Kompanitë që kanë treguar aftësi për të përqafuar punën në distancë dhe për të mbështetur punonjësit nga shtëpia, kanë pasur një imazh më të mirë publik

 

Netflix ka zënë vendin e Google si kompania teknologjike më e dëshiruar për punësim në vitin 2020, sipas Global Brand Health Report.

Në gusht, raporti anketoi më shumë se 4,100 profesionistë në fushën e teknologjisë se çfarë është më e rëndësishme për ta në një ofertë të re pune dhe në një punëdhënës.

Shumë nga kompanitë kryesore kishin mjaft shanse për të qenë të suksesshme gjatë pandemisë, duke pasur parasysh ofertat e produkteve të tyre, si Netflix, numri i abonentëve globalë të të cilit u rrit më shumë se 10 milionë në tremujorin e dytë, pa dyshim ngaqë njerëzit kërkonin të argëtoheshin gjatë karantinës.

Krahasuar me vitin e kaluar, në listën e dhjetëshes, nuk janë më kompanitë që kanë pasur vështirësi në përballimin e efekteve shëndetësore dhe financiare të pandemisë, përfshirë Amazon dhe Airbnb.

Kompanitë që kanë treguar aftësi për të përqafuar punën në distancë dhe për të mbështetur punonjësit nga shtëpia, kanë pasur një imazh më të mirë publik. Twitter hyri në listën e 10 më të mirëve këtë vit, ndoshta falë njoftimit të paparashikueshëm të drejtuesit ekzekutiv, Jack Dorsey, për t’u dhënë mundësinë punonjësve që të punojnë përgjithmonë nga shtëpia. Raporti thekson se pikëpamjet e hapura politike të Dorsey në një klimë të tensionuar politike, mund të luajnë gjithashtu një rol. Sipas Hired, më shumë se gjysma e kandidatëve për punë thonë se pikëpamjet politike të një CEO të kompanisë, kanë ndikim të fortë në vendimin për të pranuar një vend pune.

Një tjetër kompani e re në renditjen e 10 më të mirëve është kompania e IT Gitlab, e cila ka operuar gjithmonë me një fuqi punëtore në distancë dhe ka gjithsej 1,300 punonjës.

Këto janë 10 kompanitë më të mira teknologjike ku njerëzit duan të punojnë më tepër, sipas Hired:

  1. Netflix
  2. GitHub
  3. Google
  4. Slack
  5. Microsoft
  6. Apple
  7. SpaceX
  8. Tesla
  9. Twitter
  10. LinkedIn dhe Gitlab (barazim)

CEO i Hired, Mehul Patel, thotë se puna në distancë do të bëhet më e përhapur me kalimin e kohës. Ai shton se që nga janari, numri i vendeve të hapura për punonjësit në distancë, është trefishuar.

Pavarësisht nga kushtet e pandemisë, “kompanitë po vënë re se punonjësit janë më të lumtur dhe më produktivë kur punojnë në shtëpi”, thotë Patel. “Kur e shohin këtë, kompanitë e kuptojnë se kjo mundësi është një mënyrë e mirë për t’i mbajtur ekipet të motivuara”.

Më e rëndësishmja, shton ai, kjo mundësi do t’i lejojë kompanive teknologjike të përqendruara në qytete të shtrenjta, si San Francisko dhe Nju Jork, që të zgjerojnë grupin e kandidatëve për punë. Përpjekje të tilla nuk janë vetëm një mënyrë e mirë për të përmirësuar biznesin, thotë Patel, por lëvizja mund t’i sinjalizojë kandidatëve për punë se kompanitë janë të gatshme për të diversifikuar një industri teknologjike kryesisht të dominuar nga meshkujt e bardhë.

Sipas raportit të CNBC, gjashtë vjet pasi shumë kompani të mëdha teknologjike filluan të publikonin raporte vjetore të diversitetit, nuk janë bërë shumë përparime për të rritur përfaqësimin e punonjësve me ngjyrë. Disa besojnë se puna më e përhapur në distancë mund të ndihmojë në këtë drejtim.

Përpjekjet konkrete për ta bërë punën në distancë më të zakonshme, mund të kenë një efekt domino në përmirësimin e diversitetit në vendin e punës, ngritjen e moralit të punonjësve dhe një aftësi të fortë për të tërhequr talente të reja, tregon raporti Hired: 64% e të anketuarve thanë se angazhimi i një kompanie për diversitetin, barazinë dhe përfshirjen, ka një ndikim të fortë në vendimin e tyre për të pranuar një vend pune. Për më tepër, dy faktorët kryesorë në refuzimin e një oferte pune janë reputacioni i keq ose kultura e dobët e kompanisë.

Kandidatët për punë thonë se do të dëshironin që kompanitë të ishin transparente në lidhje me barazinë e pagave, të botonin raporte vjetore të diversitetit dhe të punësonin më shumë gra dhe njerëz me ngjyrë në pozicione të larta. Dhe teksa kompanitë përqafojnë punën në distancë, ato gjithashtu duhet të rikonfigurojnë mënyrën se si duken vlerat e një kompanie jashtë ambienteve të zyrës.

Pas pagës, kandidatët thonë se u intereson më tepër mundësia për të mësuar aftësi të reja, kultura e kompanisë dhe lidershipi kur përfshihen në një organizatë. Punëdhënësit mund t’i demonstrojnë këto vlera, duke i kushtuar më shumë orë pune trajnimeve për zhvillimin e karrierës, ose duke u siguruar punonjësve një pagë për të marrë pjesë në konferenca gjatë vitit, thotë Patel.

Një nga shembujt më të mirë që ka parë ai në këtë drejtim, është kompania e komunikimeve Publicis Groupe, e cila krijoi një bord pune të brendshëm për punonjësit e teknologjisë, që të gjenin projekte në divizione të tjera, për të zgjeruar aftësitë dhe për t’u dhënë atyre mundësi të reja. “Kemi vënë re se kompanitë po marrin masa për t’u treguar punonjësve se kjo është një kulturë që investon tek ju dhe i zhvillon aftësitë tuaja”, thotë Patel.

Burimi: CNBC