Nga shtatzënitë e VIP-ave tek skandalet,  lidhjet dhe ndarjet më të përfolura…

Ka qenë një vit i mbushur me shumë histori rozë, histori me fund të lumtur e deri ato me thyerje zemre. Janë këngëtarët dhe personalitetet që i  shohim çdo ditë me këngët, muzikën dhe prezantimet e tyre.

Disa prej tyre kanë sjellë në jetë fëmijët e parë. Ndërsa për shumicën duket se ky vit nuk ka qenë i mbarë…

Disa janë martuar, të tjerë janë ndarë. Disa janë zënë, të tjera janë pajtuar. Ky ka qenë bilanci rozë i 2011-ës. Një bilanc i pasur më së shumti me ndarje e lidhje të pazbuluara…

Në listën e skandaleve të këtij viti nuk mungojnë as emrat e Leonard Bombaj e Stresit, të cilët janë përfshirë njëherësh në një histori përdhunimi.

Një vajzë e mitur, dikur nxënëse e regjisorit e ka akuzuar këtë të fundit për përdhunim, ndërkohë që vetë Bombaj pasi ka mohuar të gjitha akuzat, ia ka atribuar fajin reperit Stresi, për të cilin ka bërë edhe një kallëzim në polici duke e akuzuar për kansoje me armë dhe pengmarrje. Aktualisht kjo çështje është në proces gjyqësor dhe pak detaje janë zbardhur.

Lidhur me këtë histori regjisori i “Kripëmjaltëzave” ka shkruar edhe një libër vetëm para pak muajsh.

Këtë vit janë ndarë gjithashtu edhe çifti i përfolur i “BB3”, Bertina-Erion. Ndërkaq po këtë vit ka marrë fund historia e dashurisë mes Arkimed Lushajt (Stresi) dhe modeles bukuroshe, Enxhi Kamenica.

Madje këto të fundit janë përfolur edhe për një sherr banal në publik gjatë këtij viti. Një tjetër emër i përfolur shumë gjatë këtij viti ishte dhe ai i Adelina Tahirit, e cila pasi u përfol për një lidhje dashurie me futbollistin Lorik Cana,

mbeti në vëmendjen e mediave dhe për çdo hap që bënte e shihte veten në gazetë.  Një tjetër personazh që mbeti shumë gjatë në faqet e medias rozë ishte dhe Rozana Radi.

Pas publikimit të fotove topless në një të përditshme, vajza e dashur e skenës dashje pa dashje e shihte veten në kopertinat e revistave dhe gazetave më të shitura në Shqipëri.

Lidhje të tjera shumë të përfolura gjatë këtij viti kanë qenë ato mes çifteve të “Big Brother”, mes të cilave e vetmja që ka mbijetuar është ajo e çiftit Neda-Ogren.Ndërkaq për herë të parë gjatë këtij viti Orinda Huta dhe Turjan Hyska pranuan lidhjen e tyre, moderatori i njohur Alban Dudushi u fotografua me të dashurën e zemrës.

Në të njëjtën formë u zbuluan edhe lidhjet mes Pirro Çakos dhe 23-vjeçares nga Shkodra, Balina Bodinakut dhe analistit të njohur Andi Bushati si dhe ajo e këngëtarit të njohur Seldi me kosovaren Dafina Zeka.

Vëmendje e madhe i është kushtuar paralelisht edhe lidhjes së kantautorit dhe regjisorit Bojken Lako me këngëtaren e re, Semi Jaupaj, kjo sepse Bojkeni po gjatë këtij viti i dha fund martesës së tij disavjeçare.

Ndryshe nga të tjerët, këngëtarja Jehona Sopi dhe Lavdim Koshutova janë martuar në Hawai. Ata kanë zgjedhur një mënyrë moderne për celebrimin e martesës. Kanë udhëtuar deri në Hawai për t’iu betuar njëri-tjetrit për dashuri deri në vdekje.

Ceremonia ka qenë krejtësisht private dhe pas kësaj ata kanë njoftuar të afërmit për martesën. Muajin e mjaltit çifti e ka kaluar në Las Vegas.

Teuta Kurti dhe Dardan Luta janë martuar gjithashtu në shtator të këtij viti. Në ndryshim nga ceremonitë martesore të personaliteteve publike që janë bërë deri më tani, ceremonia e Teutës ishte më ndryshe, ata zgjodhën pikërisht xhaminë për ta kurorëzuar martesën e tyre.Ndërsa “kanagjeqin” (siç njihet në Kosovë dasma e nuses) e organizoi sipas dokeve dhe zakoneve tradicionale shqiptare në shtëpinë e saj në Mitrovicë. Nuk ishte një dasmë e madhe, pasi çifti zgjodhi një festë shumë private, në të të cilën u ftuan vetëm miqtë e ngushtë dhe familjarët.
Sapo kanë nisur një lidhje të re dashurie, në të cilën të gjithë besojnë se do të jetojë gjatë. Ishte pikërisht kënga “Jabadabadu” ajo që bashkoi Mc Kreshën dhe Rozana Radin, të cilët tani po shijojnë ditët më të bukura të dashurisë së tyre.Ata për herë të parë performuan bashkë në festivalin “Kënga Magjike”, me këngën “Jaba daba du” në të cilën arritën të shpërblehen edhe me një çmim të rëndësishëm.
Yllka Kuqi dhe Astrit Pallaska pas një lidhjeje shumë të gjatë zgjodhën vitin 2011 për të kurorëzuar martesën e tyre. Ishte stina e vjeshtës kur u bë ceremonia e martesës në të cilën morën pjesë dasmorë të shumtë.Ndërsa momenti më romantik i asaj mbrëmjeje ka qenë kur Yllka dhe Astriti, i kanë dedikuar vetes dhe dasmorëve një këngë si dhuratë surprizë.
Adrian Gaxha dhe Luana Vjollca nuk janë më bashkë. Dashuria mes tyre është zbehur dhe çifti i njohur tashmë ka shkëputur çdo marrëdhënie mes tyre.Lidhja e tyre katër-vjeçare dukej shumë e qëlluar dhe në media u shkrua se ajo pati kurorëzimin me një fejesë të fshehtë në qytetin e Sarandës në verë, ku Adriani i kishte dhuruar edhe një unazë Luanës.

Por siç duket kjo fejesë nuk e ka ndihmuar çiftin e famshëm që të vazhdojë lidhjen e tyre të dashurisë, por që të dy kanë vendosur të ndahen dhe të vazhdojnë secili rrugët në karrierë duke nënkuptuar se nuk janë për njëri-tjetrin

Një lidhje shumë e përfolur ka qenë edhe ajo mes prezantueses së RTK-së Erleta Hotit dhe këngëtarit Kastro Zizo. Ka disa muaj që ata kanë nisur një lidhje dashurie dhe siç duket kjo histori vazhdon të bëhet akoma më e fortë me sjelljen në jetë të fëmijës të tyre.Si duket ëndrra e Kastros që të bëhet baba për herë të dytë po bëhet realitet. Flitet se Erleta tani është në muajin e 6 –të të shtatzënisë, por gjininë e bebes ende nuk e kanë zbuluar.
Pas një aventure të bujshme me lidhje nga më të ndryshmet, me femrat më seksi të skenës, më në fund bosi i “labelit” “Baba Stars” Getoar Selimi i dha fund beqarisë duke u fejuar me bukuroshen Florenta Islami.Ata organizuan një ceremoni shumë private dhe të veçantë me rastin e fejesës, ku kishte të ftuar miq, kolegë dhe familjarë.
Jo gjithmonë parashikimet për një jetë të lumtur në dashuri, dalin si të sakta dhe këtë e kanë përjetuar shumë yjet të estradës sonë këtë vit. Një dashuri që lindi brenda një periudhe të shkurtër kohore,por e cila nuk zgjati shumë. Këngëtarja Altuna Sejdiu apo Tuna siç e njohin të gjithë, nuk pati fat në dashuri. Ajo u martua para një viti me Rilind Rekën, djalin e ish-ambasadorit të Maqedonisë në Bashkimin Europian dhe profesorit që ligjëron në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë,

Blerim Reka. Martesa e tyre nuk shkoi siç e kishin paramenduar ata. Planet e tyre ishin të shumta, kishin vënë unazat, ishin zhvendosur për të jetuar në Prishtinë, madje kishin blerë edhe një apartament, kishin bërë shumë plane, por ja që gjithçka u ka rezultuar aspak e suksesshme.

Noizy është emri tjetër që s’mund të mungonte në listën e skandaleve të 2011-ës. Në ditët e fundit të vitit një modele kosovare e ka akuzuar reperin e famshëm se e ka lënë shtatzënë dhe madje e ka detyruar Editën,modelen e përfolur të abortojë fëmijën. Ishte një intervistë e modeles në fund të vitit ajo që shkaktoi një zhurmë të madhe, por më pas gjithçka u mohua nga vetë reperi pavarësisht se vajza vazhdoi të publikonte në media mesazhe të Noizyt.
Një lidhje e shumëpërfolur mes këngëtares Dafina Zeqiri dhe Krenar Cocaj. Lajmi i ndarjes së tyre pas shumë vjetësh lidhje erdhi pak para lançimit të videoklipit më të ri të këngëtares dhe albumit të saj të ri.

Ata edhe më parë kanë qenë pre e thashethemeve për ndarje, por vetë e kishin mohuar këtë.

Por 2011 do të mbahet mend gjatë si viti i nënave shtatzëna. Personazhe të dashur të ekranit si: Ledina Çelo, Elsa Lila, Aurela Gaçe, Jonida Maliqi, Enada At Nikolla, Vikena Kamenica (së cilës për herë të parë iu zbulua partneri gjatë këtij viti),

Sonila Meço, Poni, Soni Malaj, Inis Gjoni, Xhemi Shehu, Alketa Vejsiu, Gerta Heta, etj. Stafi i revistës “Shqip” në përfundim të këtij shkrimi i uron të gjitha nënave të reja jetë të gjatë e të lumtur për to dhe fëmijët e tyre…

 Nga Eri Rexha