Më pak aktivitete në Tiranë, teatër, pikturë, estradë, në këtë fund vere të nxehtë, por më shumë plazh, emigrantë, trafik……

Qytetet turistike në këtë muaj u shndërruan në qendra të mëdha të aktiviteteve. Në Durrës u mbajt Festivali i Filmit, në Korçë festa e birrës, ndërsa Tirana udhëheq me aktivitetet me rastin e 100 vjetorit të Nënë Terezës. Por veç kësaj ngjarjeje, në metropolin shqiptar, institucionet më të rëndësishme kanë ndjekur të njëjtën politikë si ngamot, mbylljen e dyerve, për të pritur sezonin e ri.

Këtë verë, zbrazëtira dhe mungesa e jetës dhe aktiviteteve kulturore e sociale duket se e kanë zaptuar më shumë se kurrë metropolin shqiptar. Ndonëse nga viti në vit është premtuar për ndryshime në konceptim dhe në kalendare, institucionet kombëtare të kulturës kanë ndjekur të njëjtën politikë si ngamot. Galeria Kombëtare e Arteve, Teatri Kombëtar, Teatri i Operas dhe Baletit dhe Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore, Muzeu Historik Kombëtar etj., me përjashtim të ndonjë aktiviteti të vogël, spontan apo të improvizuar, nuk servirin asnjë veprimtari ose eveniment kulturor për spektatorin e kryeqytetit në këto muaj të nxehtë vere. Sigurisht që në këtë kohë vëmendja është në bregdet, por edhe atje diskot dhe dj kurrsesi nuk mund t’i zëvendësojnë veprimtaritë e mirëfillta kulturore. Afishet e teatrit, operas, galerisë, estradës, nuk ofrojnë asgjë të re, të paktën deri në shtator kur pritet të fillojë sezoni i ri. Emigrantët e ardhur në atdhe më kot lodhen të shohin diçka nga arti dhe kultura shqiptare. Sezoni i pushimeve ka boshatisur krejt qytetin, aktivitetet e të cilit gjatë gushtit ranë në përgjumje.

Konfuzion të Tiranë

E pamundur të parkosh në Tiranë! Eshtë stres që nuk i gjendet kurë. Makina nuk po shihet më as si mjet pune dhe as si luks, por si një ngarkesë për t’u hedhur diku. Sapo e ndez dhe vë duart në timon harron se për ku je nisur, pasi pyetja se “ku do parkoj sot?” shuan çdo mendim tjetër. E gjithë kjo situatë nuk ka nevojë për shembuj pasi ne jemi vetë shembujt e përditshëm të Tiranës, aq më tepër në periudhë vere, kur dyndja e emigrantëve është evidente dhe popullsia e Tiranës shumëfishohet. Në gjithë këtë trafik dhe vapë Tirana duket konfuze. Rrugëve ka më shumë makina se sa këmbësorë. Tashmë me rritjen e numrit të autoveturave, përdorimi i biçikletave bëhet në një masë të vogël. Numri i madh i autoveturave madje, bën që ndonjëherë qarkullimi në rrugët e kryeqytetit me biçikletë të bëhet i pamundur. Ndoshta do të vijë një ditë që qarkullimi i një biçiklete në rrugë do na duket aq i çuditshëm, tamam siç na dukej shumë vite më parë qarkullimi i një autoveture.

Starton turi i “Tankus The Henge”

Tingujt e dy bandave të njohura britanike pushtuan Tiranën dhe disa qytete të Shqipërisë.

“The Martin Harli Band” dhe grupi “Tankus the Henghe” kanë interpetuar muzikë xhaz, bluz dhe folk nga repertori britanik, por edhe krijime të kompozuara nga vetë artistët e rinj. Java e muzikës britanike e organizuar nga British Council, solli një risi për të gjithë admiruesit e muzikës bashkëkohore. Koncertet nëpër rrethe ishin të hapur për të gjithë të rinjtë dhe pushuesit që dëshironin të kalojnë një mbrëmje ritmike me muzikë të zgjedhur nga dy ndër bandat më të suksesshme në Britaninë e Madhe.

Nisin shfaqjet për nostalgjikët e filmit

“Kolonel Bunker“ ishte filmi i parë, i cili nisi projeksionet në sallën e re të kinemasë së Arkivit Qendror të Filimit. Filmi me regji të Kujtim Çashkut u shfaq edhe si një homazh për aktorin Agim Qirjaqi. Filmi është prodhuar në vitin 1996 dhe është ndër të parët filma të arrirë pas viteve ’90.

Në këtë mënyrë Arkivi i Filmit ka nisur të mërkurat e kinemasë duke ftuar çdo javë publikun të ndjekë filmat e fondit shumë-vjeçar. Deri në muajin dhjetor në program janë parashikuar filma shqiptarë e të huaj që i përkasin disa periudhave.

Në listën e pelikulave bien në sy tituj si “Lule të kuqe, lule të zeza”, “Perënditë me kokë poshtë”, “Perëndimi i largët”, “Bija e kapitenit” , “Pitkini në spital”, apo “Lindje-Perëndim-Lindje”.

Shfaqen pamje të rralla të Nënë Terezës

Për herë të parë disa materiale filmike të Nënë Terezës janë shfaqur në Tiranë. Janë rreth dhjetë orë filmime, të cilat arkivi iVatikanit i ka dhuruar për Arkivin Qëndror të Filmit Shqiptar.  Në këto pelikula, shfaqet një imazh më i plotë mbi jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës, takimet e saj me Papa Gjon Palin dhe veprimtari humanitare. Një pjesë e këtyre materialeve filmike janë shfaqur për një publik të përzgjedhur në kinemanë e arkivit të filmit. Projektimi i këtyre filmimeve vjen në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së humanistes. Gjithashtu me këtë rast, Muzeu Historik ka ekspozuar një koleksion me objektepersonale të humanistes Nënë Tereza, si libri dhe qilimi i lutjeve, rruzaret, ujëbekorja dhe enët e drekës në familjen Shpati, bashkë me fotografi, kujtime e botime të reja, në ekspozitën “Shenjtorja e dhimbjes”.

Ekspozitë e përbashkët e tetë piktorëve

Peizazhe, portrete e kompozime janë ekspozuar për artdashësin në galerinë “DidArt” në Tiranë. Tetë piktorë mjaft të njohur shqiptarë, Adrian Çene, Shkëlqim Kokonozi, Lekë Tasi, Skënder Kamberi, Lec Shkreli, Kujtim Buza, Ardian Devolli dhe Çlirim Ceka vijnë secili me nga dy punë të reja, të cilat i përkasin vitit 2010 dhe që janë të paekspozuara më parë. Piktorët pasqyrojnë perceptime dhe ndjesi të ndryshme, e pavarësisht kësaj ekspozita vjen e konceptuar si një e tërë. Pikturat u përkasin gjinive të ndryshme si peizazhe, portrete por dhe kompozime. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 14 shtator.

Librat, shiten në çdo rugë

Nëse mungojnë aktivitetet, kemi një tjetër zgjidhje: janë librat. Por jo vetëm libraritë e kryeqytetit ofrojnë botime pa fund, nëpër rrugë mund të gjesh duke u tregtuar libra të vjetër dhe me vlerë kundrejt çmimeve qesharake. Bëhet fjalë për librat e vjetër letrarë si romane, novela dhe poezi të autorëve më të mëdhenj nga bota dhe vendi, të cilat shiten nëpër rrugë të ndryshme të kryeqytetit. Mund të gjesh libra nga më të vjetrit dhe me shumë vlerë të cilat nuk janë ribotuar më, buzë rrugëve të mbuluara nga pluhuri dhe pa më të voglin kujdes. Shkrimtar nga më të shquarit si Markez (Gabriel Garcia Marquez), Gogol, Fishta, Kafka, Kadare dhe plot autorë të tjerë, shtrihen trotuareve të pushtuar nga vapa, në pritje që dora e një lexuesi që ua di vlerën, t’i tërheqë nga rruga e t’i vendosë në bibliotekën e tij.

Jashtë Tiranës

Edicioni i tretë i festivalit në Durrës

Për shtatë ditë me radhë, në qytetin bregdetar kryefjala e jetës kulturore ishte kinemaja. Pikërisht, në sallën e kinemasë të teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe në amfiteatrin romak nisi edicioni i dytë i Festivalit Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës. Gladiatori i Durrësit këtë vit nisi me një homazh për kinemanë franceze, me një film ikonë për një ikonë të muzikës franceze dhe asaj botërore, e pikërisht me “La vie en rose” filmi që i kushtohet Edith Piaf. Ndonëse nuk konkurruan filma shqiptarë, një seksion i veçantë i është kushtuar të rinjve në “Short Albanian Film Student” me prodhime filmike të studentëve të filmit nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Interesant është fakti se këtë vit amfiteatri i Durrësit priti dy femra të bukura të ekranit: aktoren franceze Fanny Ardant dhe protagonisten e filmit “Shamikuqja” Türkan Soray, e cila erdhi me rastin e restaurimit të pelikulës së filmit që e bëri të njohur në vendin tonë në vitet shtatëdhjetë. Për herë të parë në këtë festival u hap seksioni i Filmit Dokumentar, me filmat “O Lucky Malcolm”  i Jan Harlanit, kushtuar aktorit Malcolm Mcdowell, apo dokumentari i fundit për Lord Bajron në Shqipëri me protagonist Rupert Evrett.

Një ngjarje interesante ishte edhe projeksioni i veçantë, i baletit “Borëbardha” me koreografi të artistit me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj.

Toromani në Teatrin e Adrianopolit

Teatri i Adrianopolit solli në skenën shqiptare balerinën Ambeta Toromani. Në këtë teatër u organizua një spektakël me një trupë balerinësh italianë. 14 km larg qytetit të Gjirokastrës dhjetra qytetarë kanë ndjekur me vëmendje dhe kanë duartrokitur një interpretim të shkëlqyer të artistes shqiptare Toromani, e cila u shoqërua nga tre balerinë italianë: Alessandro Macaria,  Marta Marcelli dhe Jonatan De Luis Mazagatos. Në skenën e këtij teatri antik u interpretuan  kryeveprat koreografike “La lacrimosa”, “Madama Butterfly”, “Cliss”, “Hombes en falda” etj.

Festë e bardhë në Durrës

Qyteti i Durrësit ka festuar për të tretin vit rradhazi Natën e Bardhë. Kjo festë, e cila tashmë po kthehet në një tradite, zhvillohet në kulmin e sezonit turistik. Në një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike kanë marrë pjesë mijëra qytetarë të Durrësit si dhe pushues vendas dhe të huaj që gjenden këto ditë në qytetin bregdetar. Një skenë e ndërtuar para pallatit të kulturës me pjesëmarrjen e këngëtarëve të muzikës popullore, një tjetër në shëtitoren “Taulantia” si dhe tre pista DJ kanë qenë dekori i aktiviteteve të larmishme për këtë natë.

Serenata dhe birrë në Korçë

Aktivitete të shumta janë zhvilluar edhe në qytetin e Korçës. Vajza korçare kanë sfiluar në një pasarelë të imporvizuar, në një spektakël të vertetë, me pjesëmarrjen dhe të Miss Shqipëria 2009, vajzën korçare Ertemjona Mejdani. Por jo vetëm kaq, për turistët dhe vizitorët e shumtë është organizuar edhe festa e përvitshme e birrës me plot serenata korçare.

Kombëtarja e futbollit me një sponsor të ri

Për herë të parë kombëtarja e futbollit shqiptar mbështetet nga biznesi shqiptar, në sezonin eliminator të Euro 2012. Është pikërisht Plus Communication sh.a, operatori më i ri celular në treg sponsori i përgjithshëm i kombëtares, një kompani me kapital tërësisht shqiptar që synon të shndërrohet në liderin e tregut të telekomunikacioneve.

PLUS është aktualisht në procesin e ngritjes dhe testimit të rrjetit për ofrimin e shërbimit të telefonisë celulare dhe shumë shpejt klientët e parë do të përdorin shërbimet e plota të operatorit më të ri celular në tregun shqiptar (telefonatat, SMS, lidhjet me internet etj).

PLUS përfaqëson bashkimin e kapitalit dhe përpjekjeve të disa kompanive shqiptare që kanë investuar deri tani afro 35 milion Euro, ndërsa investimi pritet të arrijë shifrën e 100 milion eurove brenda vitit 2011. Duke qenë e vetmja kompani tërësisht shqiptare në këtë treg, ajo ka për qëllim që të ri-investojë kapitalin e saj në vend dhe të ndihmojë në këtë mënyrë në një objektiv akoma më të madh, atë të fuqizimit të ekonomisë së vendit.