Sporti i topkëmbës ka arritur rezultatet më të mira për vitin që lamë pas. Jo më pas ka qëndruar peshëngritja, ndërkohë që sportet e tjera janë përcjellë në formatin bardhezi.

Ndërsa të gjithë janë të përfshirë nga atmosfera e gëzueshme festive e fundvitit dhe nxitojnë të kalojnë pak më shumë kohë pranë familjeve të tyre dhe njerëzve të dashur, edhe sporti bën një dremitje të lehtë, për t’u shplodhur disi nga një vit i gjatë dhe i ngjeshur me aktivitete, e për të reflektuar për pjesën tjetër të sezonit, që shtrihet në dy gjysma viti. E në këto momente festive mund të bëhen edhe reflektimet më të mira të vitit kalendarik të mbushur me shumë ngjarje dhe zhvillime të rëndësishme sportive. Është momenti për të bërë analizat dhe bilancet me qetësi dhe logjikë të ftohtë, për të evidentuar më të mirët dhe për të parë edhe gabimet. Ngjarjet dhe zhvillimet sportive të 2010-s kanë qenë padyshim nga më spektakolaret për historinë e sportit botëror, por ajo që na intereson më shumë, është ta fokusojmë vëmendjen në shtëpinë tonë, pra të flasim për sportin shqiptar. Sigurisht që kryefjala prej vitesh vazhdon të mbetet futbolli, ndërkohë që pëshpëritjet e mekura të sporteve të tjera plotësojnë një kronologji të varfër të sportit, duke na kujtuar se një pjesë e mirë e aktiviteteve, nëse nuk janë zhdukur fare, janë në orët e tyre të fundit. Shumë sporte që dikur kanë qenë elitare tanimë vegjetojnë në një varfëri ekonomike, sociale, por gjithashtu njerëzore. Shpesh thuhet që shteti po i mbështet e po investon në to, por sporti nuk ka nevojë t’i zgjatet agonia, ka nevojë t’i jepet jetë dhe frymë për të vrapuar drejt rezultateve dhe sukseseve të mundshme. Në analizat e përvitshme shpesh thuhet që hapësira më e madhe i lihet gjithnjë futbollit, por kjo nuk është preferenciale, por reale, sepse është pikërisht ky sport ku aktivizimi, interesi publik dhe shpenzimet më të mëdha bëhen pikërisht në këtë sport. Gjithsesi, ky nuk është momenti për të bërë klasifikime. Lë të hedhim një vështrim të përgjithshëm mbi sportin shqiptar për vitin 2010, më të evidentuarit dhe më të mirët, ata që kanë qëndruar në hije dhe ata që kërkojnë shumë ndihmë.

Futbolli, më i preferuari
Futbolli është sporti më i preferuar në të gjithë planetin, e për inerci edhe në Shqipëri vazhdon të qëndrojnë në vendin e parë të preferencave për sportdashësit. Themi në këtë mënyrë, pasi në stadiumet e futbollit shkojmë më shumë sportdashës, futbolli zë vendin kryesor në faqet e para të mediave të shkruara dhe në kronikat sportive të televizioneve. Është sporti ku investohen më shumë para. Është sporti ku aktivizohen më shumë sportistë, të të gjitha kategorive dhe moshave. Këto janë faktet për të mbrojtur vendin e parë në preferencë, por ndoshta edhe në rezultate. Duke e detajuar më shumë analizën, ajo që mund të themi është se futbolli për vitin 2010 ka qenë një shkallë me lart se të gjitha sezonet pararendëse, të paktën në dekadën e fundit. Duke nisur nga ekipet që luajnë në kampionat kombëtar, për të vazhduar me ekipin kombëtar dhe futbollistët në veçanti.

Kombëtarja
Kombëtarja kuqezi për vitin 2010 bëri një prezantimet më të mira të mundshme të saj, duke arritur edhe vendin më të lartë koeficientin e FIFA-s. Skuadra e drejtuar nga Josip Kuzhe në muajin nëntor të vitit 2010 u ngjit në vendin e 58-të, një rekord për historinë e futbollit shqiptar. Është e vërtetë që ka pasur edhe disfata, por në përgjithësi skuadra ka bindur, madje duke u përballur në mënyrë shumë dinjitoze me skuadrat më të forta. Edhe pse gjatë këtij viti skuadra është penalizuar nga një sërë dëmtimesh, ku më i rëndi ka qenë padyshim ai Debatik Currit, e më pas të kapitenit Lala, Lorik Canës, e deri te fati i keq i trajnerit Kuzhe, që për disa javë qëndroi në spital për shkak të një sëmundje të vështirë. Skuadra është ende në garë për një pozicion të mirë në grupin e saj dhe në vitin 2011 pritet të bëjë performancën më të mirë në historinë e saj, edhe pse skuadra po kalon procesin e mbylljes së një cikli futbollistik. Bashkë me skuadrën nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe kontingjentin e futbollistëve që kanë kontribuar për skuadrën kombëtare. Që nga liderët e kësaj skuadre, të konfirmimet e Agollit, Salihit e Vangjelit, te elementët e perspektivës, Vila, Bakaj dhe Andi Lila.

Kampionati kombëtar
Kampionati kombëtar ka rritur mjaft rivalitetin në sezonin e fundit dhe bashkë me të edhe cilësinë e lojës, duke bërë që të evidentohen edhe elementë cilësorë, të cilët së shpejti do të plotësojnë edhe boshllëqet e ekipit kombëtar. Ka qenë padyshim viti i Dinamos, që e ka dominuar sezonin e shkuar, duke fituar titullin dhe bërë diferencën me një nga skuadrat më të bukura të kampionatit kombëtar. Probleme ka pasur Tirana, që si asnjëherë në historinë e saj, ka vuajtur problemet financiare, sikundër edhe largimin e shumë futbollistëve cilësorë. I janë rikthyer elitës emra si Flamurtari dhe Skënderbeu që pasi kanë bërë mirë në pjesën e parë të sezonit të ri, shfaqen edhe si pretendente për trofetë e sezonit për pjesën e dytë të tij.

Peshëngritja
Pas futbollit një vend të rëndësishëm në këtë sezon kanë zënë sportet individuale dhe në krye qëndron si gjithnjë Peshëngritja. Sporti i pedanës edhe për vitin 2010 solli një kosh me medalje, shumë prej të cilave ari. Briken Calja, Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj kanë bërë diferencë. Calja ka dominuar ndaj të gjithë bashkëmoshatarëve të tij në kampionatet e të rinjve në Europë dhe botë. Në europianin e fundit, peshëngritësi shqiptar mori tre medalje ari dhe po kaq argjendi solli në Shqipëri dhe shoku i tij Godelli. Një muaj përpara tyre, Erkand Qerimaj në Turqi zuri vendin e gjashtë në botë dhe të katërtin në shtytje, ndërsa theu rekordin kombëtar të Ilir Sulit, që qëndronte në librin e rekordeve prej dhjetë vitesh. Ndoshta me pak më shumë vëmendje ky sport do të ngjitej edhe më lart, ndaj le të shpresojmë që viti 2011 do të jetë më i mirë, pasi është vendimtar për Lojërat Olimpike të Londrës.

Xhudo
Në sportet individuale është veçuar edhe Xhudo. Majlinda Kelmendi shënoi emrin e saj në librin e artë të europianëve, pasi mori medaljen e artë në Europianin e të rinjve dhe kupën e artë në kampionatin e të rriturve. Një sport që mbështetet ndjeshëm dhe mbi të gjitha ka afruar në gjirin e vet shumë prej sportistëve më cilësorë nga Shqipëria e Kosova.

Mundje

Te sportet individuale mungon për vitin 2010 Sporti i Mundjes. Nëse pak kohë më parë mburreshim se ky sport po i kthehej traditës, vitin e fundit bëmë hapa mbrapa. Kjo edhe për faktin se tanimë ‘qeveria e mundjes’ është me dy federata dhe mundësitë e orientimit janë zvogëluar ndjeshëm. Largimi i Elis Gurit drejt Bullgarisë dhe Sahit Prizreni që është transferuar në kampionatin gjerman.

Basketbolli

Basketbolli bëri një manovër të shkëlqyer në këtë sezon. Ëndrra për të rindërtuar ekipin kombëtar ka marrë jetë gjatë verës së vitit 2010, edhe pse ende jemi larg objektivave për të kërkuar suksese.

Në skuadrën kombëtare janë rikthyer emrat më të mirë të sportistëve shqiptarë që luajnë në arenën ndërkombëtare, ku lëvizja më e bujshme është padyshim ajo e Ermal Kuqos, që refuzoi Turqinë dhe iu bashkua flamurit kuqezi për herë të parë që nga koha kur ai arriti nivelet profesioniste. Sporti që në vitet e fundit ka mbijetuar me shumë vështirësi ka filluar të lëvizë ndjeshëm kohët e fundit dhe perspektiva pritet të jetë shumë pozitive. Edhe kampionati kombëtar ka bërë një rritje cilësore dhe rivaliteti mes skuadrave ka bërë që të rritet edhe vetë cilësia e kampionatit.

Karete
Karateja është një sport i ri për vendin tonë dhe ka patur vitet e fundit disa suksese për t’u shënuar. Kampioni shqiptar Adrian Hadribeaj, i cili në moshë fare të re kishte fituar medaljen e Bronxit në Europianin e të Rinjve fitoi në fillim të 2010-ës turneun ndërkombëtar British Open. Ai arriti të merrte një medalje Ari dhe një Argjenti duke i siguruar federatës jo vetëm një rezultat të lartë por edhe një premtim për të ardhmen në këtë sport, duke patur parasysh moshën e re të sportistit.

Noti
Duhet veçuar noti për vitin 2010. Edhe pse është një sport që nuk e kalon pragun amatorizmit, vitet e fundit është bërë një rritje shumë cilësore, duke bërë që ata pak notarë që ‘pluskojnë’ në vaskat gjysmëprofesionale të kërkojnë konkurrimin. Ndërtimi i shumë pishinave private në qytete të ndryshme të vendit, por edhe organizmi i shpeshtë i aktiviteteve lokale dhe kombëtare ka bërë që edhe rezultatet të fillojnë të ndryshojnë, ndjeshëm me rezultatet e 20 viteve të fundit.
Ky është vetëm një vështrim i shkurtër konstatues për vitin 2010, pasi në gjeografinë sportive mungojnë shumë sporte të tjera elitare të historisë së sportit shqiptar, si çiklizmi, pingpongu, shahu, atletika, etj, por që në vitin 2010 kanë lënë pak gjurmë ose kanë mbetur totalisht në hije.