Verria na kujton rrugëtimin e tij në kinematografinë shqiptare, punën në Teatrin e Vlorës, bashkëpunimet në role me artistë të mëdhenj, vështirësitë dhe aventurat profesionale, pasionin për filmin dhe një peng. 75 vjeç, aktori ëndërron rolin e një dashnori, ndryshe nga “Kapedani” që jemi mësuar të shohim prej dyzet vjetësh

 Aktor i vetëm i kinematografisë shqiptare qysh prej fillimeve të saj që ka ditur të ndërtojë role karakteresh  tepër të vecantë e me mjeshtëri artistike.

Tipari dallues që e bën Albert Verrian unik është realizimi i situatave komike nëpërmjet një interpretimi dramatik.

Asnjë si ai di ti japë një karakteri të egër dhe të vrazhdë nota humori duke i bërë rolet e tij të dashur për publikun e të gjitha kohërave

Të gjitha rolet qofshin komikë ose jo duhen konsideruar si dramatikë. Sa më dramatikë të jetë personazhi aq më mirë vjen

 

Në teatër apo komedi aktori kurrë nuk duhet ta mendojë që po luan komedi, përkundrazi duhet t’i japë rolit elementin e duhur dramatik

 

Sa herë që publiku e kujton personazhin e Xha Sulos i shkon ndërmend plaku kapriçoz, i padurueshëm dhe shumë maskilist, por që me batutat e tij të bën për të qeshur pafund e natyrisht është e vështirë ta harrosh atë.

Po aq interesant në personalitetin e tij është edhe aktori që e interpreton atë, Albert Verria. Aktori dinjitoz i cili ka gdhendur një larmi karakteresh në celuloidin e kinemasë shqiptare e që kujtohet për të gjitha rolet e tij.

Mes tyre do të përmendnim filmat si “Përse bie kjo daulle”, “Kapedani”, “Brazdat”, “Operacioni i zjarrit”, “Shpërthimi”, “Shtigje lufte”, “Në fillim të verës”, “Thirrja”, “Koncert në vitin 1936”, “Goditja”, “Agimet e stinës së madhe” e shumë të tjerë pa harruar dhe role të arrira në teatër.

Intervista

Zoti Verria besoj se nuk ka fat më të madh në jetë se të jesh artist. Ju keni xhiruar filma që tashmë transmetohen pas dyzet vitesh, dhe është nostalgji e privilegj t’i shohim.

Më mbushen sytë me lot kur kujtoj fjalë të mira dhe konsiderata nga brezi në brez, unë kurrë në jetën time edhe si aktor nuk i kam vënë qëllim vetes të mbetem i gjallë edhe pas vdekjes.

Unë kam punuar me mish e me shpirt për të nderuar në radhë të parë veten time dhe më pas familjarët apo miqët e mi. Pa modesti më bëhet qejfi kur edhe mbesat, apo nipërit e mi krenohen e kujtojnë rolet e mia.

Vendlindja juaj është Fieri, por jeta juaj është e lidhur me qytetin e Vlorës.

Jam shumë krenar që kam lindur në Fier dhe jam rritur atje.I vogël shkoja në amfiteatrin e Apollonisë, ulesha në shkallët e teatrit dhe mendoja se sa e sa pjesë janë luajtuar aty.

Autorë si Euripidi, Sofokliu, Eskili, Aristofani apo të shumë dramaturgëve romakë. Por mendoja që mes tyre kanë luajtur edhe ilirët, e kjo më bënte të zhvilloja imagjinatën, e kështu mendoja që arti skenik mund të bëhej promotori im i jetës.

Megjithatë edhe pse ju tërhiqte bota e skenës dhe artit ju studiuat zooteknikë në shkollën e mesme.

Kur isha në shkollën fillore profesori i letërsisë më jep rolin kryesor, të Miçurinit të vogël. Miçurini, siç dihet, është një botanist i madh rus dhe ai në një pemë si mollë apo ftua shartonte lloje të ndryshme frutash.

Shurini, ky fëmijë i vogël donte të ndiqte teorinë e Miçurinit dhe arriti që në një pemë të vogël ftoi të bënte mollën  dhe dardhën. Pasi mbaroi pjesa e cila nuk zgjati më shumë se 15 minuta, doli shumë mirë, të gjithë shokët e mi po më thërrisnin “Shurini, Shurini!”.

Unë përsëri nuk po e kuptoja kjo do ishte rruga ime për të ecur në art apo do ishte ndonjë tjetër. Sepse në atë periudhë më pëlqente shumë dhe arkeologjia.

Është i lindur talenti, si mendoni ju zoti Verria?

Po ja përmendët pak më parë që kam mbaruar dhe shkollën e mesme për zooteknikë. Me thënë të drejtën e kam studuar atë shkollë me mish e me shpirt pasi mendoja që do të ishte drejtimi im.

Isha shumë i zoti dhe më pëlqente ta studioja. Por më vonë konkurrova për aktor në shkollën e parë që u hap në Shqipëri në vitin 1959 dhe fitova. Klasa e parë do të kishte 16 veta, ku katër prej studentëve do të vinin nga filmi që ishte luajtur në Rusi, “Furtuna”.

Aty erdhën shumë emra të njohur të dramaturgjisë dhe filmit shqiptar.

Ka profesione të ndryshme që arrihen mirë nëse punon apo studion shumë. Ndërsa arti nuk është i tillë. Nëse nuk ke talent në art nuk ia del dot.

Ke shumë të drejtë. Pasi mund të ketë shumë që kanë studiuar mjeshtërinë e aktorit por nëse nuk e ke talentin e lindur, mund të mos bëhesh dot aktor.

Megjithatë përkushtimi, intuita, forca për të vazhduar gjithmonë në drejtimin që ke zgjedhur, sigurisht përveç talentit, të ndihmojnë të bëhesh i aftë. Unë më tepër jam aktor intuitiv sesa racional.

Mund të na e shpjegosh pak? Çdo të thotë? 

Racionalja mua më ndihmon për të kuptuar fjalët dhe vetë rolin në tërësi. Më ndihmon për të kuptuar logjikën e rolit dhe marrëdhënien mes meje si aktor dhe personazhit që duhet të luaj.

Ndërsa intuita mua më ndihmon të vizatoj gjithë figurën e karakterit që do të vesh. Për ta thënë me fjalë të thjeshta intuita është baza e mjeshtërisë së aktorit, edhe racionalja ka rëndësinë e saj,

por aktori nëse nuk ka intuitë nuk mund të interpretojë rolet dhe figurat sa nga njëri personazh te tjetri.

Gjithmonë kam marrë role të vogla që shpalosin karaktere të fuqishme, episodike. Kam luajtuar edhe role të mëdha, por rolet e vogla më kanë ndihmuar t’i kuptoj dhe t’i përcjell më mirë.

Rolet e mëdha të godasin vetë, ata janë heronj, dhe puna për t’i sjellë nuk është aq e vështirë sa për rolet e vogla.

“Kapedani” edhe pse është xhiruar para dyzet e ca vitesh, vazhdon dhe ndiqet me admirim edhe nga brezat e tanishëm, e batutat e të cilit janë mësuar përmendësh.

Është e vërtetë. Edhe unë ndjej sodisfaksionin tim, që filmi edhe sot e kësaj dite jepet nga shumica e televizioneve, dhe ndiqet me interes. Ky rol tek unë erdhi spontanisht.

Ne si teatër kishim për të dhënë një shfaqje në Teatrin Popullor dhe atë ditë që zbrita nga treni takova Ismail Çapjakun, i cili tashmë nuk jeton më, më dha skenarin.

Çfarë ndjesie pate kur more skenarin dhe fillove ta lexoje?

Nuk e lexova fare skenarin. Lexova vetëm rolin që do realizoja në kinoprovë.

Para se të shkonit në kinoprovë, kur e lexuat çfarë ndjesie patët për personazhin?

Gjëja e parë që mendova ishte që meqë më erdhi ky shans duhet ta bëja me mish e me shpirt për të nxjerrë atë që duhej. Dola të Parku Rinia karshi Dajtit. E merrja tekstin e mësoja me mend dhe fillova ta interpretoja me veten time.

Njerëzit që më shihnin teksa kalonin, mendonin që ky mund të jetë ndonjë budalla apo i çmendur. Absolutisht që nuk i vija re fare, më pas mora autobusin dhe shkova në kinostudio. U futëm në kinoprovë.

Gjatë kohës që bënim grimin erdhën dy regjisorët dhe zhvillova kinoprovën me një audiencë prej 70 apo 80 vetave.

Ishte e vështirë për ju të interpretonit Xha Sulon i cili ishte një plak rreth të  70-tave, ndërsa ju ishit vetëm 32 vjeç?

Kjo është e vërtetë. Megjithatë unë u mundova që të përshtatesha më së miri me personazhin. Xha Sulo ishte një personazh me mbeturina patriarkale, dhe shumë konservator ndërsa tek unë nuk ekzistonin këto gjëra.

E dyta, përsa i përket moshës   ai ishte i madh ndërsa unë i ri dhe kjo ishte tjetër gjë. Xha Sulo i urrente gratë  ndërsa unë nga natyra i dua gratë. Me thënë të drejtën jo vetëm nga pamja por më pëlqejnë dhe fizikisht.

E shikoni ndonjëherë kur e transmetojnë kanalet e tjera televizive, këto lokale për shembull?

Po e shikoj. Por kam nipërit dhe mbesat e mia të vogla që më shikojnë mua gjatë gjithë kohës që filmi është në transmetim. Dhe mendojnë se si jam aty pranë tyre dhe se si dal në televizor.

Pas përfundimit të studimeve ju u emëruat në Teatrin e Vlorës në vitin 1963.

Mund të them se kam qenë me fat të punoj në këtë teatër. Dhe ka qenë një nga teatret më me traditë të zhvilluar edhe në atë kohë. Ai mori një profesionalizëm të gjerë, pasi filluan të viheshin pjesë të shkëlqyera me kalimin e kohës.

Përveç kësaj duke qenë edhe pjesëmarrës aktiv në kinematografi kam punuar dhe me emra të tjerë shumë të njohur të regjisurës shqiptare.

Gjithë kjo eksperiencë me emra të mëdhenj më ka ndihmuar të formoj bagazhin tim si aktor dhe të analizoj më thellë gjithë karakteret që më duhej të interpretoja.

Si koncept i punës time kam pasur idenë që çdo rol ta punoja me shumë punë dhe shpirt derisa ta nxirrja të përkryer, edhe kur bëhej fjalë për role episodikë.

Do kishit dashur të kishit qenë në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe jo të Vlorës?

Me thënë të drejtën e kam pasur këtë mundësi të isha në Teatrin Popullor të Tiranës por nuk kam pranuar. Nuk kam pranuar sepse në Teatrin e Vlorës unë gjeta një kolektiv të mrekullueshëm.

Zoti Verria, duke parë rolet tuaja shohim se ju keni një mjeshtëri artistike ku dallon aftësia për t’i bërë dramatike rolet edhe kur ata janë komikë.

Ose ndodh që të na bëni për të qeshur edhe pa qeshur vetë siç ndodh me shumicën e aktorëve komikë.

Para se të përgjigjem, më lejo të bëj një parantesë duke dalë jashtë modestisë sime. Kur i shoh rolet që i kam bërë shpesh them me vete “pse unë i kam bërë këto?” më duket e pabesueshme ose sikur i ka bërë dikush tjetër.

Ndërsa përsa i përket elementit komik që unë i jap rolit duhet të theksoj një fakt shumë të rëndësishëm: të gjitha rolet qofshin komikë ose jo duhen konsideruar si dramatikë. Sa më dramatikë të jetë personazhi aq më mirë vjen.

Për shembull, te Xha Suloja kurrë nuk kam menduar që ai është komedi. Kam qarrë hallin tim, nuk doja që një grua të bëhej kryetare e kooperativës, doja patjetër që të ishte një burrë. Dhe jo vetëm këtë, por çdo grua e shihja me përbuzje dhe këtë e bëja me shumë seriozitet.

Dhe në teatër apo komedi aktori kurrë nuk duhet ta mendojë që po luan komedi, përkundrazi duhet t’i japë rolit elementin e duhur dramatik.

Rolet më të vështira në fakt mbeten rolet e karakterit. Dhe ju kë do quani të tillë?

Për mua janë të gjitha, pa përjashtim. Në shumë role edhe kam vuajtur, si për shembull te Soll Lili (Agimet e stinës madhe) jemi futur në kënetë në orën shtatë të mëngjesit dhe kemi qëndruar aty deri në shtatë të darkës.

Mes shushunjave dhe nepërkave. Duke ecur me orë të tëra nëpër ato ngushtica të vogla, në errësirë, ku mund të mbeteshe brenda. Duke menduar pastaj që në atë kohë nuk kishte as efekte kompjuterike dhe çdo gjë bëhej për së gjalli.

Në filmin “Operacioni i zjarrit” kujtoj që më janë hedhur pesë bote të mëdha me ujë. Në fakt rolet janë akte që bëhen në kolektiv, nëse ti nuk e bën mirë apo unë duhet t’i kthehemi disa herë aktit, e të xhirojmë derisa të gjithë të kenë arritur perfeksionin.

Por kishte një disiplinë të fortë gati të hekurt artistike.

Duket që qëndrojnë fort në shpirtin tuaj edhe kinemaja dhe teatri?

Vlora ç’është e drejta më ka dhënë të gjitha llojet e kënaqësive. Më ka dhënë mbi të gjitha respektin. Kudo që shkoj dhe ulem për të pirë kafe nuk e di se nga më vjen kafeja, se kush e paguan.

Spektatori mbetet i mrekullueshëm dhe është gjynah që të neglizhosh me krijimtarinë tënde kur ai të respekton vërtet. Këto figura dhe karaktere, që tashmë janë stamposur në celuloid më japin shumë kënaqësi.

Rolet tuaja të cilat edhe kur ishin episodikë ishin aq të veçantë dhe të rrallë në tipologjinë e tyre, ishin shkruar pikërisht për ju apo ishit ju që i bënit të tillë?

Jo ishte vetë regjisori që e caktonte dhe e fiksonte më parë, që ky rol i shkon për shtat vetëm Albert Verrias. Madje ka pasur role që unë nuk bëja kinoprovë fare. Unë isha i përkushtuar dhe i dhënë me shpirt pas kësaj punë ndaj dhe rolet dilnin origjinalë.

Më japin shumë kënaqësi dhe dashuri sa herë që i shoh por dua të them diçka. Këto role që i kam bërë nuk i bëj dot më.

Në ç’kuptim?

Unë jam i gatshëm dhe mund të bëja shumë role të tjera por të riinterpretoja edhe një herë ato role që kam bërë nuk i bëj dot më. Sikur të më thonë të bëjmë edhe një herë Kapedanin, me të njëjtin skenar dhe fjalë, nuk do e bëja dot.

Të mendosh që te Kapedani kam qenë vetëm 30 vjeç dhe shoh se sa më shumë vite kalojnë aq më i ri duket filmi.

Për ju zoti Verria cili mund të jetë roli më i dashur që keni? Ndoshta është e vështirë ndarja e tyre pasi të gjithë mund të jenë të dashur, por qoftë edhe nga situata në të cilën janë realizuar?

Në fakt e kam të vështirë të të jap një përgjigje sepse është shumë e vështirë ndarja. Është tamam si babai që nuk mund t’i diferencojë dot fëmijët, pasi për të, të gjithë njëlloj janë. Të gjitha rolet kanë qenë të vështirë dhe të lodhshëm për t’u realizuar.

Në radhë të parë lodhja veteveten duke u përqendruar. Por përqendrimi i tepërt ndonjëherë të shkëput, ndaj duhet të kisha një përqendrim më konseguent dhe permanent për ta tipizuar karakterin nga koka te këmbët.

Ju ka mbetur peng ndonjë emër i kinemasë shqiptare që nuk keni luajtur me të? Qoftë mashkull ose femër?

Kam interpretuar me të gjithë por diçka tjetër më ka mbetur peng. Të luaja rolin e një dashnori, sepse unë nuk di të bëj vetëm këto role të fortë e dramatikë por di dhe të dashuroj.

Në këtë moshë ndoshta jo, por edhe mund ta bëja sepse e kam forcën dhe energjinë e duhur.

  Nga Arjan KONOMI