Rezultatet tregojnë se pavarësisht situatës ekonomike apo frikës nga infektimi me COVID-19 rreth 36% shqiptarëve deklarojnë se po presin të shkojnë me pushime gjatë muajve korrik-gusht-shtator. Ka edhe nga ata që tashmë i kanë përfunduar pushimet, rreth 2 %. Më tej, vërehet edhe një pjesë e qytetarëve që po presin lirimin e lëvizjes drejt destinacioneve turistike jashtë Shqipërisë për të shijuar pushimet jashtë vendit. Anketa nxjerr në pah se grupimin më i madh i të intervistuarve, kur konsiderojmë pushimet e verës, janë pikërisht ata që nuk do të bëjnë pushime sivjet. Gati 59% e shqiptarëve shprehen se nuk do të bëjnë pushime sivjet.

Për më shumë, IDRA u kujdes të zbulojë edhe arsyet që i pengojnë shqiptarët për të shkuar me pushime këtë vit, duke u ofruar një listë me përgjigje të mundshme. Gjetjet e anketës tregojnë se vetëm 8% e atyre që nuk do të shkojnë me pushime ndalohen nga frika e COVID-19 e cila lidhet ngushtë me shëndetin. Kjo kategori e qytetarëve e konsiderojnë COVID-19 si arsyen kryesore për të anuluar pushimet e kësaj vere. Pjesa tjetër prej 51% që nuk do të bëjnë pushime këtë vit përmendin arsyet e lidhura me detyrimet që kanë me punën, familjen e tjera si dhe arsyen e lidhur me mundësitë ekonomike. Duke shkuar në detaje, rreth 22% deklarojnë se kanë angazhime të tjera pune apo familjare, çfarë ua bën të pamundur të gjejnë  kohën për të shkuar me pushime sivjet. Anketa vë në dukje se pjesa më e madhe e tyre që nuk do të shkojnë me pushime janë ata që nuk kanë mundësi ekonomike, 29% (nuk do të shkojnë me pushime sivjet kryesisht për shkak të pamundësisë ekonomike).

Është me rëndësi të përmendet se rezultati sipas të cilit gjendja ekonomike ngelet shqetësimi kryesor i shqiptarëve në këto muaj është mbështetur edhe nga anketa të tjera të mëparshme që ka realizuar IDRApoll.com.

Ky anketim është realizuar nëpërmjet një kampioni përfaqësues për moshën nga 18 deri në 54 vjeç . Pjesë e këtij sondazhi u bënë 1017 të anketuar me anë të panelit të anketimeve online IDRApoll.com. Toleranca e gabimit për këtë anketim është 3.1% me një interval besueshmërie 95%.