Big Brother dhe ‘Gentat’ shqiptare

2018-03-13T15:59:14+00:005 Korrik, 2012 10:16|Kategoritë: Koment, Kuvendim|

Para disa kohësh ndodhesha në Vjenë për të marrë pjesë në një takim gazetarësh të përzgjedhur që kishim fituar një çmim financuar nga banka kryesore austriake. Në takime me gazetarët kur u thashë se një ndër punët që bëja ishte edhe ajo e opinionistit në Big Brother disa prej tyre filluan të qeshnin dhe e morrën këtë punë si me humor. E konsideronin në gazetarinë e “madhe “ të tyre si njëprogram aspak të rëndësishëm, pavarësisht se në vendet e tyre u shprehen se kishte patur një audiencë të madhe. U ndjeva pak keq dhe nisa tu shpjegoja që në rastin e Shqipërisë ky program merr edhe vlera të tjera. Në vërtetë ky format reality show është tërësisht argëtues dhe autorët e tij kur e krijuan nuk menduan aspak që përveç argëtimit të kishte edhe qëllime të tjera. Por ishin të sigurtë në shikueshmërinë e madhe të tij. Dhe në të vërtetë ky është qëllimi i këtij program dhe nuk duhet të ketë qëllim në vetvete që të ketë edhe funksione të tjera. Por në rastin shqiptar merr edhe domethënie të tjera. Në mënyrë spontane dalin në pah fenomene dhe probleme jo vetëm të rinisë sonë por edhe të tërë shoqërisë. Kjo mund të ndodhë nga jetesa e banorëve por edhe nga ajo çfarë ndodh jashtë me ata banorë që përjetojnë këtë experiencë të rrallë personale. Duke qenë një shoqëri në zhvillim, e ardhur nga një prapambetje sociale prej shpërndarjes së popullsisë, në pjesën më të madhe të saj rurale dhe pak të urbanizuar, në jetesën e thjeshtë të banorëve të përzgjedhur dalin shpesh në pah në mënyrë spontane probleme të shoqërisë sonë. Të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, me eksperienca jetësore të dallueshme nga njëri tjetri, pengje të edukimeve të munguara në kërkim të një të ardhme më të mirë, bëjnë që në këtë format duke debatuar mes tyre të përplasen mentalitete dhe kultura të ndryshme. Pikërisht këtu merr shkak edhe vlera e këtij formati. Ka patur në edicionet e kaluara probleme që kanë dalë në pah dhe janë bërë tema debati të gjerë mediatik. Nga emancipimi i femrës që do të ndryshojë realitetin e zymtë të jetës në provincë deri tek probleme diametralisht ekstreme si kanuni apo homoseksualiteti. Rasti i fotove të Gentës, banores nga fshatrat e Korçës edhe ajo në kërkim të një jete më të mire pas kësaj eksperience, dëshmon edhe njëherë thellë një fenomen të femrës shqiptare në përgjithësi. Shantazhi me fotot nuk është një detaj, nuk është një rastësi e as thjesht një histori personale, por është një problem që prek shumë femra shqiptare, të cilat mund të gjenden në të njëjtën pozitë apo edhe më keq. Sa prej tyre dhunohen, sa prej tyre shantazhohen apo gënjehen në format nga më të ndryshmet për të përfunduar në raste të shumta edhe prostituta rrugëve të Europës. Sepse femra ende tek ne konsiderohet në pjesën dërrmuese të shoqërisë si një pronë apo si një plaçkë vlera e së cilës përcaktohet nga mashkulli. Dhuna është një problem i femrës shqiptare; shantazhi edhe pse është një fenomen shumë herë më pak i denoncueshëm është po aq i pranishëm. Dhe Genta na kujtoi edhe njëherë se jo gjithçka është aq e bukur sa duket, se në këtë realitet që në formë mund të duket normal ka një mori të pafund mikrorealitetesh, të cilat bashkohen nga një fill I vetëm viktimizimi i femrës. Një e drejtë që nuk e sjell as ligji sesa emancipimi i shoqërisë në kompleksitetin e saj. Nuk mund të ketë femër të emancipuar në një shoqëri të prapambetur. Të dyja shkojnë paralel. Ndaj programe si Big Brother që kanë një audiencë shumë herë më të madhe se një talk show i organizatave qeveritare nuk janë vetëm argëtues, por nxjerrin më mirë se çdo format tjetër televiziv probleme sociale që brejnë shoqërinë shqiptare. Sepse nuk mund të njohësh e të kuptosh zhvillimin e një shoqërie nëse nuk njeh dhe kupton gjendjen e femrës në këtë shoqëri.