Aministia është një temë e nxehtë në vendin tonë teksa është bërë publik drafti i plotë i saj dhe çfarë synohet të përfshijë. Kushtet e vështira ekonomike dhe ekspozitimi ndaj COVID-19 duket se nuk e lënë Shqipërinë të vetme mes shteteve që po e shohin aministinë e kapitalit si një mundësi për të ardhura shtesë, por Moneyval ka vënë theksin se kjo nevojë nuk duhet të shmangë angazhimin e marrë për të kontolluar krimin ekonomik dhe luftën ndaj pastrimit të parave.
Takimi i parë i madh i Moneyval (që është një mekanziëm kontollues i Komisionit Europian) i mbajtur në 17 qershor online mes gjithë përfaqësuesve, bëri që presidentja e këtij insitucioni të vinte theksin pikërisht tek risqet e aministive të kapitalit. Elżbieta Frankow-Jaśkiewicz, presidente e Moneyval tha se ka nevojë për të mbajtur një mekanizëm të fuqishëm monitorimi në mënyrë që të sigurojë që shtetet të mos largohen nga angazhimet e tyre për të trajtuar krimin ekonomik me qëllim që të fitojnë të ardhura shtesë financiare nga të ashtuquajturat amnistitë e kapitalit dhe programet vullnetare të pajtueshmërisë së taksave , në vijim të valës së parë COVID-19.

Ajo bëri me dije se MONEYVAL ka filluar të aplikojë një grup të ri kërkesash për vendet për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit përmes abuzimit të pasurive virtuale dhe ofruesve të shërbimeve virtuale të pasurive. Shqyrtimi i parë i këtyre kërkesave u fillua në prill të vitit 2020 duke u përqendruar në Republikën Çeke, Isle of Man, Lituani dhe Ukrainë. Monitorimi i zgjeruar i kësaj kërkese do të aplikohet në mënyrë horizontale për të gjitha juridiksionet MONEYVAL.

Zonja Frankow-Jaśkiewicz foli për pengesat dhe rreziqet shkaktuara nga pandemia ndaj qeverive dhe bllokimi i ekonomive. Ajo nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së një kornize të fuqishme të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit për të siguruar që krimi të mos përdorë mundësinë për të depërtuar me ligj ekonomi.

Shqipëria aktualisht në monitorim të zgjeruar

Shqipëria u kthye në mars të këtij viti në listën gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave për shkak të deficencave strategjike të gjetura nga Task Forca për Veprim Financiar (FAFT). Për herë të fundit, vendi ynë kishte dalë nga kjo listë në vitin 2015, pas një vlerësimi të përbashkët, i cili merr në analizë një sërë elementësh që nga kuadri rregullator e deri te zbatimi i tyre. Por çfarë do të thotë hyrja në listën gri dhe të qenit si një “juridiksion në monitorim të zgjeruar”?

Kjo do të thotë që vendet të cilat përfshihen në këtë listë do të punojnë ngushtësisht me FAFT për të adresuar dobësitë e gjetura në regjimet e tyre sa i takon parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. “Kur FAFT vendos një vend nën monitorim të zgjeruar, do të thotë që ky vend ka marrë angazhimin që të zgjidhë me shpejtësi dobësitë strategjike të konstatuara brenda një afati të dakordësuar më parë. Ajo që ndodh është që pranë FAFT, vendet e “listës gri” raportojnë në mënyrë periodike mbi masat e marra ndërkohë që merret në vlerësim zbatimi korrekt i kalendarit të dakordësuar për përmbushjen e angazhimeve.

Aministia fiskale

Drafti i parë zyrtar i aministisë së kapitaleve parashikon aplikimin e një tatimi në burim nga 5 deri në 10% për të nxitur deklarimin e pasurive.
Konkretisht, nëse vlera do të deklarohet në 4 muajt e parë pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të tatohet 5%, në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit 7% dhe në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit 10%. Drafti përcakton se edhe për rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të deklaruara vullnetarisht pranë njësisë speciale të ngritur në kuadër të këtij ligji, tatim i posaçëm në burim do të paguhet në vlerën nga 5 deri në 10% në varësi të afatit të deklaruar.

Amnistia do të përfshijë legalizimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme me vendndodhje brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ku përfshihen shuma në të holla, monedhë shqiptare apo e huaj (CASH), monedhë dixhitale, sende me vlerë ar apo gurë të çmuar, vepra arti, tituj (securities), apo instrumente të tjerë të tregjeve financiare, pasuritë e luajtshme të regjistrueshme në regjistrat publikë.
Ministria e Financave po konsultohet për draftin e amnistisë fiskale me MONEYVAL-in, Komitetin e Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit, organ monitorues i përhershëm i Këshillit të Europës.

Me amnistinë e kapitaleve, qeveria synon të legalizojë të ardhurat në të zezë të bizneseve, individëve dhe emigrantëve dhe të mos amnistojë të ardhurat nga krimi dhe korrupsioni. Konsultimet me MONEYVAL synojnë dhënien e rekomandimeve për mënyrën e përfshirjes sa më të gjerë të bizneseve dhe individëve që kanë punuar në të zezë në amnisti, si dhe përjashtimin nga ligji të parave të krimit të organizuar dhe korrupsionit, por ende nuk bëhen të ditura detajet e rekomandimeve.

Monitor.al