Dietologe me eksperiencë por edhe personazh i këndshëm që e shohim çdo javë te “E diela shqiptare”. Këshilla të rëndësishme, mbi dietat, produktet ushqimore e shumë fakte që na vlejnë kur bëhet fjalë për një jetë të shëndetshme

B lerina është një nga personazhet më interesante që shohim çdo javë në shtëpitë tona, në emisionin “E diela shqiptare”, sidomos për amvisat dhe të gjitha ato që e duan ushqimin. Arti i kulinarisë, me të gjitha detajet dhe truket e tij, vjen me shumë finesë nga Blerina, dietologia që ka bërë për vete shumë shqiptarë anekënd.

Çfarë pjatash duan të konsumojnë më tepër shqiptarët, çfarë duhet dhe çfarë konsumojnë realisht. Kjo është një nga problematikat dhe diskutimet që ajo na i përcjell mjaft mirë përmes argumentesh dhe recetash bindëse. Të hash dhe të dish të hash janë dy çështje krejt të ndryshme!

INTERVISTA

Ku konsiston profesioni i një dietologoje?

Profesioni i dietologut konsiston në vlerësimin e statusit ushqimor të çdo individi dhe në përcaktimin e nevojave të tij për sa i përket ushqimit, qoftë ky fëmijë apo i rritur, sportist apo inaktiv fizikisht, i shëndetshëm apo i sëmurë, shtatzënë apo me fëmijë në gji, etj. Dietologu duhet jo vetëm të formulojë ushqimin që i përshtatet secilit por edhe të edukojë për mënyrën e ushqyerjes dhe të ndërgjegjësojë për rëndësinë e saj në cilësinë dhe gjatësine e jetës.

Si të lindi ky pasion?

Në kohën kur unë kam aplikuar në Athinë, universiteti i dietologjisë sapo ishte hapur dhe konsiderohej një shkollë e “së ardhmes”! Për më tepër, në ato kohë, si adoleshente që isha, më dukej shumë tërheqëse një shkollë që veç të tjerash do të ishte e lidhur edhe me elegancën dhe mirëqenien.

Si bëhesh një dietologe?

Në vendet e zhvilluara për të marrë titullin dietolog klinik duhet një formim akademik prej minimalisht katër vitesh. Por si në shumë profesione diploma është thjesht viza për të udhëtuar në rrugën e pafundme të eksperiencës. Përveç shkollimit të duhur, që të jesh një dietolog i zoti duhet të jesh shumë human, i komunikueshëm, i respektueshëm dhe diskret.

Sa “dieta” ndjek një dietologe?

Një dietolog e di shumë mirë se si duhet të ushqehet dhe dieta për një shëndet optimal është dieta e ekuilibruar mirë.

Nga vjen fjala “Dietë”

Nga latinishtja. Fjala “Dieta” ka nënkuptuar në një farë mënyre gjithë stilin e jetesës ku përfshihej dhe ushqimi.

Po në shqip si mund ta përkthenim?

Në shqip do ta përkthenim regjim ushqimor sipas nevojave të individit. Kuptimi i shprehjes “mbaj dietë” nuk nënkupton vetëm rënie në peshë. Dietë mban edhe një sportist që duhet të marrë një sasi të caktuar proteinash dhe karbohidratesh. Dietë ndjek edhe një person që dëshiron të shtojë në peshë. Dietë mban edhe një person që vuan nga diabeti, jo vetëm për të rënë nga pesha por për të kontrolluar sheqerin në gjak. Me pak fjalë dieta nuk është vetëm për dobësim por është një mjet parandalues dhe terapeutik.

Pse po merr kaq rëndësi sot dhe janë të shumtë ata që ndjekin këshillat?

Kohët e sotme janë kohë ku njeriu ka më shumë ushqim se kurrë ndërkohë që është më dembel se kurrë. Në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim industritë e ushqimit prodhojnë shumë më tepër ushqim se ç’nevojitet njerëzimi. Çdo njeriu i takon më shumë ushqim në krahasim me ç’ai djeg. Në treg ka një bombardim ushqimesh kalorike dhe të sheqerosura të cilat kanë mbrapa një strategji marketingu të studiuar mirë. Kjo ka bërë që njerëzit të shfaqin mbidhjamosje e cila ka pasoja serioze për shëndetin dhe cilësinë e jetës.

Kur e mësuan shqiptarët fjalën “dietë”?

Këtë nuk e di me saktësi. Por di se kur unë kam hapur qendrën time dietologjike në 2006-tën fjala “obezitet” nuk ishte aspak e njohur. Fjala “dietë” lidhet shumë me obezitetin dhe dihet që është terapia më efikase për të.

Pse sot është bërë kaq masive edhe privatisht nga njerëzit?

Duke qenë se pesha trupore është e lidhur ngushtë me mirëqenien fizike dhe mendore, njerëzit janë të prirur të kërkojnë zgjidhje nganjëherë edhe në mënyrë të dëshpëruar.

Në kohën e komunizmit cila ishte dieta më e mirë e shqiptarëve?

Fasulet me pilaf, frutat te gjitha vetem te stines, domatja natyrale, gjellet me presh, spinaq, bulmeti dhe mishi i fresket dhe me nje zinxhir prodhimi krejtesisht bio.

Është kjo një problem mirëqenieje?

Është një nga pasojat e mirëqenies pasi kjo ka bërë që njerëzit të lëvizin me pak dhe të hanë më shumë. Industrializimi dhe lufta për të rritur fitimin ka ndërhyrë shumë keq në cilësinë e ushqimeve. Po sjell si shembull mishin: nëse prodhimi i mishit do të bëhej në mënyre krejtësisht natyrale, që do të thotë pa përdorur hormone rritëse, antibiotike, ushqime të koncentruara me përmbajtje kimikatesh etj, atëherë sasia e mishit që do t’i takonte çdo individi do të ishte shumë më e vogël nga ajo që konsumojnë sot vendet e zhvilluara, dhe do të përkonte tamam me rekomandimet e sotshme për mostejkalimin e një racioni mish të kuq në javë! Pra natyra vëtë duke e pasur të kufizuar rritjen e gjësë së gjallë e mbron disi njeriun nga efektet e dëmshme të mishit të kuq kur ky konsumohet me shumicë.

Kush është më i shëndetshëm një njeri që ka nevojë shumë për dietë apo një tjetër që nuk është i ushqyer mirë?

Parimisht një njeri obez ka më shumë shanse të ketë më pak vite jetë për shkak të mbidhjamosjes së tij sesa një njeri i cili është i dobët dhe i ushqyer me një diete hipokalorike. Madje mendohet se njerëzit që marrin më pak kalori se ç’nevojiten jetojnë më gjatë! Megjithatë edhe këtu ka shumë vlerësime që duhen bërë para se të nxjerrësh një konkluzion.

Çfarë mendon për shprehjen popullore “t’u bëftë gjak e dhjam”?

Mendoj se kjo shprehje e ka origjinen në vitet kur ilaçet për të kuruar sëmundjet ishin të kufizuara dhe e vetmja mënyrë për t’i përballuar ato ka qenë ushqimi dhe depozitat e energjisë në formë dhjami në trup. Natyrisht që në ato kohë një fëmijë i shëndoshë e përballonte më mirë një sëmundje sesa një fëmijë i dobët.

Dietat konsistojnë vetëm në heqjen e dhjamit të tepërt?

Jo, eliminimi i dhjamit të tepërt është vetëm një nga sukseset e dietës. Dieta mund të konsistojë në shumë përmirësime të statusit shëndetësor si p.sh. në balancimin e sheqerit në gjak, në uljen e yndyrnave, në uljen e tensionit të lartë në gjak etj.

Hanim më mirë kur hanim më keq?

Hanim më mirë kur hanim më pak!

Sa lloje dietash dobësimi ka?

Ka shumë, çdo ditë dëgjoj nga një të re, njëra më e çuditshme se tjetra! Normalisht ato më të famshmet janë dieta Atkins, Dieta e zonës (the Zone Diet), dieta e grupit të gjakut, (The southbeach diet) dhe se fundmi dieta e Dukanit. Realisht asnjëra prej këtyre dietave nuk ka gjetur mbështetje të plotë nga komuniteti shkencor, të para si në përbërje ashtu edhe në efektet afatgjata në shëndetin e njeriut. Dihet që dikush, nëse ha më pak se zakonisht do të bjerë nga pesha. Kjo nuk do asnjë shkencë të veçantë. Të gjitha këto dieta në fund të fundit bazohen pikërisht në këtë fakt. Akoma dhe ato që premtojnë se mund të “hash sa të duash” diku do të bëjnë kufizimin e kalorive.

Sa përcakton fiziologjia e njeriut dietën që ai duhet të ndjekë?

Për të formuluar një dietë për një individ bazohesh kryesisht në këto të dhëna: peshë, gjatësi, masë dhjamore – masë muskulare, gjini, moshë, nivel të aktivitetit fizik, status shëndetësor, intoleranca – alergji dhe se fundmi por jo se pakti në zakonet e tij aktuale të të ushqyerit.

Nga ana gastronomike çfarë kanë të përbashkëta dietat?

Me siguri reduktimin e yndyrës.

Po ndryshimi më i madh i tyre?

Ndryshimi më i madh i dietave do të thosha qëndron në “teorinë” në të cilën bazohen.

Në morinë e madhe të dietave sa e vështirë është të gjesh atë të duhurën?

Ne duhet të kuptojmë që dietat duhet të rekomandohen nga specialisti përkatës ose nga mjeku. Asnjë person nuk mund të jetë i sigurt që është i aftë të zgjedhë dietën që i përshtatet pa u konsultuar me një dietolog serioz. E përmend fjalën serioz se ka dhe nga ata që janë vetëquajtur dietolog pa pasur arsimimin e duhur. Për më tepër në Shqipëri është kollaj të ndodhë kjo pasi ne nuk kemi shkollë dietologjie dhe detyrimisht personat që ofrojnë këtë shërbim duhet të jenë shkolluar jashtë shtetit.

Sa të ndjeshëm janë njerëzit ndaj shëndetit të tyre përsa i përket ndjekjes së dietave?

Kjo ka të bëjë shumë me nivelin arsimor, ekonomik, social, me edukatën e marrë në familje, dhe me perceptimin dhe ambicien lidhur me cilësinë e jetës që pretendon gjithkush për veten. Nëse do ta shihnim në përgjithësi për popullsinë shqiptare do të thosha që një përqindje shumë e vogël jep rëndësinë e duhur në zgjedhjet që bën për ushqimin.

Të jesh i kujdesshëm në ushqim do të thotë që mban dietë?

Sigurisht që jo. Të jesh i kujdesshëm me ushqimin do të thotë që të duash veten. Më vjen në mendje shprehja e filozofit Schopenhauer i cili ka thënë: “Shëndeti është shpërblimi më i madh që i jepet njeriut në jetë!” Ushqimi është në dorën tonë për të qenë aleati ynë dhe jo armik!

Na tregoni pesë produkte që duhen eliminuar ose të përdoren sa më pak të jetë e mundur?

Në fillim të listës do të vë pa hezitim pijet e gazuara (përjashtuar uji me gaz), salçiçet – sallami, patatinat, karamelet, drithrat e gatshme për mëngjes të sheqerosura.

Po pesë produkte që janë të domosdoshme për organizmin edhe kur duhet të mbash dietë?

Qumështi ose kosi, peshku, vaji i ullirit ekstra i virgjër, buka e zezë pa maja, zarzavatet-frutat.

Po tek fëmijët si funksionon? A duhet të mbajnë dietë ata?

Te fëmijët funksionon vetëm me masa parandaluese dhe me edukim shumë të kujdesshëm nga ana e prindërve. Fëmijët nuk mund të mbajnë dieta hipokalorike në asnjë mënyrë sepse ndërhyn në rritjen e tyre. Te fëmijët mjafton të kontrollohen ushqimet që ata hanë, kur dhe ku hanë por jo kaq shumë sasia.

Sa dietike është guzhina tradicionale shqiptare?

Kuzhina jonë është pak e ngarkuar me yndyrë sidomos yndyrë shtazore e cila vjen nga bulmeti, gjalpi dhe mishi. Ne konsumojmë shumë më shumë gjalpë dhe mish seç nevojitet.

Cilat janë pjatat më të “rrezikshme”?

Të skuqurat!

Po ato më dietike?

Nëse reduktohet yndyra dhe sheqeri që përdoret pothuajse të gjitha pjatat mund të kenë një version dietik.

Si lindi ideja për të realizuar reportazhin në tv Klan me gatimet shqiptare?

Ishte një kuriozitet për të eksploruar ushqimet, traditën dhe zakonet tona lidhur me ushqimin. Ushqimi ka një domethënie të madhe në jetën e gjithkujt sepse ai është i lidhur ngushtë me prejardhjen, me historinë, me zhvillimin dhe civilizimin. Nëpërmjet kuzhinës pasqyrohen shumë tipare të shoqërisë.

Çfarë të ka bërë më tepër përshtypje në këtë eksperiencë?

Më ka bërë përshtypje bukuria e vendit tonë! Më ka bërë përshtypje bukuria e Valbones dhe mikpritja e banorëve të saj, bujaria e kuksianëve, nikoqirllëku i përmetarëve, mirësia dhe butësia e pogradecarëve, aristokracia e korçarëve, qytetaria e shkodranëve, shpirti krijues i lezhianeve. Nga çdo qytet kam marrë me vete një pasuri të vogel që në fund të emisionit u kthye në një pasuri të madhe dijesh dhe miqsh!

Cila zonë e Shqipërisë ka një tradite kulinare më të pasur?

Unë do të veçoja Pogradecin dhe Korçen. Jo vetëm guzhinë e pasur por dhe e përzgjedhur!

Vetë personalisht çfarë gatimesh bën zakonisht në familjen tënde?

Unë vetë nuk gatuaj, nuk më del koha! Në përgjithësi konsumojmë gatime shtëpie, shpesh të njëjta me ato që ju shërbejmë klientëve tanë. Në preferencën time janë pastat, fasulet, sallatat me të gjitha llojet e jeshileve dhe vaj ulliri cilësor, mishi i qingjit dhe kosi. Për fëmijët e mi kujdesem që të konsumojnë ushqime natyrale dhe të kenë bukë cilësore, vaj ulliri ekstra të virgjër dhe mjaltë të mirë. Nuk jam aspak manjake për ushqimin e tyre por mundohem t’ju reduktoj në maksimum konsumin e ushqimeve të panevojshme si kruasanet, patatinat, çibukët, karamelet e çdo lloj ushqimi që vjen i paketuar në një ambalazh tërheqës.

Me cilin familjar të afërt debaton më shpesh për “ngrënien apo mosngrënien” e një gatimi?

Me mamin tim që m’i jep çokollata fëmijëve! E imagjinon çunin tim një vjeç e gjysmë që shtrihet përtokë duke ulëritur “koko, koko” dhe duke treguar me gisht nga dollapi ku fsheh mamaja ime çokollatat!

Një këshillë të fundit?

Hani më pak, lëvizni më shumë, ushqehuni duke qenë në harmoni me natyrën dhe ligjet e saj!

Nga: Arjan Konomi