Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi javën e shkuar hapjen e garës për operatorët e interesuar lidhur me projektin e Aeroportit të Vlorës që do të jepet përmes procedurës së partneritetit publik privat. Në një listë të gjatë dokumentesh që shoqërojnë këtë procedurë përfshihen mes të tjerave edhe masterplani, studimi i fizibilitetit apo specifikimet teknike të tenderit ku jepen edhe detaje për aspekte të ndryshme të lidhura me këtë projekt. Ministria pranon se vlera e parashikuar e projektit do të jetë rreth 87 milionë euro (saktësisht : 86,638,359 Euro pa TVSH) ndërsa kohëzgjatja e kontratës 35 vjet.

 

Garantohen të ardhurat për 10 vjet

Qeveria ka vendosur gjithashtu që të garantojë të ardhurat e koncesionarit për të paktën 10 vjet nëse ato do të jenë më të ulëta se 138 milionë euro.

Kështu referuar tabelës parashikohet që të ardhurat e garantuara në skenarin bazë për 10 vitet e para të operimit të jenë 9.6 milionë euro në vitin e katërt, 10.3 në vitin e pestë, 11.2 për të gjashtë , 12.1 për të shtatë e kështu me radhë me një kulmim prej 18.6 në vitin e trembëdhjetë nga nënshkrimi i kontratës.Qeveria do garantojë 138 milionë euro të ardhura për 10 vjet për koncesionarin e Aeroportit të Vlorës

Po kështu operatorët ekonomikë duhet të kenë të ardhura neto të konsiderueshme. Ofertuesit potencialë duhet që të përmbushin një listë të gjatë me kushte ku ndër të tjera ajo për vlerën neto. “Ofertuesi, (nëse nuk është Bashkim i Përkohshëm i Shoqërive) – apo filiale të Ofertuesit – duhet të provojë që ka pasur një vlerë neto prej të paktën 100 (njëqind) milion EURO apo ekuivalent gjatë 3 (tre) viteve të fundit fiskale. Nëse Ofertuesi është Bashkim i Përkohshëm i Shoqërive, ai duhet të vërtetojë që vlera e përgjithshme neto e pjesëtarëve të Bashkimit te Përkohshëm te Shoqërive është 100 (njëqind) milion EURO apo ekuivalent gjatë 3 (tre) viteve të fundit fiskale dhe të paktën 80 (tetëdhjetë) milion EURO gjatë gjithë kohës për Pjesëtarin Financiar apo Drejtuesin e Bashkimit të Shoqërive. Vlera neto do të llogaritet: Vlera neto (totali i aktiveve) minus (totalin e detyrimeve)” thuhet në dokument.

 

Si do të zhvillohet zona nga resortet në porte e kantina vere

Masterplani për Aeroportin e Vlorës ndalet në mënyrën sesi do të zhvillohet në total zona pas ndërtimit të Aeroportit të Vlorës në pjesën e Akërnisë. Sipas këtij dokumenti thuhet se janë parashikuar një zonë sportive, një zonë e dedikuar për verë, hotele dhe resorte, një port i vogël i ri, një zonë rezidenciale dhe për agrikulturë, plazh dhe një zonë me pyje. Në pjesën tjetër ndodhet edhe zona e mbrojtur natyrore e Nartës dhe Vjosës.

 

Ku do të vendoset saktësisht Aeroporti i Vlorës

Referuar dokumenteve, Aeroporti i Vlorës shtrihet tek ish aeroporti ushtarak i Mifolit pranë fshatit Akërni, Novosele, Vlorë. Vendndodhja për aeroportin e ri gjendet pranë Lagunës së Nartës, Kriporja e Vlorës dhe lumit të Vjosës. Nga ana jugore ajo kufizohet me Lagunën e Nartës rreth 5 km në vijë ajrore peizazh i mbrojtur natyror. Nga ana perëndimore kufizohet me vijën bregdetare rreth 6.4 km larg në vijë ajrore. Nga ana lindore rreth 200 metra larg ndodhën disa shtëpi të ndërtuara kohet e fundit pas mbylljes se aeroportit (vitet 98-99), ndërsa qendra e fshatit Akrëni ndodhet rreth 500 metra larg pikës më të afërt të perimetrit të zonës të ish-aeroportit të Mifolit. Rreth 3 kilometra larg në vijë ajrore në drejtimin juglindor ndodhen fushat e kripores. Nga ana veriore kufizohet me lumin e Vjosës 3.5. km në vijë ajrore, ndërsa derdhja e Vjosës ndodhet rreth 10 km larg. Vendndodhja e aeroportit ndodhet pranë Lagunës se Nartës dhe është pjesë e zonës Peizazh i Mbrojtur Vjosë-Narte Kategoria e Pestë. Vendndodhja e propozuar e aeroportit është në përputhje me Planin Vendor të Përgjithshëm të Vlorës.

Sipas dokumentit përveç infrastrukturës në aeroport, është shumë e rëndësishme që të ketë një lidhje të mirë rrugore midis qytetit, autostradës dhe aeroportit për të siguruar që udhëtarët do të vijnë në kohë në aeroport nga njëra anë dhe nga ana tjetër për të rritur zonën e mbulimit të aeroportit. “Aktualisht rreth 2 kilometra nga aeroporti ndodhet autostrada rrugore Fier – Vlore. Kjo autostradë ka hapësirë për lidhje me rrugën e aeroportit të ri” nënvizon MIE.

 

/MONITOR.AL