Ai është kampioni aktual i tenisit. Rafael Nadal, fitues i shumë titujve dhe trofeve renditet i pari në botë. I lindur me aftësi dhe vullnet të jashtëzakonshëm ka arritur të sfidojë emra si Roger Federer, Rod Laver apo Andre Agassi. Ambicia e tij është të vazhdojë të jetë i pari. Ndërsa dëshiron të bëjë një jetë të thjeshtë. Fitoret, lidhja e fshehtë trevjeçare dhe gjithçka për të qenë i lumtur

Historia e Rafael Nadal është përralla e tre vëllezërve, babait Sebastian, dhe dy xhaxhallarëve të tij Toni dhe Miguel, që jetojnë afër njëri tjetrit në Majorca. Aventura e tenisit filloi kur Nadal ishte vetëm 16 vjeç. Që në moshën tre vjeçe pasioni i tij dukej se ishte futbolli, por ishte xhaxhai Toni ai që e prezantoi me tenisin. Me nofkën “Rafa”, ylli i tenisit pesë vitet e fundit ka fituar beteja të vështira e të njëpasnjëshme. Një njohës i mirë i fushës së tenisit i cili shpallet fitues i 60 ndeshjeve të bëra radhazi.
Midis viteve 1996 dhe 2001 ka zhvilluar lojëra brilante ku shpesh ka luajtur, edhe me dorën e majtë edhe pse natyrshëm ai luan me dorën e djathtë. Ngritja e tij profesionale dhe triumfuese që atëherë ka qenë e shpejtë dhe e menjëhershme. Në vitin 2002, Nadal fiton ndeshjen e parë në Majorca në moshën 15 vjeç, duke sfiduar kështu Ramon Delgado e duke u bërë lojëtari i nëntë në “Open Era”. Një vit më vonë në debutimin e “Wimbledon” ai ishte lojëtari më i ri për të sfiduar raundin e tretë, ku i fundit në këtë sfidë kish qenë vetëm Boris Becker në 1984-ën. Ndërsa në korrik të 2003-it arrin të fitojë në kampionatin spanjoll ku klasifikohet vetëm me një humbje, atë ndaj Lopez.
Pas sukseseve dhe fitoreve të njëpasnjëshme Nadal do të dallohet dhe për fitoret ndaj një tjetër profesionisti siç është Roger Federer. Gjatë vitit 2006 Nadal arrin të sfidojë Federer deri në katër herë. Fillimisht në katër Mars të 2006-ës, në finalen e Dubait, më pas në Monte Carlo dhe më në fund në finalen e mbajtur në Romë, me një rezultat të ndjeshëm.
Fitoret e tij janë të padiskutueshme të cilat e kanë shndërruar në tenistin më të talentuar, e që brenda një kohe të shkurtër ka mundur të thyejë shumë emra. Tashmë është i pari në fushën e tenisit, një kampion i vërtetë botëror.

Rafael Nadal, i fshehtë në dashuri

E dashura e Rafael Nadal nuk është më shumë se 21 vjeç dhe quhet Maria Francisca Perello. Ajo dhe Rafael janë njohur ndërsa frekuentonin të njëjtën shkollë në Majorca. Xisca, që shkurtimisht i thërrasin, frekuenton universitetin në Palma, në kryeqytetin e Majorcas. Ajo që thuhet për Perellon është thjeshtësia që e karakterizon. Nuk është e fiksuar pas famës apo sportit. Është një vajzë simpatike  dhe inteligjente. Por ajo që është vënë re në ndeshjet e luajtura nga Nadal është se ajo nuk ka qenë shumë prezente. Vihet re një diskretizëm nga ana e yllit të tenisit. Edhe pse lidhja e tyre ka më tepër se tre vjet, Nadal e ka mbajtur disi të fshehtë këtë histori.
Mund ta përshkruani se si është lavdia për ju?
Fitorja ose e thënë ndryshe lavdia është të qenurit i lumtur. Nuk ka rëndësi nëse fiton këtu apo atje. Fitorja, fama dhe lavdia janë tre ndjesi që lidhen me praktikën, jetën e përditshme, kënaqësitë që vijnë nga puna sistematike, si dhe përpjekja për të qenë një lojëtar më i mirë se më parë.
Ka nga ata që thonë se Roger Federer është jashtë fushës dhe se nuk ka gjasa të jetë sërish fitues. Cili është mendimi juaj?
Mendimi im është se shumë thanë të njëjtën gjë dy vjet më parë dhe pas kësaj ai fitoi në Australi, ai fitoi në “Wimbledon”, fitoi në “U.S. Open”, kështu që le të shohim çdo të ndodhë. Roger është mëse i talentuar, me një eksperiencë të mjaftueshme. Është e vështirë ajo që ka bërë ai shtatë apo tetë vitet e fundit. E pamundur që një lojëtar tjetër ta përsërisë.
Ke folur për momente të vështira, të cilat nuk kanë qenë të lehta për ty. Është më vështirë të përballesh me problemet në fushë apo jetën private? Cili ka qenë problemi më i madh që jeni ndeshur?
E keni fjalën për divorcin e prindërve të mi?
Jo. Për gjithçka.
Mendoj se tenisi është vetëm një lojë. Mund të humbësh. Mund dhe të fitosh. Po pastaj çfarë vjen? Në jetë, ka gjëra tepër më të rëndësishme se tenisi. Them se në jetë, atë reale, nuk kam patur shumë probleme, dhe për ketë ndihem me fat. Por ka gjëra të tjera në jetë. Tenisi është “kafsha” ime e preferuar pa të cilën duket se nuk jetoj dot. Kam pasur disa probleme me shëndetin, por le të themi që ia kam dalë mbanë. Pastaj i them vetes “ke fituar gjashtë “Grand Slams”, dhe shumë tituj. Je vetëm 24 vjeç. Mere shtruar dhe ji i lumtur. Çfarë ke arritur deri tani është shumë”.
A besoni në Zot? Luteni shpesh?
Është e vështirë të them se “nuk besoj në Zot”. Do doja të dija nëse Zoti ekziston. Por për mua është pak e vështirë ta besoj. Nuk e di. Është diçka private, por do të thoja se nëse ekziston nuk do ishte e nevojshme të lutesh.
Sa keni ndryshuar pas kaq shumë fitoreve?
Qëllimi im kur isha një djalë i ri ishte të isha i lumtur. Qëllimi im tani? Të jem përsëri i lumtur. Asgjë nuk ka ndryshuar. Tek unë nuk ka ndryshuar asgjë. Njerëzit mendojnë se kur do të takohen me mua unë do të jem ndryshe, por nuk do të ndodhë. Jam i njëjti në fakt. Ende dëshiroj të jem i lumtur, asgjë më tepër.
Cila është ambicia juaj përveç lojës së tenisit?
Ambicia ime është të jem thjesht një djalë normal. Një djalë modest dhe i përulur. Dëshiroj të luaj tenis, loja e cila më shtyn drejt ambicies për të qenë më i miri. Dhe pasi të mbaroj, dua të kthehem në shtëpi e të rri me miqtë e mi.
Çfarë të frikëson më tepër? Si ndiheni para se të luani?
Kam frikë nga shumë gjëra në fakt. Edhe nga një qen madje, sidomos nëse ai është i xhindosur. Ashtu ndodh edhe në fushën e tenisit, që ndoshta nga jashtë mund të dukem i qetë por nga brenda ndihem i frikësuar dhe plot emocione. Nuk ka asnjë lojëtar që të mos ndihet i tillë. Për më tepër në ndeshjet e rëndësishme.
Keni fituar disa herë çmimin e parë dhe tashmë konsideroheni një kampion botëror.
Jam numri një në fushën e tenisit e në turnetë e zhvilluar, por numri një nuk fiton gjithmonë.