Symphony of the Seas është xhevahiri i ri i Royal Caribbean dhe anija kroçerë më e madhe në botë, e ndërtuar në kantierin STX France në Saint Nazaire, Francë.

Gjatë sezonit veror do të përshkojë Detin Mesdhe, më pas në nëntor do të shkojë në Majami, për të nisur një itinerar prej 7 netësh në Karaibe…

Ndërtimi i Symphony of the Seas në flotën Royal Caribbean përfundoi në mes të marsit 2018. Anija kroçerë do ta kalojë sezonin përurues veror në zbulim të Detit Mesdhe, duke u ankoruar në portet e Barcelonës dhe Palma de Mallorca në Spanjë, më pas në Provence në Francë dhe më tej do të eksplorojë Italinë në portet La Spezia, Civitavecchia dhe Napoli.

Zemra e anijes do të jetë Central Park, një park i vërtetë natyror me 12.000 bimë natyrore dhe me Spa më të madhe në bordin e një anije kroçerë.

Ndër risitë në bordin e anijes kroçerë është Bionic Bar, bari i parë i cili do të ketë një barman-robot, më shumë se 25 restorante dhe bare, përveç restoranteve të tjerë të stilit të lartë Quantum.

Teatri i hapur Aqua Theater është një ndër atraksionet në këtë anije. Po ashtu janë edhe rrëshqitëset Perfect Storm e Ultimate Abyss, rrëshqitëset më të larta në një anije kroçerë.

Symphony of the Seas, peshon 230 mijë tonë, është 362 metra e gjatë, 47 metra e gjerë, ka kapacitet prej 5480 personash dhe 2390 anëtarë ekuipazhi në gatishmëri, si dhe shpejtësi lundrimi 23 nyje. Ajo merr titullin anija më e madhe kroçerë në botë.

Kroçera e përshpejtoi datën e nisjes, më 7 prill. Pasi anija të përfundojë turin e saj në Detin Mesdhe ajo do të fillojë të përgatitet për udhëtimin e saj në SHBA në muajin nëntor.