Revista “Shqip” publikon jehonën e madhe që pati në Shqipëri dhe në mbarë kolonitë shqiptare kudo në botë, vdekja e Perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozefi (plaku), i cili ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare, në nëntorin e vitit 1916. Si u komentua humbja e plakut të dinastisë së famshme të Habsburgëve nga gazeta “Vllaznija”, që botohej nga kolonia e shqiptarëve të Vjenës dhe konsideratat e larta që shqiptarët shprehën për atë burrë shteti, të cilin e quanin si një mik dhe mbrojtës të madh të tyre

Plot 93 vjet më parë, në nëntorin e vitit 1916, teksa Lufta e Parë Botërore (në vorbullën e së cilës ishte përfshirë dhe Shqipëria) po shënonte kulmin e saj, në mbarë botën u përhap lajmi se ishte ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare Perandori i Austro-Hungarisë, Franc Jozefi (plaku), i cili në atë kohë, edhe pse në një moshë të thyer, kishte një rol jo të pakët në luftën e përbotshme, ku Austro-Hungaria ishte bërë palë dhe kishte në front me qindra e mijëra ushtarë të saj. Vdekja e Perandorit Franc Jozef pati një jehonë të madhe edhe në Shqipëri, pasi në atë kohë pjesa më e madhe e territorit të saj ishte nën kontrollin e trupave austro-hungareze, të cilët shqiptarët i shihnin si shpëtimtarë të tyre. Nisur nga ky fakt, vdekja e Franc Jozefit u prit me një hidhërim të madh edhe nga ajo që mund të quhet klasa politike shqiptare e asaj kohe, si dhe nga prijësit e fiseve të ndryshme, që përbënin dhe parinë e Shqipërisë në ato vite, të cilët, në shenjë nderimi dhe respekti të thellë shkuan deri në Vjenë, për të bërë homazhe dhe për t’i shprehur familjes perandorake të Habsburgëve konsideratat dhe falënderimet më të përzemërta për atë burrë shteti, që ata e konsideronin jo vetëm si një mik të madh të tyre, por edhe si mbrojtësin më besnik të Shqipërisë, ku ata kishin varur të gjitha shpresat. Të gjitha këto, veç të tjerash, në atë kohë u pasqyruan me detaje edhe nga gazeta “Vllaznija”, që botohej nga kolonia shqiptare e Vjenës, e cila i kushtoi faqe të tëra asaj ngjarjeje, duke e konsideruar Franc Jozefin si një nga shpëtimtarët e Shqipërisë. Nga ajo gazetë (“Vllaznija”) ne kemi përzgjedhur dhe po botojmë disa pjesë nga shkrimet e saj, të cilat vijojnë nga nëntori i vitit 1916, kur dhe vdiq Perandori Franc Jozef, e deri në prillin e vitit 1917, kur delegacioni shqiptar shkoi për të bërë homazhe në Vjenë. Këto shkrime po i publikojmë në variantin e tyre origjinal, në gjuhën e shkruar të asaj kohe (pa asnjë ndryshim), duke u bërë vetëm ndonjë sqarim nga ana dialektore e gegërishtes. 

Deka e Perandorit Frano Zefi I

Popujt e Austri-Ungarisë po kjajn. Perandori Frano Zefi (Franc Jozefi, shënimin ynë), ati i atdheut, ati i dashtun i popullit diq. Kumbonat po kumbojn zashëm, flamurët e zez po flatrojn gjithkund në dhen e Monarkisë, miljuj (miliona) njerzësh kan vu petka zije, e kanë bjerrë ma të dashtunin; at, perandori i tyne, s’a ma. Syni i tij besnik, e pau fitimin e armëve të Austri-Ungarisë, mbrojtësit besnik të Monarkisë, se si u thyen mësymet e tërbueme r’anmiqve në mure të hekurta t’ushtrisë trimneshë t’Austri-Ungarisë; për me pa paqin, të cilit aj ja kishte kushtue jetën e vet, s’paska kjen thanë. Si ka jetue Perandori Frano Zefi, ashtu edhe diq; në mjedisin e punës së vet, në mjedis të kujdesit të papushim për popujt e vet, në mjedis së të kryemjes së detyrës, qi e ka pas mbushë gjith jetën e tij. Te tabuti i Perandorit të madh, po kjajn popujt. Në kjoftë gja, që e lexon dhimën, që në këto ditë miljuna zemrash i përshkon, atë botë ishte deka e bukur edhe e paqtë, në të cilën dha shpirt perandori plak. Si t’a thomi na në këto pak rreshta, se ç’ka kjenë ky perandor i madh, se ç’kanë bjerrë me të popujt e Monarkisë e të gjithë ata që aj i dote mirë? Shumë histori-shkronjës me libra të panjehun kanë për të mujtë me i dhanë fund? Ky burr i mrekullueshëm jetote, para se t’a shifte dritën e diellit ma e shuma nesh. Me kujdes besnik, me mirësinë dhe drejtësi, me një të kryem të hekurt të detyrës së vet ju shëndrite aj të tanë popujve të vet por si një shembull. Në gëzim dhe në gazmend ati i brohoritshin, në kohë të vështira aj ishte shpresa e të gjithëve. Me të ishte lidhë jeta e fati i të gjithë popujve t’Austri-Ungarisë gadi shtatëdhet vjet. Kur thote ndoj austriak “Perandori i jonë”, gjindej në kët fjalë nji tingull aq i veçantë, i ambël dhe i butë, sikur kur flet njeri për atin e vet të dashtunin. Në këto vjet të vështira të luftës së madhe (Lufta e Parë Botërore), kje ba dashtunija e popujve për perandorin e vet edhe ma e përzemërt edhe ma e thellë. Çdo të ndodhë në të kundërshtisun të popujve pasqyrohej në perandorin! E kur mb’atë diellin e mnershme ndodhi vrasa e përçudnueshme në Sarajevë. U ndigjue në të tanë Monarkinë, gojë për gojë nji fjalë e vetme dhime: “I miri plaku jonë, perandor”! E kur anmiqtë shtërnguen Monarkin me hi në luftë, atë botë foli perandori n’atë manifest (zadhanje), historik, me të cilin thirri popujt me i rrok armët, për zemër të tyre. Dishiri i madh i jemi ishte, vjetët, qi hiri Tenzot, m’kishte da me rrune, me jau kushtue veprave të paqit edhe me i ruejt popujt e mi prej fijeve (kurbaneve), të vështira prej barrës së randë të luftës – në gjyq të Naltit paska kjenë da ndryshe”. Kur u ndigjuen popujt e Austri-Ungarisë zinin e perandorit, i rroknë flakërueshëm armët. Kjo luftë e gjatë nuk prini vetëm fitime madhështore, por edhe fije të idhca gjaku e kujdesi. Tuj e krye detyrën e vet papushim e me dashuni ka marrë pjesë perandori në fat të popujve të vet e prej si rrjedhte ajo shpresë e qetë, qi por si dritë e nxehtë depërtote gjithkah. Si një mrekulli ndejti mbë thron (seli), ky plak tetëdhjetegjashtë vjet të gjashtëdhjetetetën vjet mbi popujt e vet. Ishte, si të mos e kishte prekë pleqnia korpin e ti, si dhe shpirtin e ti. E qe ky i madhënueshëm, ky i shkëlqyeshëm, ky i miri diq e shkoj. Një ofshamë e thellë po i përshkon dhenat e Monarkisë. Se çka ba, çka ka vuajt e ka flijosë Frano Zefi për popullin e vet, do ta diftoj historia e botës. Veprat e mira, fisniknin dhe bekimin, që aj i ka krye në jetën e vet, i kjenë shpërthye me një dashtni të popujve, si s’ka ndodhë kurrë për një monark tjetër mbi tokë. Edhe kombi shkypëtar e bori me Frano Zefin një at të mirë e të dashtun. Tash sa vjet e ka pas perandori për zemër fatin e kombit shkyptar prej të coptuemit e të shuemit, aj e foli fjalën e vet të fuqishme, kur serbët deshën me e zhbë popullin shkypëtar. Sa e sa herë i ka pritë perandori Frano Zefi shqyptarët kryetarë në audiencë edhe i ka sigurue ata, se e ka në zemër fatin e kombit shqyptarë. Çdo shkyptar që e ka pas fatin e mirë me u pritë prej perandorit e me folë me të, diftote mandej me flakërim e gëzim, se sa mirë e hollë e për pe i dite perandori të gjitha punët e Shqypnisë e se me sa interes të gjallë pëvetëte aj për çdo fat e short të kombit shqyptar, tuj marrë pjesë të nxehtë për të gjitha punët. Ë tash qi diq perandori i mirë, axha Frano i joni! Por te varri i tij perënduer të tanë popujt, qi aj jau ka pasë kushtue dashtnin e vet, po e bajnë sot një kusht të shenjtnueshëm; me e ruejt dhe me e prujt atdheun, të mirës së cillit i përkiste krejt jeta e tij. Me ju diftue armiqve, se Monarkija e Austro-Ungarisë do të qindrojë për sa të jetë jeta e sa fuqi të saj do të thehen të gjitha tallazet. Dashtuninë për perandorin e madh atnuer, qi ndërroj jetë, do ta diftojnë popujt e Monarkisë, tuj u bashkue besnisht e me zemër të flakërueshme rreth Trashëgimtarit, për me e krye këtë luftë për nder të Monarkisë.

Vorrimi i Perandorit

Frano Zefi

Trupi i perandorit të madh, Frano Zefi I po pushon tash në vorre mbretnore të shpis bujare të Habsburgut; aty ku pushojn të parët e ti. Tuj kja e tuj dënesë e përcuell populli për të mbramën herë atin bamirsë, për të cilin kishte një dashtni të veçantë. Mbretna, princa, parija e popullit, e vetë populli mbarë muernë pjesë në vorrimin e tij. Vorrit ju vu kapaku e perandori Frano Zefi u da përgjithmonë prej popujve, qi i ka mbrojt si një at besnik; të cilit me nji besni të patundur ja shpërblejn të gjithë atë dashtni qi ka pas për ta. Popujt e Monarkisë dhe populli shkypëtar kanë hymbë për të saktë një babë të dashtun. Fatin e ti, dashtnija dhe falenderja s’kanë me e harrue kurrë brezë mbas brezi. Edhe isht tepër shpejt për me e kuptua plotësisht se çfarë Perandori ishte Monarku qi u da prej nesh. Perandori Frano Zefi kje i madh si nieri e i madh si sundues. Pak njerz n’ë këtë botë kan psue sa aj. Për ndonjë njeri tjetër ishte kenë kjo barrë tepër e randë. Perandori Frano Zefi ishte baba i vërtetë i popujve; aj e kuptoi mirëfilli ça isht detyra e nji sunduesi, e kësaj ja shuguroj gjithë jetën e gjith fuqinë e vet. Për gjashtëdhet vjet rresht ju prini popujve të Monarkisë austro-ungare në të gjitha tallazet e jetës. Atë botë kur e mure sundimin në dorë ishin kohë të vështira; bota e moçme i lëshoj vend botës së re. Idetë e reja u përhapën në të gjitha shtetet u banë ndërrime të mëdha. Por si një shkamb në mes të detit u qëndroj perandori Frano Zefi gati për shtatëdhet vjet të gjitha tallazeve në të gjitha stuhinat e popujve të Monarkisë e tjerët kishin një shpresë së gjallë në të, prej të cilit s’i dashën sytë kurrë. A nuk kje Perandori Frano Zefi njaj që për sa e sa vjet e mbajti paqën e Evropës mbarë? Sa herë me ndërmjetsi të vet nuk u la me u derdh gjak? Perandori i paqes e quajti bota me të drejtë, por tash në e mbram idhnim të madh ndjen zemra e ti kur anmiqtë me lakmi së vet e çpallë këtë luftë të madhe. Shkrimtarët e historisë së kohës së ardhshme kanë me e përshkrue për të vërtetë në vëllime të trasha jetën e Monarkut të madh; ata kanë me diftue se qëllimi i jetës së tij qenë e mira dhe detyra. Ideja e tij ishte shpresa e popujve; e cila ju shndrit në ditë të mira dhe të vështira e kjo dije e tij e gjet gjithmonë rrugën e vet. Aj kje pasqyra e nji njerit, që ban gjith herë detyrën e vet. Sado plak që ishte, punën s’e la kurr. Perandro ishte tuj ndej te tryeza e vet e punonte pa pra. Për qefe s’ kishte kohë kurr, e pos gjojës nuk dite qejf tjetër; e kur mjeku i ti e këshillote me pushue e me ruejt vedin, u gjegjte se do ta bate detyrën e vet. Kështu rrojti deri në pleqni e deri në ditët e mbrame e në mjes punës erdh deka e muer.

Të vorruemit e Perandorit

Më 30 nanduer mbas dreke u vorrue me madhështi të pashoqe Perandori Frano Zefi I. Mbas disa ditëve të vranta u kthjellue qiella dhe rrezet e diellit shëndritën qytetin e Vjenës, qi ish vesh në zi. Rrugët e qytetit të madh u mbushën me qindra mija njerzësh, që duelnë me e përshëndet për të fundit herë Perandorin e dekun. Në 2 të sahatit mbasdite nën tingujt e të gjithë kambanoreve të Vjenës u muer arka (arkivoli), prej kapelës së pallatit të tij e u sjell në Ringastrabe, Franc Josefa-Kai e Rotenturmsrabe, kje çue në kishë të Shën Shtjefnit. Shërbëtorët e Perandorit mbi kual i prinë të vdekurit me qira në dorë e mbas tyne vijshin nji eskuadron të Drogonvet të Perandorit, nji kompajë e infanterisë, kalorës, roja e Perëndorit, si t’Austrisë, ashtu dhe të Ungarisë. Mbas tyre vinte karroca perandore vesh në zi dhe e ngrehun prej tetë kualëve të zez. Mbi karrocë ishte arka e mbulumeme me coh të zezë. Përbri karrocës shkote kambë roja e Perandorit veshë për bukuri. Gjithkund ku kalote Perandori i dekun, ishte rreshtue ushtrija, burra rrinin me krye zbulue e gratë kjashin pa pra. Në kishë të Shën Shtjefnit ishte mbledhë Parija e Monarkisën, princa, ministra, generala, deputeta dhe gjithçfarësh. Prej vendeve të tjera kishin ardh mbretna, princa, diplomat e shumë deputacjone (delegacione), të huaja. Kur mbërrini arka me perandorin e vdekur në kishë të Shën Shtjefnit e bekoj Kardinali i Vjenës Dr. Von Pifil; i cili ish rrethue prej ipeshkvet të tjerë e prej gjithë klerit. Mbas bekimit në kishë u vu prap arka mbi karrocën e ndën tingullin e kumbonëve kje përcjellë në kishë të Kapuçinvet, ku gjenden vorret perandore. Arkës i shkoshin mbrapa ma parë Perandor Karl, Perandoresha Zita bashkë me trashëgimtarin e vogël. Nbas tyre vishin mbret e mbretëresha e Bavjerës (Bavarisë), mbreti i Sasonjës, mbreti i Bulgarisë, Trashëgimtari i Germanisë, Trashëgimtari i Turqisë, Trashëgimtari i Svecjes (Suedisë), Infanti Fernando i Spanjës, Princi Waldemar i Danimarkës, Duka Filip Albrecht i Wurttemanbergut.

Sahatët e mbramë të perandorit Frano Zefi

Në ditët e dekës e pat perandori mendjen e kjartë e për të gjithë ndodhitë kish nji interes të gjallë. Të marrunit e Ceajovës, që kje lajm i mbramë, e mbushi perandorin me gëzim të madh. Në gjashtë sahati të mbrames ra në shtrat; mjeku i tij, Dr. Von Kerzel e pyeti: “Çfarë po urdhnon Madhëria Juaj për nesër?” Perandori i përgjegj: “Kam me u çue si përditë në 3 e ½ sahati nade”, mandej e muer gjumi Perandorin plak; prej të cilës s’ka me u zgjua ma kurr.

Nji diftim i Perandorit Frano Zefi përmbi Perandorin Karl

Presidenti i akademisë ungare të diturisë këshilltari Von Berzeviczy duel para disa muejsh në audjencë te Perandori Frano Zefi, Perandori i tha presidentit në bisedë: “Unë u plaka tepër e s’kam me pasë ma jetë të gjatë. Por mos u frigoni se trashëgimtari i jem asht nji djal fort i mirë edhe i vjefshëm; e kam fort për zemër, e të gjitha shpresat e mija i kam vu në të”.

Perandori Karl I

Më 22 nandor e muer sundimin në dorë Perandori Karl I dhe i njofti për veqila (vartës), të vet ministrat deritashëm t’Austri-Ungarisë. Bash n’atë ditë priti n’audjencë ministra e generalë e u këshillue me ta. Perandori i ri kje përgatitë në sundim mbas dishireve dhe përkujdesit të Perandorit plak. Ndërsa ishte tuj ba shërbim si ushtar, u pa qartas, se perandori i ri ishte plot me të mira; kish ni mendje të qartë e si ta lypte koha dite me kjenë i buzëqeshun e serioz; u da në shenj sidomos për cenë (karakterin), që kishte, e ku ta lypte puna e bante gjithmonë detyrën e vet. Perandori Karl I ishte ushtar me mish e me shpirt. Veprim i ushtarak i vjetëve të mundshme kje aq i randë për të, sa s’i delte kohë as nji sahat me pushue. Kur shërbete në Vjenë në regjiment të 4, banote në kështjellë Hetzendorf e për të në mëngjez u shifte tuj vojt në shtatë sahatin në kazermë. Mbas dite në 2 apo në 2 e 1/2 këthente në Hedzendorf e hate drekën me zojën e vet. Në 4 sahatin shkote prap në kazermë, ku rrite deri në mbrame e kështu e bate detyrën e vet si me kenë nji ushtar çfarëdo. Gjojën (gjuetinë), e kishte fort për zemër, e Perandori i ri jo vetëm asht nji mik i madh i gjuetisë, por edhe i natyrës. Qysh se ka fillue lufta gjendet Perandori në ballë të luftimeve. Herra herës vite në Vjenë për dy ose tri dit me lajmërue ungjin e madh, Perandorin Frano Zefin, si po shkon lufta. Tash 28 muej i shënoj dhe i pan të gjith ballet e luftës, tuj folë vet goja goj me ushtarët e fort j’u kënaqte zemra kur u ipte nishane atyne trimave, qi kishin mbrojt atdhenë. Aj i folë dhe i shkruen të gjitha gjuhët e Monarkisë dhe të tan popujt e kan fort për zembër. Mbasi me ushtrinë e vet i thej Italjanët afër Bulgaria-s tuj luftue gjithkund në ball, ju dau me dor të vet nishanat ushtarëvet. Trashëgimtari, arqiduka Otto, asht 4 vjeç, nji njeri i hieshëm, i squet dhe me flok biond.

Perandori Karl l, ushtarëve të vet

Madhnija e Tij Karl I, ja çpalli kët urdhën ushtris dhe flotës: “Ushtarë! I pari i gjithë ushtris, i larti ungj i imi, perandori e mbreti Frano Zefi I, qi gadi për shtatë dhet vjet u kujdes për Ju, për gjyshat dhe babat e Juej, i dashtë të gjithë si at, duel tash në jetë të pasosme. Gjithmonë tuj e pas parasysh si shembull të nji ushtari qi e bani gjith herë detyrën e vet tuj e kushtue gjith të kjenunit e vet për mirësi të Juej e t’atdheut e deri në sahat të mbramë, Ju pat perandori në mënd e në zemër, ushtarë të dashtun dhe trima. Ushtarë! Në këtë luftë të madhe kalova ndër Ju deri sod ditë të vështira, por të kunorzueme me fitime të paharrueme. Në këtë kohë kaq me randësi dola prej mjesit të Juej dhe tuj u ba Kryetari e prisi i së famshmes ushtri e flotës s’Eme, kemi me luftue me ndihmën e Zotit bashkarisht me besëlidhundët-t’jonë me shpresë të patundur për të drejtat e shenjat t’onat deri sa ta kemi në dorë fitimin. Shpirti i të Paharrueshmit, qi u da prej nesh, ka me kenë me Ju e ka me Ju dhanë zemër me luftue trimisht edhe mbas sodit, deri sa kjoft thanë, qi me u vue kunorën e fitimit mbi vorr të Ti, si shenjë të falenderjes s’onë besnike për të gjithë atë dashtuni e kujdes që që ajo zemër bujare ka ndie gjithmonë për ushtrinë besnike të vetën. Vjenë, më 22 nanduer 1916. Karli I m. p.

Falenderja e Perandorit Frano Zefi popujve të vet e trupave të veta

Madhnija e Tij apostolike Frano Zefi I, qi diq, la në testament të vet këto fjalë falenderje për popujt e vet, ashtu dhe për ushtrinë e flotën e vet; “Po ju falem nderës të gjithë popujve të mi për gjithë atë dashtni të pashoqe, qi treguene për Mue e për shpin t’Eme, si në ditët e gazmendit, ashtu edhe në kohë të vështira, e kjo ndjesi e dashtni e vërtetë gëzoj zemrën t’Eme e më forcoj edhe ma tepër qi e ba detyrën t’Eme si sundues. Po kam shpres të gjallë, se popujt e mi kanë me ruejt atë ndjesi atdhetare edhe për trashëgimtarin tem! Edhe ushtris dhe flotës s’Eme po i falem nders për trimni e për besni qi treguene gjith herë. Fitimet e tyne më mbushnë me dëfrim dhe rreziqet e pafajshme më thernë zemrën. Shpirti i pashoq qi mbrenton gjithmonë n’ushtri, në flotë, ashtu dhe në të dy ushtritë mbrojtëse të vendit më siguron, se edhe trashëgimtari i Em ka me çmue si unë”.

Letra ngushëlluese e kolonisë shqiptare të Vjenës për familjen e Habsburgëve

“Një nderim i Shqypëtarëve për dekë të Perandorit Frano Zefi I”

Ndërmjet qindra e qindra telegrameve dhe letrave ngushëlluese që iu dërguan familjes së madhe dhe të famshme të Habsburgëve për vdekjen e Perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozefit, nga shumë perandorë, mbretër, princa, kryeministra, ministra, deputetë, senatorë dhe personalitete të ndryshme nga e gjithë bota ishte dhe ajo e kolonisë së shqiptarëve të Vjenës. Në atë letër ngushëlluese, e cila është botuar e plotë nga gazeta “Vllaznija”, shkruhet: “Kolonia e shqyptarëve të Vjenës i dërgoi këtë shkrim ministrit të përjashtëm e të shtëpisë perandorë: Shkëlqesi! Bashkë me popujt e Monarkisë austro-ungare po vajton edhe populli shqypëtar te arka e Perandorit të vdekun të Madhënisë së Tij apostolike Frano Zefi I. Perandori i madh kje edhe për popullin shqyptar një babë besnik dhe i dashtun. Zemra bujare e Madhënisë së Tij, ishte mbushë me ndiesi të flakta për popullin t’onë, i cili ka pas prej tij të mira të panjehuna. Fjala e kushtueshme e perandorit të vdekur e ka mbrojt kombin t’onë në kohë të vështira prej thonjve t’anmikut, qi dote me na shqyemë; e gjith sa herë qi populli jonë u gjet në rrezik, Madhënija e Tij, ja njitin dorën shpejt. Për këtë shkak pra të gjithë Shqyptarët pa ndryshim feje kishin për Perandorin e madh nji dashtuni të veçantë. Kur në kohë të mëparëshme psonte vendi jonë; atëhere i çoshin sytë te ati ynë i dashtun, në të cilën e kishin pshtetë shpresën e vetme t’onën. E në kjoftë se sot jemi të lirë e kemi gjithë këto të mira, do t’i falemi nderës ma parë Madhënisë së Tij apostolike e cila na i çoj dëshirat t’ona në vend. Kështu pra me zemër të thyeme po e kjajm të dashtunin atin t’onë Perandorin t’onë shpëtues, të cilt populli i jonë do t’i falet nderës nji qind e nji mij herë. Në këtë kohë, qi të gjithë Monarkija asht mblue në zi, po e lusim Shkëlqesinë e Juej me i pëlqye përngushëllimet t’ona ma të nxehta tuje sigurue Shkëlqesinë e Juej se populli shqyptar s’ ka me i harru kurr gjith ato të mira, qi ka pas prej Perandorit të Madh. Kombi shqyptar me dashtni e falenderjetë vet asht lith për gjithmonë me Derën e lartë të Habsburgëve. Po e lusim Shkëlqesinë Juej me e qitë përvujtisht para fronit të lartë të Madhnisë së Ti apostolik, Perandorit e Mbretit Karlit I, besimin e patundur e të pathyer të popullit shqyptar. Shkëlqesi, pëlqeni nderimet t’ona m’a të përvujtat me të cilat po ndënshkruhen gjithmonë.

Kolonia shqiptare e Vjenës. Vjenë më 27 nanduer 1916. (Ndën kët shkrim, vun dorë Z. Abdi Bej Toptani, Filip Noga, Bajram Curri, Masar bej Toptani, Nexhib Bej Bashaj, kryetari i përlimtares së Pejës) e shumë atdhetarë të tjerë, qi gjenden në Vjenë.