Historiani dhe Profesori Pëllumb Xhufi kujton në një shkrim për basketbollistin e njohur të viteve ’70, Agim Fagun, rrëfimin e këtij të fundit kur në një ditë dimri të vitit 1979, “kishte nxjerrë “me ceremoni” nga klasa, as më shumë e as më pak, nusen e djalit të Kryeministrit, Mehmet Shehut”.

“E megjithatë, do të ishte një gjykim rrëgjues ta identifikoje Agim Fagun me sportin. Në trurin e tij të programuar me precizion sahati, sporti ishte vetëm një kapitull i jetës dhe erdhi një ditë, kur ai u nda nga aktiviteti sportiv për të vazhduar me prefesionin e pedagogut të gjuhës angleze. Në shkollën e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, kapiteni i dikurshëm i “Partizanit” solli seriozitetin, disiplinën, përkushtimin që e kishin bërë atë kampionin dhe modelin e rinisë shqiptare.

E takova një ditë dimri të vitit 1979 ndërsa dilte nga shkolla me një çehre të irrituar. E pyeta se ç’i kishte ndodhur, e m’u përgjigj se kishte nxjerrë “me ceremoni” nga klasa, as më shumë e as më pak, nusen e djalit të Kryeministrit, Mehmet Shehut. I alarmuar e pyeta se ç’dreqin ishte ngatërruar me “lulen mos më prek” të Bllokut. Thjesht më tha: “Erdhi me vonesë në mësim, hapi derën e fare pa u justifikuar shkoi e zuri vend në bangon e vet. E pyeta pse ishte vonuar. U përgjigj se ishte zgjuar vonë. E ripyeta se përse nuk kërkoi të falur për gabimin. Ajo vetëm ngriti supet duke përtypur çamçakëz. Atëhere e ngrita zërin dhe e urdhërova të dilte menjëherë jashtë dhe të nesërmen të vinte bashkë me prindërit”.

“Ç’prindër, mor derëzi”, i thashë i tmerruar, “ajo prindërit i ka në Durrës, por ruaju se do të të sjellë Mehmetin”!

Por ish-kapitenit të “Partizanit” e të Kombëtares nuk i bëhej vonë. Me drejtuesit e lartë politikë kishte patur vazhdimisht përplasje, dhe akoma më të ashpra do t’i kishte ato në vitet që do të vinin”, shkruan Pëllumb Xhufi për gazetën “Dita”.