Kriptomonedhat duket se nuk janë në ditët e tyre më të mira. Luhatjet e mëdha në çmim dhe humbjet në vlerë  duket se kanë bërë që “tregtarët” e kriptovalutave në Shqipëri të heqin dore prej tyre. Në faqen LocaBitcoin tashmë ka mbetur vetëm një syresh, nga pesë që kanë qenë fillimisht.

Shitësi aktual i bitcoin në localsbitcoin Albania është “BtcExMtl”. Ai deklaron se ka mbi një mijë tregtime të konfirmuara, me 696 partnerë të ndryshëm. Blerja e parë është bërë para tre vitesh e tetë muajsh.

Shitësit e tjerë që më parë tregtonin bitcoin në Shqipëri, si Bitcoinremi’, ‘DragosWarrior’,  ‘‘Nar75’ dhe ‘Excoins.me’ nuk figurojnë më online.

Çmimet e kriptomonedhave kanë rënë ndjeshëm në muajin e fundit, pasi arritën nivele të larta të këmbimit, deri në 18 mijë dollarë.

Aktualisht një Bitcoin po këmbehet në nivelin 8000 dollarëve, me luhatje të herëpashershme. Të gjitha monedhat virtuale kanë pësuar rënie. Monedhat së bashku kanë një vlerë tregu prej 305 miliardë dollarësh.

Të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare kanë paralajmëruar vazhdimisht mbi rreziqet që mbart përdorimi i monedhave virtuale. Autoriteti Bankar Europian në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për kujdes ndaj përdorimit të monedhave virtuale, veçanërisht Bitcoin. EBA paralajmëronte se me rritjen e popullaritetit të monedhave virtuale, duhet të bënin kujdes dhe të ishin të ndërgjegjshëm lidhur me rreziqet që lidhen më përdorimin e tyre.

Gjithashtu Banka e Shqipërisë dhe AMF, deklaruan se në Shqipëri nuk ka asnjë kompani të licencuar prej tyre.  Banka e Shqipërisë bëri të ditur se nuk ekziston asnjë subjekt financiar i licencuar për tregtimin e monedhës virtuale Bitcoin në Shqipëri. Kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë nuk e parashikon kryerjen e një veprimtarie të tillë në Shqipëri.

Edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare informon se nuk ka pasur asnjë kompani të licencuar për tregtimin e Bitcoin në Shqipëri.

Autoritetet mbikëqyrëse europiane paralajmëruan edhe së fundmi lidhur me përdorimin e monedhave virtuale, në një njoftim që u ripublikua dhe nga Banka e Shqipërisë. Sipas tyre, monedha virtuale, që ekzistojnë aktualisht janë përfaqësimi dixhital i një vlere që as nuk është e emetuar dhe as nuk është e garantuar nga një bankë qendrore apo autoritet publik, dhe nuk e kanë statusin ligjor të monedhës apo parasë. Ato janë tejet të rrezikshme, dhe përgjithësisht nuk janë të mbuluara nga aktive të trupëzuara dhe nuk rregullohen nga legjislacioni i BE-së; rrjedhimisht, ato nuk u ofrojnë konsumatorëve mbrojtje ligjore.