojnë shpërblime të ëndërruara për t’ua mbyllur portën rivalëve direktë.

Kompromiset janë nga të gjitha dhe për të gjitha, nga Vlora në Tiranë, nga Korça në Peqin, nga Kamza në Fier e Ballsh, e në tribuna televizive të gjithë betohen për ndershmëri. Humbet dinjiteti edhe i atyre që ne i quajmë më të mirët, trajnerët, që komandohen si marioneta nga tribuna. Më keq akoma futbollistët, që skuadra përkatëse i jep mundësinë të bëhen “goleadorë”, por kur veshin fanelën e ekipit kombëtar nuk arrijnë as të mbushen me frymë.

Edhe Barcelona me Realin e Madridit e njohin humbjen, madje duke i shtrënguar dorën kundërshtarëve për vlerat që tregojnë në fushën e lojës. Kurse në Shqipëri është krejt e pamundur që të shqiptohet fjala humbje, nga ato skuadra që janë ndërtuar rishtazi, e që janë futur pa radhë në elitën e futbollit. Shpenzohen pafund para e kohë. Blihen futbollistë e trajnerë nga e gjitha bota, pa u kursyer në të holla, por rezultatet nuk janë të pritshmet e në fuqi hyn kompromisi. Kjo fjalë që në konotacionin që po e përdorim është aq e shëmtuar dhe e rëndë, sa të vjen rëndë të flasësh për këtë lojë që duhej të emociononte njerëz.

Edhe pse skuadra më e paguar ndonjëherë në historinë e futbollit ka në organikën e saj më të mirët e kampionatit, kushtet apo privilegjet që të tjerët i ëndërrojnë, rezultatet nuk janë të pritshmet. Në këto kushte hyn në fuqi plani B. Me një telefonatë rezultati përmbyset. Aleancat bëhen që në fillimin e sezonit e rrugës. Po a shijon vallë një fitore e tillë?

Presidentët “ekspertë”

Ata njerëz që deri në atë moment e kishin bezdi ta shihnin futbollin, qoftë edhe në televizor në cilësinë më të lartë të figurës, tani janë bërë ekspertë të tij. Njohin dhe vlerësojnë futbollistët më të mirë, edhe pse nuk dinë asgjë për parametrat më minimalë sportivë të tyre, dinë pozicionet në fushën e lojës dhe kanë nuhatjen për të paracaktuar ecurinë e një sezoni.

Barcelonës ju deshën vite të bënte një skuadër fituse, Realit gjithashtu, edhe pse bëri shpenzimet më të mëdha dy sezone më parë, Mançester Siti shpenzoi miliarda dollarë në katër vitet e fundit dhe ende nuk ka vënë një ekuilibër për të ndërtuar një skuadër fituese. Kurse në Shqipëri skuadra bëhet fituese brenda pak orësh. Mjafton një fjalë e thënë në një drekë miqsh, për të investuar ca para, qofshin këto edhe për fushatën e radhës elektorale, e në raftin e pamerituar të do vendosen ca kupa, për të cilat ndër vite korifenjtë e futbollit kanë dhënë jetën për t’i prekur me dorë.

Nuk e di se si mund të ndihet një president futbolli, që gjatë një sezoni paguan diçka më shumë se një milionë euro për të ndërtuar skuadrën, e ca akoma më shumë për të paguar arbitrat, shto edhe ca të tjera për të paguar rrogat e prapambetura të një kundërshtari është gati t’i shënojë vetë golat, e në fund, po ky president është sërish më i djersitur se futbollistët që mendohet se kanë vrapuar në fushë për 90 minuta.

A janë të kënaqur këta presidentë për këtë sukses? Ja vlen ky shpenzim për një shfaqje që nuk ngazëllen askënd? Po këta tifozë janë të kënaqur me këtë skuadër, që kurrë nuk luan një futboll të vërtetë?

                                        Tifozët, të vërtetët që kontestojnë

Shfaqja është vërtetë e shëmtuar dhe më naivi në këtë botë do ta kishte kuptuar. Sigurisht që ndër të parët që e kanë nuhatur këtë teatër absurd në ditën medial, janë tifozët. Janë ata njerëz të vërtetë, që rëndom qëndrojnë ndër shkallë të ftohta, e thërrasin me shpirt, qëndrojnë stoikë në shi e diell, ashtu ngjirrur për çdo javë, duke nxjerrë nga vetja më të mirën e tyre, për një futboll që nuk prodhon emocion.

Shumë më të vërtetë se ajo shfaqje që luhet pak metra nga këmbët e tyre. Pak ditë më parë shumë prej tyre e kanë shprehur në një formë apo tjetër zemërimin se futbolli të cilin ata “dëshirojnë”. Dikush me një parrullë në stadium, një tjetër në një rrjet social apo qoftë edhe duke mos pranuar të shkojë në stadium, por kanë ditur të protestojnë për një shfaqje që nuk është reale. Tifozët janë e vetmja pjesë e vërtetë që ka mbetur në futbollin shqiptar.

Elita që zhduken

Shpesh kohët e fundit është folur për zhdukjen misterioze të Partizanit, klubit me më shumë tifozë në Shqipëri, Dinamos shkollës së futbollit shqiptar, apo edhe zbehjen e Elbasanit, Kavajës, etj.

Këto klube futbolli që gjithnjë kanë gjeneruar talente në futbollin tonë janë pikërisht ato elita që i mungojnë futbollit tonë për të rritur agonizmin sportiv, por për të cilën askush nuk është interesuar, e aq më pak të krijojë mundësinë për të shpëtuar. Sulmi politik që vrullshëm mori përpara futbollin shqiptar shkatërroi edhe ato pak vlerë që trashëguam nga pjesa e vërtetë e këtij sporti. E pritur futbolli po lulëzon “suksesshëm” edhe në ato vende ku deri para pak kohësh ishte një sport krejt i panjohur. Luhet futboll në ato qytete kur kurrë më parë ky sport nuk është luajtur, e që për fat keq nuk ka asnjë sportist vendas.

Ndërsa shkollat e vërteta të futbollit, të ndërtuara me aq mund e sakrificë ndër vite, tani duhet t’i binden fateve politike, apo kapriçove të llastuara të ndonjë kokënxehti. Kur pyeten titullarët e futbollit për këtë shkatërrim, shëmtuar dëgjojmë se ky është ligji i ekonomisë së tregut.

Krejt e gabuar si filozofi, pasi treg futbolli do të kishim vetëm nëse më parë do të kishim produktin, futbollin. Por në fushat e patateve në Kukës nuk mund të luhet futboll, as në parcelat e qepëve të Ersekës e Kamzës, ku “udhëheqësit” e rinj po kërkojnë ta imponojnë futbollin.

                                                                            Komisioni i etikës

Para pak kohësh lindi edhe një “institucion” brenda shtëpisë së futbollit: komisoni i etikës. Qëllimi i tij padyshim është për të rritur sa më shumë besueshmërinë e lojës së futbollit, agonizmin brenda fushës së blertë, shpirtin e garës, rigjetjen e bukurisë së lojës së topkëmbës dhe frenimin e fenomeneve të shëmtuara.

Definicioni është shumë perfket. Një institucion që duhet të mbrojë vetë lojën e futbollit. Të mbrojë vlerat e të përçojë një kulturë që vitet e fundit ka munguar, qoftë kjo nga profesionistët në fushën e lojës, e deri në tribuna ku edhe ata pak tifozë që kanë mbetur nuk reflektojnë asgjë të mirë. Duket se është shumë shpejt që të kërkojmë që ky organizim të hyjë në funksion. Institucioni sapo ka lindur, e si një krijesë e re i duhet kohë që të marrë formë, të rritet e të bëhet efektiv, të dallojë e parandalojë fenomene që nuk janë shumë të këndshme. Në këto kushte, në pritje të rritjes së tij, të gjithë ne duhet të kënaqemi me karnavalet, qofshin këto të Korçës a Kamzës, Vlorës a Beratit, sepse kështu është ndërtuar struktura.

Sezoni po shkon drejt fundit të tij e tanimë skenarin e kësaj shfaqjeje e dinë të gjithë. Dimë se cila do të jetë kampionia, ashtu sikundër dimë edhe fituesen e Kupës, ndaj është një gjë që dihet.

Nga Elert YZEIRI