Zllatan Ibrahimoviç ka lënë zyrtarisht Mançester Junajtid, pasi sulmuesi ka apranuar të prishë kontratën e tij me “Djajtë e Kuq”.

Suedezi, i cili firmosi për Junajtid në verën e vitit 2016 dhe pati një sezon të parë të suksesshëm në Angli, pësoi një dëmtim serioz në prill dhe ka luajtur vetëm 7 herë këtë sezon.

“Mançester Junajtid konfirmon se ka arritur marrëveshjen për përfundimin e parakohshëm të kontratës me Zllatan Ibrahimoviç”, thotë klubi në një komunikatë zyrtare. “Gjithsecili në klub do të dëshironte të falënderonte Zllatanin për kontributin e dhënë dhe i uron gjithë të mirat për të ardhmen”.

Vetë Ibra ka postuar një foto në Instagram, i veshur me të bardha, duke bërë mundje dore me një djall të kuq dhe duke shkruar: “Gjërat e mëdha e kanë një fund dhe është koha për të ecur më tej, pas dy sezonesh fantastike me Mançester Junajtid. Faleminderit klubit, tifozëve, skuadrës, trajnerit, stafit dhe gjithkujt që ndau me mua këtë pjesë të historisë sime. Përgjithmonëikuq”.

Tashmë Ibra pritet të bashkohet me LA Galaksi, në kampionatin amerikan, që sapo ka nisur.