Përplasja më e re mes mazhorancës dhe opozitës për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar

Miratohet vendimi për ndërtimin e Parlamentit të ri në godinën e ish-muzeut të Enverit

Nga Ylli Pata

Politika shqiptare ka nisur një betejë të ashpër, duke gjetur një simbol të ri të përplasjes që ka shkaktuar edhe largimin e opozitës nga Parlamenti. Bëhet fjalë për “Piramidën” ose ndërtesën e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Mazhoranca me votat e saj ka miratuar një vendim që lejon kthimin e kësaj godine në vendin ku do të ndërtohet ndërtesa e re e Parlamentit të Shqipërisë, e cila do të përfundojë më 28 nëntor të vitit 2012 kur mbushen 100 vjet nga themelimi i shtetit shqiptar. Por këtë vendim e ka kundërshtuar opozita, e cila kërkon mbajtjen e një konkursi ndërkombëtar me procedura të rregullta. Por për mazhorancën ky vendim përfaqëson një ndarje të shtetit shqiptar me diktaturën, simbol i të cilit piramida është. Megjithatë, në vend ka nisur edhe një debat i gjerë ku kanë marrë pjesë ertistë dhe ekspertë që po kërkojnë një diskutim të gjerë publik.

Mazhoranca

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se ndërtesa aktuale duhet të prishet, sepse Shqipëria duhet të ndahet nga kjo histori e hidhur e kaluar, duke shtuar se opozita po mbron kultin e ish-diktatorit. “Ndaj Hitlerit të shqiptarëve ka vetëm ndëshkim. Kombi shqiptar ka ndërgjegjen e tij dhe nuk mund të harrojë atë çfarë ka ndodhur”, tha Berisha. Kryeministri Berisha akuzoi socialistët, duke i thënë se “jeni në union me Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë dhe kot nuk i keni ftuar në ato lozha atje sipër, t’ju shoqërojnë të ndjekin fjalimet tuaja patetike, për mauzoletë e diktatorit. Ju nuk po mbroni ndërtesën, as muret, po mbroni kultin e tij dhe e bëni këtë me një regji absolutisht të ndërtuar në mënyrën më djallëzore. Kryetari juaj zgjodhi edhe një nga momentet solemne të jetës së njeriut, të nesërmen e dasmës, për të bërë apologjinë e krimeve të Enver Hoxhës”. Kryeministri përdori edhe ironinë ndaj deputetëve socialistë, duke premtuar se Piramida do të shembet dhe nëse socialistët duan, le të marrin ndonjë copë nga ajo në shenjë kujtimi.

PS

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, ka deklaruar në sallën e Kuvendit se Opozita reagon përherë me këdo që tallet me paret e taksapaguesve shqiptarë. “Ky institucion është qendra ndërkombëtare e kulturës me emrin ‘Pjetër Arbnori’ dhe opozita e respekton tërësisht këtë figurë. Pse e vutë këtë emër dhe sot doni ta hiqni. Po juve ju ngacmon ky emër, se ju bën hije, ndaj doni ta hiqni emrin e tij. A nuk e quajtët ju Mandela e Shqipërisë dhe e latë të vdisnit rrugëve të Italisë pa asnjë ndihmë. Prandaj, zoti Kryeministër, ajo që ju kërkojmë si opozitë është të anuloni vendimin”, tha Ruçi. Opozita kërkoi nga Kryeministri referencat ligjore për zhvillimin e një konkursi ndërkombëtar për Piramidën. Numri dy i PS-së, përballë replikës së Kryeministrit Berisha, i kujtoi këtij të fundit të kaluarën e tij përpara viteve ‘90. “Ti ke mallëngjim për pushtetin e Enverit, sepse je ulur në karrigen e Enver Hoxhës jo vetëm te grupi parlamentar, por edhe tryezën për reformën zgjedhore e mbajte po aty. Madje po të kërkojmë te vejusha e Enverit, do të zbulojmë se ti ke bërë edhe foto me Enverin në shtëpinë e tij”, tha Ruçi. Një tjetër socialiste, Valentina Leskaj, i është drejtuar Kryetares së Kuvendit për shpenzimet që janë bërë për rikonstruksionin e Parlamentit aktual. “Investuat për një Kuvend të ri, ja ku e kemi, tani doni të ri, po pse e rindërtuat këtë, pyet populli zonja Topalli. Po si mund të shpenzoni shuma mbi shuma parash të popullit për lukse të tepruara”?

Procedurat

Projekti i Qeverisë për kompleksin e ri parlamentar nis me përcaktimin e Piramidës si vendi ku do të ndërtohet ai, ndërsa do të jetë një konkurs ndërkombëtar dhe juri ndërkombëtare që do të miratojë projektin më të mirë të paraqitur nga studioja fituese. Kompleksi i ri parlamentar do të duhet të jetë gati në 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, pra 28 nëntor 2012. Për konkretizimin sa më të shpejtë të këtij projekti do të krijohet menjëherë një komision shtetëror i përbërë nga kryetarja e Kuvendit, Kryeministri, ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, ministri i Financave, kryetari i Bashkisë së Tiranës, dy kryetarët e grupeve më të mëdha parlamentare në Kuvend, si dhe sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Vetëm 7 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, komisioni Shtetëror do të përcaktojë studiot e njohura ndërkombëtare që do të marrin pjesë në këtë projekt, ndërsa Qeveria angazhohet të vërë në dispozicion fondet e nevojshme për realizimin e këtij projekti. Sipas relacionit bashkangjitur vendimit thuhet se ambientet aktuale të kryesisë së Kuvendit janë të pamjaftueshme për një jetë normale parlamentare, ku është i pamundur organizimi normal i mbledhjeve të komisioneve parlamentare, për shkak dhe të pranisë së madhe të mediave, por aty mungojnë sot dhe zyra për deputetët, sallat e bibliotekave, të ekspozitave, të konferencave kombëtare e ndërkombëtare e shumë ambiente të tjera. Projekti i miratuar në Kuvend parashikon që kjo shumë të shpenzohet për ngritjen e një jurie dhe vendosjen e çmimeve për kompanitë pjesëmarrëse me projektin më të përshtatshëm. Ky projekt i miratuar nga deputetet, në total 110 faqe, është një ripunim i projektit, i cili është miratuar në vitin 2004. Në të parashikon edhe detajet e ndërtimit dhe kushteve që do të ketë kompleksi i ri parlamentar, duke filluar nga zyrat e deri tek restorantet, baret dhe parkimet brenda kompleksit të ri.

Kostoja

Sipas projektit, është parashikuar që të shpenzohen në masën e 120 mijë euro vetëm për 3 çmimet e para të kompanive, që do të konkurrojnë për projektin e ndërtimit të Parlamentit të ri. Kështu, kompania e parë do të marrë 70 mijë euro, çmimi i dytë 35 mijë euro, ndërsa e treta do të marrë 15 mijë euro. Nga ana tjetër, 10 pjesëmarrës do të rimbursohen me 105 mijë euro në total. Sipas shifrave të shpenzimit, 5 persona për njësinë e projektit do të paguhen 700 euro në muaj, me një shumë totale prej 9600 eurosh. Nga ana tjetër, komisioni i vlerësimit për 5 veta, për 10 ditë do paguhet në

Vendimi

  • Ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar, në vendin ku ndodhet Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori” në Tiranë.
  • Projekti i kompleksit të ri parlamentar realizohet me anë të konkursit ndërkombëtar, me ftesë për marrje pjesë të studiove më të njohura ndërkombëtare.
  • Vlerësimi i projekteve të paraqitura kryhet nga një juri ndërkombëtare, e përbërë prej pesë arkitektësh të shquar, vendës dhe të huaj.
  • Destinacioni i ndryshuar i sheshit të parashikuar në pikën e parë të këtij vendimi dhe procedura që do të ndiqet për ndërtimin e kompleksit do të përcaktohet me ligj të veçantë të Kuvendit
  • Për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi dhe akteve të tjera ligjore krijohet një komision shtetëror i përbërë nga kryetarja e Kuvendit, Kryeministri, ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, ministri i Financave, kryetari i Bashkisë së Tiranës, dy kryetarët e grupeve më të mëdha parlamentare në Kuvend si dhe sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit
  • Komisioni shtetëror brenda 7 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përcakton studiot e njohura ndërkombëtare që iu dërgohet ftesa për marrje pjesë si dhe miraton rregulloren e organizimit të konkursit ndërkombëtar
  • Pranë Kuvendit ngrihet njësia teknike e ndihmës dhe asistencës për realizimin e kompleksit të ri parlamentar. Përbërja e njësisë përcaktohet me urdhër të sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.

Historiku

Piramida u ndërtua në vitin 1987 veshur e gjitha në mermer, rrethuar me shirita të kuq në hyrje të saj si homazh nderimi për Enver Hoxhën (i cili vdiq në vitin 1985). Deri me rrëzimin e regjimit komunist, piramida ishte muzeu i Enver Hoxhës. Pas ’90, për një periudhë të gjatë mbeti pa identitet e lënë në mëshirë të fatit, ku më pas mori edhe emërtimin Qendra Kombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”. Sot e kësaj dite, fati i Piramidës në mes të kryeqyteti është akoma në diskutim. Të gjithë e duan për vete. U ndërtua për diktatorin, kujtimi i së cilit në atë ndërtesë për fat nuk zgjati më shumë se 3 vjet. Më pas Kryeministri Berisha propozoi (qeveria e tij e miratoi më pas) edhe projektin për ngritjen e Teatrit Kombëtare të Komedisë në mjediset e saj. Punimet filluan menjëherë sapo u hodh ideja. MTKRS-ja akordoi një fond (deri tani mendohet se janë shpenzuar 5.5 milionë Euro) për kthimin e mjediseve të Piramidës, në funksion të Teatrit Kombëtar të Komedisë. Por ndërkohë që punimet po mbushin vitin që kanë nisur, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, hedh idenë që Piramida të jetë “streha” e re e parlamentarëve tanë.