Aktori i famshëm shqiptar, edhe jashtë kufijve Blerim Destani sapo ka realizuar rolin e tij të fundit në “90 minutes- The Berlin Project”. Ëndrrat e një aktori për të pasur bashkëpunime me kinematografinë e huaj, por dhe në pritje të një roli shqiptar. Jeta plot angazhime, ambiciet, dashuritë e pathëna dhe rrëfime personale për “Shqip”.

“90 minutes -The Berlin Project” një tjetër film i suksesshëm, për ju dhe një tjetër karakter për Blerim Destanin. Na fut pak brenda botës së këtij filmi? “90 minutes-The Berlin Project”

është një udhëtim emocionues 90- minutash në kohë reale dhe si i tillë është vërtetë unikal. Ngjarja fillon në premierën e filmit “90 minuta” në kinemanë Zoo Palast në Berlin. Në qendër të ngjarjes është Sebastiani interpretuar nga unë, një aktor i ri (ylli i filmit në rritje), i cili prej këtu e fillon “misionin e tij hakmarrës”. Vazhdojnë tutje shumë ngjarje të pazakonta, situata bizarre të cilat përfundojnë në kthime të papritura. Është një histori emocionuese që shqyrton emocionet e krijuara në nivele të ndryshme të realitetit nëpërmjet të cilit i shqyrtojmë

zgjidhjet tona, motivimet dhe jetën në përgjithësi. Koncepti themelor është që të tregohet historia në kohën reale përderisa publiku ndjek veçanërisht personazhin kryesor.

Intervista

Nga të gjithë filmat që keni realizuar deri tani kush ka mbetur në mendjen tuaj?

Të gjitha rolet e realizuara kanë mbetur dhe do mbeten në mendjen time, pasi janë investime emocionale të miat. Secili rol për mua shënon kohën në të cilën është realizuar dhe kështu unë shoh veten në atë kohë dhe në ato rrethana që i paraqet filmi dhe roli. Nuk mund të bëj dallime pasi unë i vështroj nga jashtë por shoh brenda tyre.

Tërhiqeni gjithnjë nga bashkëpunimet e huaja, në kinematografi pse? Nuk keni gjetur veten në kinematografinë shqiptare?

Jeta është dinamike, dhe duhet të jesh përherë në hap me kohën dhe dinamikën e jetës. Dhe në këtë kohë më shumë oferta më kanë ardhur nga projekte ndërkombëtare. Por kjo nuk do të thotë se nuk më interesojnë projektet shqiptare. Përkundrazi. Të shpresojmë se në një ta ardhme të afërt edhe do realizoj ndonjë vepër kombëtare.

Kur do ju shohim në një film 100% shqiptar?

E thashë edhe më lart. Shpresoj së shpejti.

Në projektet tuaj është edhe një tjetër film me aktoren amerikano- shqiptare Eliza Dushku, mund të na thoni diçka në lidhje me këtë projekt?

Është një ide, që mendoj se kur të realizohet do të jetë një mrekulli. Por, unë nuk preferoj të flas për ide dhe plane, preferoj të flas për vepra të realizuara. Dhe për këtë do kisha dashur që të flasim pasi të realizohet.

Një bukurosh i suksesshëm, I famshëm a fsheh një ëndërr në sirtar?

Ëndrrat nuk duhet të fshihen në sirtar. Ato duhen kultivuar dhe duhet të bëhet maksimumi që ato të realizohen. Kështu kam vepruar unë dhe ëndrrat e mia tashmë janë realitet që po i jetoj.

Nëse do të zgjidhnit, mes xhinseve, motorrave, makinave luksoze, puros kubaneze dhe aktrimit, kë do rendisnit të parën?

Pa asnjë dyshim, aktrimin.

Cila është sfida jote më e madhe në jetë?

Kur mendoj për sfida, përherë shoh se ato, sfidat janë të një kohe të caktuar. Shumë nga sfidat që kasha në një moshë të re tashmë janë vepra, janë përvojë e imja jetësore dhe profesionale. Kështu që, tani në këtë fazë të jetës sime, kam ende sfida përpara që më motivojnë të ecë drejt tyre.

Kush është “ylli” që të tërheq më tepër në kinematografi?

Yjet e kinematografisë janë në vetvete diçka e realizuar me shumë suksese dhe si të tilla edhe i tërheqin të tjerët që kanë potencial që të arrijnë majat. Unë edhe pse kam arritur shumë, ende kam rrugë për të bërë, dhe shpresoj se shumë nga yjet që i kam ndjekur do i kem përkrah.

Si çdo fëmijë, kush ka qenë dëshira juaj, …kur të rritem do bëhem…?

Pa dyshim Bekim Fehmiu. Ai ishte i pari që e çeli rrugën e sukseseve ndërkombëtare.

Ndiheni i përkëdhelur nga jeta?

E dua jetën. Dhe dua që jeta të më përkëdhelë, por edhe unë ta përkëdhelë.

Cili është personi të cilit i besoni më shumë?

Në çdo segment të jetës njeriu është i lidhur me njerëz tek të cilët ka besim, dhe kjo është reciproke. Unë kam shumë njerëz të afërt dhe të dashur në çdo segment të jetës, si në pjesën private ashtu edhe në atë profesionale.

Jeni përfolur dhe vazhdoni të tërhiqni vëmendjen e medias rozë për sa i përket historive të dashurisë me bukuroshe shqiptare… Kush është momentalisht në jetën e Blerimit..?

Momentalisht jam duke shijuar premierën e filmit “90 minutes -The Berlin Project”, kuptohet edhe pse mund të dukem “single”, nuk ndihem i vetmuar.

Na rrëfeni me pak fjalë se si do të ishte vajza e cila do zinte vend në jetën tuaj?

Diku kam lexuar se nëse dashuria do të arrihet të shpjegohet me fjalë, ajo do tëhumbte kuptimin. Prandaj edhe unë nuk mund të shpjegoj se si do të duhej të duket dikush që… këtë përshkrim do e bëjnë ata që do e shohin përkrah meje, pasi unë ta kem bërë zyrtare si bashkudhëtare në jetën time.

Dhe së fundmi si është një ditë e zakonshme për Blerim Destanin?

Çdo ditë për mua ka një fillim të zakonshëm, pra kafeja e mëngjesit, dhe më pas gjithçka varet se në çfarë periudhe angazhimesh jam dhe çfarë agjende kam përpara.

Nga Klaudia Bufi