Inovacioni është kusht për çdo lloj biznesi, në mënyrë që ai të qëndrojë në treg e të ketë sukses të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm. Shpeshherë, pronarët apo menaxherët e bizneseve habiten se pse shitjet bien apo pse kompania shkon gradualisht drejt falimentimit. Përgjigjja në të shumtën e rasteve është: mungesa e inovacionit.

Mund të jetë krijuar një ide sikur vetëm bizneset që lidhen me sektorin teknologjik kanë nevojë për inovacion të shpeshtë, prezantim produktesh të reja, shpikje të papritura për konsumatorët, etj. Por, në fakt, nuk është kështu. Inovacion nuk quhen vetëm shpikjet teknologjike. Edhe ridizenjimi i një produkti ekzistues apo edhe paketimi në një mënyrë të ndryshme është inovacion. Në rastin e ofrimit të shërbimeve, inovacion është mënyra e sjelljes me klientët apo afatet e ofrimit të shërbimit. Në të dyja rastet, rritja e cilësisë së produktit të ofruar, mall apo shërbim qoftë, është gjithashtu inovacion.

Të qenët sipërmarrës nuk është kusht për të shpikur diçka të re, por shpesh të qenët shpikës të ndihmon për t’u bërë sipërmarrës. Kështu ka ndodhur me një sërë figurash të shquara që kanë krijuar produkte të reja: Alexander Graham Bell (shpiku telefonin), Thomas Edison (llambën elektrike), Steve Jobs dhe Bill Gates (kompjuterë dhe programe), dhe shumë të tjerë. Të gjithë këta individë kanë përfituar nga shpikja e tyre për të bërë biznes. Dhe kjo pa dyshim është mëse normale. Sigurisht që është më mirë të jesh i zoti të shpikësh diçka si këta individë, por nëse provon shumë dhe nuk mundesh, nuk duhet të heqësh dorë nga dëshira për t’u bërë sipërmarrës. Çështja është se si mund të bëhet dikush sipërmarrës apo si mundet një menaxher të mbajë të qëndrueshëm biznesin, pa qenë i aftë të shpikë vetë produkte.

Për të qenë një individ inovator në çdo fushë, dikush duhet të ketë karakteristikat bazë të një sipërmarrësi. Ato karakteristika të cilat i mundësojnë një individi që të themelojë dhe të drejtojë një biznes edhe pa qenë shpikës. Ai duhet të ketë ide të shkëlqyera, duhet të jetë në gjendje të shohë mundësi që të tjerët nuk arrijnë t’i shohin dhe sigurisht, të jetë i gatshëm të marrë përsipër një risk të caktuar. Duke pasur këto karakteristika, një individ mund të fillojë një sipërmarrje duke bërë diferencën jo me inovacion në kuptimin e shpikjes së mirëfilltë, por inovacion në mënyrën e të menduarit, në mënyrën e sjelljes në biznes dhe në hartimin e strategjive të suksesit. Një individ i tillë, jo vetëm që ka mundësi të jetë një sipërmarrës i suksesshëm, por në një kohë të afërt do të jetë i gatshëm të punësojë shpikës që do të punojnë për llogari të biznesit të tij.

Hapat drejt një ideje të re

Çdo ide origjinale nuk mund të jetë veçse një evolucion apo zhvillim i një produkti ekzistues. Sigurisht, mund të jetë gjithashtu një metodë e re, një konceptim i ri, një funksion i ri që do t’i shërbejë sipërmarrjes suaj. Ndonëse është i hapur për cilindo, edhe kreativiteti nganjëherë kërkon metoda të caktuara, masa rigoroze apo qasje të strukturuara.

Hapi i parë është të mos e mbash sekret. Duke e diskutuar me të tjerë, duke analizuar problemet e sfidat e mundshme në lidhje me të, idenë tuaj mund ta ktheni në një projekt të suksesshëm, për të përftuar një inovacion të vërtetë që do mund t’ju shërbejë.

Hapi i dytë është kërkimi i burimeve të brendshëm dhe të jashtëm për të kryer procesin sa herë të jetë nevoja deri sa të vlerësohet potenciali i vërtetë. Në këtë mënyrë, duhet ta vendosni veten dhe projektin përballë provave të ndryshme. Pranoni kritika të çfarëdo lloji dhe vlerësoni çdo mendim me qëllim arritjen e rezultateve të pritshme, me qëllim që projekti juaj të kthehet në një inovacion të volitshëm dhe mundësisht unik.

Hapi i tretë është të mblidhni rreth vetes njerëz kompetentë, të cilët nuk do të hezitojnë të sfidojnë idetë apo mënyrat tuaja. Kjo është rruga e zhvillimit dhe përparimit. Kjo fazë është absolutisht e rëndësishme për cilindo që mendon se ka një ide të mirë.

Ndërkohë që sipërmarrja juaj zhvillohet dhe ndryshon rregullisht, aspekti financiar mbetet vetëm njëri nga elementet, pavarësisht se është më i rëndësishmi, aq më tepër në kohë krize. Kështu që duhet t’i konsideroni të gjithë aspektet, si sfidat ashtu dhe nevojat përpara se të ndërmerrni hapin final, “vënien e gjithë procesit në lëvizje”.