Kancelarja gjermane, Angela Merkel, paralajmëroi se Kina nuk duhet t’i lidhë investimet e saj në Ballkanin Perëndimor me kërkesat politike.

“Nuk kam asnjë kundërshtim ndaj faktit se Kina dëshiron të tregtojë dhe të investojë”, – tha Merkel në konferencën për shtyp me Kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev.
“Ne po i kushtojnë rëndësi të madhe tregtisë së lirë, por një lëvizje e tillë duhet të jetë reciproke”, tha ajo më tej.

Kancelarja Merkel dhe Zoran Zaev

Një prej çështjeve më shqetësuese për të është fakti se marrëdhëniet ekonomike nuk duhet të lidhen me ato politike, duke theksuar se kjo nuk është fare pjesë e tregtisë së lirë.
Kina ka investuar shumë në nismën “Rrugët e Reja të Mëndafshit” për sa u përket lidhjeve infrastrukturore tokësore midis Azisë dhe Europës, duke shtuar frikën europiane rreth ndikimit në rritje të Pekinit.

Gjatë viteve të fundit, Kina ka investuar në sektorë strategjikë dhe në një prej pjesëve më të rëndësishme të infrastrukturës, duke përfshirë këtu edhe blerjen e Portit të Pireut në Greqinë e goditur nga kriza.

Disa shtete në Europë i frikësohen faktit se vendet e Ballkanit që përfitojnë nga investimet kineze, do të jenë më të prira për të mbrojtur interesat e Pekinit në BE, veçanërisht për sa i përket çështjeve të të drejtave të njeriut dhe të tregtisë.

Në Maqedoni, e cila po kërkon anëtarësimin në BE dhe në NATO, Kina ka investuar në ndërtimin e autostradave dhe z. Zaev e ka shprehur disa herë gjatë kohëve të fundit falënderimin e tij për homologun kinez, Li Keqiang, i cili po e ndihmon Maqedoninë në zhvillimin e rrugës së modernizimit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, në vizitën e fundit në Kinë, paralajmëroi se disa vende europiane janë shumë më të hapura ndaj interesave kineze, edhe pse ndonjëherë në kurriz të vetë interesave europiane.

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, paralajmëroi gushtin e kaluar në Paris se “nëse ne nuk do të zhvillojmë një strategji (europiane) ndaj Kinës, atëherë Kina do t’ia dalë me sukses që ta ndajë Europën.