Viti i Ri, tashmë, është bërë e traditës të festohet në shumë dimensione. Jo më në shtëpi, por në hotele dhe restorante shik e plot shkëlqim ku çdo gjë është gati. Ushqim, muzikë dhe argëtim. Mes shumë shqiptarëve, pati dhe nga ata që e rritën koston e tyre të shpenzimeve, duke guxuar të shijojnë edhe përtej kufijve. Destinacionet më të frekuentuara për këtë vit ishin Dubai dhe Sharm El Sheik, pa harruar vendet e afërta si Franca e Italia. Sportet në Bullgari apo Mal të Zi, si dhe dhuratat e shtrenjta ishin një tjetër risi që ky fundvit solli

Nga Elona Gusmari

Për çdonjërin prej nesh, festa e Vitit të Ri mbetet sinonim i tradicionales… edhe në tavolinë. Nga një restorant në tjetrin, menytë ndryshojnë, po kështu edhe ajo çfarë serviret për argëtim. Ajo që mund t’iu themi është se Viti i Ri për ju mund të ketë qenë shik dhe ngacmues. Pak nga hotelet dhe restorantet më në zë në kryeqytet kishin përgatitur menynë dhe surprizat, shumë prej tyre linin edhe ndonjë hapësirë të vogël për çdo të papritur apo sugjerim.

Deri diku mund të thuhet se efekti “krizë” preku edhe këtë pjesë luksi të jetës së shqiptarëve. Kërkesat nuk janë më si në ditët më të mira të dikurshme të fundvitit. Kjo tendencë ka pasur edhe ajo oshilacionet e saj. Diku pronarët janë të kënaqur se nga bilancet paraprake, sallat e tyre do të mbushen plot e diku nga ata që thonë se shqiptarët nuk janë më edhe “dorëlëshuar” sa një vit më parë. Ndoshta shtëpia është vatra që tërheq tradicionalisht më shumë.

Çdo gjë bazohej tek prenotimet. Ato filluan që nga fillimi i muajit dhjetor. Të gjithë donin të siguroheshin se për ta do të kishte një tavolinë të rezervuar në vendin e preferuar për të kaluar sa më bukur momentet e fundvitit. Çmimet? Diku më shtrenjtë e diku më lirë se një vit më parë. Për fëmijët, restorantet apo hotelet u mendua që menyja të ishte me gjysmë çmimi, por edhe duke i përkëdhelur me dhurata e argëtime pa fund. Në më të shumtën e rasteve, ata që prenotojnë për të kaluar natën e ndërrimit të viteve jashtë shtëpisë janë familjarë e më pak çifte të rinjsh. Arsyeja? Këta të fundit dëshirojnë më shumë t’i besojnë shijeve tendencë të ndonjë pub-i apo diskoteke, se sa shijeve klasike të ndonjë hoteli luksoz.

Për të tërhequr sa më shumë klientë, drejtuesit e restoranteve apo hoteleve synuan të gërshetonin shijet kulinare. Traditë shqiptare dhe ndërkombëtare e servirur me finesë dhe delikatesë, që gjithçka të ishte gati e përsosur. Fillimi i darkës “gala” shoqërohej gjithmonë me një koktej “mirëseardhjeje”, për t’i dhënë një atmosferë pak ndryshe festës. Konkurrenca bëhet më e fortë kur vjen puna tek organizimi festiv. Pati nga ato hotele që ruajtën ende surpriza duke mos dhënë shumë detaje mbi atë çfarë kanë menduar për më shumë kënaqësi të klientëve. Si çdo vit nuk munguan emrat e njohur të muzikës shqiptare, që ishin edhe të ftuarit specialë në natën e ndërrimit të viteve. Por pati edhe gërshetim të muzikës “live” me Dj.

‘Menuja’ e hoteleve

Sheraton ishte një nga hotelet që ofronte shumë stil dhe elegancë natën e ndërrimit të viteve. Çmimi ishte 129 euro, i cili pësoi një rritje të lehtë në krahasim me një vit më parë. Menyja e natës “gala” do të kishte në qendër kuzhinën ndërkombëtare, me shije të sofistikuar. Nuk mungoi as kokteji i mirëseardhjes, si dhe një gotë shampanjë për të gjithë kur shënoi mesnatë.

Nga ana tjetër hotel rogner akomodoi gjithçka përmes shijes aristokrate ku

mbrëmja “gala” e Vitit të Ri do të ishte një stil i gërshetuar, pak “alla francez” dhe pak “austriak”. Për një çmim 109 euro për person, darka e fundvitit ofroi një menu të pasur në shije dhe pije. Kokteji i “mirëseardhjes” u konsiderua një surprizë më vete.

Sigurisht që pati muzikë “live” dhe Dj për një festë të vërtetë.

Një stile ndryshe, më origjinal, ofroi një tjetër restorant i hapur kohët e fundit në Tiranë. “Vila 100”, e ideuar sipas stilit italian të viteve ’30, kjo vilë është më shumë se një zgjim kërshërie për shijet e veçanta të kuzhinës. Ka një oborr, i cili që në hyrje të servir një imazh “sureal”, që rrallëherë ndeshet në kryeqytet, falë agrumeve të shumta që të joshin me bukurinë dhe dëshirën për t’i bërë për vete. Është një ambient tërësisht miqësor, pothuajse një shtëpi e vërtetë mesdhetare, ku nuk mungon as oxhaku, që në një ditë dimri vërtet josh. Ajo që ofroi kjo vilë për natën e ndërrimit të viteve ishte një menu shumë e pasur italiane. Çmimi ishte vetëm 6.000 lekë për person. Edhe këtu nuk mungoi atmosfera dhe argëtimi.

Kishte dhe nga ata që zgjodhën bregdetin për të kaluar natën e veçantë të vitit. Një prej hoteleve më interesantë ishte ai i “Adriatik Durrës”  darka e të cilit kushtonte 110 euro për person. Argëtimi iu besua grupit të njohur të muzikës popullore “Ali Pashë Tepelena, si dhe këngëtares së re në moshë, Samanta Karavello. Humori vinte i përzgjedhur nga një prej aktorëve të “Portokallisë”, Elvis Pupa, në rolin e Van Dam Sulës dhe Avdiut. Balerinat ishin gjithashtu pjesë e argëtimit. Nga ky hotel ishte menduar edhe për më të vegjlit. Pati dhurata për të gjithë fëmijët e pranishëm, por edhe “party” me tullumbace.

Muzikë dhe pije deri në mëngjes

Për ata që nuk zgjodhën restorantet dhe hotelet alternativa tjetër mbeteshin pubet dhe baret e natës. Aty ku Viti i Ri erdhi përmes muzikës dhe pijeve pa fund gjatë gjithë natës. Prestigji dhe emri që kanë fituar pub-et apo bizneset e “dëfrimit” në vend shesin edhe logon bashkë me çmimin. Po ashtu, lokalet e reja apo klubet, që u përuruan për këtë vit, ishin konkurrente me të vjetrat vetëm me ndonjë surprizë të përgatitur në mbrëmje, por çmimet ishin të njëjtat në tregun e biznesit. Në ambiente të tilla çmimi varionte nga 5,000 deri në 10,000 lekë për person. Në çmim përfshiheshin pijet sipas dëshirës, por edhe kostoja e argëtimit. Shumica e pub-ve, restoranteve, lokaleve kishin afishuar programin e festimeve për Vitin e Ri, duke shpërndarë reklama, mesazhe promocionale, për “kapjen” e klientëve të parë. Ajo që ofrohej ishte humor, muzikë, këngë, por edhe përgatitje të tjera. Ajo që padyshim mund të habisë këdo janë pikërisht çmimet që ofrojnë këngëtarët për të qenë prezent në ambientet festive. Janë vërtet marramendëse. Drejtuesit e lokaleve dhe të restoranteve tregojnë shifra të larta për këngëtarët, që variojnë mbi 300,000 lekë. Më pak “ekonomikë” duket se ishin “lojtarët e disqeve” ose siç njihen ndryshme Dj. Për një natë muzike ata nuk paguhen më pak se 80,000 lekë. E ishin pikërisht këto çmime që në fund të fundit paguhen nga ata shqiptarë që qejfit nuk i thonë dot jo në festat e fundvitit.

Dhuratat dhe çmimet

Dhuratat dhe përzgjedhja e tyre është një nga momentet më të bukura por pak të sikletshme përsa i përket festave të fundvitit. Të duhet të zgjedhësh por edhe të pagush për idenë. Larmia e tyre qe vërtet e madhe duke filluar që nga lodrat tipike e deri te veshjet dhe produktet femërore. Babagjyshi “hi-tech” për shembull është një nga dhuarat që nuk iu thuhet asnjëherë “jo”. Bëhet fjalë për pajisjet elektronike, të cilat çdo ditë tërheqin shumë e shumë vizitorë, por edhe blerës. Mund të konsiderohen fare mirë si dhurata, të cilat sjellin gëzim. Nuk është e vështirë të gjesh të pasionuar pas filmave, lojërave elektronike, por edhe aksesorëve të tjerë. Teknologjia aktuale, në fakt, lejon të krijosh edhe brenda mureve të shtëpisë argëtim dhe për këtë qëllim janë të shumtë ata që preferuan të zgjedhnin mes shumë dhuratash emocionin e teknologjisë së avancuar.

Përsa i përket femrave bota e kozmetikës u mendua si zgjedhja e parë për dhurata të veçanta e origjinale. Këto ishin edhe dhuaratat më të ndryshueshme në çmim. Mund të gjeje me çmime të larta, por edhe me çmime të arsyeshme. Sete të ndryshme, që i gjeje me një paketim origjinal dhe festiv, make up, aroma, aksesorë dhe produkte të kujdesit për lëkurën, do të ishin një zgjidhje e zgjuar dhe e shpejtë si për femrat edhe për meshkujt.

Ndërsa për më të vegjlit, apo dhe për të rriturit, të pasionuar pas lojërave elektronike, u  konsideruan modelet e “Nintendo Console WII”, me 15 lojëra në brendësi dhe me një çmim 31,190 lekë ose nga “Sony”, modelin “Console PSP 3000”, në ngjyrë të zezë, me një çmim 23,400 lekë.

Të guxuarit përtej kufijve

Mes shumë shqiptarëve pati dhe nga ata që zgjodhën vende të tjera për të kaluar Krishtlindjet dhe vitin e ri. Larg zhurmë së Tiranës këtë vit pati preferenca për vende të largëta turistike si Emriatet Arabe, Turqi, Itali Spanjë apo Paris e Amsterdam.

Në linjë me vizionin e sheikut Mohammed Bin Rashid Al Maktuom, për të qenë destinacioni numër një në botë, Dubai edhe këtë vit befasoi me spektaklin më të madh të fishekzjarrëve. Ishte kryefjala e paketave turistike me destinacion nga Shqipëria. Ndërsa një vit më parë, një udhëtim për pesë ditë kushtonte 1,195 euro për person, çmimi ishte ulur. Kushtonte 750 deri në 989 euro për person në varësi të yjeve të hotelit, dhe vlente për 5 ditë, nga data 30 dhjetor deri më 3 janar. Në çmim përfshihej udhëtimi, akomodimi në hotel, mëngjesi dhe vaktet e tjera, shëtitjet me kroçierë “Dhroë” dhe me xhipa në shkretëtirë. Ndërsa ndryshe nga një vit më parë Sharm El Sheik renditej i dyti  në toplistën e agjencive, si një ndër vendet më të nxehta të botës, me plazhet ekzotike, ujin e kaltër dhe rërën e artë. Gjithçka ofrohej në Sharm – nga udhëtimet me motor, xhip, deve, kuaj ose shëtitjet e famshme beduine. Me çmime nga 455 euro, hotel me katër apo pesë yje deri në 779 euro për person.

Paris-Bruksel-Amsterdam ishte një treshe e cila ofrohej si traditë nga agjencia ATHS, për një udhëtim tetëditor, që kushtonte 1,130 euro për person. Darkën e ndërrimit të viteve mund ta prisje në Paris, ndërsa dy ditët e para të vitit kaloheshin në Bruksel për t’u zhvendosur më pas në Amsterdam.

Edhe këtë vit shqiptarët mbetën të tërhequr nga Turqia. Mungesa e vizave, traditat e përbashkëta, kuzhina e bollshme, muzika e njohur janë disa nga arsyet që e rendisin këtë vend ndër preferencat e shqiptarëve. Është një destinacion që nuk i ka munguar kurrsesi agjencisë së udhëtimit “Sava Tours”. Çmime të arsyeshme duke filluar me 450 euro, sigurisht që nuk mund të injoroheshin nga shqiptarët për një vit ndryshe.

“Ski për Vitin e Ri”, një argëtim i ri për shqiptarët

Aventurierët dhe sportdashësit ishin atë që zgjodhën tendenca krejt ndryshe për këtë natë. Të bërit ski është një tendencë e re, e cila duket se është kthyer shumë në modë për të pritur natën e Vitit të Ri, kryesisht nga të rinjtë që janë më shumë se kurajozë. Për herë të parë erdhi një destinacion tërësisht i paeksploruar më parë. Bëhet fjalë për qytetin Bransko në Bullgari. Një ofertë nga data 29 dhjetor e deri më 3 janar, për një çmim 570 euro. Me një gjatësi 70 kilometra, me infrastrukturë moderne teleferikësh, Bransko mbetet një nga resortët dimërorë më të mëdha në të gjithë Europën. Hungaria ishte një tjetër zgjidhje që ofrohej nga kjo agjenci e më saktë, Budapesti. Erdhi  si një ofertë nga data 30 dhjetor deri më 3 janar, me një çmim 599 euro. Vizita në Budapest ofronte shëtitje në ishullin e Margaritës, një park madhështor në mes të lumit Danub.

Për sa i përket destinacioneve që lidhen me vendet fqinje, sipas agjencive turistike ato mbeten të preferuara për shkak të afërsisë, por edhe të çmimeve deri-diku më të ulëta, edhe pse në zgjatje kohore janë udhëtime më të shkurtra. Kështu si një tjetër destinacion, këtë herë nga rajoni dhe që ka në qendër sportin e skive ishte Bistra, me një çmim 285 euro.

Të rinjtë dhe zyrtarët mbeten në toplistën e klientëve që preferojnë më shumë aventurat mbi borë. Edhe pse ofertat janë shumë pak, krahasuar me ato që vijnë nga vendet me diell, sërish mbeten më shumë opsione për të hequr stresin duke bërë ski. Vendet fqinje u konsideruan stacioni i radhës dhe më i preferuari, me kampingjet e borës, ku të jepej e vetmja mundësi për të bërë ski.