Balina Bodinaku i është rikthyer ekranit të televizionit si partnere e Gjebresë tek “E diela shqiptare”. Si gazetare, prezantuese apo show girl?! Kjo nuk ka shumë rëndësi derisa Balina di t’i bëjë të gjitha shumë mirë. Një eksperiencë e re për gazetaren që ndan kohën mes televizionit dhe bankës.

Nga Neritana Kraja

“Në këtë orë kam një takim të rëndësishëm, pastaj më presin në bankë se kam një mbledhje pune. Mbaroj vonë. Pasdite kam xhirimet e së “dielës”…., në darkë do të shkoj në palestër”. “Po nesër”?…. “Nesër është njëlloj si sot…”

Ky është ritmi i ditës për Balina Bodinakun, vajzën simpatike që përkrah Gjebresë drejton “E diela shqiptare”. Ky program erdhi tamam kur duhej. Kishte rreth dy vjet që ishte larguar nga televizioni ku bënte një program të sajin për makinat, e ndërkohë punon në një bankë një punë që e pëlqen. E ndërsa gjërat i shkonin mirë e bukur, ishte ai mikrobi i vjetër i ekranit që e hante nga brenda, sepse ta pranojmë, televizioni është ndër dashuritë e jetës së saj. Menjëherë, sapo i tha “po” Gjeberesë, ngushtoi edhe më shumë axhendën duke mos lënë as edhe një orë të lirë për veten ose miqtë, dhe iu vu punës seriozisht. Sepse e tillë është Balina, kur merr përsipër një punë kërkon ta bëjë duke përfunduar edhe detajet e saj.

Ja, më në fund, takimi në një kafe. Eshtë edhe më elegante nga ç’duket në ekran dhe shumë më sportive. Çfarë të bën përshtypje është spontaniteti, lirshmëria, miqësia që të ofron menjëherë përmes batutash që i ka në majë të gjuhës. Takimi nis i këndshëm dhe të duket sikur njihesh me të prej vitesh.

Biseda vërtitet tek programi i ri, tek dy motrat e saj me të cilat thotë se është shumë e lidhur dhe u beson si askujt tjetër, tek shtëpia e saj e vogël, ku ka dalë dhe jeton e pavaruar prej vitesh, tek makinat për të cilat është bërë gati si një gjysëm eksperteje, që nga emisioni që drejtonte në “Vizion Plus”. Pastaj tek trafiku, cigarja që nuk e duron dot, zgjedhja e garderobës, raporti me meshkujt, natyrën e saj “qejflie” si të gjithë tiranasit e vjetër….Një bisedë e gjatë, e gjatë, që Balina me rrëfimin e saj të bukur, bën të mos e përjetosh aspak si të mërzitshëm, përkundrazi argëtues dhe interesant.

Balina, në ç’raport është ky program me ato që keni bërë përpara?

Eshtë shumë ndryshe nga çdo gjë që kam bërë më parë. Eshtë e ndryshme në rradhë të parë mënyra se si punohet. “E diela shqiptare” është një show televiziv i përmasave të mëdha, për realizimin e të cilit punon një ekip shumë i madh profesionistësh. Ndryshon tematika, ndryshon forma e prezantimit tim, kodi i veshjes, madje edhe flokët herë pas here sikur më ndryshojnë tek “E diela shqiptare”. Nuk e ke vënë re? (qesh)

 

Përse pranuat të merrnit pjesë në programin e Gjebresë?

Propozimi më erdhi krejt papritur, në një moment, kur sapo kisha kapërcyer dilemat që prej disa muajsh më mbanin larg ekranit. Ishte një kombinim i rastësisë dhe dëshirës për t’u kthyer sërisht në ekran. Si mund të refuzoja?

Le të flasim pak prezencat televizive, je ndër të parat që ke sjellë në ekran formatin e një Talk Show me Xhimi Lazrin në Vizion Plus. Ç’kujton nga ajo kohë?

Kujtoj fillimet e eksperiencës time në Vizion Plus, një televizion që e desha shumë, me të cilin ende sot mbetem shumë e lidhur emocionalisht e ku kam pasur dhe kam edhe sot miqtë e mi më të mirë.

Pastaj erdhi një program që i kushtohej makinave. E keni idenë se sa meshkuj ju kanë adhuruar nga ai program?

Shumë do kenë qenë, e marr me mend (qesh). Po ti e di se sa kanë qenë gratë dhe vajzat që e kanë ndjekur rregullisht atë emision? Madje ato kanë qenë edhe më aktive në  komunikimin me mua sidomos përmes e-maileve. Ka nga ato që më kanë dërguar dhe ide, apo kanë pasur pyetje të tipit: “Dua t’i bëj një surprizë të fejuarit, po ai vdes për makinat. Çfarë mund t’i bëj që të mos e harrojë kurrë?”

Dimë se prej dy vitesh punoni në një bankë të rëndësishme ndërkohë që duket se televizioni vazhdon t’ju joshë. Si arrini të gjeni të mesmen e artë mes punës strikte në bankë dhe një spektakli argëtues?

Nëse kishte një arsye që më mbajti larg ekranit për disa muaj, ajo ishte banka. Eshtë një punë të cilës kam vendosur t’i dedikohem dhe t’i jap tërë vëmendjen dhe kohën e nevojshme. Momentalisht vështirësia qëndron në ndarjen e kohës mes dy impenjimesh dhe pasionesh të mëdha dhe të ndryshme. Por, deri tani, mesa duket po ia dal.

Përsa i përket natyrave të ndryshme të këtyre dy punëve, ai është një përceptim disi i jashtëm, pasi vërtet spektakli është argetues, po kështu duhet të jetë për ata që e ndjekin përmes ekranit, për ata që punojnë për realizimin e tij ai kërkon po aq dedikim dhe seriozitet sa çdo punë tjetër e bërë si duhet.

Çfarë bie në sy tek ju tek “E diela…” është spontaniteti, lirshmëria, humori dhe batutat gjithmonë në majtë të gjuhës. E tillë jeni edhe në jetën e përditshme?

Këtu më zure ngushtë. Të të them që i kam të gjitha këto, rrezikoj të dukem pak modeste dhe të më quajnë mendjemadhe… Të të them që nuk jam e tillë, i bie të gënjej. Si thua të më bësh një pyetje tjetër? (qesh)

 

Keni një prezantuese për model, që kërkoni t’i ngjani?

Jo, madje hyj tek njerqzit që konsumojnë shumë pak televizion.

Si pëlqeni t’ju etiketojnë, gazetare, prezantuese apo show girl?

Ndjehem më mirë si gazetare e deri diku dhe prezantuese, sepse kjo është ajo që kam bërë më shumë në ekran. Me termin show girl jam ndeshur këto kohët e fundit pasi u pashë të këndoj një herë me playback dhe nje herë tjetër me trupën e baletit në një numër ku për më tepër ngatërrova gjysmën e levizjeve. S’kam asgjë kundër, por të jesh një show girl kërkon të kesh një sërë talentesh që unë fatkeqësisht nuk i kam. Sidoqoftë, më shumë se etiketa, më intereson dhe pa dyshim më pëlqen të jem e aftë t’i bëj të treja këto dhe pse jo, edhe shumë më teper se kaq. A të thashë që më pëlqen ndryshimi? E pra me pëlqen…

Intervistë:

“Vlerësoj meshkujt që dinë të jenë mirënjohës”

Si shkon jeta jote private përballë gjithë këtyre impenjimeve?

Mirë, po ka dhe më mire (qesh)

Shpesh njerëzit krijojnë përshtrypjen se njerëzit e ekranit janë specie të rralla dhe bëjnë një jetë jo të zakonshme. Vlen kjo përshtypje për Balinën?

Të drejtë kanë(!). Unë për shëmbull, jetoj në një kështjellë prej çokollate. Çdo mëngjes, zgjohem nga cicërimat e zogjve, bëj banjo me qumësht dallëndysheje dhe petale trendafilash, këpus shpejt e shpejt një pllakë çokollatë të zeze me lajthi nga ndonjë cep i kështjellës dhe dal për punë. Sa dal, gjëja e parë zihem me komshijen që më ka zënë derën e garazhdit. Pastaj nuk rrri dot pa sharë atë shoferin e makinës para meje në rrugë që pa të keq nxjerr doren nga dritarja dhe hedh një qese te bardhë plasmasi të mbushur me plehra. Parkoj makinen, zbres dhe ..plluqqq… çizmja ime e fildishtë bie në një pellg me baltë. Që të duken të dyja njësoj, zgërryej dhe tjetrën dhe me kokën lart filloj punët e ditës…

Cila është gjëja më e rëndësishme që ke arritur në jetë?

Të qenit e pavarur. Siguria që kam tek vetja ime.

Parimisht, beson tek dashuria?

Besoj dhe më pëlqen të besoj.

Çfarë vlerëson më shumë tek një mashkull?

Vlerësoj njerëzit e fortë që dinë të mbajnë fjalën, që luftojnë për atë në të cilën besojnë, njerëzit që dinë të vlerësojnë e respektojnë veten e tyre me dinjitet e që e njohin rëndësinë dhe bukurinë e mirënjohjes.

Po tek vetja jote çfarë vlerëson?

Guximin për të fluturuar në qiellin e 7-të dhe aftësia për t’u kthyer me këmbë në tokë sa herë është e nevojshme.

Cilët janë njerëzit tek të cilët besoni më shumë?

Motrat e mia.

Çfarë ju frikëson më shumë?

Të humbas njerëzit e mij të dashur. Një tjetër frikë janë pëllumbat, madje më shumë se frikë, është një forme fobie.

Çfarë është më e rëndësisishme për ty në këtë moment?

Të jetoj mirë me veten time.

Thoni gënjeshtra?

Joooo, nuk kam thënë kurrë ndonjë. (qesh)

 

Intervistë:

Një javë me Balinën

Nis e hëna, dita e parë e javës? Si është ajo për ty?

Edhe nëse nuk është e ngadaltë, ndjehet si e ngadaltë. Një atlet do ta krahasonte me nxjemjen para garës, ndërsa një pilot, apo dhe shofer i zakonshëm, me kohën që i duhet motorrit të makinës për t’u ngrohur.

 

E marta nga supersticiozët konsiderohet ditë tersi. Po ju jeni supersticioze?

Herë pas here jam, ose si të them, nuk jam një supersticioze sistematike. Ka ditë që një mace të zezë e shoh me inat, në ditë të tjera është macja e zezë ajo që më sheh me inat mua. (qesh)

E mërkura?

Pas nxemjes së fillim-javës, të mërkurën energjitë janë afër kulmit

Po dita e enjte, ç’të veçantë ka për ty?

Kam lindur një ditë të enjte.

Ku pëlqeni të shkoni të premten, teatër, kinema, apo koncert?

Varet nga filmi, teatri, apo koncerti

Pse i gëzoheni të shtunës?

Për orët e gjumit në mëngjes.

Vjen e diela, që tani e kaloni në ekran? Ç’dallim ka nga të dielat e zakonshme të Balinës?

Eshtë ditë pune. Duhet të them më shumë?…

Për të mos thënë: “E pastaj erdhi prap e hëna”, çfarë bëni për ta thyer monotoninë?

Asgjë, “E diela shqiptare” ka  gjithmonë diçka ndryshe për mua.

“Jam konservatore për ndryshimet në “look”

Nuk dukesh natyrë që pëlqen transformimet e mëdha…..

Jo në fakt, nuk më pëlqejnë. E konsideroj veten disi konservatore në këtë drejtim. Deri vonë, problemi më i madh që kam pasur me televizionin ka qenë grimi i detyrueshëm për të dalë në ekran, apo nevoja për të stiluar flokët, gjë që e kam refuzuar me kokëfortësi, sa herë që më është propozuar. Tek “E diela”, për herë të parë kam provuar të eksperimentoj dhe duhet të them se jo gjithmonë jam ndjerë mirë me ndryshimet, e megjithatë një farë kënaqësie kam filluar ta marr. Në fund të fundit edhe ai një lloj ndryshimi është, e në një show si “E diela shqiptare” mund t’ia lejoj vetes.

Sa kohë të kushton kujdesi për pamjen tënde?

Pak, po të mos llogaris palestrën, notin, apo ndonjë sport tjetër që mund të praktikoj në periudha të caktuara. Për mua sporti hyn në kujdesin për shëndetin, më shumë se për pamjen.

E vërtetë se ke bërë operacion plastik?

Jo, por bëj pjesë tek njerëzit që kujdesen për veten e që jetojnë edhe më qetë duke ditur se për çdo gjë ka një zgjidhje. Nëse në një moment të caktuar do ta ndieja të nevojshëm një operacion plastik, nuk do ta kurseja fare veten.

Cila është veshja jote ideale?

Xhinse e atlete.

Balina Bodinaku, 33 vjeç, i është rikthyer ekranit të televizionit me më shkëlqim dhe mënçuri si asnjëherë tjetër. Eksperienca e fituar në media gjatë viteve, por edhe puna e re në bankë e kanë shndërruar në një femër, që me plot gojën mund të quhet e suksesshme.

“Dalja e parë në ekran ishte në emisionin e përrallave në TVSH. Do kem qenë 4-5 vjeç”.

“Studimet i kam përfunduar në 98-tën në Fakultetin e Shkencave Sociale, dega Pune Sociale, po atë vit u diplomova dhe në Fakuletin e Gjuhëve të Huaja, dega Spanjisht”.

“Eksperienca e parë fare mund të quhet ajo në gazetën “Sporti Popullor”. Në atë kohë 15 vjeç dhe shumë e dhënë pas sportit, e futbollit në veçanti, dergoja shkrime që kryeredaktori i atëhershëm, edhe sot një gazetar dhe analist i njohur sportiv i botonte me shumë dashamirësi”.