Sezoni veror 2009 që sapo mbyllëm dështon të shtojë numrin e turistëve tonë potencialë, kosovarët dhe maqedonasit. Gjatë qershor-gushtit të këtij viti, turizmi ka qenë në “dorë” të vendasve dhe të turistëve ditorë të huaj

Pas një sezoni shumë të mbarë të një viti më parë, të gjithë menduam e shpresuam se viti 2009 do të sillte një boom në një prej sektorëve më potencialë në vend, turizmin. Ardhjet e shumta të turistëve maqedonas dhe atyre kosovarë gjatë verës së vitit 2008 na dhanë “shpresa” të mira për një sezon edhe më të mirë, por duket se nuk ndodhi kështu.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Policisë së Kufirit, turistët më potencialë në Shqipëri, kosovarët dhe maqedonasit, i kanë reduktuar hyrjet e tyre në vendin tonë gjatë sezonit veror.

Në periudhën qershor-gusht në vend kanë hyrë 8% më pak shtetas maqedonas se e njëjta periudhë e një viti më parë, me një numër total prej 155 mijë shtetasish.

Ndërkohë është reduktuar edhe numri i hyrjeve të kosovarëve, me rreth 5%, me një total hyrjesh prej 124 mijë shtetasish gjatë qershor-gusht 2009.

Për të shtuar turistët nga këto vende duket se nuk ka mjaftuar as përmirësimi i infrastrukturës, sidomos rruga Durrës-Kukës apo rruga e bregdetit, e gjitha e asfaltuar tashmë.

Duket se Shqipëria vazhdon të mbetet një shtet interesant për t’u vizituar nga të huajt, edhe perëndimorë, por kjo vetëm për 1-2 ditë. Sipas përfaqësuesve të bashkive të qyteteve bregdetare, ata të huaj europianë që kanë vizituar këto vende gjatë sezonit veror, kanë mbërritur nga Greqia për një vizitë njëditore ose kanë zbarkuar me jahtet e tyre për një fundjavë në brigjet shqiptare.

Vendi ynë “dështoi” që të rikthente atë pjesë të turistëve të huaj, maqedonasit, që e piketuan një vit më parë Shqipërinë për një turizëm të plotë 10-15-ditor. Numri i tyre është në rënie, sidomos në gusht, me më shumë se 20%.

Pse dështuam në verën e 2009?

Operatorët turistikë dhe ata bashkiakë rendisin një sërë arsyesh se pse ky sezon “dështoi” të arrinte nivelet e një viti më parë.

Sipas ekspertit të Ekonomisë, Zef Preçi, shumë turistë të huaj janë zhgënjyer kur në një kohë krize globale, në Shqipëri çmimet e hoteleve kanë qenë të njëjta me një vit më parë apo shpesh edhe më të larta. Kjo ka ndodhur në një kohë kur mjaft shtete me potencial turizmin, i kanë ulur çmimet për vizitorët.

Shumë analistë të tjerë e lidhin mungesën e turistëve me një cilësi të ulët të shërbimit në hotele, por edhe në infrastrukturë, transport e më gjerë. Sipas ekspertit Selim Belortaja, Shqipëria nuk mund jetë kurrsesi një vend konkurrues për turistët e huaj, në një kohë kur cilësia në çdo aspekt lë për të dëshiruar dhe është e ulët edhe në raport me vendet e tjera të Ballkanit.

Por gjithsesi ky sezon ka disa aspekte të ndryshme në krahasim me një vit më parë. Ky ishte një vit elektoral dhe për një vend “të ndjeshëm” ndaj këtyre ngjarjeve pritej që të kishte një ndikim negativ në uljen e prenotimeve. Një efekt negativ, sidomos gjatë qershorit, pati edhe moti i vranët dhe me shira, që shoqëroi të gjithë muajin dhe që realisht vonoi nisjen e sezonit veror.

Një efekt tjetër negativ, me ndikim të madh, është infrastruktura, sidomos brenda qyteteve bregdetare. Në qytetin e Vlorës thuajse të gjitha rrugët e brendshme dhe ato që të çojnë deri në Ujin e Ftohtë janë të paasfaltuara. Ky sigurisht është një fenomen që nuk ndeshet nëse shkon të pushosh në Kroaci, Turqi apo Greqi.

“Efekt negativ kanë dhënë oraret shumë të shkurtra për jetën e natës, që largoi atë pjesë të pushuesve që i përket moshës së re”, thotë për revistën, drejtori i Turizmit në Bashkinë e Vlorës, Ilir Metaj.

Pozitive, Shqipërinë po e vizitojnë “perëndimorët”

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Policisë së Kufirit, në total gjatë sezonit veror 2008, në Shqipëri kanë hyrë rreth 594 mijë të huaj, ndërsa këtë vit hynë rreth 600 mijë të huaj. Në qershor-gusht të këtij viti ka pasur një rritje prej 2% të numrit të të huajve që kanë vizituar Shqipërinë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Në grupin e të huajve që kanë rritur hyrjet në vend renditen anglezët, grekët, gjermanët, holandezët, italianët dhe polakët. Ndërkohë numri i maqedonasve dhe i kosovarëve nuk ka shënuar rritje të ndjeshme, megjithëse ata zënë peshën kryesore në totalin e turistëve.

Hyrjet e të huajve në qershor-korrik, 2009

Fakti që në Shqipëri kanë hyrë më shumë të huaj, në një periudhë sezoni veror, është optimist, por sipas ekspertëve të turizmit dhe përfaqësuesve të bashkive kryesore në vend ai ka disa shpjegime. Përfaqësuesit e bashkive konfirmuan se këtë vit kanë pasur në qytetet dhe pikat e tyre turistike shumë turistë të huaj, por vizitat e tyre nuk kanë qenë më të gjata se dy ditë. “Këtë vit, në Sarandë, kemi pasur një rritje të numrit të turistëve të huaj, që kryesisht i kalojnë pushimet në Greqi dhe kanë mbërritur në Sarandë për një tur njëditor. Kemi pasur edhe vizita nga grupe të moshës së tretë, të organizuar nga komuna dhe këto janë kryesisht nga vendet greke pranë Sarandës”, thotë për revistën  drejtori i Turizmit në Bashkinë e Sarandës, Aristotel Bita. Sipas tij, Saranda, ndonëse ka një bregdet të bukur, nuk po arrin ende që të ketë turistë të huaj “full-time”.

Vizitat e shkurtra, deri dyditore, gjykohet të jenë një nga shkaqet kryesore që ka rritur numrin e të huajve në vend.

Një tjetër fakt, që theksohet nga ekspertët, është se numri i të huajve rezulton më i lartë edhe nga hyrja e shtetasve shqiptarë që vitin e fundit përfituan nënshtetësi perëndimore, sidomos angleze, italiane apo greke.

Rritet numri i shqiptarëve në vend

Në total, gjatë qershor-gushtit të këtij viti, në vend kanë mbërritur rreth 1.6 milionë shtetas, rreth 5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2008. Ajo që ka dhënë spunton më të madhe në rritje ishin vizitorët me nënshtetësi shqiptare që gjatë tre muajve i kanë rritur hyrjet e tyre në shtetin “mëmë”. Vetëm në muajin gusht, në vend, kanë hyrë rreth 450 mijë shqiptarë, ndërkohë që për të gjithë periudhën qershor-gusht, numri i tyre ka arritur në 1.06 milionë. Këta shtetas janë kryesisht emigrantë nga vendet europiane, që vizitojnë çdo vit Shqipërinë në këtë periudhë kohore. Sipas ekspertëve të turizmit, mbërritja e emigrantëve dhe shtimi i tyre nga viti në vit, është faktor pozitiv, sepse rrit të ardhurat në ekonomi dhe shton nivelin e konsumit.

“Mburremi” për turizëm, por nuk vjelim taksat

Në një kohë kur qeveria mburret se në vend është rritur numri i turistëve, pak flitet apo mendohet për taksat që duhet të vilen prej tyre.

Një nga taksat më të rëndësishme për turizmin, që vilet në çdo vend të botës, është taksa e fjetjes. Por në Shqipëri, kjo taksë është thuajse në nivelet 0.

Operatorët turistikë që “strehojnë” turistët, ku përfshihen kryesisht drejtuesit e hoteleve dhe shtëpive apo apartamenteve, refuzojnë që të derdhin në arkën e shtetit taksën e fjetjes, prej 5% të çmimit që ofrojnë.

Të gjithë operatorët bashkiakë konfirmojnë se niveli i vjeljes së taksës së fjetjes është në nivele gati qesharake.

“Ne në Sarandë numërojmë rreth 5,000 shtretër në njësitë hoteliere dhe afro 5,000 apartamente që lëshohen me qira për qëllime turizmi, por në shumë pak arrijmë të marrim një taksë fjetje. Kjo vlen vetëm për disa hotele”, sqaron Aristotel Bita, i Bashkisë së Sarandës.

Ndërkohë, në Bashkinë e Durrësit, pranojnë gjithashtu se gati nuk e vjelin fare taksën e fjetjes. Drejtori i kabinetit në këtë bashki, Lavdosh Beqiraj, thotë se kjo taksë arrihet të merret në ato pak hotele të licencuara dhe ndërkohë, as që mendohet që në skemë të përfshihen edhe pronarët e shtëpive që i lëshojnë me qira për turistët. Megjithëse zona e plazhit të Durrësit është e tejmbushur me apartamente për qëllim turizmi, bashkia merr 0 taksa nga ky biznes.

Durrës: Jemi në rritje.

Në bashkinë e qytetit më të madh bregdetar, Durrësit, drejtuesit shprehen pozitivë për treguesit e arritur këtë vit. Sipas drejtorit të kabinetit në këtë bashki, Lavdosh Beqiraj, ky sezon veror ka shënuar një numër më të lartë turistësh se vera e një viti më parë.

“Ka pasur më shumë ardhje të turistëve shqiptarë, kosovarë por edhe të turistëve nga Europa Perëndimore, këta të fundit kryesisht për një periudhë dyditore.

Për ta bërë sa më interesant sezonin, ne kemi rritur edhe numrin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, me qëllim që ta pasurojmë sa më shumë kohën e lirë të pushuesve që kanë zgjedhur Durrësin këtë vit”, shprehet Beqiraj.

Një problem shqetësues për zonën e plazhit në këtë qytet mbetet furnizimi me ujë të pijshëm, i cili mungon me ditë të tëra në çezmat e apartamenteve. Por bashkia thotë se kjo është një përgjegjësi e Ujësjellësit, që është në varësi të qeverisë.

Drejtuesi i Bashkisë së Durrësit nuk e pranon faktin se zona e plazhit, që administrohet nga ky institucion, është e ndotur, kjo sepse çdo ndërtesë që është ngritur aty është kujdesur që të mos derdhë ujërat e zeza në det. Por mjafton të lahesh në këtë zonë në një nga këto ditë të nxehta për të parë me sy të lirë ndotjen dhe ujin e turbullt. Sipas Beqiraj, uji turbullohet nga dyndja e madhe e turistëve dhe mbetjeve që hidhen në port. Projekti për filtrimin e ujit të detit duket i largët për Bashkinë e Durrësit.

Vlorë: U reduktua numri i turistëve

Ky sezon veror duket se nuk ka qenë aspak i mbarë për qytetin bregdetar të Vlorës. Drejtori i Turizmit në Bashkinë e Vlorës, Ilir Metaj, konfirmoi për revistën se numri i turistëve nuk pritet t’i kalojë 260,000 vetë për këtë sezon, më i ulët se një vit më parë, kur numri i tyre arriti në rreth 320,000 mijë vetë.

Sipas Metaj janë një mori arsyesh që e reduktuan numrin e turistëve në këtë qytet.

Koha e zgjedhjeve ishte në një periudhë jo të përshtatshme për turizmin, pasi sakrifikoi rreth një muaj të sezonit veror.

“Një problem i madh në qytet mbetet infrastruktura rrugore, që është tejet e dëmtuar në të gjithë qytetin. Projekti i shtrimit të kanalizimeve të ujërave, që është tashmë në vitin e dytë të zbatimit, ka lënë pezull ndërtimin e rrugëve në këtë qytet dhe ka çuar në gjendjen mjaft të keqe të tyre. Pa përfunduar projekti, që shpresojmë të mbyllet para sezonit të ardhshëm veror, në Vlorë nuk mund të shtrohet as edhe një rrugë”, thotë Metaj.

Një tjetër shqetësim për këtë qytet duket se ka qenë furnizimi me energji elektrike, që nuk ka qenë i vazhdueshëm dhe ka pasur ndërprerje, sidomos në zonën e bregdetit.

“Një pengesë e madhe ka qenë vendimi i policisë për të reduktuar oraret e muzikës. Vlora, një nga pikat e saj të forta, ka pasur jetën e natës dhe këtë vit ajo nuk është zhvilluar thuajse fare, duke sjellë largimin e shumë turistëve”, shprehet drejtori i Turizmit, Ilir Metaj.

Sarandë: Rreth 100 mijë më shumë turistë

Qyteti i Sarandës duket se po mbyll një sezon të mirë turistik për këtë vit. Drejtori i Turizmit në bashkinë e qytetit, Aristotel Bita, thotë se numri i turistëve për këtë vit parashikohet të arrijë në rreth 400,000 nga afro 300,000 vetë që ishin një vit më parë. Ai sqaron se këtë vit ka pasur një rritje të turizmit kulturor, pasi në Sarandë është shtuar numri i vizitorëve në zonat kulturore, si në Butrint, Kalanë e Lëkurësit dhe në Gjirokastër.

“Këtë vit Saranda ka mundur ta rrisë numrin e turistëve si pasojë e shtimit të atyre individëve që kanë ardhur të kalojnë fundjavën, kryesisht nga Tirana dhe Durrësi, por edhe nga turistët e huaj ditorë që e kanë vizituar për një ditë këtë qytet.

Kemi përfituar mjaft nga shtrimi i rrugës së bregdetit, por edhe nga rruga Sarandë-Qafë Botë, pasi ka pasur ardhje nga turistë, kryesisht nga Gumenica, që kanë kaluar një fundjavë në qytet”, thotë Bita.

Në total, Saranda numëron rreth 120 hotele, me një numër mesatar dhomash 25-30, ku më i madhi është hotel “Butrinti” me 76 dhoma. Sot numërohen rreth 5,000 shtretër në këto hotele dhe rreth 5,000 apartamente që lëshohen me qira, kryesisht nga vetë sarandjotët.

“Mund të themi se tashmë Sarandës iu kthye fluksi që kishte dy vjet më parë. Mendojnë se, nëse do të vazhdohet me ndërtimin e aeroportit, do të kemi më shumë turistë se sot. Vetëm atëherë mund të synojmë që të kemi edhe turistë të huaj, me qëndrim afatgjatë”, shpjegon drejtori i Turizmit në Bashkinë e Sarandës.

Turizmi malor, pikë e fortë

Shqipëria është një destinacion i preferuar i të huajve, jo vetëm për rivierën e mrekullueshme, por edhe për turizmin malor. Në një reportazh mbi turizmin në fshatin Theth të Dukagjinit, agjencia e lajmeve “Reuters” vëren potencialin e këtyre zonave të thepisura, të cilat po kthehen në një pikë të preferuar dhe të rekomanduar turistike. Andrej Rapant nga Çekia erdhi në Shqipëri për të provuar diçka të re. Ai donte t’i largohej mbipopullimit të Alpeve në zemër të Europës dhe këtu gjeti gjithçka që dëshironte.

Andrej Rapant thotë se “disa vite më parë udhëtova në Alpet në qendër të Europës, por tani nuk na pëlqen më. Atje ka shumë turistë, shumë njerëz. Tani po kërkojmë për diçka të re të freskët e të pastër. Këtu është më se e natyrshme. Na pëlqen, male të bukura, njerëz të mirë dhe natyrë e mrekullueshme”.

Jana Pachlopnikova, nga Çekia, thotë se është mahnitur nga panorama e maleve dhe mikpritja e shqiptarëve

“Po ta krahasoj me Austrinë apo Zvicrën, shton ajo, mund të them që është një vend më pak turistik, por kjo është gjë e mirë, sepse mund të vish në këto male të pashëtitura dhe të ndihesh mirë me veten dhe natyrën”.

Edhe banorët e kësaj zone, me ndihmën e një agjencie gjermane që nxit turizmin, po i përshtaten më së miri kërkesave të miqve të rinj, duke i kthyer shtëpitë e gurit në bujtina të ngrohta e të mobiluara, që mund të akomodojnë turistët. Çmimi është 20 euro nata dhe ata kanë mundësinë të provojnë ndër të tjera edhe ushqime të freskëta tradicionale.

Rivitalizimi i turizmit malor është një nga projektet më ambicioze të ndërmarra nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Projekti “40 Hanet” ka si qëllim përshtatjen e strukturave të vjetra dhe epike të Shqipërisë në pika akomodimi për turistët, duke shfrytëzuar gjithashtu asetet natyrore dhe kulturën e këtyre zonave. Turistët këtu mund të bëjnë shëtitje në bjeshkë dhe të prekin nga afër bukuritë natyrore, ujëvarat, mullinjtë dhe kullat ngujimit, element ky epik i jetesës shqiptare ku gjatë periudhës së gjakmarrjes strehohej gjakësi.

Çdo udhëtim malor ka rreziqet e veta, por mundësia për të prekur nga afër natyrën e virgjër, për të gjetur qetësi e çlodhje, por edhe aventurën, eksplorimin dhe të papriturat, bën që një udhëtim turistik në Shqipëri t’ia vlejë më së miri.

Morina, bie fluksi i vizitorëve

Ndryshe nga ç’pritej pas përmirësimit të infrastrukturës rrugore, të dhënat e hyrjes së vizitorëve në pikën kufitare të Morinës janë në rënie. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Policisë së Kufirit, nga fillimi i këtij viti deri më 24 gusht, numri i personave që kanë hyrë nga Morina ishte 277, 2 mijë, ose rreth 2% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Numri i personave që hynë deri më 24 gusht të vitit të kaluar ishte 283,3 mijë. Sipas të dhënave, gjatë këtij viti ka pasur një rritje të numrit të të huajve që kanë kaluar nga Morina krahasuar me periudhën e vitit të kaluar. Numri i të huajve që hynë nga fillimi i këtij viti deri më 24 gusht ishte 177,26 mijë persona, ose 4.5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Numri i vizitorëve me shtetësi shqiptare të ardhur nga pika e Morinës ishte 99,974 mijë persona, ose rreth 12% më pak se një vit më parë.

Në nivele më të ulëta se hyrjet paraqitet numri i personave që kanë dalë nga pika e Morinës.

Gjatë këtij viti, sipas Drejtorisë së Kufirit dolën nga Morina rreth 234 mijë persona ose 16% më pak se numri i personave që kanë hyrë nga kjo pikë. Krahasuar me një vit më parë ka pasur një rënie të numrit të daljeve me rreth 6%.

Marre nga Revista Monitor