Për shumë njerëz, një garë me biçikletë është vetëm një garë. Për një shqiptar që jeton në Tiranë në fillim të viteve ’90 ndoshta jo. Mund të jetë një biletë e vlefshme udhëtimi.  Destinacioni? Perëndimi, përkatësisht: “Parajsa”. Kështu ndodh në filmin e fundit të Gjergj Xhuvanit me titull “Lindje perëndim lindje”. Aventura e pesë të rinjve për t’u kthyer në vendin e tyre në kohën e përmbysjes së sistemit.

Eshtë historia e një grupi prej pesë çiklistësh amatorë, të angazhuar nga qeveria e kohës për një garë në Francë. Ata do të përfaqësojnë kombin tonë, por ajo që ka më shumë rëndësi është se ata do të ndalojnë në Francë dhe Itali, duke shkelur perëndimin e ëndërruar. Nga qëndrimi në Itali, pesë djemtë do të kuptojnë se çdo atje është me të vërtetë një botë tjetër: duke filluar nga femrat, tek televizioni, rrobat dhe ushqimi… Tirana duket mijëra milje larg. Por trazirat që shpërthejnë në Shqipëri bëjnë që ata të zgjohen nga kjo ëndërr dhe t’u hyjnë peripecive pa fund të kthimit për në atdhe.

Kësisoj kemi të bëjmë me një gjetje mjaft të bukur dramaturgjike. Në kohën kur shqiptarët kërkojnë të kapërcejnë muret e ambasadave të Gianni Amelio-s, ka edhe shqiptarë si këto të Gjergj Xhuvanit, që të ndodhur rastësisht jashtë atdheut, duan të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Lindje, perëndim, lindje”, është si udhëtim brenda një qarku të mbyllur, ku rrugëtimi nis nga Durrësi, për të vijuar në Itali, ish – Jugosllavi dhe përfundon në  Tushemisht, pika hyrëse nga Maqedonia në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe personazhet kalojnë peripeci nga më të ndryshmet, pëmes të cilave përpiqen të ruajnë dinjitetin njerëzor.

Xhuvani, ndarje nga e shkuara

Shqipëria me të shkuarën historike të saj, ka qenë një temë e pëlqyer e regjisorit Gjergj Xhuvani. Edhe filmi “Lindje, perëndim, lindje”, e merr pikënisjen nga ngjarjet që shoqëruan përmbysjen e komunizmit. Natyrshëm lind pyetja: akoma frymëzon koha e rënies së sistemit? Duket se po.

Filmat “Parullat”, “I dashur armik” dhe “Lindje perëndim lindje”, përbëjnë një triptik, që vetë Xhuvani sot e konsideron të mbyllur. “E kam mbyllur ciklin e asaj periudhe”, komenton ai. Tre filmat e fundit trajtojnë ngjarje që lidhen me të shkuarën. Tani kam nevojë të shkarkohem nga ajo kohë, prandaj gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm dua të krijoj filma të tjerë, të kohës së sotme”.

Kufiri që na ndan edhe sot

Ngjarja e filmit është fryt i shkrirjes së disa historive të vërteta, kujtimesh dhe ndjesish personale që regjisori dhe bashkëpunëtorët e tij kanë ruajtur në kujtesën e tyre. “Një histori korale që shkrin në një, histori të shumë shqiptarëve pas rënies së Murit të Berlinit. Disa kanë dashur të ikin, por akoma sot shumë prej tyre kthehen. Liria nuk gjendet jashtë vendit tënd, por ndodhet brenda teje”, thotë regjisori Xhuvani.
Rënia e komunizmit në 1990, e gjeti regjisorin Gjergj Xhuvani në Francë, kështu që ndjeshmëria që përcjell filmi i tij, për fatin e pesë personazheve, është në një farë masë edhe eksperiencë personale. Dilema se çfarë duhej bërë në ato rrethana, bëhet kokëfortë. “Shumë shqiptarë në ato momente të tensionit të lartë, ndërsa në Shqipëri shembej regjimi, ndodheshin jashtë. Unë di për një grup aktorësh që asaj kohe ishin në Trieste dhe humbën kontaktet me Shqipërinë. U detyruan që me autobuzë, të kalonin nëpër Jugosllavi, për t’u kthyer në shtëpi. Ajo kohë ishte shumë e ngarkuar emocionalisht, ndaj mendoj se për të duhet të flasim sot, pas gati dy dekadash. Unë dua të tregoj për ato vite të vështira, për kënaqësinë dhe thjeshtësinë e vëllezërve të mi shqiptarë, për herozimin e tyre të panjohur, zërin e tyre të arsyes, shqetësimin dhe këmbënguljen, ëndrrat dhe mashtrimin, studimin e rregullave të reja dhe të  ashpra. Për ta bërë këtë, kam kthyer kohën mbrapsht dhe kam krijuar diçka të improvizuar, një ekip të vendosur çiklistësh amatorë, që i kam nisur nga Eldorado e perëndimit, për t’i sjellë krenar në lindje. E gjitha kjo në kohën kur Europa po thyente muret e fundit të përbuzjes. Me këtë film kam dashur të nënvizoj se që nga ajo kohë asgjë nuk ka ndryshuar, që ne vazhdojmë akoma të jemi të izoluar. Duhet të reflektojmë mbi domethënien reale të rënies së Murit të Berlinit, i cili ka rënë në sensin politik, por për ne si njerëz të thjeshtë, akoma jo”.

Entuziazmi i kinemasë ballkanike

Cilësia e filmave shqiptarë të këtij 20 vjeçari, prej kohësh është vënë në diskutim. Trajtime të përcipta, skenare të dobëta, realizime që nuk të afrojnë askund me filmat e vërtetë të kinemasë së huaj, ky ka qenë komenti apo kritika kryesore ndaj tyre. Por, ndryshe nga këta filma, filmi i fundit i Gjergj Xhuvanit, dëshmon se metrat e prodhuar prej tij, nuk kanë shkuar kot. Filmi është ndjekur në kinemanë “Millenium” të Tiranës, sikundër rrallë ndodh me filmat shqiptarë, ndaj edhe më skeptikët e artit, nuk kanë ngurruar të thonë fjalë të mira. Një realizim që ka mbushur sallën dhe ka dëshmuar se Gjergj Xhuvani u përket atyre regjisorëve seriozë dhe të talentuar, që nuk pranon të firmosë një film thjesht sa për ta bërë atë. Fitues i çmimit të jurisë në “Prim Fest” në Kosovë, ai vjen me “Lindje, perëndim, lindje” ndërsa dëshmon aftësi të thella regjisoriale, freski krijuese dhe entuziazmin e kinemasë më të mirë ballkanike.

Së pari ai ka punuar në bazë të një skenari, që përbën një brumë dramatugjik mjaft të mirë, gjë që i ka dhënë dorë dhe e ka hedhur në krahët e një regjisure me kërkesa. Skenari i shkruar nga shkrimtari Dhimitër Xhuvani (babai i regjisorit, i ndarë nga jeta vetëm një javë para premierës së filmit në Tiranë, me 5 nëntor), në bashkëpunim me vetë regjisorin e ri dhe skenaristin Jani Duri, e mban gjithë filmin në lëvizje. Një lëvizje jo vetëm e rrotave të biçikletave, por e ngjarjeve, e tensionit dramatik, realizuar mes situatash reale, të mishëruar në dialogun e mprehtë, zhbirues, tronditës dhe argëtues në të njëjtën kohë.

Personazhet

Të gjithë personazhet kryesore të filmit, duke filluar nga Ilo, (Ndriçim Xhepa), trajneri i ekipit e deri tek pesë çiklistët, janë zbërthyer si karaktere deri në fund. Secili prej tyre, sikundër copat e një mozaiku, përshfaq një karakter të qëndrueshëm dhe real, i ndryshëm nga tjetri. Secili kërkon të përmbushë një ëndërr: njëri dëshiron të gjejë në Francë kurën e duhur për të bërë fëmijë, dikush të blejë një televizor me ngjyra, një tjetër veshje të brendshme për gruan, tjetri të shkojë me një femër nga perëndimi, apo të blejë një biçikletë të mirë. Janë kaq naivë, të paditur e të padalë, sa ç’janë njerëzorë, krenarë e vëllezëror mes tyre.

Regjisori e ka ditur çfarë ka dashur të japë që në krye të herës. Në film nuk ka skena të nxituara apo të tepërta. Ai ka në duar një peshore mjaft të saktë dhe ndërton e kontrollon një situatë sa realiste, aq dramatike; sa tronditëse aq kontrastuese. Xhuvani kufinjtë mes dramatikes së thellë dhe komicitetit i rrafshon të gjitha, duke e lënë publikun të përjetojë mes dramacitetit dhe paradoksit këtë histori ballkanike 20 vjeçare.

Në sheshin e xhirimit

Në fakt u është dashur të kalojnë mjaft peripeci, sepse filmi është xhiruar në disa sheshe xhirime dhe në vende të ndryshme. U është dashur të komunikojnë me njerëz të kombësive të tjera dhe të bashkëpunojnë me ta. Mbi të gjitha vështirësia ka qëndruar në shndërrimin e pesë çunave në çiklistë. Për këtë ato kanë zhvilluar disa muaj stërvitje me trajner të vërtetë. Dhe ka qenë një stërvitje rigoroze pasi Xhuvani kërkonte të shihte në fizikun e tyre muskuj të vërtetë. E bukura qëndron në faktin se ethet kanë pushtuar seriozisht çunat që në ditët e zakonshme të trajnimit, para xhirimeve, ndërsa me biçikleta përshkonin autostradën Tiranë – Durrës, thjesht për kënaqësinë e tyre.

Përveç Oni Pustinës që kishte një lidhje me biçikletën që nga programi i Maria de Filipi-t, ku ai bën rolin e postierit, të tjerëve u është dashur ta nisin gjithçka nga fillimi. I pari që është “grumbulluar” në grupin e çiklistëve është aktori Helidon Fino, ndërsa i fundit Oni Pustina. I vetmi që nuk është aktor, është pikërisht Oni Pustina, por që në film nuk dallohet nga aktorët e vërtetë. Fino, Zeqja, Hazizi, Bejleri dhe Pustina, duken realisht një ekip aktorësh dhe çiklistësh të vërtetë.

Kollonë anësore me foto

“Fluturimi final” i Enrico Ruggeri-t

Enrico Ruggeri, një ndër protagonistët e muzikës dhe ekranit italian është krijuesi i kolonës zanore të filmit, një këngë të cilën Ruggeri e ka kompozuar enkas për filmin dhe e ka interpretuar me këngëtaren shqiptare Elsa Lila.

Sipas Gjergj Xhuvanit, pjesmarrja e Ruggeri-t në këtë film, ia ka shtuar peshën filmit. “Kur menaxheri i tij, na lajmëroi se Enrico do të vinte së pari në Milano për të parë filmin, e më pas do të vendoste nëse pranonte ose jo të bëhej pjesë e filmit, ne na kishte pushtuar një emocion dhe përgjegjësi e madhe”, kujton Xhuvani. Ai erdhi me një makinë luksoze, ndërsa kishte veshur një palë pantallona të shkurtëra. Kur filmi mbaroi ai u ngrit në këmbë duke thënë: “Ju kërkoj një qind herë ndjesë që kam ardhur me pantallona të shkurtëra. Ju kërkoj ndjesë”, dhe sigurisht që pranoi të bënte muzikën e filmit. Ne i kërkuam vetëm një gjë, që kënga të kishte disa rradhë në gjuhën shqipe, gjë të cilën ai e realizoi, duke e kënduar me këngëtaren shqiptare Elsa Lila, e cila bëri në shqip edhe fjalët e këngës”.

Tashmë kënga “Volata finale”, bën pjesë në një triplo cd të titulluar “All in”. Nëse dy pjesët e para janë riorkestrime ose ripunime, albumi i tretë është një vend ideal për të prezantuar kapacitetin krijues të Ruggeri-t, të cilin tek ky album e gjejmë me partitura gati tërësisht instrumentale. Në album veç këngës, e cila në film dëgjohet vetëm në fund të tij, zënë vend të gjitha orkestralet e kompozuara enkas për filmin. Që Ruggeri i përmbledh me titullin e përbashkët “Volata finale” (Fluturimi i fundit).

Xhuvani: “Do vij me një serial televiziv”

Regjisori Gjergj Xhuvani (47 vjeç) është ndër regjisorët më të sukseshëm të kinemasë së re shqiptare. Është regjisor i disa filmave ku spikasin “Funeral Business”(1999), “Parullat” (2001), “I dashur armik” (2004) dhe filmi i fundit “Lindje perëndim lindje” (2008). Ndërsa filmi i fundit ka thyer çdo parashikim për audiencë, pasi ai ka spostuar edhe filmin e shfaqur kudo në botë në nderim të këngëtarit të madh të ndarë nga jeta pak kohë më parë, me titull  “Michael Jackson’s This Is It”.

Gjergji fillon së shpejti punën për një serial të ri televiziv prej dhjetë serish, ku secila prej tyre do të ketë një minutazh 60 minutash.

Diva e Tinto Brass në filmin e Xhuvanit

Për filmin regjisori Xhuvani ka përzgjedhur krahas shqiptarëve, edhe aktorë të huaj. Nga aktorët italianë veçojmë Nela Lucic, një aktore me origjinë boshnjake, e cila ka bashkëpunuar me regjisorë si, Pupi Avati, Peter Del Monte dhe Tinto Brass. Në film ajo luan rolin e ciganes që ndihmon ekipin e çiklistëve të kalojnë kufirin nga Serbia në Malin e Zi.

“Xhepa: Triçiklin e mësova në 5 ditë”

Triçiklin që aktori Ndriçim Xhepa përdor në film, në fakt e ka përvetësuar vetëm në 4-5 ditë. Këtë e pohon vetë ai, ndërsa tregon për peripecitë e xhirime të filmit. Në këtë film ai sjell një personazh të plotësuar si nga ana dramaturgjike ashtu edhe interpretative. Ky është filmi i dytë i rëndësishëm ku bashkëpunon me regjisorin Xhuvani. Filmi paraprinjës ishte “I dashur armik”, ku edhe aty Xhepa interpretonte rolin kryesor.

Paralelisht me kohën kur filmi pati premierën në Tiranë (5 nëntor), shkrimtari Ismail Kadare, promovoi romanin e tij më të ri, me titull “E penguara”, një roman ku trajtohet historia e fëmijëve të lindur e të rritur në internim. Kadare deklaroi se me këtë libër e kishte mbyllur me diktaturën. Të njëjtin deklarim bën pak a shumë edhe regjisori i talentuar Xhuvani me filmin e tij të fundit. Periudha gati 20 vjeçare që na ndan nga rrëzimi i sistemit, duket se është plotësisht e mjaftueshme për t’iu qasur më mirë dhe për të qenë më të ftohtë dhe realist në gjykimin e ngjarjeve të kohës. Një distancë kohore e mjaftueshme që lidh të shkuarën e jetuar nga vetë krijuesit e veprave, me të tashmen, që askush nuk mund ta parashikonte se si do të ishte.