Jo vetëm i përgatitur dhe inteligjent, por edhe i çiltër, me një buzëqeshje që nuk e ndan nga vetja, me një memorie të jashtëzakonshme, Ledio Shehaj, djali karizmatik që u bë personazhi më i njohur i të dielave pasdite të shqiptarëve edhe diti të sfidojë një numër të madh konkurrentësh të quiz-it televiziv mbi historinë e kinemasë shqiptare. Adoleshenti 17 vjeçar nga qyteti i Ballshit, student në vitin e fundit të gjimnazit tregon për pasionin mbi filmat, dëshirat dhe planet e së ardhmes. Por dhe se çfarë do bëjë me 7500 eurot që fitoi.

 

Intervista

E si mund ta nis intervistën me Ledion pa i bërë disa pyetje të vështira mbi filmat shqiptarë për ta kapur “mat”. Pyetja e pare është.

Në filmin “Kur zbardhi një ditë”,në pjesën e tretë të tij kur një çift ciganësh zgjohen në mëngjes, gruaja i thotë burrit diçka në gjuhën rome. Çfarë i thotë?

“LLuku babashta”, përgjigjet saktë Ledio.

Pyetja e dytë është se në cilin fshat janë xhiruar skenat e filmit “Gurët e shtëpisë sime” të regjisorit Dhimitër Anagnostit?

“Në fshatin Vuno” përgjigjet sërish saktë ai.

Atëherë kaloj tek pyetja rezervë. “Në filmin “Gjoleka i biri i Abazit” i po këtij regjisori, është një skenë ku një grua e moshuar shikon me dylbi nga veranda e shtëpisë së saj. Si quhet ajo?

Ledio stepet, mendohet pak dhe diçka i vjen në mend por nuk arrin të shprehet. Pas pak çastësh tërhiqet e  thotë “nuk e di”. Quhet Haretina Pavllo, i them. E si mund ta dinte kur ajo është gjyshja ime në të vetmen sekuencë filmike të jetës së saj.

Çfarë kënaqesie të jep fakti të bëhesh një person publik nga njohuritë dhe përgatitja jote?

Të bën të ndihesh mirë, shumë mirë madje. Kjo vihej re nëpërmjet kontakteve që kam patur me njerëz të ndryshëm në vende të ndryshme. Kam marrë shumë komplimente.

Nëse nuk do të kishe fituar çmimin e parë do të ishe i lumtur nga kjo eksperiencë apo do të ishe hidhëruar?

Ky quiz show më ka falur gjatë këtyre 14 javëve një kënaqësi tepër të madhe. Jam argëtuar shumë gjatë kësaj kohe. Do të mërzitesha më tepër për faktin që do të humbisja lojën, por jo për paratë, megjithëse dhe çmimi nuk ishte i vogël. Më tepër e kam parë kuicin nga ana morale sesa materiale.

Quizi u bë më tepër jo kush do të fitonte por kush do të mposhtte ty. Të trembte ky fakt?

Dukej që sa vinte dhe quizi bëhej më i vështirë, shtoheshin kleçkat në pyetje sepse gradualisht dhe stafi i kishte mësuar “pikat e mia të dobëta”, por unë përsëri e mora me qetësi dhe kjo më ka ndihmuar që t’ja dilja mbanë.

 17 vjeç si mund të njohësh filmat e shumë viteve të kaluara edhe pse nuk i ke jetuar?

Mosnjohja e atij sistemi më ka kuriozuar më tepër për t’i ndjekur filmat shqiptarë dhe për të patur informacione më të zgjeruara mbi jetën politike e shoqërore të asaj kohe e cila ishte e panjohur për mua.

Sa kohë ke që i ndjek filmat?

Që në moshën nëntë vjeçare. Ndoshta dhe më herët.

Nga lindi ky pasion?

Nuk e di. Prindërit e mi i kishin ndjekur me pasion në fëmijërinë e tyre këta filma, por vetëm atëherë. Nuk ka ndikuar askush tek unë për këtë pasion timin.

Ke menduar ndonjëherë se ke humbur shumë kohë për të pare shumë herë filmat sa ti mësoje thuajse përmendesh?

Jo, përkundrazi. Nuk ka patur ditë që unë mund të kem parë më shumë se dy filma (në pjesë të ndryshme të ditës). Kur diçka e sheh me kënaqësi dhe pasion, e fikson shumë thjesht. Kështu ka ndodhur edhe me mua.

Nëse nuk do të kishe parë filma shqiptare me çfarë do ta kishe zënë ate kohë në mënyrë më të frytshme?

Ndoshta duke lexuar.

Ka shumë filma shqiptarë të cilët nuk e meritojnë ti shohësh?

Jo shumë, por ka. Ai realiteti i deformuar sipas qëllimit të kohës i bën disa filma shumë patetik.

Për ty cili është filmi më i bukur?

Ka shumë, por një do ta veçoja. Është filmi “Çifti i lumtur”. Film I cili i ka rezistuar edhe kohës së sotme me subjektin që ka dhe temën që trajton.

Po ai që ke parë më shumë here dhe nuk të është mërzitur?

Filmi “Një shoqe nga fshati” ose dhe “Këshilltarët”.

Po regjisori më i mirë?

Si regjisorin më të mirë do të cilësoja Dhimitër Anagnostin.

I shikon filmat në mënyre kritike apo thjesht për të memorizuar pamjet dhe fjalët?

Një shikues i vëmendshëm i bën të dyja këto.

 Ka shumë që mund të ndjekin filmat dhe mund të dinë skenat dhe batutat, por nuk dinë regjisorin, skenaristin, kompozitorin etj. Ti i mësove për konkurs?

Sigurisht që jo. I kisha mësuar që më përpara. As ma merrte mendja se mund të zhvillohej një konkurs i tillë.

Cili është regjisori yt i preferuar shqiptar? Pse apo për cilat filma?

Nuk është një, por janë tre në fakt të cilët nuk mund t’i ndajë dot. Ata janë: Viktor Gjika, Piro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti. Tre mjeshtrat të cilët i kanë dhënë aq shumë kinematografisë shqiptare. Filmat që ata kanë realizuar kanë ngelur gjatë në mendjen e publikut. Përmendim filmat: “Lulëkuqet mbi mure”, “Nështëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara” e Dhimitër Anagnostit, “Zonja nga qyteti”, “Një shoqe nga fshati”, “Çifti i lumtur” i Piro Milkani, “I teti në bronx”, “Njeriu me top”, “Yjet e netëve të gjata” i Viktor Gjikës.

Po skena më e bukur?

Skena kur Ollga hedh postierin (Malon) në ujë.

Aktori i preferuar? Pse?

Aktori im i preferuar është i madhi

Robert Ndrenika. Është aktor I dimensioneve të mëdha dhe i karaktereve të ndryshme.

Të kanë folur filllimisht prindërit që duke parë filma ke humbur kohë nga mësimet?

Jo, sepse nuk besoj se e kam tepruar asnjëherë. Filmat nuk më kanë marrë asnjëherë më shumë se 1 orë e 30 minuta kohë në ditë. Kjo kohë mund të konsiderohet si pushim ose shplodhje që kryen çdo nxënës para se të fillojë aktivitetin e tij mësimor ose detyrimet që ka ndaj shkollës. Nëse di ta menaxhosh kohën siç duhet, ke kohë për gjithçka.

Po kinemane botërore e ke pasion?

Po, por jo aq sa kinematografinë shqiptare.

Përveç kinemasë çfarë pasioni tjetër ke për të mësuar dhe memorizuar?

Poezitë, autorë të ndryshëm, vepra të ndryshme letrare etj.

Gjatë quizit në ekran kur e ke ndjerë veten në momentin më të vështirë?

Në momentet kur kam shpëtuar paq nga eliminimi. Kjo ka ndodhur vetëm dy herë.

Të “friksonin” konkurrentët e tjerë nga mosha dhe përvoja e tyre?

Nuk mund ta quaj frikë, por përgjegjësi, përgjegjësi shumë të madhe kur përballë kisha konkurentë tepër të pregatitur.

Çfarë të thoshnin kur ktheheshe në shkollë, shokët apo mësuesit?

Natyrisht që më kanë komplimentuar të gjithë për paraqitjet e mija në quiz.

Cfarë rezultatesh ke në gjimnaz?

Jam nxënës i mirë dhe shkoj paralelisht mirë në të gjitha lëndët.

Cili ka qene komplimenti më i bukur që të kanë bërë?

Je gjeni.

Po vërejtja?

Mos u nxito!

Vitin e ardhshëm akademik do vazhdosh studimet e larta. Për çfarë ke dëshirë të studiosh?

Mendoj të konkurroj në Universitetin e Arteve për aktrim ose regji. Gjithmonë më ka pëlqyer të studioja në Universitetin e Arteve.

Çfarë do të bësh me lekët e çmimit?

Besoj se do të shpenzohen për shkollimin tim të mëtejshëm.

Në Ballsh të presin kudo që hyn si Hero?

Hero është paksa e ekzagjeruar si fjalë, por le të themi si fitimtar.

Sot ti je personazhi më publik i atij qyteti. Të konsiderojnë si një krenari të tyre?

Po, më konsiderojnë si të tillë dhe ndjehem shumë mirë për këtë.

Është më mirë të fitosh një quiz televiziv apo Big Brotherin? Pse?

Unë do të zgjidhja atë që fitova vetë, një quiz televiziv sepse nëpërmjet tij mund të shpalosen dijet, njohuritë dhe vlerat tona. Ky llojë formati bën një prezantim më të mire të këtyre cilësive.