Moderniteti i jashtëzakonshëm i një prej dramaturgëve më të mëdhenj, Luigi Pirandello, në skenën e Teatrit Kombëtar. Gati nëntëdhjetë vjet pas shfaqjes së parë në Romë, personazhet e kësaj vepre të fuqishme, nuk e kanë humbur apelin e tyre, me arketipet dhe simbolet më të thella të e virtyteve dhe veseve njerëzore. “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” me regji të Mehmet Xhelilit, mes fiksionit dhe realitetit.

Nuk ka dyshim se pirandelianët e “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” përfaqësojnë një nga tekstet themeltare të teatrit italian të shekullit të XX-të. Me këtë komedi hapet, në të vërtetë, një kapitull i çmuar i prodhimit dramatik, të përfaqësuar nga trilogjia e ashtuquajtur e teatrit në teatër (që përfshin edhe pjesët “Secili sipas mënyrën së tij” dhe “Sonte luaj vetë”), kushtuar kryesisht hetimit të konflikteve të pavdekshme që ekzistojnë mes elementeve kryesore të artit teatror, domethënë konfliktet shkrimtar, regjisor, aktor, publik dhe kritikë.Vepër e një ndikimi të madh emocional, e aftë të instalojë ndjenjën e alarmit të thellë tek shikuesit, si për të nxitur atë dhe kritikët, pjesa është luajtur për herë të parë në “Teatro Valle” në Romë në pranverën e vitit 1921, duke shkaktuar menjëherë debat të zjarrtë midis kritikuesve dhe mbështetësve të ndezur të këtij eksperimenti teatror. Ky fat debatues e ka shoqëruar veprën gjatë dekadave, në versionet e panumërta, pak a shumë besnike me origjinalin, të cilat janë propozuar nga kompanitë teatrore në mbarë botën.

“Shembja e personazheve”

Në thelb, besnike ndaj tekstit të Pirandello-s, shfaqja e Teatrit Kombëtar bazohet pikërisht në pushtetin shprehës të fuqisë së analizave psikologjike të figurave simbolike protagoniste dhe mbi aftësinë për të angazhuar shikuesit në procesin krijues, që përbën themelin e artit teatror.
Intriga e shfaqjes është universale dhe e njohur: hiqet murit i katërt, transparent dhe i pakapërcyeshëm, barriera konvencionale midis aktorëve dhe publikut dhe gjendemi menjëherë të mbartur, me realizëm të madh, në provat e vënies në skenë të pjesës “Loja e barabartë” të Pirandellos dhe që në fillim kemi mundësi që të shohim grindjet midis regjisores dhe aktorëve. Por këtu vijnë të papriturat, në skenë mbërrijnë gjashtë figura misterioze, hije të frikshme dhe mbresëlënëse që projektojnë qetësi dhe respekt borgjez tek kompania teatrore, ndërsa prishin përfundimisht planet e saj. Këta individë të panjohur deklarojnë se nuk janë asgjë tjetër veç personazhe, fryt i fantazisë së një autori, i cili pasi i ka krijuar, nuk e ka përfunduar komedinë që u ka kushtuar atyre, duke i lënë ata në një lloj paqartësie pikëllues. Prandaj qëllimi kryesor i tyre është që me pasion dhe këmbëngulje të madhe të gjejnë një regjisor, i cili ofron plotësimin dhe vënien në skenë të kësaj shfaqjeje, në mënyrë që të vendosë më në fund drejtësinë për këtë histori, që ka shënuar edhe ekzistencën e tyre dramatike.
Me synimin për të bindur aktorët që të ndërmarrin këtë udhëtim me ta, fillon historia e këtyre ngjarjeve të dhimbshme, nga mbytja e një martesë të tjetërsuar, nga mungesa e komunikimit në marrëdhëniet me fëmijët, tek gremia e varfërisë dhe një takim i rastësishëm, që çon në një situatë turbulluese, pothuajse inçesti…Të gjitha këto situata sjellin shembjen e këtyre gjashtë karaktereve simbolike (babai, nëna, biri, thjeshtra, i riu dhe vajza e vogël, pjesëtar të kësaj familjeje të shkatërruar nga fati), që rezulton edhe në vdekjen e dy të rinjve (bëhet fjalë për vdekje të vërtetë, apo fiksion skenik shumë të vërtetë? Edhe pse kjo pyetje mbetet në dyshim). Përpjekjet e bëra nga regjisorja dhe kompania e saj për të përkthyer këto ngjarje të dhimbshme në gjuhën teatrale, megjithatë, do të rezultojë tërësisht e pamundur, sepse në sytë e gjashtë personazheve kjo vënie në skenë do të rezultojë artificiale, do të jetë mos respektim i së vërtetës dhe në fund të fundit, shumë respekt për dinjitetin e tyre dhe vuajtjet intime dhe të thella. Perdja mbyllet me shumë pak përgjigje, duke e lënë të pazgjidhura edhe pyetjet më të rëndësishme dhe hedhur një hije dyshimi mbi rëndësinë e teatrit dhe aftësinë e tij për të përkthyer dhe të reflektuar realitetin në mënyrë praktike dhe të vërtetë.

Aktorët dhe regjia

Versioni i pavdekshëm i kryeveprës pirandeliane, ishte një qasje e arrirë e Mehmet Xhelilit, që me siguri do të vlerësohej nga puristët e teatrit të Pirandello-s. Skenografia esenciale, siç kërkohet nga teksti i vetë komedisë pasurohej nga dritat e mprehta dhe të ftohta, që transmetonin në mënyrë të përkyer ndjenjat e ankthit të tensionuar, që tregonin duke nënvizuar momente të rëndësishme të historisë. Një grup aktorësh, të aftë të mbajnë të mbërthyer publikun për dy aktet e gjithë pjesës teatrore.
Shumë shqetësuese, agresive, e dëshpëruar dhe e karakterizuar nga një bukuri tejet agresive dhe joshëse, erdhi interpretimi i thjeshtrës, që u propozua nga aktorja Eftiola Laçka, po kështu meriton një lavdërim të padiskutueshëm babai, si një meritë e padiskutueshme e fatit të keq dhe, në të njëjtën kohë, i etur për të arritur qëllimin lakmuar. E shohim historinë e tij ekzistenciale në një vepër teatrale të cilës i jep trupin dhe shpirtin e tij, Fatos Sela, një aktor i eksperiencave të mira skenike. Gjithashtu meritojnë të përmenden edhe Marjeta Ljarja, e cila në rolin e nënës përfaqëson qetësi të trishtuar, si dhe Suela Konjarin në rolin e vogël dhe fortësisht të kthyer në një karikaturë të paskrupullt, në Madame Paçe.
Mund të flitet për këtë shfaqje për mizanskena preçize dhe të shpenguar, ku të gjithë, në çdo moment janë pjesëmarrës dhe ku aktorët, të gjithë plot pasion janë krijues. Ky fakt buron prej një pune të pjekur mirë e mirë, duke u nisur nga Kureta, Kujofsa, Angjeli, Bozgo, Muka, Xhelili, Hoxha, Konjari, Janushi, Xhangolli, Dhima.
Shfaqja përshkohet nga harmonia e plotë dramaturgjike, realizuar nga kostumografia e Anila Zajmit, që përcakton bukur dramën, karakteret, humbjen, madje edhe ndërtimin e ballafaqimit dramaturgjik, nga skenografia e Genc Shkodranit, që krijon të gjithë ndërthurjen strukturore kohore dhe njerëzore, si dhe përdorimi sundues dhe plot nënvizime të holla dramaturgjike i muzikës së përdorur prej regjisë, e cila i ka dhënë shfaqjes një ritëm të lartë.

Në teatër me Pirandello-n

Ky eksperiment ambicioz, gjysëm teatral, shkruar pothuajse gjysëm shekulli më parë nga Luigi Pirandello godet akoma sot shumë të qartë, duke sjellë qartësisht një nga temat themelore të poetikës së dramaturgut të madh siçilian. Esenca e vërtetë dhe magjia e artit të teatrit konsiston në dhënien jetë të historive dhe karaktereve, që janë pa dyshim më shumë qenie reale njerëzore, me mish e kocka, dramatikisht të destinuar që të mbajnë maska krejtësisht të ndryshme, në kontekstet e ndryshme në të cilat ata gjenden, si dhe të jetojnë me njerëz me të cilët kanë mundësinë të bashkëveprojnë.
“Gjashtë personazhe kërkojnë autor” mbart një gjuhë sa të pasur intelektuale, aq edhe të ngjeshur me veprim e dramaticitet; ajo ka një mënyrë tepër origjinale të servirjes së subjektit: në fillim e çuditshme dhe pastaj e hapur dhe sugjestionuese. Mbart një lëndë të kondensuar, të ngjeshur, intensive, të gjerë. Ajo ka personazhe të larmishme, të pushtuar nga nevoja ulëritëse për komunikim dhe vetëkonfirmim.
“Gjashtë personazhe në kërkim të një autori” është një tronditje për të eksploruar dinamikën e mistershme të procesit krijues dhe përpjekje për të analizuar bashkëjetesën e vështirë dhe bashkimin mes realitetit, ekzistencën, artit dhe vizioneve kontradiktore e paralele që ekzistojnë në botën që u përket individëve. Shfaqja vënë në skenë nga Mehmet Xhelili, është realizuar në të gjithë përbërësit e vet, ndërsa respekton tekstin original, pa deformime, apo veshje me xhingla të kota, por duke i dhënë asaj jetë të re dhe modernitet, në mënyrë që të jetë sa më interesante dhe emocionuese për audiencat e të gjitha moshave, nga njohësit e mirë të Pirandello-s, deri tek shikuesit më të rinj.