Ka startuar më së miri edicioni i ri eliminator për kombëtaren shqiptare të futbollit; një barazim në Rumani dhe një fitore modeste ndaj Luksemburgut i kanë dhënë provizorisht kreun në grup kuqezinjve. Pas kësaj vijnë përballjet e frikshme, me emrat e Francës, Bosnjës dhe Bjellorusisë. Skuadra është ‘peng’ i limiteve të saj, ndërsa trajneri kroat, Josip Kuzhe shpreson të bëjë më mirë se paraardhësit e tij

Nga Elert Yzeiri

Frika për të bërë një start zhgënjyes në eliminatoret e radhës të kombëtares duket se është vrarë, edhe pse rrugëtimi është ende shumë i gjatë dhe me kundërshtarë shumë të vështirë. 1barazim dhe1fitore kanë bërë që për herë të parë në historinë e saj kombëtarja shqiptare të jetë në krye të një grupi eliminator, kur kundërshtarë janë ish kampionët e botës dhe Europës, Franca, si Rumania, Bosnja, Bjellorusia dhe Luksemburgu. Shifrat janë reale, por entuziazmi do të ishte i tepërt, kur në kalendar janë përfunduar vetëm dy ndeshjet e para dhe përballjet që vijnë më pas vështirësohen edhe më shumë. Për të qenë realist, në Rumani dhe Tiranë me Luksemburgun nuk ishte Shqipëria më e mirë që kemi parë, por ishte një skuadër pragmatiste, me pak forcë goditëse, por shumë e kujdesshme në veprimet mbrojtëse. Vlen për t’u përmendur grinta dhe besimi në momente të caktuara, veçanërisht në ndeshjen me Rumaninë, të cilat sollën edhe atë pikë të rëndësishme të skuadrës ballkanase. Shpresat për të bërë një fazë eliminatore të mirë janë të mëdha, por ajo që duhet të pranojmë janë limtet e kësaj, të cilat vijnë pikërisht nga kontingjenti i limituar i futbollistëve që trajneri ka në dispozicion.

MOMENTI KUZHE
Nëse deri në fund të gushtit 2010 puna e trajnerit Josip Kuzhe ishte eksperimentale, duke qenë se mori drejtimin e skuadrës në mesin e eliminatoreve, tashmë kroati është thirrur zyrtarisht në apel. I pari që e ka zbuluar këtë fakt ka qenë ai personalisht, kur në konferencën për shtyp përpara fillimit të eliminatoreve ka pranuar se ka ardhur momenti që puna e tij të matet me rezultate. Pasi eksperimentoi me skuadrën, pa pafundësisht futbollistë, zhvilloi shumë vëzhgime, konstatime, faza përgatitore dhe shumë ndeshje miqësore, trajneri kroat është përveshur për të ndërtuar objektivat e një skuadre që vegjeton prej shumë vitesh në futbollin modest. Në ligjëratën e tij, Kuzhe nuk ka qenë shumë entuziast, por as edhe ‘frikacak’, ai ka folur me tone realiste, duke piketuar synimet e tij dhe ato të përcaktuara nga drejtuesit e federatës së futbollit. Kuzhe e ka pasur hapin e shkurtër, por ndër të tjera dhe të argumentuar. Sipas tij nivelet e futbollit shqiptar janë ende modeste, ndërsa përmirësimet që vihen re herë pas here nuk duhet të na bëjnë euforike, por duhet të na forcojnë dëshirën për t’u përmirësuar edhe më shumë. Kuzhe ka shumë të drejtë, por gjithsesi Shqipëria pret shumë prej tij, pasi, si kujt më parë këtij trajneri i janë krijuar mundësitë për të parë, studiuar, eksperimentuar dhe punuar në mënyrën më komode të mundshme. Eliminatoret kanë filluar, ky është momenti Kuzhe!

LIMITET E SKUADRËS
Vendi i parë në grup duhet shijuar për të paktën deri sa të afrojë takimi i radhës, por ato që ne duhet të pranojmë janë limitet e skuadrës. Vërtetë Bogdani po gëzon një formë shumë të mirë me Cezenën, Salihi është gjithashtu në ditë të mira në kampionatin e tij, Duro është kthyer në lider apo Dallku ka gjetur stabilitet, por pjesa më e madhe e skuadrës është e përbërë nga emra që nuk figurojnë në skuadrat e tyre. Duke i parë me detaje problemet janë më të mëdha nga ç’duken realisht dhe me të vërtetë duhet të pranojmë që skuadra ka shumë limite. Lorik Cana, që konsiderohet pa frikë futbollisti më i mirë e i sigurt i skuadrës nuk po gjen hapësira në skuadrën e Gallatasarajit dhe ky fakt e shqetëson trajnerin, që te lideri i grupit ka defiçenca aktivizimi. Dëmtimi i Currit ishte një goditje knock-down, duke qenë se në këtë repart emrat janë të limituar. Në ndeshjet me Rumaninë dhe Luksemburgun mesfusha ishte pothuaj inekzistente, aq sa edhe vetë trajneri Kuzhe ishte i paqartë për emrat që ka zgjedhur në të dy takimet njëri pas tjetrit. Prej muajsh Skela është pa skuadër, edhe pse në dy ndeshjet e fundit ai ka treguar një paraqitje të shkëlqyer dhe mungesa e një numri 10 është problem për një skuadër si Shqipëria, që prodhon pak në sulm. Stoli ka pak emra. Vërtetë Muzaka ka shkëlqyer në ndeshjet e fundit, por besimi i trajnerit është i mangët. Pak siguri kroati gjen edhe te Bakaj, Hyka, Vila apo ndonjë futbollist tjetër. Themi ka pak siguri, pasi edhe në ndeshjet më të lehta, trajneri ka rezervuar shumë pak minuta aktivizim për ta. Ky paragraf nuk përbën komentin e nihilistit, por është një konstatim për limitet e kësaj skuadre.

DËMTIMI I CURRIT
Edhe pse duhet t’i pranojmë të natyrshme në lojën e futbollit, dëmtimet janë gjithnjë një pengesë për një skuadër futbolli. Më të ndjeshme këto janë për skuadra me kontigjente të limituara, ku futbollistë të caktuar janë pothuaj të pazëvendësueshëm në skuadër. I tillë është Debatik Curri në skuadrën kuqezi. Futbollisti i lindur në Prishtinë është dëmtuar pak ditë më parë, gjatë një seance stërvitore me skuadrën e tij në kampionatin turk, Gençlerbirligi. Futbollisti 26 vjeçar ka pësuar një dëmtim të rëndë në ligamentet e gjurit dhe me shumë gjasa do të humbasë këtë sezon futbollistik. Një humbje e rëndë për skuadrën, që prej disa vjetësh ka gjetur një ekuilibër të Currit me Canën në qendër të mbrojtjes. Manovra që trajneri Kuzhe mund të bëjë fillimisht do të jetë ndoshta spostimi i Dallkut në qendër të mbrojtjes, ndërsa nga krahët mund të aktivizohen për emergjencë Vangjeli dhe Agolli. Ai që vendos është trajneri, por ajo që ne dimë me siguri për momentin është se alternativat janë të pakta.

KUNDËRSHTARËT
Parë në letër kundërshtarët e ekipit kombëtar në eliminatoret e Euro 2012 janë ndër më të vështirët, falë kjo edhe eksperiencave të njohura me to. Është e qartë që Luksemburgu është bonusi i të qenit në vazon e katërt, ndërkohë që të tjerat gjithnjë kanë qenë problematike për skuadrën tonë kombëtare. Ish kampionia e Botës dhe Europës, Franca vjen nga një moment jo shumë i mirë, pas largimit të trajnerit Domenek dhe ndëshkimit që morën shumë futbollistë pas eliminimit në Botërorin e Afrikës së Jugut. Humbja me Bjellorusinë në Francë u pasua me një fitore të rëndësishme në Bosnje, duke treguar se mbetet favoritja e grupit. Në Rumani Shqipëria mori një pikë historike, por forca e skuadrës ballkanase është përtej këtij rezultati. Dështimet që rumunët kanë pasur në edicionin e fundit dhe ndryshimet në pankinë kanë lënë gjurmë edhe te rezultatet e skuadrës, që gjithsesi nuk mund të jenë të tilla deri në fund. E frikshme është shfaqur Bjellorusia. Prej vitesh kjo skuadër po tregon ngritje në lojën e saj, por fillimi i këtij edicioni e ka sjellë më të fortë se kurrë. Me një grup futbollistësh të evidentuar në shumë kampionate të rëndësishme europiane, skuadra bjelloruse kërkon të konfirmohet edhe për edicion. Jo më pas mbetet edhe Bosnja, që ka ruajtur të njëjtin entuziazëm edhe me eliminatoret e fundit, ku ishte playoff-i që i pengoi pjesëmarrjen në Botërorin e Afrikës së Jugut. Bonusi mbetet Luksemburgu, prej të cilit Shqipëria pret 6 pikë të plota, sigurisht nëse nuk do të përsërisë gabimin e vitit 2002.

SPONSORËT
Ndryshe nga shumë sezone më parë edicioni i ri eliminator për ekipin kombëtar ka pasur edhe një mbështetje shumë të mirë financiare, nga sponsorë dhe donatorë të ndryshëm, që kërkojnë të promovojnë dhe mbështesin më shumë vlerat kombëtare. Një grup biznesesh të konsoliduara në vend kanë vendosur që të mbështesin kuqezinjtë në këtë edicion premtues, pavarësisht se përballë janë kundërshtarë shumë të fortë. Mbështetja në këtë edicion, ndryshe nga të mëparshmit nuk konsiston vetëm në mbulimin e shpenzimeve të ndryshme për akomodim, por edhe në faktin që të gjithë bashkë donatorët janë vendosur që të shpërblejnë me shuma të konsiderueshme çdo sukses që kuqezinjtë do të arrijnë përballë kundërshtarëve të tyre në këto eliminatore. Le të shpresojmë që një manovër e tillë të jetë një shtysë më shumë për futbollistët dhe stafin teknik, në arritjen e rezultateve të shumëpritura nga tifozët.