DJALOSHI QË GARON PËR T’U BËRË NJË KAMPION I MADH. PAS LOJËRAVE OLIMPIKE ‘PEKIN 2008’, SIDNI KËRKON NJË TJETËR AKTIVITET KU MUND TË VENDOSË REZULTATE TË RËNDËSISHME

Nga Elert Yzeiri

Nëse për shumë prej nesh noti është një kënaqësi që na lidh me verën, plazhin dhe detin, për disa njerëz ai është një pasion me një dimension shumë të madh, për të mos thënë qëllim i jetës së tyre. Është fjala për notarët, që për fat të keq ne i personalizojmë me emrat e kampionëve të mëdhenj të botës, Popoviç, Felps, Haket, etj, por asnjëherë me sportistët shqiptarë. Në fakt ky sport ka qenë krejtësisht i limituar para disa vitesh, ndërkohë që tashmë vaskat e ngushta në disa qytete të Shqipërisë kanë filluar të dallgëzojnë nga disa sportistë të vegjël, që synojnë t’i japin jetë këtij sporti. Një prej tyre është Sidni Hoxha, tanimë jo fëmijë, por një djalë i rritur që rrëshqet mbi ujë me shumë elegancë dhe shpejtësi. Rreth një vit e gjysmë më parë, kur ende nuk i kishin rritur mirë mustaqet nën hundë, ai pati fatin të ishte pjesë e ekipit Olimpik që garoi në Pekin 2008. Edhe pse numrat e tij ishin shumë modestë në krahasim me rezultatet që shënonin çdo ditë në tabelat elektronike, ai vendoste rekorde, që Shqipëria nuk ka ende në arkivat e mykura të regjistruara në fletore shkollore. Sot Sidni ka fituar më shumë eksperiencë, është më i stërvitur, por edhe shumë më ambicioz për sportin që ai ka zgjedhur. Me ndihmën e familjes së tij, Sidni kërkon rezultate që ta bëjnë atë një kampionat të madh, edhe pse Shqipëria nuk ia krijon këto kushte. Në një intervistë për “Shqip”, Sidni rrëfen jetën e tij me notin dhe dëshirat që i ka ngjallur aktivizimi në këtë sport.

Sidni është duke u rritur shumë shpejt, jo vetëm në moshë por edhe në rezultate, duke rikthyer emrin e munguar në sportin shqiptar, notar…

Themi po, me krenari, sepse nga një sport, ku rekordet kishin 20-25 vjet pa ju afruar, ku aktivitetet ishin një në vit, tani flitet për notin, për rekordet dhe për një masivitet në rritje.

Pse zgjodhët sportin e notit, kur prej shumë vitesh ky sport ka qenë thuajse i humbur në vendin tonë?

Unë vij nga një familje sportistësh, gjyshi Lutfi Hoxha ish futbollist i Vllaznisë, themelues i skuadrës “Partizani”, lojtar me kombëtaren në fitoren me Splitin; babai, Shpëtimi themelues i tenisit në Shkodër, për pak kohë nr.3 në Shqipëri, lojtar dhe trajner i ‘Shkodra-Tenis’, kështu dhe unë nuk mund t’i shkëputem kësaj tradite, por zgjodha notin pasi e kam mësuar që kur isha 4 vjeç dhe qëndrimi në ujë ishte shumë premtues, pasi galexhimi mbi ujë dhe pozicioni i trupit janë themelorë për notin.

Cilat janë vështirësitë që keni hasur për t’u përgatitur si sportist?

Vështirësitë janë shumë të mëdha në dimër, por kënaqësi shumë e madhe në verë. Në Shqipëri mungonin pishinat e mbyllura. Pishina e parë e mbyllur u realizua në Tiranë me iniciativën dhe investimin e babait tim, Shpëtim Hoxha. Kjo pishinë që ishte e para gjysmë olimpike në Shqipëri, i dha shtytje të madhe notit shqiptar. Duke qenë se as Bashkia dhe as F.SH.N. nuk jep asnjë ndihmë për asnjë notar për hyrjen në pishinë, vështirësitë financiare e bëjnë notin një sport luksi që jo të gjithë talentet mund ta vazhdojnë. Në verë gjërat ndryshojnë. Në të gjithë Shqipërinë ka dyndje të femijëve për të mësuar notin, por edhe për t’u stërvitur. Për mua, falë edhe ndihmës së “Akuadrom – Tirana”, kam akses të plotë në këtë pishinë, pa pagesë dhe pa kufizim kohe në kushte shumë të mira, që janë edhe burim i rezultateve të larta dhe na kujtojnë shumë momente të bukura të rekordeve dhe titujve kampionë.

Lidhja e Sidnit me sportin e notit, rekordet dhe synimet që kanë përcaktuar?

Objektivat janë të mëdha. Për vitin 2009 kam qenë sprinteri më i mirë në Ballkan për moshën time. Në Europë kam rezultatin e tretë më të mirë për moshen time në pishina 25m, për rezultatin e arritur në kampionatin Europian, Stamboll 2009, (22”49)

Për vitet e ardhshme objektivat më të shpejta janë hyrja në finale në Olimpiadën Rinore, Singapor 2010 në 50m stil i lirë, 100 stil i lirë, objektiva ambicioze, por të realizueshëm nëse vazhdojmë me këto ritme.

Përveç talentit, ky sport ka nevojë edhe për shumë përgatitje, si fizike dhe teknike, sa kohë i kushton këtij aktivitetit sportiv Sidni dhe si e realizon atë?

Stërvitja është e ndarë në dimër nga Tetor-Maj në pishinë vetëm 3 herë në javë, pasi pishinat e mbyllura në Durrës e Tiranë nuk më krijojnë mundësinë të bëj stërvitje. Pjesa tjetër kompensohet me ushtrime shumë specifike në palestër, falë ndihmës që më kanë krijuar edhe shumë miq të mitë dhe familjes sime. Në verë, Qershor-Shtator, stërvitja është e plotë 2 herë në ditë, si edhe palestër me programet më të mira të marra nga literatura më e fundit botërore e notit, si dhe një bashkëpunim të ngushtë me ekspertë të fushës brenda dhe jashtë vendit.

Gjithnjë, në një garë sportive, rezultatet janë të krahasueshme me kundërshtarët, në rangun kombëtar Sidni pothuaj i ka thyer të gjitha rekordet, çfarë synimesh keni personale?

Synimet personale janë të lidhura ngushtë me kushtet në vendin tonë. Do të sakrifikoj të studioj jashtë shtetit, në Universitete Sporti për të arritur rezultatet e parashikuara, të cilat nëse realizohen do të pretendoj të sjell medalje olimpike në Shqipëri.

Është folur në shtyp se ju keni patur disa oferta nga jashtë vendit për t’u stërvitur dhe garuar me skuadra të njohura në arenën ndërkombëtare, ka ndonjë plan për Sidnin?

E thashë dhe më lart, për studime, pasi tani po mbaroj vitin e katërt. Do më pëlqente të stërvitesha me notarët më të mirë në SHBA, pasi edhe stërvitja që po bëj është e përafërt me notarët sprinterë të Amerikës. Kam edhe për në SHBA rezultatin e pestë për moshën time, në 50m stil i lirë, kështu që do të përpiqem të studioj për degë sportive për të arritur qëllimin që vetëm atje mund të realizohet për t’u bërë kampion i madh.

Në Lojërat Olimpike 2008 ju përfituat ftesën nga Komiteti Olimpik për të garuar në këtë aktivitet të rëndësishëm, në Olimpiadën e ardhshme ka ndonjë objektiv për Sidnin?

Këto objektiva janë të kufizuara për momentin, pasi nuk mund të kesh objektiva të mëdha në një vend të vogël.

Ju jeni një sportist për të cilin e gjithë familja juaj është përkushtuar në arritjen e rezultateve, mendoni se ia vlen i gjithë ky investim nga familja juaj, për një sport që në vendin tonë vazhdon të mbetet në harresë?

Sigurisht që ia vlen jo vetëm për mua, por për të gjithë notarët, pasi shëndeti, edukimi, udhëtimet jashtë vendit, kultura dhe miqësitë e krijuara janë shumë të rëndësishme dhe për të ardhmen. Për mua është mëse e dukshme, pasi kampionët dhe rekordmenët janë shumë të privilegjuar edhe në Shqipëri, por sigurisht në botë është diçka madhështore të jesh kampion noti.

Përgjithësisht sportet individuale janë shumë të vështira për të arritur rezultate, sidomos në vende si Shqipëria ku investimi është i papërpërfillshëm. Çfarë ka menduar Sidni për të ardhmen e tij në sportin e notit?

Sipas mundësive që do vijnë në të ardhmen, tani noti nuk është vetëm i moshave të reja, pasi rekordet thyhen edhe pas moshës 25 vjeç. E ardhmja në sport varet nga rezultatet, që tani për tani premtojnë për një të ardhme të madhe.

Ju prej kohësh stërviteni nga babai juaj, mendoni se është e mjaftueshme kjo asistencë tekniko-taktike që merrni prej tij apo mendoni se do t’iu duhet që të bashkëpunoni edhe me specialistë të një niveli më të lartë?

Këto rezultate përveç talentit, vullnetit dhe përkushtimit të madh, kanë vend për të thënë edhe tim eti si trajner, por edhe një stafi të madh e të përkushtuar ku nuk mund të lë pa përmendur Prof.Dr Agron Cukën, që po punon për programin e stërvitjeve të notit dhe palestrës; prof. Berti Cina dhe Mel Ostreni në fushën e mjekësisë sportive dhe të fiziologjisë, si dhe bashkëpunëtorët e skuadrës sonë nga jashtë shtetit si trajnerët: Ivano Cioçoloni, Dejan Ilic, gjithashtu dhe literatura e “Human Kinetics” që është udhërrëfyese për stërvitjen time. Në të ardhmen shpresoj të ketë edhe parametra të tjerë si nga infrastruktura që mungon, apo edhe skuadra të tjera kompetitive që tani për tani përbehet vetem nga notari tjetër i talentuar dhe punëtor Jon Pepaj.

Sa e ka ndihmuar Sidni Hoxhën të qenit një rekordmen në sportin e notit?

Ka disa prindër që thonë se humbja e kohës në sport në përgjithësi dhe në not në veçanti, bën që fëmijët të bien në mësime, të kenë rezultate jo shumë të mira, për rastin e Sidnit është e kundërta, noti bën të mundur të jesh më i kthjellet, më i përkushtuar për mësimet dhe më i përqendruar.

Cila është jeta e Sidnit jashtë notit, aktivitet dhe hobet që Sidni ndjek për të mbushur ditët e tij?

Përveç notit në fushën e sportit pasionet janë të shumtë si: futboll, tenis, uindsërf, ndërsa si gjithë të rinjtë pasioni për kompjuterin është i madh, si nga ana e zbavitjes më lojëra, por edhe i qëndrimit online si dhe gjetjes se modeleve të notimit, të stërvitjes, por edhe takimit me shoqe e shokë, notarë vendas dhe të huaj.

Ndodh që sportistët më të mirë në sportin e notit të largohen në një moshë shumë të re, nëse Sidni ndjek një rrugë të tillë çfarë ka menduar të bëjë në të ardhmen?

Të ardhmen përveç sportit, mendimet për momentin janë për studime të larta në Universitete jashtë shtetit në degë të lidhura me sportin, por edhe sporti dhe biznesi sportiv do të jenë një nga pikësynimet e mia për të ardhmen.