Real Madrid eliminon Bayern Munich dhe bëhet finalisti i parë i këtij sezoni në Champions League. Takimi në “Santiago Bernabeu” u mbyll me shifrat 2-2. Bavarezët hapën takimin me Kimmich, por Benzema realizoi dopietë dhe ktheu gjithçka në favor të Los Blancos. Goli i James Rodriguez shtoi shpresat për bavarezët, por në fund gjithçka ishte në favor të ekipit të Zinedine Zidane që fitoi takimin e parë 2-1 në “Allianz Arena”.

Pjesa e parë – Ndeshja nis me festën e bavarezëve në “Santiago Bernabeu”. Kimmich në minutën e tretë kombinon mirë me Ribery, ndërsa në fund pason për Tolisso-n. Ky i fundit e dërgon topin në zonë, aty ku Kimmich nuk fal dhe çon shifrat në 0-1! Çmenden bavarezët e pranishëm në stadium dhe jo vetëm.

Festa e miqve normalisht që do të zgjaste pak, kur luajnë në fushën e skuadrës vendase. Real Madrid luan qetë dhe pa u ngarkuar emocionalisht edhe pse shifrat po flisnin për ekipin kundërshtar. Megjithatë, një kombinim i qartë mes Marcelo-s, i cili pasi shkoi në fundoren e krahut të majtë të sulmit madrilen e dërgoi topin në zonë, aty ku me kokë Benzema e dërgoi në rrjetë pikërisht sapo hyri minuta e 11, 1-1!

Loja u bë e nxehtë, ndërsa presioni ndjehej te gjermanët, të cilët kërkuan me shumë ngulm që të gjenin golin e dytë, por Ribery dhe Lewandowski nuk finalizuan para Keylor Navas. Në minutën e 32 ishte Muller që pati rastin më të mirë, por gjuajti lehtë dhe portieri madrilen priti me tepër qetësi.

Në minutën e 38 Cristiano Ronaldo bëri goditjen më të rrezikshme drejt kuadratit të Ulreich, ku me të majtën kërkoi rrjetën, por “gardiani” i bavarezëve e dërgoi sferën në këndore. Një minutë më pas ishte Sergio Ramos që provoi të dërgonte topin në kuadrat, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë. Në minutën e fundit Tolisso kërkoi kuadratin e portës së Real Madrid, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë.

Pjesa e dytë – Bayern nis topin dhe tërhiqet në mbrojtje, Real Madrid bën presion dhe në fund Tolisso për të larguar rrezikun kërkon të bashkëpunojë me portierin Ulreich, por ky i fundit humbet vëmendjen dhe i ikën topi në krahun tjetër. Benzema ndodhet aty dhe e dërgon topin në rrjetë, çmendet Madridi! 2-1 në “Bernabeu” dhe Benzema është “dopio” brenda 20 sekondash lojë në pjesën e dytë.

Por, Real Madrid edhe pse arrin që të jetë në avantazh edhe në fushën e tij, i ka të gjitha shanset që të çojë rezultatin më thellë, por Cristiano Ronaldo nuk u tregua i saktë përpara portës së Ulreich, duke humbur disa shanse.

Në minutën e 63 është spanjolli James Rodriguez që provon dy herë brenda së njëjtës sekondë. Gjuan me të majtën, grushton Navas, vrapon dhe tenton me të djathtën, këtë herë vendimtar, të gjithë në këmbë për të, shifrat shkojnë në 2-2! Por, James Rodriguez nuk feston, ai kërkon falje që i shënoi ish-skuadrës së tij.

Pas golit të barazimit është tekniku Jupp Heynckes udhëzoi skuadrën e tij të ushtronte presion drejt portës së Real Madrid. Zidane nga ana tjetër bëri dy zëvendësime për të rifreskuar mesfushën, ndërkohë që emocionet shtoheshin, minutat pakësoheshin.

Kur në kronometër minuta shënonte 80, Bayern pati rastin më të mirë për të kaluar në avantazh. Një krosim në zonë dhe Muller kërcen mbi mbrojtësin Marcelo, duke e gjuajtur sferën drejt kuadratit, por Navas me majën e gishtave e dërgoi në këndore.

Dhjetë minutat e fundit të lojës prodhuan raste më tepër për vendësit, të cilët me Ronaldo-n dhe Bale-n që i mori vendin e Benzema-së kërkuan që të riktheheshin te fitorja. Megjithatë, edhe Bayern në minutën e fundit kërkoi që të gjente golin, por Navas bëri pritjen e mrekullueshme me daljen që bëri.

Vonesat u bënë të zakonshme nga lojtarët madrilen, ndërsa Çakir akordoi 5 minuta shtesë. Periudha e rikuperimit nuk i shërbeu bavarezëve që të shënonin golin që do ‘ti dërgonte në finale. Real Madrid dhe Zinedine Zidane prekin finalen dhe presin sfidën e nesërme mes Roma-s dhe Liverpool-it për të mësuar se kë do të kenë përball në Kiev. Le të shpërthejë festa!

Real Madrid – Bayern Munich 2-2
Shënues: Benzema 11’, 46’ / Kimmich 3’, James Rodriguez 63’