Vetëm dyvendësh dhe me shpejtësinë në gjak: rikthehet miti spider me akrepin mbikofano. Provuam edhe versionin e garave (Rally)

Makinë me karakter, dhe kjo jo vetëm për faktin e zhurmës që del fuqishëm nga marmitat. Ajo vërtetë ndihmon, por fakti është se makina Abarth124ngjall emocione të menjëhershme edhe kur është e ndaluar. E pashmangshme lidhja me të kaluarën, për ata që e kanë parë të eci nëpër rrugë dhe në gara, por edhe për të rinjtë, që kanë dëgjuar të flitet për të. Linja është një shembull i pastër i dizajnit modern: bukuria e një të kaluare të lavdishme, pa asnjë teprim stilistik. Me pak fjalë, një makinë e bukur, e këndshme, tërheqëse, që nuk kalon pa u vënë re.

Për këtë ndikojnë padyshim edhe përmasat e përsosura, të cilat pasqyrohen në ekuilibrin e shkëlqyer të trupit mbi akse, pasi, me dy persona në kabinë, në shpërndarjen e peshës ndihet një epërsi e lehtë në pjesën e pasme. Kabina është e vogël, e mbledhur, gjë që rrallë e hasim në makina të tjera. Në të ka intimitet dhe ndarje pothuajse totale të hapësirës. Sediljet janë të ulëta, vetëm disa centimetra nga toka, ndaj dhe këmbët shtrihen përgjysmë.

Pavarësisht mungesës së rregullimit të aksit të timonit, rehatia arrihet lehtë. Brenda kroskotit të vogël e të mirëformuar, gjendet takimetri, i madh, me numra me ngjyrë të bardhë në sfond të kuq. Disa centimetra më tej në të djathtë, është leva e shkurtër e marshit, e cila vepron direkt tek mekanizmat, e bukur në thjeshtësinë e saj (mund të imagjinohet lehtë ndërsa përzgjedh ingranazhet). Sediljet janë të strukturuara mjaft mirë dhe pedalet me metal të zhveshur duket se nuk presin gjë tjetër veçse të manovrohen (shtypja me majën e thembrës këtu ka ende kuptim). Nuk mbetet gjë tjetër: le të ndezim motorin.

SUSPENSIONET “SI ME POROSI”

Shasia është më pak e ngurtë se sa mund të imagjinohet. Amortizatorët e veçantë Bilstein, me taraturë të ndryshueshme për frekuencat e ulëta dhe të larta, janë shumë efikas jo vetëm në frenimin gjatë ndryshimit të korsisë në shpejtësi, por edhe të aftë të zbusin goditjet gjatë terreneve jo të mirë. Shasia, pra, është e ndërtuar për ecje më shumë në rrugë se sa në pistë, gjëja e duhur për një makinë të këtij lloji. Në modalitetin Sport, përgjigja e motorit është edhe më e gatshme dhe e saktë, sistemi i drejtimit fiton qëndrueshmëri dhe Esp lejon shpejtësi edhe më të madhe. Kjo është mënyra më e mirë për të shijuar modelin 124.

Në sajë të balancimit të mirë të peshës dhe inercisë së reduktuar, hyrja në kthesë është e shpejtë dhe e saktë. Nga kjo pikë e më tej, mund t’i rijepet gaz sipas dëshirës, falë tërheqjes së shkëlqyer e cila garantohet nga diferenciali me vetë-bllokim. Çdo gradë timoni, ndiqet nga lëvizja e pjesës së prapme, e cila tenton të zgjerojë kënd, duke e shoqëruar butësisht makinën deri në daljen nga kthesa. Një kënaqësi e vërtetë, që dyfishohet nga zhurma e katër cilindrave, që siç e thamë, shpaloset pa ndrojtje, madje kur e lëshon, “dhuron” edhe zhurmë më të fortë. Duke shtypur butonin e posaçëm në pjesën e poshtme të kroskotit (i fshehur), Esp mund të çaktivizohet. Një gjë e tillë, është padyshim e këshillueshme të bëhet në pistë: vetëm kështu mund të vlerësohet si duhet shpirti i vërtetë sportiv i kësaj makine.

I shtyrë në limit, dhe i lirë nga kontrollet, modeli 124 ecën në ekuilibër të vazhdueshëm, aq sa drejtohet më shumë me gaz se sa me timon. Ai përgjigjet në mënyrë progresive dhe të parashikueshme, por mbikthimibëhet i prekshëm e real, ndaj duhet të mbahet nën kontroll. Në këtë mënyrë shtohen xhirot dhe kambio me frenat përdoren me më shumë saktësi, duke bërë që drejtimi të duket si një lojë.