Familjet në qarkun e Beratit dhe të Korçës janë të dhënë më shumë pas “luksit” në shtëpi në raport me qarqet e tjera të vendit.

Vrojtimi i INSTAT për buxhetin e familjeve ka identifikuar se Beratasit shpenzuan për furniturën e shtëpisë, mobilie dhe pajisje rreth 10 për qind të totalit të buxhetit të tyre mujor më 2019.

Pas Beratit shihet se Korça ishte qarku me shpenzimet më të larta për furniturën dhe mirëmbajtjen e shtëpisë, me 9.2 për qind të shpenzimeve totale. Kjo tendencë e këtyre qarqeve për të shpenzuar për mirëmbajtjen e shtëpisë është e dukshme, pasi banesat dhe oborret e tyre kanë më shumë detaje se në qarqet e tjera.

Pas Beratit dhe Korçës, kujdes më të lartë për banesën kanë familjet në qytetin e Gjirokastrës dhe Fierit, të cilat shpenzojnë përkatësisht për të mobiluar dhe mirëmbajtur shtëpinë 8.7 dhe 8.2 për qind nga shpenzimet e tyre mujore.

Në të kundërt shpenzimet e ulëta për banesën i kanë familjet në Kukës, Shkodër dhe Lezhë, të cilat shpenzojnë për banesën përkatësisht 5.6, 5.7 dhe 6.1% nga totali i tyre i shpenzimeve.

Në raport me vitin 2018, shpenzimet për banesën kanë pësuar rritje më të lartë në Qarkun e beratit me 2.3 pikë përqindje, në Fier me 1.5 pikë përqindje dhe në Gjirokastër me 1 pikë përqindje.

Shpenzimet për mirëmbajtjen dhe furniturën e banesës kanë pësuar uljen më të madhe në raport me vitin 2018 në qarkun e Lezhës me 0.7% dhe në atë të Kukësit me 0.6%.

Mesatarja kombëtare për shpenzimet e mobilimit të shtëpisë është 7.2% e totalit me një rritje 0.6 pikë përqindje në raport me vitin 2018.

Gjithsesi familjet në Shqipëri në raport me buxhetin që kanë shpenzojnë më shumë se familjet në BE. Sipas anketave të Eurostat familjet në vendet anëtarë të BE-së çojnë 5.4% të totalit të shpenzimeve mujore për mobiliet dhe pajisjet e shtëpisë.

Familjet në Europë kanë shpenzime më të larta për qiratë e shtëpive dhe pagesat e faturave, pasi zënë gati 24% të shpenzimeve të tyre mujore, ndërsa në Shqipëri qiraja dhe pagesa e faturave zënë 10.1 të shpenzimeve totale mujore./B.Hoxha

Monitor.al