Sport Kombëtare përgjysmë Kuqezinjtë kanë mbyllur një tjetër edicion zhgënjyes, duke mos arritur as edhe objektivin më minimal, kalimin në një fazë më lart, e cila do të krijonte edhe lehtësira për eliminatoret e europianit

Futbolli është një lojë që përjetohet me ndjenja, me momente të veçanta, me suksese, që të gjitha bashkë kontrollojnë drejtimin e aktiviteteve, ashtu sikundër edhe dështimet: pas humbjes me Hungarinë ishte errësirë e plotë, ndërsa në fund u shfaq një reze e zbehtë drite. Kombëtarja shqiptare ka dhënë shenja jete në orët e fundit të eliminatoreve të Botërorit 2010, në përballjet me më të fortët e kontinentit, ndërkohë që bilanci i të gjithë edicionit nuk kishte asnjë ndryshim me paraardhësit. Ka përfunduar edhe një tjetër tur ndërkombëtar për skuadrën shqiptare të futbollit, i cili u deklarua si ndër më të rëndësishmit në startin e tij, por që rrugës u copëtua për shumë arsye. I nisur nën hijen e holandezit Ari Haan edicioni i kombëtares shqiptare u duk se do të ishte pa shumë shkëlqim, ndërkohë që shumë shpejt humbi ekuilibër dhe u bë më shumë se mediokër. Largimi i holandezit u pa si shpëtimi i edicionit, por rruga u bllokua pikërisht nga përballjet me kundërshtarët e drejtpërdrejtë. Në këto kushte objektivat e deklaruara nga krerët e futbollit, mbetën vetëm në titujt e gazetave apo bisedat e rëndomta në studiot sportive, ndërsa pozicionimi në klasifikimin e përgjithshëm nuk kishte ndryshim nga të mëparshmit, në mos akoma edhe më poshtë. Në krye të skuadrës kuqezi u rikthye një kroat, Josip Kuzhe, që pakkush ia kish dëgjuar bëmat, ndërsa media bëri më shumë bujë me jetën e tij private. I karikuar me shumë entuziazëm dhe me pak fat në detyrën e tij, kroati arriti që të krijojë shpejt një profil të besueshëm, ndërsa skuadra filloi të prezantohet ndryshe. Një modul i ri, emra të harruar që rikthehen në formacion dhe disa lojëra plot grintë rikthyen entuziazmin e munguar për dashamirësit e futbollit. Dështimi i edicionit u pranua nga të gjithë, ndërsa tashmë një erë e re ka nisur dhe projekti i ri mban emrin e Josip Kuzhe, sigurisht duke e nisur nga fillimi.

Sërish ne vendin e fundit

Nëse trajneri Haan gjatë periudhës së tij të euforisë si trajneri i kombëtares shqiptare kërkonte ta çonte skuadrën tonë në finalet e Botërorit 2010, synimet e drejtuesve të futbollit ishin të minimizuara për të luajtur në një vazo më të mirë për në shortin e evropianit. Sinkron me objektivat e drejtuesve të futbollit, duket se është edhe trajneri aktual, Josip Kuzhe, që mendon se rrugëtimi i Shqipërisë duhet të kalojë nëpër disa stade të pashmangshme. Në fakt ky është një objektiv real për një vend të vogël si Shqipëria, ku futbolli është në një letargji pa limit. Por edhe këtë herë objektivi ka munguar dhe mund të thuhet që sezoni u përcoll me gotën gjysmë plot.

Dështimi i Arie Haan

Në analizën e sezonit një paragraf shumë i gjatë i është kushtuar trajnerit holandez, Arie Haan, nën drejtimin e të cilit skuadra nuk arriti të tregonte asnjë vlerë, madje dështoi edhe në ato takime që në letër i kishim llogaritur si të fituara. Nën drejtimin e holandezit skuadra ishte krejt e paorientuar dhe më shumë trajneri Haan nuk arriti asnjëherë që të mësonte të gjithë emrat e futbollistë që kishte në skuadër. Pak gjurmë la në aspektin teknik, ndërsa tabela e rezultateve nuk ishte e përshtatshme me objektivat që ju kërkuan në fillimin e edicionit. Shpesh holandezi ishte konfliktual, me sportistët, mediat, madje edhe me drejtuesit e federatës, duke u bërë një element pak i pranueshëm edhe për publikun. Kur erdhi në Tiranë deklaroi se do të na çonte në Botëror, por shumë shpejt e kuptoi që ishte reklama e gabuar. Teksa linte Rinasin në ditën e fundit, volli aq shumë vrer sa nuk i kishte thënë në të gjithë jetën e tij bashkë.

Rikthimi i Sulmuesve

Një nga meritat që mund t’i evidentojmë trajnerit kroat Josip Kuzhe përgjatë drejtimit të skuadrës në gjysmën e dytë të eliminatoreve të Botërorit 2010 është padyshim aktivizimi për çdo ndeshje i dy sulmuesve. Forma shumë e mirë e Hamdi Salihit është duke kaluar në kampionatin austriak, por edhe eksperienca që tashmë ka fituar Erjon Bogdani i kanë krijuar bindjen kroatit se skuadra duhet të kërkojë më shumë. Të dy sulmuesit janë përshtatur më së miri në këtë formacion dhe marrin e japin nga pjesa tjetër e skuadrës, por ajo që tashmë duhet të zgjidhet për edicionin e ardhshëm është padyshim përzgjedhja e alternativave. Emrat më bindës në takimet e fundit kanë qenë ato të Edmond Kapllanit dhe Besart Berishës, por që duket të pamjaftueshëm për të dhënë garanci për vazhdimësinë.

Sakrifikimi i Lorik Canës

Mbrojtja vazhdon të mbetet reparti me më pak alternativa dhe lëvizja e detyrueshme e trajnerit kroat ka qenë sakrifikimi i Lorik Canës. Kapiteni, ndryshe nga pozicioni i tij natyral në qendër të mesfushës ka bërë një hap mbrapa, duke kaluar në qendër të mbrojtjes. Së bashku me Currin ata formojnë një dyshe kompetitive, duke plotësuar njëri tjetrin në shumë situata. Këta janë emrat më stabël në këtë repart, ndërkohë që alternativat për t’i zëvendësuar janë pak bindës. Kuzhe ka provuar shumë futbollistë që gjatë ndeshjeve që ka patur në dispozicion, por duket se elementët e përzgjedhur deri tani janë të pamjaftueshëm. Prej kohësh Lorik ka treguar qëndrueshmëri dhe karakter në prezantimet e tij dhe me të drejtë ai është kthyer në një lider të skuadrës.

Një lider pa skuadër

Nëse ka një futbollist që duhet të komplimentohet për pjesën e dytë të eliminatoreve të Botërorit 2010 është padyshim, Ervin Skela. Veterani i mesfushës ka bërë një prezantim pothuaj perfekt në ndeshjet e fundit dhe megjithëse emri i tij nuk ka figuruar në asnjë skuadër klubesh për të paktën 6 muaj, ai tregoi se ka ende për të dhënë për këtë skuadër. Labi me numër 13 është evidentuar mbi të tjetër, diku me një prekje magjike, krosime të milimetruara, sprinte dhe dyluftime në ¾ e fushës dhe skuadra arrin të prodhojë në fazën sulmuese falë një futbollisti që ofron vizion. Kuzhe i ka dhënë më shumë liri në fushë dhe zotërim më të madh të topit gjatë lojës dhe kjo është pjesa e tij e preferuar. Skela i është përgjigjur pozitivisht për edicionin që lamë pas, ndërsa pasardhësi kërkon një ritëm tjetër dhe megjithëse paraqitja e tij mund të jetë sërish e lartë, përzgjedhja e një emri të ri për ta dubluar nuk është luks, por domosdoshmëri. Kuzhe nuk e ka vënë ende gishtin mbi një tjetër futbollist dhe koha nuk pret.

Talentet e munguar

Është folur shpesh për talente të rinj dhe emra futbollistësh të besueshëm për të plotësuar organikën, por duket se edhe këtë edicion ata kanë qenë me pikatore. Disa prej tyre janë konsideruar si porosi e “sheface”, ndërsa të tjerët për të plotësuar organikën, ndoshta edhe për ti zënë qëllimisht vendin dhe ndonjë tjetri. Pak orë pas mbërritjes në Tiranë, Kuzhe lançoi emrin e Emiljano Vilës, që përveç një prezantimi modest në përballjen me Gjeorgjinë nuk arriti të linte gjurmë në takime të tjera. I vetmi që ndoshta mund të evidentohet është portieri Ujkani, që pas dëmtimit të Beqajt dhe disa momenteve të paqëndrueshme të Hidit u kthye në një futbollist fiks në formacion, e madje edhe një siguri në disa raste për prapavijën. Emrat e tjera, si Hyka, Bakaj, Lila apo Franc Veliu, pavarësisht paraqitjeve që bëjnë në klubet përkatëse janë emrat që mbeten kandidatë, por pa përkrahjen dhe hapësirën e mjaftueshme.