Revista “Shqip” ka publikuar  historinë e panjohur të dy intelektualëve të famshëm shqiptarë, profesor Namik Resulit dhe inxhinier Mahmut Cungut, të cilët pasi përfituan bursa nga qeveria e Mbretit Zog, studiuan dhe u diplomuan në universitetet më prestigjioze të Italisë dhe Turqisë.

Nga kontributi i jashtëzakonshëm studimor e shkencor i Resulit, në lëmin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në universitetet italiane, te përkthimet brilante të Cungut, i cili punoi për vite me radhë si inxhinier në firmat më prestigjioze të SHBA-së 

Gjatë periudhës pesëmbëdhjetëvjeçare të Monarkisë së Zogut, me qindra e qindra të rinj shqiptarë përfituan bursa shtetërore, apo të drejta studimi dhe u diplomuan në universitetet më prestigjioze të Perëndimit.

Ndërsa pas marrjes së diplomës, pjesa më e madhe e këtyre studentëve u kthyen në Shqipëri dhe dhanë kontributin e tyre në rimëkëmbjen e progresin e shtetit të ri shqiptar (si gjatë periudhës së Monarkisë dhe në vitet e pushtimit nazifashist të vendit),

një pjesë tjetër për arsye nga më të ndryshmet nuk u kthyen më në atdhe, por qëndruan në dhe të huaj, ku vazhduan punën e tyre studimore dhe shkencore. Dy prej këtyre studentëve dhe intelektualëve të famshëm, ishin dhe Mahmut Cungu e Namik Resuli,

të cilët pas vitit 1944 nuk mundën të ktheheshin më në atdheun e tyre, ku kishin familjet dhe të afërmit. Po kush ishin Resuli dhe Cungu, cila ishte e kaluara e tyre, ku u diplomuan ata dhe cili ishte kontributi i këtyre dy intelektualëve të famshëm në mërgatën antikomuniste shqiptare të Perëndimit, emrat e të cilëve u bënë të njohur vetëm pas viteve ’90? Lidhur me këtë, bëhet fjalë në këto pak radhë të këtij shkrimi,

të cilin e kemi përgatitur duke u bazuar në disa nga botimet e diasporës antikomuniste shqiptare (të para viteve ’90), e cila herë pas here kujtonte Resulin dhe Cungun, duke nxjerrë në pah edhe kontributin e tyre të vyer në fushat ku ata studiuan dhe punuan.

Namik Resuli dhe puna e tij studimore

Namik Resuli u lind në qytetin e Beratit më 10 shtator të vitit 1912. Pasi kreu mësimet e shkollës fillore në Shqipëri, atë e dërguan të studionte në Itali, ku mbaroi Liceun dhe më pas studimet e larta, duke u laureuar në Glotologji,

pranë Universitetit të Torinos. Gjatë atyre viteve që Resuli studioi në atë universitet, ai ishte nën patronazhin e mjeshtrit të famshëm italian, profesor Bartoli, i cili merrej vetëm me studentët e shkëlqyer.

Teza që mbrojti Resuli në punën e diplomës ishte: “Studime rreth stratifikacioneve në gjuhën shqipe”. Pasi kreu studimet universitare në Torino, ai u kthye në atdhe, ku u emërua profesor në klasat e larta të Shkollës Normale të Elbasanit.

Por, një vit më vonë, ai u transferua në gjimnazin e Shkodrës. Pasi shërbeu për disa kohë në Shkodër, u transferua në gjimnazin e Tiranës dhe në prillin e vitit 1939 u dërgua në Itali, si asistent profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Romës.

Në këtë detyrë ai qëndroi plot dhjetë vjet dhe në të njëjtën kohë ishte emëruar inspektor superior në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, ku qëndroi për katër vjet, deri në vitin 1944. Në vitin 1955 Namik Resuli mori gradën shkencore (“libera docenza”)

në Gjuhën e Letërsinë Shqipe dhe u emërua si i ngarkuar i gjuhës shqipe në Institutin Universitar Oriental të Napolit. Në këtë institut ai u ngarkua edhe me studime të ndryshme në fushën e Filologjisë Ilirike.

Në vitin 1935, Resuli shkroi një studim mbi principet dhe metodat e neolinguistikës, i cili u botua në revistën “Leka” që dilte në Shkodër. Kur u kthye në Shqipëri, ai e kuptoi menjëherë se fusha linguistike dhe ajo historiko-letrare ishin krejt të pazhvilluara.

Mësuesit e shqipes ndeshnin vështirësi të mëdha dhe mbi të gjitha mungonte një gjuhë e njësuar. Shkrimtarët shqiptarë të asaj kohe shkruanin në dy dialekte të ndryshme, shpeshherë të përzier nga njëri-tjetri, pa një ortografi të caktuar.

Në fushën historiko-letrare, gjendja ishte gjithashtu e mjerë, aq sa mungonte një tekst i historisë së letërsisë shqipe. Përpara një gjendjeje të tillë, ai e përqendroi veprimtarinë e tij drejt dy objektivave të caktuara: në fushën linguistike dhe në atë letrare.

Në fushën linguistike, duke marrë parasysh se ende nuk ekzistonte një gjendje e pjekur për zgjedhjen e njërit nga dy dialektet si gjuhë kombëtare (atë kohë nuk mendonte kush se një problem i tillë mund të zgjidhej me një dekret qeveritar sikurse ngjau më vonë),

ai u përpoq që të afrojë sa më tepër toskërishten ndaj gegërishtes, sidomos atje ku këto dialekte bashkoheshin me njëri-tjetrin. Në atë periudhë, Resuli shkroi disa artikuj dhe studime, si: “Gegërishtja apo toskërishtja?”,

“Përpjekje të lashta dhe të reja për një gjuhë të përbashkët shqipe”, “Për një gjuhë të përbashkët”. Këto studime patën një farë jehone në atë kohë dhe shkaktuan reagime e polemika të shumta.

Ato lanë gjurmë që duken edhe në formulimin e gjuhës së tashme letrare, por sigurisht ato ia hapën atij derën e komisionit të ortografisë shqipe, që ishte krijuar pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Përveç studimeve në këto fusha, Namik Resuli nuk iu nda asnjëherë publicistikës, gjë të cilën ai e kishte filluar në një moshë mjaft të re, duke shkruar në gazeta dhe revista të ndryshme.

Kontributi i Resulit në letërsi

Në fushën letrare, sikurse e thotë ai vetë në shkrimin “Katërqind vjet letërsi shqipe”, në periudhën e viteve ’30, në gjuhën shqipe ekzistonte vetëm një manual i françeskanit Justin Rrota,

kurse në gjuhën italiane kishim veprën monumentale të Gaetano Petrotës, “Popolo, lingua e letteratura albanese”. Kjo vepër e Petrotës përbënte një burim të pazëvendësueshëm njohurish të çmueshme dhe precize mbi popullin,

gjuhën dhe letërsinë shqiptare, por nuk mund të thuhet se ishte një histori e vërtetë e historisë letrare shqipe. Në atë kohë nevojitej një inkuadrim, një periodizim i gjithë prodhimit letrar shqiptar, nga fillimi deri në vitin 1940.

Kjo duhej bërë me një studim të çdo autori në bazë të rëndësisë së veprimtarisë së tij kulturore-letrare në kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit letrar të kohës së tij dhe në bazë të rëndësisë së veprës si prodhim letrar, për t’i caktuar vendin e drejtë që i përkiste.

Duke pasur këto synime, Resuli botoi studimin “Zhvillimi kulturor e letrar në Shqipëri nga shekulli 15 në shekullin e 20”. Ky studim doli në një vëllim më vete, botuar nga Ministria e Arsimit me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë.

Mirëpo kjo temë u trajtua më vonë, në mënyrë më të plotë në studimin: “Për një ndarje metodike të prodhimit letrar shqiptar”, që doli në revistën “Shkolla Kombëtare” më 1937-ën.

Në të njëjtën kohë, Resuli i bëri të njohur publikut të gjerë mbarëshqiptar, disa nga shkrimtarët e vjetër shqiptarë, sidomos ata katolikë, duke vënë në dukje cilësitë e tyre të paçmueshme si autorë dhe patriotë, të cilët kishin mbetur deri atëherë krejt në harresë, për shkak të përmbajtjes fetare të veprave të tyre.

Në vitin 1939, Resuli botoi një përmbledhje të poezive më të bukura të “Milosaos” të De Radës. Atëherë të gjithë flisnin e bisedonin për poetin e madh arbëresh, por të paktë ishin ata që kishin mundur të lexonin qoftë edhe kryeveprën e tij,

sepse veprat e De Radës nuk gjendeshin jo vetëm në bibliotekat italiane, por as në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës. Në vitin 1940, Resuli u ngarkua nga Ministria e Arsimit të hartonte një vepër në formë historie letrare dhe antologjie,

të cilën ai e realizoi duke nxjerrë një vepër në dy vëllime (gjithsej 915 faqe), me titullin “Shkrimtarët shqiptarë”. Në këtë vepër ai ftoi të merrnin pjesë edhe studiuesit e letrarët më të mirë të kohës,

por introdukturat dhe ndarja e letërsisë shqipe në periudha të ndryshme, si dhe pjesa më e madhe e monografive të vëllimit të parë, ishin të Resulit.

Në vitin 1940, kur u themelua në Tiranë Instituti i Studimeve Shqiptare (në shkallën e Akademisë), Namik Resuli ishte një nga anëtarët e atij instituti, i cili u ngarkua që të përgatiste një botim të ri të “Mesharit” të Buzukut.

Studimet për Naimin, Fishtën e Nolin

Ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos ato të pasluftës ia ndërprenë Namik Resulit, qoftë edhe përkohësisht, veprimtarinë e tij shkencore dhe letrare. Por, në vitin 1948, me themelimin e Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare pranë Fakultetit të Letërsisë në Universitetin e Palermos,

ai u ftua të bëjë pjesë si anëtar efektiv i tij dhe aty paraqiti një studim mbi atdheun e origjinës së Buzukut. Pas kësaj, Resuli paraqiti edhe studime të tjera, si: “Rëndësia e dialekteve italo-shqiptare për studimin e historisë linguistike shqipe”,

“Herezira në Mesharin e Buzukut”, “Zef Skiroi midis dy letërsive”, “Fytyra e Skënderbeut në poemën deradiane Scanderbeccu i pafaan”, “Kontributi i Misionarëve italianë për zhvillimin e kulturës shqiptare” etj. Në vitin 1954 Resuli filloi të botojë në Torino revistën “Shpirti shqiptar”.

Më pas ai botoi dy vëllime të vogla “I piu antichi testi albanesi” dhe “Vocabolarietto di Arnold von Harff”, si dhe një studim në gjuhën shqipe me titullin “Naim Frashëri, poeti i mirësisë”. Në vitin 1958 Namik Resuli botoi integralisht “Mesharin” e Gjon Buzukut,

me një parathënie dhe me një pjesë kritike. Në tetor të vitit 1966, ai mori pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Shoqërisë Akademike Rumune, që u mbajt në Salamanca, me relacionin “Kronologjia e dialekteve shqiptare në lidhje me simbiozën shqiptaro-rumune”.

Pas kësaj, në vitin 1959, ai u ftua në Nju Jork në Seminarin Ndërkombëtar të Federatës Panshqiptare të Amerikës, që e organizonte shoqata “Vatra”. Aty Resuli paraqiti relacionin “Aktualiteti i Naimit”,

në të cilën sqaroi një këndvështrim deri atëherë të lënë pas dore, atë të anës religjioze të Naimit. Në vitin 1971 u ftua të përkujtonte poetin e madh françeskan, Gjergj Fishtën, në Ateneun Antonian të Romës, me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së poetit. Lokucioni i gjatë i Namikut,

i mbajtur në gjuhën italiane, u botua pjesërisht i përkthyer në shqip në gazetën “Flamuri” dhe integralisht, në versionin shqip dhe anglisht, në gazetën “Dielli” në Boston. Mbi Fishtën ai ka pas mbajtur edhe një relacion,

“Strutture nella poesia di Fishta”, në mbledhjen VII të Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo. Në vitin 1963, Namik Resuli botoi (në serinë “Letteratura Universale”) veprën “Storia della Lestteratura albanese” dhe “Antologia della letteratura albanese”.

Në 1976-ën, Resuli u ftua përsëri në Nju Jork nga shoqëria “Vatra”, ku mbajti kumtesën “Faik Konica në njëqindvjetorin e lindjes”. Pas kësaj, në vitin 1982 ai u ftua përsëri nga “Vatra” në përkujtimet e Fan Stilian Nolit.

Studimi i tij me titullin “Fan S. Noli sot”, që mbajti me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së Nolit, sikurse edhe ai mbi Faik Konicën, u botuan nga “Vatra” dhe përbëjnë një kontribut shumë të çmueshëm të Namik Resulit për njohjen e këtyre dy fytyrave të kombit shqiptar.

Në vitet e fundit të jetës, Namik Resuli kishte në shtyp një gramatikë shqipe, më e gjera dhe më e plota vepër e këtij lloji (gjithsej 620 faqe), të cilën ai u mundua ta nxirrte në qarkullim që me gjalljen e tij.

Për këto shkrime, Namik Resuli përmendet në të gjitha historitë e letërsisë shqipe, sikurse në atë të Gaetano Petrottës, të M. Malbertzit, të Stuart Mann, si dhe në mes të shkrimtarëve shqiptarë që përmend revista “Arena” e P.E.N. Club.

Me vdekjen e Namik Resulit, më 12 shtator të vitit 1984, historia e letërsisë shqipe, e sidomos shkenca e gjuhësisë shqiptare, humbi një nga elementët më të vyer, që është vështirë të zëvendësohet.

Mahmut Cungu, kundër komunistëve

Ndonëse ishte me profesion inxhinier, Mahmuti vazhdimisht u mor me përkthime të ndryshme nga anglishtja në shqip, duke botuar herë pas here në shtypin e shqiptarëve të diasporës.

Ai kishte një dell poetik dhe liri shprehjeje në dy gjuhët, në shqip dhe anglisht. Në atë kohë ai përktheu në gjuhën letrare kryeveprën e Naim Frashërit, “Bagëti e Bujqësi”, që ishte filluar në Tiranë nga i vëllai i tij, Ali Cungu.

Në vitin 1964, Mahmuti botoi në Egjipt një monografi prej afro gjashtëdhjetë faqesh me titull “Demokraci apo diktaturë”. Aty Mahmuti tregonte se si përkufizohej demokracia, duke vënë, në radhë të parë, lirinë e fjalës, shtypit, besimit, lirinë e lëvizjes dhe zhdukjen e frikës.

I gjithë ai libër ishte një “shuplakë” për regjimin komunist të Tiranës, ku jetonte e persekutuar familja e tij. Në atë libër, në mes të tjerash, ai shkruante: “Fatkeqësia ashtë, se ndonëse komunistët tanë flasin kaq tepër për të drejtat e Kombit, vetë interpretimi që ata i japin pamvarsisë,

lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, asht ai që ia shmang popullit këto të drejta. Për komunistët, Pamvarësi Kombëtare don me thanë bashkim me popullin sllav (1946), Liri, e drejta e pamohueshme e tyne me mendue si ata e jo si e drejta e atyne që mendojnë ndryshe.

Drejtësi, me u vra e burgosë kundërshtarët e sistemit komunist, dhe, fundit, Demokraci, këta i thonë asaj forme qeverimi që dirigjohet prej një partie të vetme: Partisë Komuniste, prej së cilës del dhe Parlamenti dhe Qeveria”.

Duke përkthyer Roza Luksemburgun, Mahmuti shkruante: “Liri që gëzohet vetëm nga përkrahësit e qeverisë, vetëm nga antarët e një partie, nuk asht liri. Lirija asht liri gjithmonë dhe vetëm atëherë kur ajo gëzohet dhe nga ai që mendon ndryshe.

Jo prej ndonjë ideje fanatike të ‘Drejtësisë’, por sepse gjithçka e dobishme, e mirë, dhe dlirse buron nga kjo dhe randësia e saj zhduket kur liria bahet privilegj i një pale”.

Mahmuti gjithashtu në atë libër kritikonte diktaturën e komunistëve të maskuar nën petkun e Luftës Nacionalçlirimtare dhe nuk ngurronte të kritikonte edhe disa gabime nga koha e Monarkisë së Zogut apo ajo e pushtimit nazifashist të Shqipërisë.

Në atë libër gjendej edhe një shtojcë, ku ai tregonte me hollësira Mbledhjen e Mukjes, që u mbajt në vjeshtën e vitit 1943 në mes të komunistëve, ballistëve dhe legalistëve, marrëveshje e cila u prish në mënyrë të njëanshme nga Enver Hoxha, i shtyrë nga dy emisarët jugosllavë, që qëndronin pranë tij.

Kush ishte Mahmut Cungu 

Mahmut Cungu u lind në qytetin e Elbasanit më 23 maj të vitit 1913, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e tij të lindjes, ai erdhi në Tiranë,

ku në vitin 1932 mbaroi me rezultate shumë të mira Shkollën Teknike Amerikane të Harry Fultzit. Më pas shkoi në Turqi dhe në vitin 1940 përfundoi studimet në “Robert Kolexh” të Stambollit,

ku mori dhe titullin inxhinier. Në vitin 1943, Mahmut Cungu u kthye në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë tek i vëllai i tij, profesor Ali Cungu, (një nga përkthyesit më të famshëm të anglishtes së asaj kohe),

u largua përsëri nga vendlindja e tij dhe shkoi në Turqi. Në vitin 1944, Mahmuti u martua me një vajzë nga fisi i njohur Xhixhi (Çoçoli) i Tiranës, e quajtur Hatixhe, e cila ishte mbesa e Baba Syrriut që shërbente në Teqenë Bektashiane të Kajros në Egjipt.

Hatixheja kishte dhe tre vëllezër të tjerë, të quajtur Lumo, Arbnor dhe Ilir, të cilët vite më pas morën pjesë në luftën e Vietnamit.

Pasi Mahmut Cungu qëndroi disa kohë në Stamboll, ai u largua përsëri në disa vende të Lindjes së Mesme, si Egjipt, Siri etj.

Në këto shtete ai ushtroi profesionin e inxhinierit, duke punuar në ndërtime veprash të ndryshme me disa firma perëndimore.

Në vitin 1961, ai u largua nga vendet e Lindjes së Mesme, ku punoi për afro 15 vjet me radhë dhe shkoi në SHBA. Duke qenë se Cungu e njihte dhe e zotëronte shumë mirë gjuhën angleze,

ai menjëherë mori lejen e nevojshme të ushtrimit të profesionit,duke dhënë provimet përkatëse.