Finalja e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet më 27 maj, me Laçin që do të jetë ekipi pritës ndaj Skënderbeut, edhe pse sfida do të luhet në fushë asnjanëse, me shumë gjasa në “Elbasan Arena”.

Sfida që luhet për herë të parë në një finale kupe do të mbyllë sezonin, sepse java e fundit e Superiores do të zhvillohet më 23 maj.

Laçi e Kukësi do të ndeshen në Laç më 5 maj, për kampionat, por me shumë gjasa për korçarët do të jetë një ndeshje pa vlerë, sepse shanset janë që gara për titull të përfundojë para kohe.

Këtë sezon në Superiore Skënderbeu ka fituar dy ndeshjet shtëpiake ndaj Laçit, por është mundur në Kurbin në dhjetor, nga një gol i Myrto Uzunit.

Edhe vjet Skënderbeu e Laçi u ndeshën në kupë, me Skënderbeun që u kualifikua duke barazuar në Laç 1-1 e duke fituar në Korçë 1-0.

E kundërta ndodhi në prill 2016, kur Laçi fitoi 1-0 në shtëpi dhe u kualifikua duke u mundur 2-1 në Korçë. Në finale Laçi u mund nga Kukësi me 11-metërsha.

Përballjet në kupë kanë qenë të shumta, sepse në vitin 2012 Skënderbeu ishte në grup me Laçin dhe i fitoi të dyja ndeshjet, duke avancuar më tej, ashtu si në vitin 2014, kur në çerekfinale e mundin Laçin në të dyja përballjet.

Ndërkohë, Skënderbeu e Laçi i kanë luajtur dy finale mes tyre, por për Superkupë, sepse në sezonin 2012/13 dhe atë 2014/15 Skënderbeu dilte kampion dhe Laçi fitonte kupën. Në gusht 2013 Skënderbeu fitonte Superkupën duke mundur me penallti Laçin (1-1 koha e rregullt, gola nga Pejiç e Buljan), ndërsa më 12 gusht 2015 hakmerrej Laçi, duke fituar me penallti Superkupën (Xhejms Adeniji shënoi dy gola për Laçin dhe Salihi riktheu baraspeshën në 90 minutat e kohës së rregullt).

Tani vjen përballja e parë në finalen e kupës, por me shumë gjasa edhe finalja e tretë në Superkupë, sepse Skënderbeu është praktikisht kampion i Shqipërisë.