Shpërthen një tjetër protestë

2018-04-05T12:54:19+00:005 Prill, 2018 11:17|Kategoritë: Para, Taksa|
Biznesi i vogël kundër përfshirjes në TVSH

Doreni, i cili ka një bar-kafe parë stadiumit Dinamo, po proteston sot kundër vendosjes TVSH-së. Ai ka ulur qepenin e lokalit dhe ka vendosur që në shenjë proteste të ndalë aktivitetin e tij. Doreni nuk është pjesë e asnjë shoqate biznesi, mirë po  ka lexuar në media se sot biznesi i vogël do të dalë në protestë kundër përfshirjes në skemën e TVSH-së.

Sipas tij, biznesi i vogël e ka të pamundur që të përballojë përfshirjen në skemën e TVSH-së.

Si i vetëpunësuar në këtë aktivitet tregon se nxjerr prej tij një rrogë mujore dhe jo fitime marramendëse, prej 80 mijë lekësh në muaj.

Lokali i tij ka një xhiro mesatare mujore prej 450 mijë lekësh në muaj, 190 mijë lekë janë shpenzime fikse, ku përfshihen: qiraja mujore 70 mijë lekë; 48 mijë lekë pagat e punëtorëve; 40 mijë lekë fatura e energjisë elektrike; 10 mijë lekë fatura e ujit; 20 mijë e 100 lekë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe 2 mijë lekë tarifa e ekonomistes.

Aktivitetet e bar-kafeve operojnë me një marzh bruto prej 60% (çmim mesatar i aplikuar mbi furnizimet e lokalit). Për një xhiro mesatare mujore prej 450 mijë lekësh, ai do të duhet të paguajë rreth 45 mijë lekë në muaj TVSH, kur të hyjë në skemën e TVSH-së. Pas përfshirjes në TVSH, në rastin më të mirë, do t’i mbeten vetëm 35 mijë lekë në muaj. Me këtë nivel, zgjidhje është mbyllja e aktivitetit.

Doreni tregon për Monitor, se nuk mund të rrisë çmimet pasi e gjithë klientela do të largohej drejt bar-kafeve të mëdha.

Protesta po vijon edhe në zonat e tjera të Tiranës.

Albert Nasta, kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël thotë se të gjithë bizneset në qytetin e nxënësve kanë ulur qepenat. Edhe në qytete të tjera të vendit bizneset e vogla janë organizuar edhe kanë mbyllur bizneset. Sipas organizatorëve të protestës, ajo do të zgjasë rreth dy orë.

Nga 1 prilli, ka hyrë në zbatim, vendimi për uljen e pragut të qarkullimit vjetor mbi të cilin llogaritet TVSH-ja nga 5 në 2 milionë lekë.

Sipas të dhënave zyrtare të tatimeve nga 1 prilli kanë hyrë automatikisht në skemën e TVSH-së 11,500 subjekte, të cilët janë identifikuar nga transmetimet ditore të qarkullimit të realizuar me pajisje fiskale gjatë vitit të kaluar; si dhe nga të dhënat e vetëdeklaruara në deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të vitit 2017. Ndërsa rreth 60 mijë të tjera janë jashtë skemës së TVSH-së. Sipas burimeve zyrtare të tatimeve, strukturat në terren do të kryejnë vazhdimisht verifikime me qëllim monitorimin e xhiros së tatimpaguesve. Do të përdoren të gjitha mundësitë për shfrytëzimin e informacionit nga palët e treta, si të dhëna nga Qendra Kombëtare e Biznesit, Dogana etj. Gjithashtu do të përpunohen të gjitha të dhënat që lidhen me kryqëzimin e librave të Shitjes dhe të Blerjes. Kjo do të thotë që nëse evidentohen tatimpagues, të cilët nga ky kryqëzim kanë blerje mbi 5 milionë lekë, atëherë do të vlerësohen si potencial për t’u futur në skemën e TVSH.

Monitor.al