Përgjatë rrugëve të Tiranës gjen vitrina të kuruara me kujdes, me veshje që duket sikur kanë zbritur nga pasarelat e Parisit apo Milanos. Një pjesë e konsiderueshme e dyqaneve ofrojnë shitje veshjesh apo bizhush me euro. Është truk apo nevojë e tregut?

Është një tendencë e re, që ka gjetur “strehë” në dyqanet më në zë të kryeqytetit. Emra të tillë, si “B&B”, “Reflex”, “Fanerina”, “Lacost”, “Svarovski” ofrojnë për konsumatorët veshje dhe aksesorë të markave më të njohura, si “Armani”, “D&G”, “Versace”, “CK”, “Pinko”, “Plain Sud”, “Toy G”, “Moschino”, “Krizia”, “Rocco Barocco”, etj. Për të blerë në këto dyqane do të duhet të kesh portofolin me euro, pasi kjo është monedha kryesore e tyre. “Monitor” ka bërë një vëzhgim në treg për të kuptuar nëse kjo është një mënyrë për të tërhequr blerësit apo për të mbrojtur fitimet nga luhatjet e ndjeshme të kursit dhe për të transferuar koston e zhvlerësimit të lekut tek konsumatorët? Arsyet se përse pronarët e këtyre dyqaneve kanë zgjedhur t’i shesin mallrat e luksit me euro janë të shumta.
Entela, shitëse në një dyqan me emër në kryeqytet, tregon se klientët që blejnë në dyqan janë më shumë të huaj apo emigrantë që vijnë për të kaluar disa ditë në atdhe.
“Janë njerëz që kanë të ardhura të larta, kjo duket se nuk marrin asnjëherë mundimin të bëjnë pazar për çmimin e vendosur te veshjet elegante dhe të sofistikuara. Janë njerëz që udhëtojnë shpesh dhe që njohin tregun”, thotë Kristi Ndreka, pronar i një dyqani pranë zonës së ish-Bllokut.
Një arsye që i shtyn këta pronarë të vendosin euron në etiketën e mallrave është edhe fakti se një çmim në euro në pamje të parë konsiderohet si më i ulët se në monedhën vendase (nëse një parfum kushton 27.50 euro atëherë syri pritet ta konsiderojë si një çmim më i ulët se në lekë). Me këtë logjikë, pronarët e këtyre dyqaneve “përfitojnë”, pasi këmbimi aty për aty i monedhës kërkon pak kohë.
Një tjetër “truk” që përdoret është edhe “brandimi”, i njëjtë me dyqanet simotra në vendet e tjera. Çmimet mbahen të njëjta për t’i dhënë të kuptojë klientit se është i njëjti mall që gjen në rrugët e shteteve fqinje dhe shitet me po të njëjtin çmim si atje. Njihet si “truku” i markës.
E pas këtyre “marifeteve” të vogla të tregut fshihet arsyeja kryesore e tregtimit të veshjeve, bizhuve apo aksesorëve në euro: të garantohen fitimet nga luhatjet e kursit të këmbimit.
Elona Boçka, menaxhere e “Fashion Group”, pranë QTU-së, shprehet se nga luhatjet e kursit të këmbimit kanë pësuar humbje. “Veshjet që tregtohen në disa nga dyqanet që ka ky grup blihen në euro dhe shiten në lekë. Nëse personi që kërkon të blejë disponon vetëm euro, atëherë atij i bëhet këmbimi me kursin ditor. Në krahasim me një vit më parë humbjet janë disi më të larta, pasi euro kishte një kurs këmbimi më të favorshëm”, thotë menaxherja e “Fashion Group”. Sipas saj, janë të pakta dyqanet që tregtojnë në euro në këtë qendër.
Një sjellje krejt të ndryshme kanë dyqanet që tregtojnë veshje që kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato i konvertojnë çmimet në lekë, duke qenë se kursi favorizon ndjeshëm shitjet.
Në një kohë krize, tregtimi duket se është kthyer në një sfidë e vërtetë dhe çdo tregtar synon që në mos të maksimizojë fitimet, të paktën të mos humbasë nga kursi i këmbimit.
Si një “truk” tjetër njihet edhe ai i shitjeve në treg i mallrave “firmato” të sezoneve të mëparshme. Pronarët e këtyre dyqaneve, edhe pse me vështirësi pranojnë se pjesa më e madhe e veshjeve janë të sezoneve të kaluara, shprehen se tregu nuk ka aq aftësi të mëdha blerëse që të përballojë koleksionet e fundit që dalin nga pasarelat europiane. “Mallrat janë pjesë e koleksioneve të stilistëve të famshëm në vend dhe pavarësisht se mund të jenë të sezoneve të kaluara ato ruajnë cilësinë e një marke prestigjioze, ndaj edhe çmimet nuk mund të jenë të lira”, thotë Emanuela, drejtuese e dyqanit “B&B”, i cili tregon kryesisht veshje të ardhura nga shteti fqinj, Greqia.
Aida, shitëse në një dyqan aksesorësh, na tregon se disa nga aksesorët më të preferuar për këtë sezon janë varëset dhe unazat. Po a janë origjinale, edhe pse shiten në euro? Vështirë. Ajo pranon se këto aksesorë janë imitime të mira, por që nuk janë firma të vërteta. “Të sjellësh në Shqipëri marka të vërteta, është e pamundur, jo sepse nuk arrihet, por fuqia blerëse për ato lloj artikujsh në vend është shumë e ulët, nuk ia vlen”.

Çmimet në rritje

Dyqanet që konsiderohen të kushtueshme dhe që kanë edhe mallra cilësorë (alta moda), pavarësisht stinëve nuk lëshojnë pe në uljen e çmimeve. Edhe kur vjen puna tek uljet, ato janë të papërfillshme. Kështu, një palë pantallona xhins të firmuara të markave të njohura në butik kushtojnë nga 90 deri në 200 euro. Një bluzë po firmë kushton 70 euro, një xhup apo pallto deri në 300 euro, një shall 40 euro dhe sa gjysma e tyre dorezat. Për sa i takon kostumeve klasike, çmimet variojnë nga 150 deri në 2,000 euro. Këpucët e lëkurës në dyqanet e modës mund t’i gjeni nga 70 deri në 170 euro dhe atletet nga 55 deri në 150 euro. Çmimet edhe në këtë sezon, ashtu siç ndodh rëndom kur ndërrohen stinët, janë të larta. Krahasuar me sezonin e kaluar, sipas pronarëve të këtyre dyqaneve ka një rritje prej gati 20%.
“Çmimet vërtet mund të duken shumë të larta, por po të llogaritësh se sa paguhet për të zhdoganuar mallin, sa taksa duhen paguar, në shumë raste paguhet dhe qiraja dhe rroga e shitëseve, aty-aty pothuajse shkon”, thotë Emanuela.
Mesatarisht çmimi i një fustani për raste të veçanta shkon deri në 200 euro.
Xhinset janë ato veshje, që vazhdojnë të kenë çmime të lartë, krahasuar me çmimet e veshjeve dhe aksesorëve të tjerë. Çmimet e tyre variojnë nga 50 deri në 250 euro.
Edhe çantat janë një aksesor shumë i rëndësishëm. E nëse vendos të blesh një çantë dhe një palë këpucë, vështirë se do të mundesh t’i kesh, pa paguar minimalisht 200 euro në total. E pavarësisht këtyre çmimeve, ajo që thuhet nga pronarët e dyqaneve është se klientët nuk mungojnë asnjëherë.

Tendencat e stinës

Butikët e kryeqytetit tashmë kanë lajmëruar ardhjen e vjeshtës dhe të koleksionit të ri 2009-2010. Ajo që vihet re është se, veshjet e vajzave këtë vjeshtë tentojnë të jenë shumë “femërore”, klasike, por me ngjyra të errëta. Lejlaja e errët, bluja e errët, grija dhe e zeza siç duken do të mbeten ngjyrat më imponuese të sezonit të ri vjeshtë-dimër. Veshjet e thurura dhe të punuara me dorë, siç duket, kanë qenë rrobat më të preferuara për stilistët. Përveç xhinseve apo pantallonave të ndryshme, për modën vjeshtë 2009, stilistët kanë hedhur në treg edhe fustane të bukura për çdo ditë dhe bluze të gjata që vishen me streçe dhe çizme. Megjithatë, një nga tendencat më të forta të sezonit vjeshtë-dimër duket se do të vazhdojnë të jenë veshjet e lëkurës dhe sidomos xhaketat. Siç duket dizajnuesit e mendojnë xhaketën e lëkurës, si veshje ideale për sezonin e vjeshtës duke e kombinuar atë gati me të gjitha llojet e stofave.
Por ajo se çfarë vihet re janë çmimet pikante të këtyre veshjeve.
Pothuajse të gjitha rrobat e koleksionit të ri vjeshtë- dimër kanë çmime shumë të larta, të cilat nuk janë të përballueshme nga çdo femër. Janë pikërisht këto çmime që shpesh i mbajnë konsumatorët larg mundësisë për të ndjekur modën e fundit.

(Jo) Firmatot

Vitet e fundit, tendenca e rrobave firmato, siç thuhen në gjuhën e përditshme ka hyrë shumë në Shqipëri. Firma të njohura të pasarelave të modës kanë hapur butikët e tyre, por ato i gjen dhe në dyqane që shesin rroba të firmave të ndryshme. Megjithatë një fakt të bën përshtypje, një firmë, e cila njihet shumë mirë nga të gjithë që është italiane, është “made in China” apo siç ndodh rëndom “made in Turkey”. Çdokujt që i ka rënë rasti të shkojë jashtë shtetit, kryesisht në Itali, apo Francë, të cilat njihen si “shtëpitë e modës në Europë”, e ka shumë të lehtë të vërejë një fakt të tillë. E njëjta veshje e së njëjtës markë, është më e shtrenjtë atje, sesa në Shqipëri. Këtu nisin edhe dyshimet sasa origjinale janë mallrat që hyjnë dhe që ekspozohen në xhamat e vitrinave shqiptare.
Dilema për këto lloje veshjesh mbetet te cilido nga ne, kur hap portofolin për të bërë pagesën: “Janë apo nuk janë firmë”. Përvoja tregon se një veshje e blerë në Shqipëri, dhe pse mund të jetë e një marke prestigjioze, është shumë e dobët dhe lë shumë për të dëshiruar. Ata që vënë në lëvizje të gjithë ekonominë, janë blerësit. Shitëset tregojnë se në butikët e shtrenjtë, zakonisht klientët janë të rregullt, pra janë të njëjtët klientë dhe shumë të rrallë janë ata që vijnë rastësisht dhe blejnë diçka. Kjo sepse sipas tyre çmimet janë të larta dhe jo të gjithëve ua mban xhepi.
Ata që janë më shumë të fiksuar pas rrobave “firmë” preferojnë të mos i blejnë këtu.
Nëse pyet për mallin se nga vjen, të gjitha shitëset thonë se malli i tyre vjen nga Italia, apo Greqia, e megjithatë dihet që shumica e tregtarëve shqiptarë, furnizimin për dyqanin e tyre e bëjnë në Turqi.

Marrë nga revista Monitor