Sportisti që bëri legjendë në mbretëreshën e sporteve, atletikën mes kujtimeve dhe nostalgjisë për kohën kur këtij sporti i kushtohej shumë rëndësi dhe trishtimit për të sotmen që ky sport ka humbur krejtësisht.

I lënë i papunë nga shteti shqiptar por i vlerësuar nga ai grek si përgatitës i trainerëve të atletikës së shtetit helen

 

Nëse do të kujtonte rininë, ndërmend do t’i vinin vetëm vite e kujtime të bukura. Por nëse do t’i hidhte sytë nga aktualiteti dhe realiteti që e rrethon, aty nuk do të gjente asgjë, kurrëfarë shprese për pasionin dhe sportin që dikur e bëri mjeshtër.

Ajet Toska është një nga figurat e sportit shqiptar dhe mjeshtër përsa i përket sportit të veçantë të hedhjes së çekiçit. Që në moshën 18 vjeçare i është dedikuar këtij sporti,

duke u ushtruar me shumë përkushtim në vite, pavarësisht kushteve të vështira që e kanë karakterizuar këtë gjini. Ka thyer 17 herë rekordin kombëtar dhe fakti mbetet ende në fuqi.

Duket se gjithçka që e mban të gjallë shpresën e tij, për t’i dhënë ende jetë këtij sporti, janë medaljet dhe arritjet e vazhdueshme.

Kushtet tejet të vështira, thuajse të pamundura për të zhvilluar më tej sportin e atletikës janë një panoramë që Ajeti e kanë bërë të ndihet pesimist e ndoshta edhe më keq.

Me keqardhje ai flet për indiferentizmin që politika shqiptare ka treguar ndaj sporteve, apo shfrytëzimin e tyre në momente të caktuara fushatash elektorale. Aq i rëndë është ky realitet sa dhe dy fëmijët e tij Rei dhe Enxhi u duhet të ëndërrojnë më pak për sportet me të cilat merren.

Zgjidhja e vetme do të ishte largimi në një vend tjetër, atje ku shpresat, mundësitë dhe e ardhmja janë krejt ndryshe. Kjo është ajo që Ajeti, po keqardhje, do të donte për fëmijët e tij.

 

Intervista

 

Z.Ajet, cilat janë kujtimet më të bukura të sportit?

Medaljet janë ato që mbahen mend më shumë por sidomos rekordet. Gjatë karrierës time sportive kam thyer vazhdimisht rekordin në sportin e hedhjes së çekiçit. E kjo ishte sfida ime në çdo garë që merrja pjesë, të thyeja rekordin e mëparshëm.

Mbahet mend më mirë thyerja e rekordit të parë apo ajo e fundit?

Natyrisht rekordi i parë sepse është një rezultat që nuk e parashikon dhe arritja e tij të befason dhe të lumturon ndaj dhe nuk harrohet. Aq më tepër që atëherë isha shumë i ri. Vetëm 18 vjeç dhe në atë moshë një rezultat i tillë të jep optimizim jo vetëm për sportin.

Ka ndryshim të madh

midis atletikës sot dhe në kohën e diktaturës?

Padyshim ka një ndryshim shumë të madh. Atëherë me gjithë të metat që kishte ai sistem sportit i kushtonte shumë rëndësi. Ashtu si dhe artit por sportit më shumë. Ushtrohej shumë dhe për sportistët kishte më tepër impenjim

sepse konsiderohej si një element i domosdoshëm për identitetin e ndjenjës kombëtare. Ishte politika e asaj kohe që bënte gjithçka që të rinjtë të merreshin me sport. Ndoshta edhe për t’u mos u marrë më gjëra të tjera.

Kishte 13 mijë klasa sportive në të gjithë vendin. E imagjinon se çdo të thotë kjo? Kurse sot sporti në përgjithësi por sidomos atletika lë shumë për të dëshiruar.

Çfarë ndodh sot?

Për të kuptuar se çfarë ndodh sot po i kthehem edhe njëherë të kaluarës. Atletika ka patur 34 disiplina që sot i shohim shpesh në garat ndërkombëtare dhe në olimpiada. Duke filluar nga garat e shumta të vrapimeve të gjata e të shkurtëra

në hedhjen e çekiçit, të diskut, në kërcim së larti, kërcim së gjati, trehapësh, kërcim me shkop, hedhje shtize, 10-garësh, etj. Dhe në të gjitha këto disiplina kishte një numër të madh sportistësh që garonin,

merrnin pjesë në aktivitetet e shumta kombëtare por edhe ndërkombëtare. Ashtu siç kishte dhe shumë sportistë të shquar si Pavlina Evro, Anila Mekshi, Gjergj Ruli, Klodeta Gjini etj. Sportistë që ishin “legjenda” për kohën.

Duket se e kaluara është një e tashme për ju?

Nuk ka si të jetë ndryshe kur atletika mbahet vetëm me të kaluarën dhe mua personalisht ajo periudhë sportive, edhe pse e varfër dhe pa shpërblime, por e mbushur me frymë gare dhe sportive,

të moralshme dhe të shëndetshme më mban gjallë e më jep jetë edhe sot, pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar. Sepse sporti i atletikës sot është një dramë. Askush nuk e mbështet.

Nga qeveria dhe ministria përkatëse ka rënë interesi për këtë sport dhe mbahen vetëm me futbollin dhe problemet e tij. Mund të them pa ekzagjeruar që sot atletika është në një gjendje të turpshme.

Nuk ka asnjë mbështetje dhe kjo ka bërë që tek të rinjtë jo vetëm të humbi interesi por edhe të harrohet fare. Nëse në kohën time kishte 20 hedhësa çekiçi sot nuk ka asnjë.

Ashtu si nuk asnjë në shumë disiplina si ato që përmenda më parë. Atletika është sporti më i vjetër i botës. Sot në të gjithë globin konsiderohen si “mbretëresha e sporteve” dhe këtu në Shqipëri këtij sporti kaq fisnik i mungon tërësisht gjithçka.

A ka te ne ambiente për sportin e atletikës?

Mungojnë pothuaj tërësisht. Edhe nëse të rinjtë do ta kishin pasion nuk ka terrene sportive më për këto sporte, të cilët nuk kërkojnë vetëm një fushë me bar si futbolli. Këto sporte kanë nevojë për kushte që të të stimulojnë dëshirën dhe pasionin.

Për mos të folur për shpërblimet që janë pothuaj të papërfillshme. Po ju them një shembull. Buxheti i qeverisë për sportin është shumë herë më i ulët sesa ai për Rininë që menaxhon Ministria e Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Në këtë Ministri sektori i sportit zë një vend më pak sesa plotësues.

Pse kaq pak vëmendje nga ana e qeverisë?

Kuptohet që nga përfshirja në një ministri që mban këtë emër. Por gjithashtu unë nuk di që kryeministri i vendit të ketë një këshilltar për sportin. Po ashtu edhe ministri. Indiferenca është shumë e madhe e për këtë të vjen keq.

Heqja e vëmendjes n

daj sportit, në përgjithësi dhe atletikës në veçanti, ka qenë një nga “sëmundjet” e kohës së demokracisë. Mendoj se sot nuk ka njerëz që e bëjnë punën apo sportin me pasion dhe përkushtim, pra për rezultate.

Sot duhesh të jesh i zoti për të vjedhur e për të qenë militant i një force politike edhe për të patur një vend pune në federatë.

Ju, një mjeshtër sporti që në moshën 23 vjeçare, ndërsa sot jeni i papunë.

E kam marrë këtë titull që në vitin 1984, në atë moshë që përmendët ju. Isha shumë i ri dhe e kujtoj me nostalgji kur morra këtë titull. Kur u shkëputa nga sporti për efekt të moshës pa punuar edhe si drejtues.

Kam qenë sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Atletikës. Më pas më kaluan në specialist po në këtë federatë. Por kam afro një vit që jam i papunë sepse më larguan fare. Tani jam në kërkim të punës dhe e dini se cila është puna që më është ofruar?

Shofer autobusi nga një firmë private për të më ndihmuar…(qesh).

Po cila ishte arsyeja që ju larguan?

Me ardhjen e një drejtueseje të re, sportistes Klodiana Shala, sipas saj u bë një organizim i ri i strukturës ku unë dola i tepërt. Besoj se më kuptoni. Janë nga ato format e buta për mos të të thënë “je i pushuar nga puna”.

U përpoqa të merrja vesh arsyen por më thanë që ishte urdhër nga kryeministri edhe pse nuk besoj se kryeministri në morinë e punëve të tij do të merret edhe me vendin e punës të një specialisti të thjeshtë të një ministrie.

Jam përpjekur të vë në dijeni edhe kryministrin për këtë, por nuk kam patur asnjë përgjigje. Kur ndërkohë në Ministrinë e Sporteve punojnë njerëz që nuk kanë dhënë asnjë lloj kontributi dhe sot bëjnë politikat sportive.

E ke menduar që po të kishe këtë sukses sportiv jashtë sot do të ishte ndryshe?

Shumë herë. Kam menduar që sot do isha një person i vlerësuar jo vetëm moralisht për karrierën time sportive por edhe materialisht. Mendoj se është fatkeqësi që kam jetuar në Shqipëri.

Si për sistemin e mëparshëm ashtu edhe për këtë. Por sidomos në këtë ku sportet individuale u është kushtuar aq “rëndësi” sa të mos ekzistojnë më.

Gjatë diktaturës, kur ndodheshe për gara ndërkombëtare, të shkonte mendja të arratiseshe?

Po. Por nuk është se e kam dashur ta bëja. Shikoja sportistët e vendeve të tjera që ishin shumë të vlerësuar edhe do të doja por nuk mundja. Po ju kujtoj një rast. Në vitin 1985, kur unë isha në kulmin e karrierës sime sportive dy sportistë të shquar,

Anastas Kondo dhe Xhelal Sukniqi nuk u kthyen më pas një turneu në Poloni. Familjet e tyre u persekutuan. Dhe pasojat që do të kishin familjarët e mi më bënin që ta hiqja nga mendja edhe idenë më të vogël për t’u mos u kthyer më në Shqipëri.

Po me demokracinë?

Kur ndodhën ndryshimet demo- kratike unë isha në një formë të mirë sportive edhe pse vitet kishin filluar të shtoheshin, (qesh). Në 1987-ën vendosa rekord mesdhetar në Lojërat Mesdhetare që u zhvilluan në Siri.

Po ashtu kisha arritur rezultate të larta ballkanike. Por unë si dhe të tjerë mendonim se realiteti këtu do të ndryshonte për mirë edhe në drejtim të sporteve dhe do të kishim një perspektivë të mirë duke qëndruar në vendin tonë.

Madje kur u largua nga të parët Pirro Dhima, që ende nuk kishte arritur rezultate botërore sikur nuk e aprovuam. U quajt atëherë “tradhëtar” jo vetëm nga opinioni por edhe nga mediat. Pak duan ta kuptojnë se ai sportist,

me rezultatet e tij i bëri më mirë shqiptarëve sesa po të kishte qëndruar këtu. Sidomos atyre dhjetra mijërave që kishin emigruar në Greqi, sepse rriti imazhin e shqiptarit, pavarësisht se çfarë thuhej për kombësinë e tij. Duke mos dashur të tradhtoj askënd, tani në retrospektivë mendoj se kam “tradhtuar” vetveten.

Jeni martuar fare i ri?

Atëherë ashtu ishte koha. E njoha bashkëshorten time, Teutën kur ishte ende studente në shkollën e mesme dhe ishte një dashuri e menjëhershme. Isha 19 vjeç kur u martova dhe krijova familjen time.

Lindi Enxhi vajza e pas disa vitesh djali, Rei. Emrin e vendosa nga një këngë e Mick Jagger, këngëtarit rock që e pëlqeja shumë kur isha i ri.

Të dy fëmijët sot studiojnë në Akademinë e Sporteve…

Jam shumë i kënaqur që të dy janë sportistë dhe studiojnë për sport. Vajza Enxhi, kur ishte 15 vjeçe më surprizoi kur më tha se ishte regjistruar në hedhje çekiçi. Vazhdoi disa vite duke marrë pjesë edhe në aktivitete ndërkombëtare.

Por më pas edhe me këshillimin tim, duke parë mungesën e interesit dhe perspektivën e këtij sporti këtu tek, vendosi të shkëputej. Ndërsa Rei, edhe ai atlet, është kampion kombëtar në Kërcimin së Gjati. Është i talentuar dhe besoj se do të arrijë rezultatet e duhura për të marrë një ftesë në Olimpiadën e Londrës.

Sa i këshillon fëmijët për sportin?

Janë ata që më kërkojnë shpesh këshilla. Por Rei, që aktualisht merret me sport, nëse do t’i ofrohej ndonjë mundësi për të marrë pjesë me një ekip të huaj patjetër, nisur nga realiteti këtu, do ta këshilloja që të largohej nga Shqipëria.

Me keqardhje?

Me pak keqardhje dhe me shumë bindje. Po ju tregoj një rast. Kur ndodhesha në greqi takova Vojsava Kiën, një shqiptare që ishte kampione greke në Hedhje Shtize. Atëhere isha sekretar i federatës dhe i thashë të kthehej e të garonte për Shqipërinë.

“Më thuaj çfarë më ofron”, më tha “dhe unë vij”. Natyrisht duke ditur buxhetet tona të sportit unë nuk u ndjeva më dhe kuptova edhe absurditetin e pyetjes sime.

Ndaj dhe për Rein do të doja që ai të sistemohej në një ekip të huaj që e ardhmja e tij të mos ishte si kjo e imja dhe përgatitja e mundimi një ditë mos t’i shkonin kot.

Ke thyer 17 herë rekordin kombëtar dhe mbetet ende në fuqi. Ju jep kënaqësi?

Më jep kënaqësi dhe keqardhje. Kënaqësi sepse qysh unë e kam thyer për herë të fundit kanë kaluar shumë vite. Ndodhi në Lubjanë ku unë theva për të 17-ën herë rekordin tim të mëparshëm duke arritur rezultatin 75,92 m.

Ky rezultat mbetet si rekord ende sot pas 25 vitesh. Them me keqardhje sepse ky sport nuk ushtrohet më dhe nuk ka të rinj që ta kenë si ambicje garën e hedhjes së çekiçit. Mbetet një kujtim i së kaluarës.

Po mediat si i trajtojnë problemet e atletikës apo merren vetëm me futbollin?

Dikur media i jepte shumë rëndësi këtyre sporteve dhe kanë luajtuar shumë rol në masivizimin e tyre. Sot përmenden fare pak dhe nuk u kushtojnë rëndësi problematikave të sportit.

Si ato të shkruara dhe ato elektronike kanë anëshmëri politike dhe më këto ngjyra e shikojnë edhe sportin. Ashtu si edhe qeveria e administrate, shikojmë edhe sportistët me ngjyra të kuqe ose blu.

Kur sporti dhe arti janë dy profesione që nuk kanë politikë. E nëse me art edhe mund të bëhet politikë, me sport kurrsesi që jo. Ndaj dhe e quaj shumë të gabuar këtë realitet tonin, ku sportit e sportistëve u vishen ngjyrime partiake.

Pra politika nuk ju “harron”?

(Qesh), nuk na harron jo. Sidomos kur bëhet fjalë për fushatë elektorale që të gjitha të kërkojnë e i bien telefonit sepse të duan nëpër mitingje e takime elektorale duke shfrytëzuar popullaritetin e një sportisti.

Pastaj të bëhen edhe si miq e të japin edhe numrin që t’i takosh sa herë të duash. Por pas takimit jo numrin që e kanë harruar por bëjnë sikur nuk të njohin më. Kjo është e turpshme.

Je pak optimist për atletikën shqiptare?

Jam pesimist për 20 vitet e ardhshme. Duhet kohë dhe një brez që të ndryshojnë gjërat për mire, që edhe sporti i atletikës në vendin tonë të zërë atë vend që meriton e të rinjtë ta dashurojnë e ta praktikojnë.

Po një dëshirë?

Që Shqipëria të kishte terrene e ambiente sportive aq sa ka salla bixhozi. Në këtë rast Ministria e Shëndetësisë do të kishte më pak punë për tendera ilaçesh, (qesh).

Po një shpresë sado të vogël?

E vetmja shpresë është që këtë intervistë të bërë për Revistën Shqip ta lexojë edhe ndonjë politikan e të reflektojë për të ndihmuar këtë sport. Për të ndihmuar “mbretëreshën e sporteve”.

Jam pesimist për 20 vitet e ardhshme. Duhet kohë dhe një brez që të ndryshojnë gjërat për mire, që edhe sporti i atletikës në vendin tonë të zërë atë vend që meriton e të rinjtë ta dashurojnë e ta praktikojnë.

Sot duhesh të jesh i zoti për të vjedhur e për të qenë militant i një force politike edhe për të patur një vend pune në federatë.

 Nga: “Arjan Konomi”