Dihet tashmë se Kina ka tronditur futbollin botëror. Pavarësisht kësaj të bën përshtypje të lexosh shifra rekord të një merkatoje në të cilën klubet e Super League-s kineze kanë blerë futbollistë në Europë dhe në Amerikën e Jugut.

Në fakt janë shpenzuar 376 milionë euro në sezonin dimëror të transferimeve, 32 milionë më shumë krahasuar me merkaton e verës, dhe 56 më shumë se shifra që me sa duket, pronarët e rinj të Milanit, do t’ia paguajnë Berlusconi-t për blerjen e kuqezinjve.

Qeveria po përpiqet t’i ndalë këto shpenzime të mëdha, duke limituar që në sezonin e ardhshëm numrin e të huajve në çdo skuadër.

HEBEI FORTUNE (77 milionë euro)

Është Hebei Fortune klubi që ka investuar më shumë në merkaton e dimrit, 77 milionë euro, 8 milionë prej të cilave u investuan për brazilianin Hernanes, i cili u ble nga Juventus. Skuadra që drejtohet nga Manuel Pellegrini mund të mbështetej gjithsesi nga ish-lojtari i Romës Gervinho dhe ish-napoletani Ezequiel Lavezzi.

TIANJIN QUANJIAN (72 milionë euro)

Në vend të dytë për sa i përket shpenzimeve të mëdha është Tianjin Quanjian, që drejtohet nga Fabio Cannavaro, që ka “zemëruar” Juventusin duke i rrëmbyer mesfushorin belg Witsel për 20 milionë euro nga Zeniti i Shën Petërburgut. Gjithashtu pas refuzimit të kroatit Nikola Kaliniç, i cili vendosi të qëndronte te Fiorentina, Tianjin bleu ish-lojtarin e Milanit, Alexandre Pato për 18 milionë nga Villarreal.

SHANGHAI SIPG (67 milionë euro)

Në vend të tretë është Shanghai SIPG, që ka shpenzuar 67 milionë euro, 60 prej të cilave vetëm për fantazistin brazilianin Oscar dos Santos Emboaba Júnior, i njohur thjesht si Oscar, i cili la Chelsea-n për t’iu bashkuar bashkëkombësit të tij Hulk.

TË TJERAT

Guangzhou Evergrande, përkundrazi, është treguar dorështrënguar në merkaton e blerjeve. Skuadra kampione në fuqi, ish-skuadra e drejtuar nga Marcello Lippi, ka shpenzuar “vetëm” 9,6 milionë për mbrojtësin e majtë kinez Chengling Zhang. Gjithashtu klubi tjetër ambicioz, Shanghai Shenhua pagoi 19,5 milionë euro tek Boca Juniors për të sjellë në Kinë sulmuesin argjentinas Carlos Tevez, që megjithatë nuk mjaftoi që skuadra nga Shanghai të kualifikohej më tej në Champions League-n aziatike.